Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Dëshmorë të DVS të rënë në Kosovë në vitin 1944

DVS që prej 18 tetorit 1944 kishte filluar luftimet në Qafën e Prushit dhe po futej në tokën e Kosovës. Gjatë tetorit dhe nëntorit 1944 brigadat e DVS (BrVS, BrIIIS dhe BrXXVS) kishin çliruar gjithë Kosovën dhe po luftonte për të dalë në rrethinat e Pribojit dhe të Vishegradit. Vetëm për çlirimin e Sanxhakut dhanë jetën 43 luftëtarë të UNÇSH, ku 30 ishin nga BrVS; 8 nga BrIIIS dhe 5 nga BrXXVS. Gjatë kësaj kohe kishin vdekur nga sëmundjet, por veçanërisht nga tifoja e morrit dhe të ngrirë 60 partizanë, si dhe 107 të tjerë ishin të plagosur.

Familja Gabaj në Ramicë dha shumë për luftën…

Gani Bajram Gabaj, lindi në Ramicë në vitit 1921, në një familje të madhe patriotike. Në Ramicë të Smokthinës Familja Gabaj u aktivizua e gjitha në Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo familje u përfshi si një e tërë në luftë, e cila sakrifikoi deri edhe jetën e gjyshes dhe të nipëve të saj. Shtëpia e Gabajve ka 80 vite që 4 fotografi qëndrojnë pranë njëra-tjetrës. Kësaj familje patriotike dhe atdhetare lufta i mori gjyshen dhe tre nipat e saj që ranë për lirinë e Atdheut. Ganiu nuk pranoi të kryente shërbimin ushtarak dhe shkoi në mal ku bëhet anëtar i çetës partizane “Plakë” në dhjetor 1942 dhe mori pjesë në luftimet që kreu kreu çeta, si në Luftën e Gjormit dhjetor 1942-janar 1943, në Selenicë në shkurt 1943, në luftën e Drashovicës të vitit 1943. Më tej u rreshtua në formacionet luftarake të BrVS më 28 nëntor 1943, në Gumenicë të Vlorës. Mori pjesë në betejat e luftimet e brigadës deri në tokat e Kosovës. Në sulmin për çlirimin e Gjakovës lufta vijonte në qytet, edhe përreth tij dara po shtrëngohej. Batalioni i katërt, i zuri në kohën e duhur pozitat. Orvatjet e armikut për të dalë nga qyteti i rrethuar ose për t’u ardhur në ndihmë të rrethuarve, ndeshën në zjarrin e partizanëve dhe u thyen. Gjatë një ndeshjeje me forcat e batalionit, armiku mundi të kapë një pozicion të fortë, të cilit nuk mund t’i bëhej asgjë me pushkë e mitraloz. U desh që togëkomandantin trim, komunistin e vjetër Gani Bajram Gabaj të hidhet në sulm me granata, që të shkulte armikun nga ai pozicion, por mbeti vetë i plagosur. Më tej, nazistët zunë një pozicion tjetër por Ganiu, edhe pse i plagosur, sulmoi përsëri me granata dhe përsëri e detyroi armikun të zmbrapsej, duke rënë në fushën e nderit. Populli trim e liridashes gjakovar, kur pa luftëtarët e lirisë që luftonin kundër pushtuesve naziste dhe veglave të tyre, doli i tërë nëpër rrugët e qytetit për t’u ardhur në ndihmë vëllezërve partizane.

Gani Gabaj është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljet e “Kujtimit”, të “Çlirimit” dhe të “Trimërisë”. Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë, si dhe me vendim të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, nr. 10, datë 20.05.2003.

