Mbi librin e Luan Ramës “Udha e gjatë nën tunelin e Platonit”
Fati i artistit nën censurën në Shqipëri (1945-1990)
Vlerësime nga kritika franceze:
“… Ju sillni një kontribut të rëndësishëm në njohjen e regjimeve të tilla që shtypin individin dhe kërkojnë të kontrollojnë shpirtrat. Por, siç e tregoni ju, mendimi human dhe veprat e tij krijuese nuk mund të mbyten kur ato aspirojnë dhe shprehin lirinë…”.
Jack Lang, ministri francez i Kulturës
“…Mësimi i nxjerrë nga Arkipelagu Gulag është për këtë libër një çelës udhërrëfyes dhe për këtë ju falenderoj nxehtësisht. Ky libër do të mbetet për mua një referencë e rëndësishme”.
Claude Durand, drejtor i “Fayard”
“… Gjithë vepra e Kafkës dhe e Alfred Jarry-së janë përmbledhur në një realitet politik shqiptar nën shtypjen e Enver Hoxhës, njeriut që për gjysmë shekulli e ktheu vendin e vet në burg… Një tregim haluçinant ku në qendër është njeriu i ri në shërbim të një ‘humanizmi revolucionar’. Ky libër na fton në një udhëtim në perandorinë e frikës dhe të absurditetit të Enver Hoxhës e të Leninit, në tunelin e Platonit që s’është gjë tjetër veçse një bodrum i Sokratit”.
Gazeta Ouest France, Alain Besson, kritik
Joël Baffou, shkrimtar
Çfarë dobie ka një shkrimtar në diktaturë? “Të gllabërojnë njëri-tjetrin,” – përgjigjet Ismail Kadare, për të shpjeguar se lufta e artit kundër barbarisë nuk është një luftë e fshehtë, një luftë me doreza, por një luftë deri në vdekje që përfundon vetëm me shfarosjen e tjetrit. Një mënyrë gjithashtu për të pohuar se arti arrin gjithmonë të fitojë mbi tiraninë për aq kohë sa artisti përmbush misionin e vet deri në fund.
Pra, në vitin 1989, komunizmi në Evropën Lindore kishte marrë fund, ishte rrënuar, siç mund të thuhet për një individ viktimë të një sulmi, brutalisht, pa rezistencë. Do të ishte pa asnjë dyshim një ekzagjerim të thuhet se arti e mundi barbarinë i vetëm. Në Evropën Lindore, lufta e guximshme e disidentëve kishte ndriçuar rrugën dhe ruajtur dinjitetin. Me rënien e Murit të Berlinit, përfundonte dhe lufta kundër komunizmit. Por kjo luftë kishte ndaluar shumë kohë më parë, nga mungesa e luftëtarëve. Diktatura e Lindjes kishte marrë pamjen e lodhur të autokratëve me fytyrë të zbehtë, Zhivkov, Çaushesku ose Husak, të këtyre pleqve të cilët mbanin mbi kokë vdekjen e sistemit.
Historia ndoshta do të kujtojë se Blloku Lindor vdiq nga konkurrenca e tij e pabarabartë dhe e pashtershme me shoqërinë perëndimore dhe Lufta e Yjeve e Ronald Reganit. Në fakt, komunizmi ishte shuar nga tradhtia e udhëheqësve të tij të fundit. Ky sistem kishte lindur për të prodhuar dhunë në formën e lëvizjes së përhershme dhe u rrëzua si një çiklist që ndalon së pedaluari. Kështu përfundoi periudha që pasoi vdekjen e Stalinit dhe të cilën Kadareja, në parathënien e tij te “Vjeshta e frikës” nga Bashkim Shehu, e quan “farsa gogoliane”; përveç se në Shqipëri.
Në botën komuniste Shqipëria zë një vend të veçantë. Fatkeqësia e saj ndoshta qe se për dyzet vjet, ndryshe nga vendet e tjera lindore, tradita e të cilave donte që ato të udhëhiqeshin nga burra të pashkolluar, brutalë dhe nganjëherë alkoolikë, kishte në krye një « dandy » elegant në kërkim të kënaqësisë, një intelektual të mbrujtur me kulturën franceze dhe të magjepsur nga Revolucioni Francez. Legjenda e Robespierit e formësoi Enver Hoxhën, ashtu siç fabrikoi dhe Pol Potin, Khiu Shamphanin dhe frekuentuesit e tjerë të Saint-Germain-des-Prés para Luftës së Dytë Botërore. Me të, edhe pas vdekjes së Stalinit, sipas Kadaresë, vazhdoi epopeja shekspiriane, kulmi i së cilës do të jetë kjo perzierje e përgjakshme e Makbethit, vdekja e dhunshme në 1981 e Mehmet Shehut, numri dy i egër i regjimit.
Rastësitë e jetës më shtynë disa vite më vonë të qëndroja në “Vilën 30”, rezidencën luksoze të të vetëvrarit misterioz, për të cilin Hrushovi thoshte se një ditë ai i kishte rrëfyer se kishte vrarë me duart e veta disa të burgosur italianë. Më shumë se dhjetë vjet pas zhdukjes së bishës heroike, dhoma e tij ku fjeta pikonte ende vdekje.
Kjo atmosferë muzgu ndehet si një fatalitet mbi librin e Luan Ramës. Si shumica e burrave që kanë mbushur të dyzetat, autori është në periudhën kryesore të jetës së tij. Por për një shqiptar mund të imagjinohet një interpretim më pak konvencional i ekzistencës. Autori bën pjesë në atë brez që jetuan fëmijërinë dhe rininë e tyre në një vend të sunduar nga Kaligula mbi të cilin do të kishim transpozuar universin e Kafkës dhe Joneskos, me bindjen në atë kohë se fati ishte sinonim i dëshpërimit. Një dyzetvjeçar shqiptar si ai është pasagjer i një aeroplani që i mbijetoi përplasjes. “Udha e gjatë” është libri i një të mbijetuari, i atij që nderon viktimat që nuk patën fatin të mbijetonin.
Luan Rama përshkruan pesëdhjetë vitet plumb të udhëheqjes së shoqërisë shqiptare përmes fatit tragjik të një morie artistësh, shumë prej të cilëve nuk patën kurrë kohë për të bërë famë, shpesh të shtypur, ndonjëherë të vrarë. Ai evidenton rreshtimin e detyruar të artit në shërbim të diktaturës së proletariatit dhe rolin e gjithëpranishëm të censurës dhe veçantinë e saj në Shqipëri.
Ndryshe nga vendet e tjera të Lindjes ku, në fund, disidentët nuk rrezikuan më jetën e tyre, por vetëm periudha internimi apo ndëshkime profesionale, censura në Shqipëri ishte shpesh sinonim i dënimit me vdekje ose dëbimit. Edhe shfaqja, suksesi i së cilës pritej, për pak mund të çonte në mërgim të brendshëm, nëse në mbrëmjen para premierës, Enver Hoxha do të mblidhte buzët e do kishte një hije zymtë. Policia ogurzezë politike, “Sigurimi”, që u shfaq nga Neshat Tozaj në romanin “Thikat” deri në çfarë mase ajo martirizoi jashtë çdo ligjshmërie, nuk arriti kurrë t’i ndalonte artistit të mbyllur, siç e përshkruan autori me emocion, të shkruante poezitë e tij në muret e kampit të përqendrimit skëterrë Spaç-Burrel.
Së fundi, nuk mund t’i qasemi çështjes së diktaturës në Shqipëri pa përmendur njeriun puna e të cilit qëndron si statujat e ishullit të Pashkëve në zemër të oqeanit: forcë dhe mister. Luan Rama nuk e kursen këtë rit thelbësor për një intelektual shqiptar: referimi tek Ismail Kadare, ndonëse çështjen e rolit të romancierit të madh gjatë ngjarjeve të vitit 1990 ai e trajton me një ton dukshëm të ndryshëm nga ai i rretheve letrare. Nëse shkrimtari nuk dyshohet, njeriu mbetet një enigmë. “Udha e gjatë nën tunelin e Platonit” është një udhëtim i ngadaltë, i ngadalshëm si hapi i mbledhur i një vizitori në një varrezë. Ky libër është një libër drithërues nga kujtimi i qindra artistëve shpeshherë të panjohur, anën patetike të të cilëve e përforcon muzikaliteti i mbiemrave shqiptarë. Çdo emër i përmendur është një goditje çekiçi në një kambanë, e cila i bashkohet festës së varrimit të një shoqërie të tërë nga një diktaturë e verbër dhe paranojake.