Ribotohet libri i Malko Zaçes “Jaho Sinan Islami”, Nderi i Kombit
Jetëshkrim heroi, jetëshkrim atdhetari e luftëtari
(Ribotohet libri i Malko Zaçes “Jaho Sinan Islami”, Nderi i Kombit)
Nga Sakip Cami
Redaktor i librit
Kush ishte Jaho Sinan Islami?
- Pjesëtar dhe drejtues i Shoqërisë “Vatra” të SHBA, flamurmbajtës i saj
- Pjesëmarrës në Luftën e Vlorës, 1920
- I plagosur në Revolucionit e Qershorit 1924
- Anëtar i Këshillit Krahinor të LANÇ për Tepelenën
- Komandant i Çetës Territoriale të zonës
- I burgosur dhe i internuar nga regjimi komunist
Jaho, djali i katërt i familjes Islami, u lind në Dukaj të Tepelenës më 1 janar të vitit 1890 në një familje të mesme fshatare me tradita të hershme atdhetare dhe kulturore. Prindërit e tij ishin njerëz që gëzonin respekt në krahinë, për humanizmin, fisnikërinë dhe bujarinë e treguar.
Mësimet e para të trimërisë dhe të burrërisë Jahua i mori në odat dhe kuvendet e burrave. Familja e Jaho Sinanit ishte mikpritëse e shumë e shumë patriotëve dhe rilindasve si Mihal Grameno, Kristo Dako, Petro Nini Luarasi, Sotir Peci, Selam Musa Salaria, Dervish Hima etj.
Jaho me shokët e tij luftëtarë dhe atdhetarëHasan Xhiku, Nazif Hadëri, Idriz Guri, etj u përplas me pushtuesit xhon turq në Fushën e Gjirokastrës, të cilët kërkonin të mbyllnin Klubin Patriotik “Drita” dhe shkollën shqipe të sapohapur.
Këto përplasje dhe kundërshti u institucionalizuan në muajin korrik të vitit 1911 nga krerët e kryengritjes së krahinës së Labërisë, të cilët në mbledhjen e parë në Manastirin e Cepos vendosën njëzëri që t’i përgjigjen armikut vetëm me grykën e pushkës.
Për shkak të përndjekjes dhe raprezaljeve turke, por edhe për arsye ekonomike Jaho në qershor të vitit 1912 emigron në Boston të SHBA ku gjeti edhe shumë shokë dhe miq të tij shqiptarë, të cilët pas fillimit të Luftës Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore emigruan në Amerikë. Në një lagje të Bostonit ishin vendosur pothuaj fshatçe. Punonin në punë të rënda, ushqeheshin dhe kursenin për të mbajtur familjet në Shqipëri.
Jaho Sinan Islami do të binte në kontakt me pjesëtarët e Federatës patriotike shqiptare “Vatra” dhe shumë shpejt do të bëhej njënga veprimtarët më të shquar të saj. Tek “Vatra” ai militonte përkrah Bahri Omarit, Aqif Përmetit, Hasan Bitinckës, Xhafer Lekdushit etj.
Në gazetën “Dielli” dhe “Albania” të viteve 1918, 1919 është shkruar për Jaho Sinanin ku theksohet roli i tij si flamurmbajtës. Djali i Tepelenës, flamurmbajtës i Albanisë, shkruan gazeta “Albania”.
Jaho kishte miqësi me Faik Konicën, patriotin dhe shkrimtarin, diplomatin që vishej edhe në Amerikë me kostumin kombëtar shqiptar.
Në vitin 1920, kur Serbia nisi luftën kundër trojeve shqiptare dhe Italia sulmoi Vlorën dhe Sazanin qindra shqiptarë të Amerikës erdhën në Luftën e Vlorës. Gazeta “ Albania” e asaj kohe shkruan se 300 trupa vullnetare nga Federata “Vatra” e Amerikës, nën komandën e Aqif Përmetit u nisën drejt Shqipërisë. Midis tyre ishte burri dy metrosh nga Dukaj i Tepelenës Jaho Islami.
Me 29 mars 1920 bashkë me regjimentrin e komanduar nga Kolonel Aqif Përmeti erdhi edhe banda muzikore e “Vatrës” e drejtuar nga Prof. Thoma Nasi. Kjo bëhej për dy qëllime, që së bashku me shporjen e italianëve në det të bëhej edhe edukimi patriotik dhe kulturor e civilizimi i popullit të varfër.
Populli i Vlorës nën drejtimin e Osman Haxhiut organizon festimin e 28 nëntorit të vitit 1919. Ndërmjet drejtuesve binin në sy tre djemtë e Ismail Qemal Vlorës dhe nxënësit e shkollave të drejtuara nga profesori Jani Minga.
Këto ngjarje kulmuan me organizimin luftarak të Luftës së Vlorës. Komiteti i Luftës për Tepelenën dhe Përmetin përbëhej nga Baba’ Ahmet Turhani, Aqif Përmeti, Jaho Islami, Koço Tasi, Ali Bej Këlcyra dhe Riza Runa.
Lufta e Vlorës, 1920 e drejtuar nga Osman Haxhiu, Qazim Kokoshi, Hysni Shehu, Mustafa Abazaj, Myqerem Hamzaraj, Ahmet Lepenica, Alem Agaj, Beqir Agalliu, Sali Bedini, Duro Shaska, Kol Tromara, Ali Bej Këlcyra, Hysni Lepenica etj përfundoi me sukses deri në hedhjen në det dhe largimin e trupave italiane.
Në vitin 1924 Jaho Islamin e gjejmë të rreshtuar në krah të shokut të tij të “Vatrës”, Nolit. Ai merr pjesë në Revolucionin e qershorit të vitit 1924 dhe bile plagoset në këto përplasje politiko-ushtarake.
Jahon e karakterizonte atdhedashuria dhe pjesëmarrja kudo ku flitej dhe luftohej për atdheun. Pushtimin fashist ai e pa ashtu siç ishte në të vërtetë si pushtim dhe ishte hapur kundër tij. Në nëntor të vitit 1942, në moshën 52 vjeçare, ai do të zgjidhej kryetar i këshillit nacionalçlirimtar të fshatit Dukaj të Tepelenës. Atë do ta shohim në krah të Abaz Shehut, Asim Zenelit, Mustafa Matohitit, Tahir Kadaresë dhe drejtuesve të tjerë të Frontit Antifashist, të cilët pas Konferencës së Pezës kishin marrë detyrë të mobilizonin popullin në luftë kundër pushtuesit, pa dallim feje, krahine dhe ideje.
Jaho u bë dhe komandoi edhe Çetën Territoriale të Zonës deri në çlirimin e plotë të vendit.
Por pas çlirimit të vendit, ata që erdhën në krye të vendit, në fshat dhe në qytet, nuk ishin vatranë apo kapedanë, nuk ishin të arsimuar e të motivuar, por barktharë, hallet për t’u qarë. Ata e panë vatranin e Amerikës që e thoshte drejt mendimin e tij, si pengesë në punën e tyre pa vision, prandaj e burgosën dhe e internuan këtë burrë të shquar që e kishte vënë atdheun mbi të gjitha.
-Nuk mund të më drejtojnë as mua dhe as popullin, këta njerëz që nuk dinë as të lidhin gomarin, thoshte me qetësi Jaho për drejtuesit e rinj që zbritën nga malet.
Derisa vdiq, Jaho qëndroi i papërkulur tek idealet e tij dhe duke besuar tek demokracia e vërtetë.
Dekorimi nga Presidenti i Republikës i Jaho Islamit me medaljen “Nderi i Kombit” është vlerësim, por në raport me ato çfarë ka bërë ai për Shqipërinë, ky është vetëm më e pakta që mund të bëhej.
Me figurën e Jaho Islamit u njoha kur redaktova librin e shkruar nga nipi i tij Malko Zaçe, kolegu im gazetar ushtarak dhe u befasova me një jetëshkrim të tillë, qëështë pak të thuash jetëshkrim heroi, jetëshkrim atdhetari e luftëtari.
Vendi dhe kombi ynë ka aq shumë nevojë për njerëz të tillë me përmasa të tilla.
Ne na duket sikur i nderojme ne ata, por përkundrazi, janë ata që me veprën e tyre na kanë frymëzuar në shekuj dhe e kanë mbajtur këtë vend të vogël si Shqipëria në këto nivele dhe e kanë përfaqësuar në vende si SHBA, Inglitera, Franca dhe kanë detyruar presidentë e kryetarë shtetesh të fuqishme t’u japin të drejtat e mohuara.