Sejdini, komisari i kompanisë që ra në Junik, Kosovë

Sejdi Ormën Murraj lindi në vitin 1920 në Bashaj të Smokthinës. Familja e tij ishte patriotike. Babai Ormëni pas luftës së 1920 u vendos në Ujë të Ftohtë në Vlorë dhe u mundua me punë të ndershme të rriste fëmijët e shumtë. Ai vet dhe fëmijët u lidhën me lëvizjen. Në vitin 1942, Zejdini duke qenë në shërbimin ushtarak, arratiset dhe rreshtohet në çetat partizane. U ngarkua me detyrë që të shkonte ilegalisht në qytetin e Vlorës. Aty diktohet, kapet dhe burgoset. Në një demonstratë antifashiste, njësiti guerril dhe populli i Vlorës thyen hekurat e burgut. Sejdini rreshtohet luftëtarë në çetën “Plakë” të Vlorës dhe më pas u rreshtua në BrVS. Rruga heroike e brigadës e burrëroi dhe e forcoi Sejdinin. Ai u dallua për trimëri e guxim, frymëzues e drejtues e organizator. Shabi i brigadës e ngarkon me detyrën e komisarit të kompanisë. Më 25 tetor 1944, në Junik të Gjakovës vazhdonte lufta, ndërsa Vlora ishte çliruar. Në shtëpinë e nënës Metullahes erdhën mjaft luftëtarë të lirisë. Nëna e pa se fytyrat e tyre ishin të prera. Flisni, u tha nëna. Morëm një letër nga Gjakova, ta dërgon shtabi i BrVS. Ndërsa luftëtari me dhimbje në zemër lexoi: “Komisari i kompanisë, Sejdin Murraj ra si trim në Junik. Ai dha jetën e tij për çlirimin e Kosovës”. Nëna mori letrën, e puthi dhe kapërdiu dhëmbjen e saj. Por vuajtjet e mëdha të operacioneve, goditjet e mëdha të vdekjeve e bënë punën e tyre. Ajo nënë e madhe shqipëtare, uli kokën dhe vdiq krenare ashtu siç kishte jetuar në fillimin e vitit 1946. Amaneti, që u la tre djemëve të tjerë dhe katër vajzave ishte ky. “Mendoni sa nder na sollën Metja, Sejdiu, Zeneli dhe babai juaj, ndaj përpiquni të jeni të denjë…”. Populli ju ka ngritur shumë këngë kësaj familje dhe luftëtarëve të saj. Kënga më e bukur është vetë historia e saj. Ormën Murra me tre djem që nga Vlora në Gjakovë, e lau rrugën e lirisë me gjak… Emrin e Familjes Murraj dhe të bijve të saj e kanë disa rrugë e shkolla në Vlorë. Për ta është shkruar vazhdimisht në shtypin e kohës, pasi ata ranë për lirinë e atdheut dhe mbeten gjithnjë yje që ndriçojnë.

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

Luftoi nga Tragjasi në Sanxhak

Hyri Arif Çurre lindi në Tragjas në vitin 1927. Familja e saj përkrahu gjerësisht luftën. U përfshi në LANÇ në vitin 1942, bëhet anëtare e çetës partizane “Hodo Zeqiri” në vitin 1943 dhe me inagurimin e BrVS në janar 1944, rreshtohet në radhët e saj. Mori pjesë në të gjtiha luftimet e brigadës deri edhe në Kosovë. Ra në fushën e luftës kundër nazistëve gjerman më 19. 12. 1944 në Sanxhak të Jugosllavisë.

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

Trimi që ra në Kosovë

Hasan Selim Mërtiri lindi në Tragjas në vitin 1912. U përfshi në LANÇ që në vitin 1941. Bëhet anëtar i çetës vullnetare territoriale të fshatit, më pas partizan në çetën “Hodo Zeqiri” në qershor 1943 dhe me formimin e BrVS në Gumenicë të Vlorës më nëntor 1943, rreshtohet efektiv i saj. Ra në fushën e betejës në Kosovë në vitin 1944.

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me nr. vendimi 97, datë 22.09.1972 të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Vlorë.

Luftëtari nga Kalivaçi që ra në Rugovë

Sami Musa Nelaj lindi në vitin 1926 në Kalivaç të Tepelenës. Familja e tij ishte e varfër dhe u detyrua të punonte në Vllahinë të Vlorës për të siguruar ekonominë shtëpiake. Më 4 mars 1942 mori pjesë në demonstratën e madhe të Vlorës. U rreshtua në çetën “Plakë” të Vlorës, më pas në batalionin partizan “Ismail Qemali”, përgjegjës i rinisë dhe me formimin e BrVS në Gumenicë të Vlorës rreshtohet në radhët e saj. Mori pjesë në luftimet e brigadës dhe ra heroikisht më 12 tetor 1944 në Rugovë të Prizrenit.

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 44, datë 3. 8. 1971 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Tepelenës.

