Senad Guraziu: Në dukje të thjeshtë, modestë… por realisht milionerë!
(senad guraziu – ars poetica, dhjetor 24 – koment, rreth një shkrimi të z. Zeqiraj, lidhur me zgjedhjet kosovare gjithnjë e më afër, të Shkurtit 2025)
“…si t’iu besohet politikanëve që nuk i përmbushën zotimet dhe premtimet elektorale… si t’iu besohet politikanëve që më shpesh i ndërruan partitë sesa brekët në trupin e tyre! E kur jemi tek ‘brekët’, disa prej politikanëve që pa brekë i zuri nata, mëngjesi i zbardhi milionerë!” – ishte shprehur autori Idriz Zeqiraj, në shkrimin e vet (siç e lexova tek portali VoAl).
***
Dmth. e qartë, politikanët kosovarë mund të shtiren të thjeshtë, të duken “simple”, simplistikë, jofilozofikë, mund të shiten njerëz të fjalës, mund të duken modestë, mund t’jenë pa brekë… në dukje by*** jashtë por realisht janë milionerë. Sipas z. Zeqiraj, e vështirë t’u besosh premtimeve për “ndryshim” nga partitë e vjetra, sepse ndoshta “ujku qimen e ndërron por jo dhe veset e moçme”, sepse të njëjtat parti të vjetra duke zhvatur e duke e manipuluar elektoratin, duke u vërtitur në një lloj “karuseli politik”, gjoja demokratik, duke premtuar e mos mbajtur premtimet, thjesht duke vazhduar me të vjetrën, duke i mbushur “hambarët” e tyre personalë dhe të atyre për të cilët ata trumpetojnë, të “boss-ëve” prapa kulisave, të kleptokratëve, të populistëve, të oligarkëve, të neo-oligarkisë kosovare.
Dhe natyrisht, aspak për lakmi një pasqyrë e tillë gazetareske (rreth situatës politike të atjeshme). Nëse shkrimet e gazetarëve t’ishin diç si pikturat, si tabllo të realizmit artistik (që e pasqyrojnë situatën politike të një shoqërie), atëherë gjithçka do ishte e qartë për ne, tabllot janë të qarta, sytë janë për të parë, do ishte aq e lehtë. Mirëpo jo, e dimë që shkrimet nuk janë “tabllo” pikturale, për fat të keq shkrimet ngelin prore “abstrakte”, tmerrësisht abstrakte, shpesh dhe më “ngatërruar se ato pëlhurat e spërkatjes së Pollock” – automatikisht abstrakte.
Shkrimet kërkojnë që ne ta vrasim mendjen sadopak, kërkojnë të reflektojmë.
Për t’i kuptuar vështrimet e gazetarëve, brengat e tyre, për t’i kuptuar dhe artikuluar si duhet mesazhet e tyre, ne vetë duhet t’jemi të informuar, sa më mirë që t’jetë e kapërthyeshme. Duhet t’jemi sa më “afër” gazetarit, sa më afër shkrimit të tij apo të saj, e jo “larg” diku në askundësi. Sepse nëse “larg” atëherë kot, edhe pas leximit… thjesht jemi anashkaluar. Në rregull, NUK mund t’jemi sa gazetarët të informuar, dhe s’do jemi kurrë, sepse ata e kanë profesion, detyra e tyre është që t’i mbajnë sytë hapur, t’mos flenë por t’rrinë “zgjuar”, detyra e tyre është që t’jenë pararoja jonë, për atë punë dhe paguhen, që t’jenë pararoja e shoqërisë, që t’jenë “sytë” tanë se ku shkelim dhe kah shkojmë.
Mirëpo dhe ne vetë duhet t’jemi të informuar, gazetarët dhe mediatikët janë instrumente ndihmëse, janë lupa dhe gjithçka për ta lehtësuar informimin e shoqërisë, ata e kanë për detyrë t’u bien “daulleve të letrës”, t’u fryejnë të gjitha “surlave të vëmendjes”, edhe populli vetë e ka thjeshtësuar duke thënë “daullet bien për ata që kanë veshë”, kot do jenë daullet nëse ne të hutuar a të shurdhër, dmth. gazetarët na ndihmojnë por ne vetë duhet ndjekur hapat “informativë” sa më shumë që t’jetë e mundur. Përndryshe nëse jo, do jemi diç si “masë me të cilën mapinulojnë politikanët”, do jemi diç si “uneducated voters”, diç si votues naivë, mendjelehtë, prore do e zgjedhim pikërisht të “gabuarin”, kurrë atë të “vërtetin”.
Fat i mirë që zgjedhjet shkojnë e vijnë, e vërtetë kjo, demokracia merret me riciklime të shanseve për më mirë – do thoshte mbase Albert Camus, por nëse s’mbledhim mend, nëse ne tërë kohën mendjen askund, veshët n’lesh – siç ia thotë populli, atëherë kot rrotullohen kampanjat, kor ciklizmi gjoja i politikave demokratike, vijnë zgjedhjet e reja por dhe ato do kalojnë e s’do sjellin asnjë ndryshim, asnjë përmirësim – sipas meje artikulli i autorit Idriz Zeqiraj, ndër të tjera, mes rreshtash sikur i “prekte” dhe të tilla brenga rreth realitetit politik kosovar.
Dihet se ashtu-kështu shumë gjëra të jetës janë sfidë e vetë jetës, vetë jeta në thelb s’është “fair” – anglezët e kanë një shprehje “life is what we make of it”, jeta që e bëjmë, politikat që i bëjmë… jemi NE vetë ata që i bëjmë. Jeta s’është “fair”… në fakt është “luftë për të gjalluar”, nëse na qenka luftë, atëherë e qartë s’ka si t’jetë “fair”.
Si ilustrim i flashkët (sa për hir të asaj që thamë) panumër viktima të kohëve më të fundit në Gaza, me dhjetra-mijëra pleq, gra, fëmijë që as idenë ndoshta s’e kanë ç’është politika, dhe pikërisht ata janë viktimat e “politikës”, viktimat e mosmarrëveshjeve dhe të trazirave politike! Na pllakosë keqardhja, dhimbja, na këputen zemrat, gjithkujt, secilës qenie njerëzore të botës së arsyeshme i “vritet” shpirti e zemra sepse e dimë thelbin e pafajësisë së viktimave.
S’ka asgjë të “përkryer”, përkundrazi, në shumë drejtime kemi dhe shumë rrugë për t’bërë si shoqëri. S’jemi të “përkryer” madje as me vetë shkencat, as me akademizmat, kohëve të fundit dolën në pah aq shumë abuzime nga vetë qarqet shkencore, revistat si “Science”, “Nature” e të ngjashme na i sjellin qartësitë rreth mashtrimeve, veprimeve joetike, përfitimeve, manipulimeve me materien pseudo-shkencore etj etj., dikur gjatë asaj fazës “blackout” të pandemisë globale. E njëjta vlen dhe për “jetën politike”, dhe për gjithçka të kësaj bote. Demokracia është më e mira që kemi deri tani, por s’është ndonjë sistem i përkryer. Ne jemi ata që i bëjmë “politikat” por kot… kurrë s’do ketë përkryeshmëri, s’duhet pritur “fair play”.
Është ok t’i besosh idealit, idealizmave, është ok që i ndjekim ëndrrat, jeta i ka shumë aspekte “ëndërrtare” dhe sikur ashtu ëmbëlsohet me magjinë e vet, por do ishte naivitet ta ndjekësh verbërisht akëcilin politikan, çoftë dhe ndonjë Demaç i madh, a Mendela afrikan. Do ishte po aq dhe absurd (i llojit të vet), sepse s’ka garanci të mirëfilltë, jo vetëm politika… por s’e ka as vetë jeta, për shumë gjëra njeriu kurrë s’do e ketë sigurinë as përkryeshmërinë. Duke i besuar idealit (brenda gëzhojes subjektive) i ngelesh besnik vetes, popullit, patriotizmit, lirisë, fisnikërisë personale, atdheut… etj. etj. por të gjithë ata që e patën ndjekur “verbërisht”, bie fjala Çausheskun, vetë ata do bëheshin dhe linçuesit e tij.
Siç e thoshte artikulli i z. Zeqiraj, (sipas meje) ndër të tjera autori u thërriste qytetarëve që të reflektojnë mirëfilli para zgjedhjeve. Ka dhe ca muaj, ka mjaft kohë për të reflektuar e menduar. Qytetarët ia vlen të ndalen dhe të reflektojnë, disa gjëra duhet analizuar më thellë sesa sipërfaqësorja e përditshmërisë kosovare – nëse gjërat ende sipas “këngës së vjetër” atëherë medoemos diç s’është në rregull, atëherë mbase ia vlen të ndalemi dhe të reflektojmë.
Më së miri mund ta japim kontributin “politik” si qytetarë, duke mos rënë “pre” e manipulimit politik. Saherë afrohen zgjedhjet kosovare vjen dhe problematika e vërtetë sa i përket “zgjedhjes”. Gjithmonë e njëjta gjë, i njëjti cikël, i njëjti pompozitet reklamatik-mediatik, të njëjtat banderola, të njëjtit slogane, të njëjtat “metafora” kuvendore, të njëjtat përtallje parlamentare, të njëjtit thumba e kunja, e njëjta bujë, rrokopujë, e njëjta pasiguri, quhen zgjedhje… aq e lehtë të quhen por realisht “zgjedhja” ngelet e vështirë.
Për qytetarët e joinformuar, për popullatën rurale të Kosovës sidomos, të hutuar pas brengave, pas ecejakeve, ngarendjes dhe vështirësive të mbijetesës zgjedhjet prore ngelin problematikë serioze… sfidë e jashtëzakonshme. Ata që “naivisht pandehin se zgjedhjet e reja sjellin risi” mund të zhgënjehen rëndë – ishte shprehur autori, qëkur zgjedhjet mund t’jenë dhe thjesht sa për sy e faqe të demokracisë. Diç si “riciklim i pushtetit për ata që veç janë në pushtet”.
Qytetarët gjithmonë përballen me problemin zgjedhor, vijnë zgjedhjet dhe… vallë tashmë cilin politikan duhet zgjedhur, kur s’e kemi as idenë – sikur autori Zeqiraj e shtronte pyetje-çudinë e vetë për neve lexuesit, sikur na pyeste që dhe ne ta shtrojmë ndonjë pikëpyetje a pikëçuditje?! E vështirë t’i besosh akëcilit prej politikanëve kur të gjithë aq të pabesueshëm (pas vite e vitesh me të njëjtën “këngë”! Si mund t’u besosh politikanëve të Kosovës, si u besohet vallë premtimeve të tyre boshe dhe pa mbulesë… kaluan vite e ndoshta dhe dekada, u ndryshuan partitë dhe politikanët por premtimet e tyre gjatë kapmanjave elektrorale kurrë s’u përmbushën etj. etj.
[ shkrimi në fjalë, i autorit Zeqiraj, adresa – https://www.voal.ch/si-tiu-besojme-premtimeve-per-ndryshim-nga-partite-e-vjetra-nga-idriz-zeqiraj/edop/opinione/ ]