I plagosur belxhiku këndonte vënçe

Hito Sinan Sinamataj lindi në vitin 1916, në fshatin Velçë, por ngeli jetim pasi nëna e la të vogël. Mbaroi shkollën fillore në fshat dhe më pas u muarr me punët e bujqësisë. Në vitin 1938 u thirr nën armë në ushtri dhe me përfundimin e saj u kthye në fshat. U përfshi në lëvizjen antifashiste dhe doli illegal e punoi në fshat që nga fillimi i vitit 1942. Mori pjesë në të gjitha aksionet e zhvilluara në krahinën e Mesaplikut dhe në rrethin e Vlorës. Ishte një nga anëtarët më aktiv të organizatës së rinisë dhe pjesëtar i çetës territoriale “Islam Shanaj”. Mori pjesë në luftën e Gjormit, në betejën e Drashovicës, ne Luften e Gjormit, në Vajzë, në grykën e Karterit, në Velçë e kudo. Në janar 1944 iu përgjegj thirrjes për të dalë partizan dhe më 20 janar, ditën e përurimit të BrVS, u rreshtua në radhët e saj. Kompania ku bënte pjesë Hito luftoi në shumë aksione e në vende të ndryshme. Hedhja në erë e urës së Palasës për të penguar lëvizjen e kollonave armike nuk ishte një punë e lehtë. U gjend disa herë i rrethuar në malin e Vunoit, në Bogonicë, por kompania me partizanë të tille si Rrapo Hasimi nga Kanina e Hito Resulaj nga Velça i përballuan me sukses, me vullnet e disiplinë vështirësitë e luftës e të dimrit të egër. Luftoi në Tri Urat, në Çarshovë të Përmetit, me forcat gjermano-balliste në Macukull të Matit, në malin e Korabit për çlirimin e Peshkopisë, etj. Më 1 tetor 1944 BrVS kaloi në Kosovë për të ndihmuar vëllezërit kosovarë dhe popullin e Jugosllavisë të çliroheshin nga nazizmi gjerman.

Hito kryente detyrën e zëvendëskomandantit të kompanisë dhe mori për detyrë të sulmonim forcat gjermane dhe zuri pozicionin luftarak në lindje të Gjakovë. Kompania sulmoi përpara dhe çliroi njërën pas tjetrës lagjet lindore dhe hyri në thellësi, në qytet. Për të çliruar një ndërtese, Hito plagoset nga zjarri i një mitralozi armik i vendosur në një minare xhamie. Ashtu i plagosur vazhdonte të qëllonte me belxhikun e tij… deri sa ra në fushën e nderit. BrVS e çliroi qytetin e Gjakovës më 10 nëntor 1944 dhe qytetin e Prizrenit më 17 nëntor 1944.

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22. 09. 1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Vlorës.

Që nga Vlora në Kosovë…

Qemal Çize Shabani ka lindur në Velçë të Vlorës në vitin 1920. Familja e tij ishte e shquar në histori, pasi të parët e tij si Hakan Shabani i kishte vënë pushkën shovinistëve grekë, më 1913-1914 në Kuç e në Tatzat dhe më vonë pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës më 1920 dhe ra në fushë të nderit. U rrit jetim, pasi prindërit ndërruan jetë shpejt, kur ishte i vogël dhe u rrit tek kushëriri dhe tezja në Tërbaç të Vlorës. Në këtë familje, që ishte një nga bazat e para të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Qemali bie në kontakt me aktivistë dhe simpatizantë të Lëvizjes si Vehbi Hoxha e të tjerë. u aktivizua në njësitin guerril të fshatit Tërbaç e më pas mori pjesë në Luftën e Gjormit. Më 24 korrik 1942 duke treguar guxim e shpirt vetëmohimi, dha kontribut në aksionin për paralizimin e ndërlidhjes fashiste duke prerë telat e telefonit. Komanda e ushtrisë fashiste u hakmorr dhe, pasi i zbuloi me anën e hafijeve të tyre, arrestoi shumë aktivistë të Lëvizjes. Një nga ata ishte Qemal Çize Shabani, të cilin e mbyllën në burgun e Porto Palermos. Në kampin fashist ai provoi mbi trupin e tij tortura çnjerëzore, por nuk tregoi asnjë nga shokët në hetuesinë e burgut. Për mungës provash e lirojnë dhe sërish Qemali është në radhët e shokëve të Lëvizjes. Në nëntor 1943, bashkë me njëzetë e tre shokë të tjerë del partizan në mal dhe rreshtohet në radhët e BrVS. Në aksionet që do të kryejë ky batalion, Qemali do të shquhet për gatishmëri, trimëri dhe do të shpalosë vetitë më të mira moralo-politike të partizanit revolucionar. Që nga Tërbaçi, Mesapliku, Përmeti, Kosova e deri në Sanxhak të Bosnjës djali i Shabanajve do të tregojë karakteristikat e një labi të vendosur. Ra në mbrëmjen e 19 dhjetorit 1944, kur batalioni kishte zënë pozicion në fshatin Domjollopishë të Senicës në Sanxhak, për të sulmuar pikëmbështetjet e nazistëve.

Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22. 09. 1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Vlorës.

Please follow and like us: