Albspirit

Media/News/Publishing

TASIM MEÇE, KOMANDANT DHE PERSONALITET I DETARISË SHQIPTARE

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Të flasësh për komandantët e detit, ata që bënin “zap” edhe shtrëngatat e detit nuk është e thjeshtë. Ata janë si një gjëmim i thellë deti dhe zemra e tyre është e lidhur përjetësisht me detin. Detarët e Marinës Luftarake Detare si komandant Tasim Meçe gjithë qënien e tyre shpirtërore e kanë trupëzuar me atë masë gjigande uji, që miqësinë e kanë vetëm me ata që dinë të sillen dhe ta trajtojnë detin si shtëpinë e tyre. Komandantët e detit ja njohin huqet detit, e dinë dhe e duan fort detin sepse jetën e kanë lidhur përjetësisht me të. Hallet dhe dertet i kanë pazgjidhshmërisht me uturimën e valëve të detit, ata që zhyten me trup e shpirt dhe dinë të dalin dhe t’ja dalin një prej zanateve më të vjetra të njerëzimit, atë të detarit, që tokën e kanë përkohshmëri dhe detin e kanë në shpirt, por edhe shpirtin e zemrën e kanë sa deti. Anijet luftarake që drejtuan ishin dhe ngelën jo vetëm kujtime, por një jetë e gjallë në kaltërsitë e detit Jon dhe Adriatik, në përmbushje të misionit të paprekshmërtisë së kufijve detarë shqiptarë.

Rrënjët familjare të Tasim Bido Meçe i lindur në Rusan të Delvinës

Familja e Tasim Meçes sikurse gjithë shqiptarët kishin jetuar shekujve me një shpirt të lirë dhe që nuk e duronin dot shtypjen e shfrytëzimin, i urrenin pushtimet e perandorive që shkelën e shtypën lirinë e shqiptarëve në të gjitha epokat. Fisi i oxhakut familjar “Meçe” është me prejardhje nga Mavrova e Vlorës, që kishte zbaritur në Delvinë që rreth shekullit të XVIII. Por fakt është se stërgjyshi (Jaho) dhe gjyshi (Hysni) i Tasim Meçes kanë lindur në Delvinë. i pari që ka mbritur në Delvinë nga Mavrova ka qenë Muhamet Meçe (pra para 5 brezash). Tasimi është brezi i pestë i familjes Meçe. Babai i tij, Bido Meçe me profesion bujk, fshatar i mesëm, nëna Sadika Meçe shtëpijake,vajzë nga Mazo Bazaiti nga lagjia “Xhermëhallë”, ose lagjia “Lala Malo” (e motra e Javer Malo) dhe mbesë në Zejnataj  në Lagjen Kasapaj. Gjyshja nga babai i Tasimit ka qënë nga Xhermëhalla, kushërirë e parë me dëshmoren Lala Malon. Familja Meçe ka qënë e lidhur ngushtë me LANÇ-in, edhe pse babai i tij nuk ka marrë pjesë me armë në dorë në luftë, por e ka ndihmuar formacionet luftarake partizane. Në vitin 1946 në shtëpinë tonë eshtë krijuar Këshilli Nacionalçlirimtar i fshatit dhe kryetar këshilli u emërua Bido Meçe. Vëllai i tij më i madh Qemal Meçe para çlirimit ishte kryeplak i fshatit dhe pas çlirimit shkoi në Tiranë, ku është marrë me tregëti. Xhaxhai tjetër Hamdi Meçe së bashku ma dajon tim, Galip Bazaiti ishin partizanë të Br19S, që ishte krijuar në Theollogo të Sarandës më 30 gusht 1944. Që të dy kanë shkuar me luftime deri në Vishegrad në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë dhe të dy kanë qenë invalid të luftës nacionalçlirimtare. Një nip i babait të Tasim Meçes, Kabo Kabi nga Borshi është dëshmor i luftës, i cili ka rënë në Libohovë. Babai i tij Xhevat Kabo ka qemë shoqërues i parë i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit modern shqiptar më 28.11.1912.

Tasim Bido Meçe është lindur në Rusan të Delvinës më 14 maj 1940, në një ambient atdhetar e patriotik, nga prindër të nderuar dhe respektuar jo vetëm në Rusan por në mbarë trevën përreth Delvinës. Shkollën fillore e kreu në Gizdarat, ndësa 7 vjeçaren në Shkollën “10 Korriku” në Delvinë dhe e përfundoi në vitin 1953. Në vitin 1954 shkon për studime në Shkollën Ushtarake “Skënderbej”, të cilën e përfundoi në vitin 1958 me rezultate shumë të mira. Për këtë arsye në shtator 1958 u përzgjodh dhe u dërgua për studime në në ish-Bashkimin Sovjetik, në Shkollën e Lartë të Detarisë në Baku Azerbajxhan.

Me qënë se në 17 Shtator 1958 u krijua Brigada e Nëndetseve në Pashaliman dhe duheshin kuadro për Nëndetëse për këtë arsye 12 studentë të vitit të parë u përzgjodhën për të shërbyer në Nëndetëse. Pas 6 muaj shkollë në Baku transferohen në Shollën e Lartë të detarisë në Riga të Letonisë. Në Riga zhvilluan gjashtë muaj program mësimor dhe më tej i transferojnë në Shkollën e Lartë të Nënujsave në qytetin e Leningradit, ku edhe filluam studimet në vitin e dytë. Në përfundim të këtij vitit mësimor në korrik 1960 shkuan për një muaj praktikë mësimore në Brigadën e Nëndetseve. Pas praktikës u kthyen sërish në shkollë. Në pranverën e vitit 1961 përfunduan proçesin mësimor duke dhënë edhe provimet e vitit të tretë. Është fakt se studentët shqiptarë të marinës në këtë periudhë i kryenin studimet në qytetet bregdetare si në Leningrad (Rusi), Baku (Azerbaxhan) Odesa (Ukrainë), Riga (Letoni), por largimi i studentëve shqiptarë nga ish-BS-ja ishte përgjigjia flakë përflakë veprimeve arrogante e agresive të rusëve në Pashaliman, të cilët edhe tentuan të rrëmbenin, apo dhe të sabotonin teknikën e nëndetseve, ku nga 12 nëndetëse që ishin aty katër u ngelën shqiptarëve. Por në vitin 1961 me prishjen e marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik u kthyen në Atdhe dhe ashtu siç u premtoi Atasheu Ushtarak në Moskë Halim Ramohito, ishin marrë të gjitha masat që mësimet do t’i vijonin në Shqipëri atje ku i keni lënë. Rifillimin e studimeve e konfirmoi dhe i dërguari i posaçëm ushtaraku i lartë shqiptar Gjeneral Dilaver Poçi pasi Gjeneral Halim Ramohito ishte shpallur “non grata” nga Rusët. Në Shtator 1961 u çel Shkolla e Lartë e Detarisë fillimisht në Pashaliman, ku filluan mësimin tre kurse. Kursi ku bënte pjesë Tasim Meçe filloi mësimin në vitn e katërt. Pas një viti studimesh në Pashaliman më 1 Korrik 1962 emërohen oficera të FLD-së. Në provimet e diplomimit, kryetar i komisionit ishte Komandanti i FLD Admiral Abdi Mati. Kuadrot që mbaruan shkollën shkëlqyeshëm u graduan togera, ndërsa të tjerët nëntogera. Tasim Meçe merr për herë të parë gradën ushtarake toger, për përfundim shkëlqyeshëm të shkollës si dhe e emërojnë navigator në Nëndetëse. Ndërkohë që vendi ku duhej të ndërtohej Akademia e Marinës shqiptare ishte planifikuar të ngrihej që në kohën e Rilindjes Shqiptare: “Shkolla e anijerisë duhet të jetë mbanë detit, tek të jenë edhe anijet e luftës, në Durrës a në Ujt’ të Ftohtë, ndan Vlorës”. (Sami Frashëri/Shemsedin Sami, “Shqipëria çka qenë çështë e çdo të bënetë”). Akademia e Marinës u ngrit më 4.9.1961, në një kohë të “infarkti historik” dhe u shkri nga “infarkti politik”. Viti 1962 ishte viti i fillimit të karrierës ushtarake. Më tej në vijimësi ka kryer edhe detyrën e Zv/Komandantit të Nëndetëses, ndërsa në vitin 1969 emrohet Komandant të Nëndetëses (N/D-4). Që prej vitit 1967 ishin hequr gradat dhe për gati 24 vjet ka shërbyer në Forcat Luftarake Detare (FLD) pa grada. Në vitin 1974 emërohet Shefi i Shtabit të Brigadës së Nëndetëseve, ndërsa në vitin 1975 emërohet Komandant i Bazës Ushtarake Detare (BUD) në Vlorë. Në fund të vitit 1975, me vendim të Këshillit të Mbrojtjes, u krijua Grupimi Operativ i Mbrojtjes të Ishullit të Sazanit, me Komandant Grupimi Neim Muho dhe komisar Ibrahim Gaxholli; në këtë rast caktohet me detyrën e zvendëskomandantit për Flotën. Në përbërje të gupimit ishin Brigada e Këmbësorisë së Ishullit, Rregjimenti i ABD-së, Arileria tokësore, bateritë e AKA, repartet e BUD-it të disllokuar në Sazan me emërtim të ri, Regjmenti i anijeve dhe anekset përkatëse të prapavijës (logjistikës). Në vartësi të grupimit ishin, të gjitha objektet social kulturale, ekonomia ndihmëse, robaqepësia, Shkolla 8 vjeçare “22 Tetori”, kopshti, çerdhja për fëmijët e ushtarakëve. Në Shtator 1976  deri në Korrik 1978 vijoi studimet në Akademin e Shtabit të Përgjithshëm në Tiranë, për “shtabnik” të cilën e përfundoi me rezultate shumë të mira dhe pas saj emërohet Komandant i Grupimit Operativ të I-rë Sazan, detyrë që e ka kryer deri në vitin 1983. Ishte pikërisht kjo periudhë kur Tasim Meçe ishte autoriteti më i lartë i ishullit të Sazanit nga ku komandonte tërë rrjetin e vëzhgimit detar dhe nuk lejonte jo vetëm shkeljet detare por as kontrabandën e mundshme që edhe në Shqipëri nuk mungonte, por me “bekimin” e shtetit. Në vitin 1983 grupimi u shpërbë dhe Tasim Meçe kaloi përsësi Komandant i BUD-it në Vlorë detyrë që e ka kryer deri në vitin 1988. Në vitin 1988 deri fund të vitit 1990 ka kryer detyrën e Shef Operativ në Shtabin e FLD. Emërimi në këtë detyrë të lartë është bërë me vendim të Sekretariatit të Komitetit Qendror nr.79 datë 20.7.1987). Sikurse gjithë armët dhe shërbimet edhe Marina kishte shkollën e saj. Shkolla shqiptare e detarisë përgatiste kuadro për marinën luftarake, për marinën tregëtare dhe për marinën e peshkimit. Kuadrot e shkollës së Marinës drejtonin edhe anijet e flotës tregtare që çanin oqeanet dhe bënin lundrime të gjata prej Paqësorit, në Atllantik, në Oqean e në detin e Veriut, madje dhe në Amerikën Latine, në Kinë përgjatë shumë vendeve afrikane në Poloni e deri në Holandë edhe me anije 12-15 mije tonshe duke lëvruar mallra në shumë vende të botës. Që në fakt marina jonë kishte filluar që më 25.12.1925 me dy anije 190 tonëshe, të ardhura nga Italia, të cilat mbanin emrat sinjifikativë “Shqipëria” dhe “Skënderbeg” dhe që kryen vetëm detyra policie/roje bregdetare kundër kontrabandës. Në gjysëmshekullin e kaluar ne kishim 42 katera-silurues vetëm me një mision të goditnin me 84 silura sikurse dhe me katër nëndetset tona mund të jepnim goditje të befasishme dhe në det të hapur me nga 12 silura sejcila. Pra në total vetëm me një mision do të lëshonim nga anijet tona luftarake gati 130 silura. Fakt është gjithashtu se italianët, grekët e jugosllavët e njihnin fuqinë e flotës tonë të njohur dhe në arenën ndërkombëtare. Dalja nga “Traktati i Varshavës” për marinarët dhe oficerët tanë dhanë një shëmbull të shkëlqyer me kryerjen e detyrave të zbulimit sikurse bëri një nga nëndetëset tona më 1957-n, e cila doli në Mesdhe dhe që luftëanijet dhe avionë e NATO-s u alarmuan, sepse në rajonin ku bënte zbulim ajo, ndodhej në një anije luftarake të NATO-s vetë Presidenti Amerikan, Ajzenahuer, që dikur gjatë LIIB, kish qenë edhe kryekomandant i forcave aleate në Evropë. Tasim Meçe duke folur për shërbimin në ishullin e Sazanit shprehet: “Nuk mund të harroj kurrë Sazanin. Si mund të harroj 20 vjetori më gjeti në Pashaliman, 40 vjetorin e festova në Sazan, nga këto 13 vjet në nëndetëse. Gjithë rininë time, si dhe shumë shokë të tjerë e sakrifikuam duke punuar e shërbyer në kushte e vende të vështira, jo vetëm ne, por dhe familjet tona. Një gjë nuk e harojmë kur shoqërinë e mrekullueshme që patëm, në Pashaliman, ashtu dhe në Sazan. Ajo na mbajti gjallë, dhe e ruajmë si gjënë më të shtrenjtë, edhe sot e kësaj dite…”. Nga historia jetësore e FLD-së, ndër të tjerash Komandant Tasim Meçe tregon edhe për atë që ndodhte në të vërtetë në përballje me ruajtjen e hapësirës detare shqiptare. Ja një shembull që flet më shumë se njëmijë fjalë. Faqe nga arkivat shqiptare të AQFA-së: Procesverbal “Mbi kapjen e një motoskafi me flamurin italian”: “Sot, në datën 25.07.1982, në orën 19:25, anija e kufirit me nr.512, duke qenë në shërbim roje kufitare në rajonin GramëPirg, prej pikës së ndodhjes me koordinata gjerësi gjeografike 40 gradë, 14 min. 7 dhe gjatësi gjeografike 19 gradë, 25 min. 2, diktoi në perëndim të Gramës, në distancën rreth 200 milje nga bregu, një motoskaf që vinte nga juglindja për në veriperëndim me tendencë duke iu afruar bregut. Menjëherë, anija e kufirit iu drejtua motoskafit për ta ndaluar atë, megjithëse ishte brenda zonës kufitare të ndaluar për lundrimin e anijeve të huaja. Rreth një minutë pasi e diktuam motoskafin, na njoftuan edhe nga pika e Gramës, se në drejtimin tuaj vjen një motoskaf dhe duhet të ndalohet patjetër. Kur anija u afrua në distancën 300­ deri 400 m me motoskafin, ky i fundit e kthen kursin për t’u larguar në drejtim të perëndimit. Kur ne konstatuam këtë, dhamë sinjalin me një raketë të kuqe për ta ndaluar. Ai nuk ndaloi, por mori kursin nga jugperëndimi. Përsëri hodhën raketë të kuqe dhe bëmë manovrën për ta ndaluar. Ai përsëri nuk ndaloi dhe vazhdoi kursin me drejtim perëndimin. Ne përsëritëm hedhjen e raketës së kuqe dhe vazhduam manovrën për ta ndaluar. Duke parë se ai nuk ndalonte, ne shtimë breshëri në ajër me mitraloz, po përsëri motoskafi nuk ndaloi. Të tilla veprime dhe breshëri armësh i përsëritëm disa herë, por ai nuk ndalonte. Paralajmërimi me të shtime në ajër iu bënë motoskafit edhe dy herë të tjera me automatik. Gjatë kohës së manovrimit, ne konstatuam se ekuipazhi i motoskafit përbëhej prej dy vetash, njëri nga të cilët manovronte, ndërsa tjetri bisedonte me radio. Duke parë se motoskafi nuk pranonte të ndalonte, u detyruam ta paralajmërojmë me një breshëri të shtimesh me automatik në pjesën e pasme të motoskafit, për të mos dëmtuar njerëzit, motoskafi përsëri nuk ndaloi dhe tentonte me çdo kusht për t’u larguar. Të tilla manovra janë bërë deri në distancën 2,6 milje larg bregut. Duke e parë se motoskafi nuk zbatonte urdhrat për të ndaluar, por tentonte me çdo kusht për t’u larguar, atëherë komandanti i anijes, Aleko Kamberi, shtiu në drejtim të postit të komandimit të motoskafit me automatik. Si pasojë, një nga dy anëtarët e ekuipazhit që drejtonte në timon u godit dhe u rrëzua, ora 19:37. Personi tjetër mori drejtimin e motoskafit dhe përsëri tentoi të manovronte për t’u larguar. Kur pa se atij i drejtuam armët për ta paralajmëruar, ai u detyrua të ndalonte motoskafin. Me qëllim që të evitonim ndonjë tentativë tjetër për t’u larguar, personin e dytë e kaluam në anijen e kufirit, zbritëm në motoskaf komandantin e anijes, Aleko Kamberi, dhe sanitarin Pëllumb Joni për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore të dëmtuarit, por u konstatua se ai kishte vdekur. Mbas kësaj, motoskafin e rimorquam dhe e sollëm në portin e Vlorës”.  Kjo vërteton katërcipërisht përgjegjësinë e madhe për kryerjen e detyrës, në çdo lloj kushti e situate.

Në piramidën e drejtimit të FLD-së së Shqipërisë

Ndërsa në vitin 1991 – 1992 ka kryer detyrën e Komandantit të FLD-së (18.3.1991 deri 20.7.1992 del në Rezervë sipas VKM nr.225 dt.29.5.1992), një detyrë me mjaft përgjegjësi kjo që ishte edhe maja e piramidës së detyrave që mund të kryejë një oficer i Flotës Luftarake Detare. Detyra kryesore gjatë këtyre viteve ishte sigurimi i anijeve dhe vendbazimeve nga rrëmbimet dhe grabitjet e mundshme, pasi ishte një periudhë tranzitore e kalesës nga socializmi në demokraci, periudhë mjaft komplekse që në fakt arriti kulmin në vitin e praptë të 1997-tës, me shkatërrimit të të gjithë ushtrisë, uzinave e fabrikave nën moton e çekut të bardhë se çdo gjë duhet ta fillonim nga e para. Disa nga përparësit e aritjeve gjatë periudhës së drejtimit të oficerit madhor Tasim Meçe gjatë viteve 1991-1992, vlen të përmenden ato që kanë të bëjnë me vizitën në venddislokimin e Operacionit “Pelikan” me ministrin e Mbrojtjes, Perikli Teta, për të organizuar sigurimin e transportit e ndihmave, jo vetëm nga toka, por edhe nga deti me anijet tona dhe ato të Grupin Naval Italian, në përbërje të 6 motovedetave të dislokuara, tre në Durrës e tre në Vlorë; përcaktimi i detyra konkrete të grupeve navale; kalimi i Kapitenerive të porteve nga Ministria e Transporteve në vartësi të Komandës së FLD-së ishte një tjetër detyrë kryeesore, për kontrillin e pritjes së anijeve në porte, e daljes së tyre në det. Riorganizimi i kapitenerive të porteve dhe kompletimi i tyre, me kuadro dhe dokumentacionin e rregulloret përkatë të shërbimit. Pritje të ndryshme me Atashet e vendeve mike amerikanë, italianë e turq. Pritja e delegacionit të parë ka qenë ajo e kapitenit të kapitenerive të porteve italiane më 26.8.1991 në Bashkinë Durrës, me kryetar Bashkim Koplikun. Pritje dhe vizitë në kryqëzorin italian “Andra Doria” në Durrës me Ministrin e Mbrojtjes Safet Zhulali, pritja në BUD-in e Shëngjinit e Shefit të Shtabit të Ushtrisë Turke Gjeneral Dogan Gyresh, i cili vlerësoi shumë strehimin e të gjitha anijeve, depot e rezervave materiale, ofiçinës të riparimit, Komandën dhe shtabin e Bazës, brenda në tunelin kundëratomik. Dogan Guresh, kur hyri brenda në tunel në bazën e Shëngjinit më 1992, deklaroi: “Këtë mrekulli që kam parë në Shëngjin, nuk e kam parë në asnjë vend të botës, as në Japoni dhe as në Suedi”. Me ftesë të Shefit të Shtabit të Ushtrisë Turke, edhe ne shkuam për vizitë në Turqi, ku delegacionin e kryesonte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Kostaq Karoli, ku në përbërje të këtij delegacioni ishin: Komandanti i Aviacionit Klement Aliko, Komandanti i FLD-së Tasim Meçe, Drejtori i Xhenjos, Ndërlidhjes dhe i Prapavijës. Delegacioni shqiptar vizitën e parë e bëmë në selinë e Shtabit të Përgjithshëm dhe në darkën që shtroi Gjenerali me katër yjë Dogan Gyresh për nder të delegacionit tone na ftoi për vizitë edhe në shtëpinë e tij. Gjatë vizitës në Turqi u takuam edhe me Presidentin e Republikës së Turqisë Sulejman Demirel; ndërkohë që sipas drejtimeve delegacioni ynë takoi dhe bisedoi me homologët respektive të komandave të forcave turke. Kështu u realizua edhe një vizitë e veçantë edhe me Komandantin e Flotës Luftarake Turke me Admiral Irfan. Ndërkohë që vizitën tjetër e realizuan në Bazën Detare të Golçukut, më e madhja në Turqi, ku delegacioni shqiptar u prit nga Komandanti i Bazës Admirali Vural Bajazit. Delegacioni shqiptar parashtroi edhe një kërkesë për mbështetje me ndihma materiale shumë të domosdoshme për nevojat e FLD-së shqiptare, ku pala turke e mirëpriti dhe me dashamirësi u përgjigj pozitivisht, gjitha kërkesave shqiptare, materiale që i sollën me një anije ushtarake në Shqipëri. Gjatë vizitës si komandant flote por dhe delegacioni që e shoqëronte pa nga afër kantierin e ndërtimit dhe riparimit të anijeve, dhe një Nëndetëse. Në nëndetëse u zhvillua edhe një stërvitje, ku supozohej një nëndetëse e mbytur dhe efektivi do dilte në sipërfaqen e ujit me paisje polombari. Një stërvitje të tillë shqiptarët e kishin parë 30 vjet më parë në Shkollën e Marinës në Leningrad, gjatë vitit të tretë mësimor. Gjatë kësaj kësaj vizite delegacioni shqiptar u njoh nga afër me Shkollën e lartë të Detarisë në Golçuk, muzeun e Flotës Luftarake Detare Turke, Uzinën e ndërtimit të avionëve supersonik, xhaminë Blu dhe mjaft muzeume e qendra muzeale të Turqisë. Në Shtator të vitit 1992 në kulmin e karrirës Tasim Meçe e nxjerrin në  lirim me reformë, kur vishte në moshën 49 vjeçare, me një asistencë dy vjeçare prej 2400 lekë në muaj. Nxjerrja në lirim ishte ndërprerje e karrierës ushtarake të detyruar nga politika. Përgjatë karrierës ushtarake Tasim Meçe është vlerësuar me disa medalje e dekorata sikurse janë: Urdhëri i shërbimit ushtarak të klasit të tretë (1969); Urdhëri për trimëri civile (1981); Medalje “Nderi ushtarakut”, Medalja e Mirënjohjes” (1974). Urdhëri i Yllit të Kuq klasi tretë (24.3.1990). Fakt është se Tasim Meçe ka qenë nën uniformë në shërbim të vendit nga momenti kur u rreshtua si kursant në shkollën “Skënderbej” më 1.9.1954 deri më 20.7.1992, pra 38 vite nën uniformë. Bazuar në dosjen personale që gjendet në QPR gradën toger e ka marrë më 1 gusht 1962 me urdhër nr. 1798 datë 31.7.1962; ndërsa gradën “kapiten lejtnant” e ka marrë më 1 gusht 1965 me urdhër nr. 0378 datë 11.9.1965; ndërsa grada ushtarake Kapiten i Rangut të parë është vendosur më datën 28.11.1991”.

Kush kanë drejtuar FLD në Shqipëri?

Shqipëria duke qenë në një pozicion të favorshëm gjeostrategjik e ka pasur, e ka dhe do ta ketë të nevojshme mbrojtjen dhe sigurinë edhe nga drejtimi detar. Për këtë në 112 vite të egzistencës së shtetit shqiptar janë marrë masa për mbrojtje detare, ose është menduar rreth saj nga lidershipi politik dhe ushtarak, por mbrojtja e hapësirës detare kërkon resurse të mëdha për ta bërë plotësisht të garantuar sigurinë shqiptare. Për këtë nuk mjaftojnë planet, programet, doktrinat e strategjitë, ligjet e vendimet e pambështetura realisht me mjete e forca detare. Por është gjithashtu fakt se mbrojtje detare solide vendi ynë ka pasur në gjysëmshekullin e shkuar. Por kush e ka drejtuar lidershipin ushtarak shqiptar në drejtimin detar. Nga viti 1928 e deri më sot vendi në drejtimin e mbrojtjes dhe sigurisë detare është udhëhequr nga njëzetë komandantë të forcave detare që kanë qenë sipas viteve të drejtimit: Kapidan Ahmet Kapidani (1928 – 1939); Kundëradmiral Abdi Mati (1945 – 1957, shtator 1961 – shtator 1973); Kundëradmiral Teme Seiko (1958 – gusht 1960); Kundëradmiral Hito Çako (shtator 1960 – shtator 1961); Pa gradë Qamil Poda (shtator 1973 – korrik 1981); Pa gradë Ndue Jaku (1981 – 1991); Kapiten i Rangut të I-rë Tasim Meçe (28.11.1991 – shtator 1992); Kapiten i Rangut të I-rë Fitim Halili (1992 – 1993); Kundëradmiral Edmond Zhupani (1993 – 1994, 1996 – 1997); Kundëradmiral Muharrem Kuçana (1994 – 1996); Kapiten i Rangut të I-rë Vladimir Beja (mars – shtator 1997); Kapiten i Rangut të I-rë Robert Bali (shtator 1997 – tetor 1998); Kundëradmiral Kudret Çela (nëntor 1998 – mars 2005); Kapiten i Rangut të I-rë Kristaq Gërveni (mars 2005 – shtator 2009); Kundëradmiral Kudret Çela (shtator 2009 – janar 2012); Kapiten i Rangut të I-rë Ferdinand Kreshpani (janar 2012-gusht 2012). Në vijimësi për dhjetë vite drejtuesit e Forcave detare nuk kanë qenë detarë, por një zgjidhje e lidershipit politik e ushtarak të vendit, ndërkohë që forcave detare ju është rikthyer legjimiteti vetëm pas dhjetë vitesh më 2022 me emërimin në detyrën e drejtuesit të forcës detare një detar të mirëfilltë. Në vijimësi forcat detare janë drejtuar nga Gjeneral brigade Qemal Shkurti (15 gusht 2012 – maj 2015); Gjeneralmajor Ylber Dogjani (16 tetor 2015 – 16 shtator 2019); Gjeneral brigade Ilir Xhebexhia (tetor 2020-janar 2022); Kundëradmiral Adnand Agastra nga janari 2022 e në vijim. Duhet pranuar se Komandantëve që kanë drejtuar anije luftarake të periudhës gjysëmshekullore ka në vijimësi se çfarë të tregojnë në aspektin teorik dhe praktik të mbrojtjes së hapësirës detare, pasi ata e njohin detin më mirë se tokën. Prandaj edhe merotojnë nderimin dhe respektimin e të gjithë brezave të detarëve pasi vlerësimi për ta është vlerësim për mbrojtjen e vendit dhe hapësirës së shenjtë detare. Detarët dhe jo vetëm gjithë ata që i shërbyen dhe i shërbejnë Atdheut denjësisht me zemër e shpirt meritojnë nderimin ushtarak dhe qytetar, të vendlindjes dhe të kombit. Nuk është e rastit që shumë Bashki në vendin tonë kanë nderuar njerëz me kontribute të shumta për vendin për sigurinë dhe mbrojtjen dhe një nga këta është padyshim edhe Tasim Meçe që i ka qëndruar stoik idealeve të tij të mbrojtjes së vendit dhe zhvillimit e përparimit të tij. Forcat luftarake detare ku shërbeu Tasim Meçe gjatë Luftës së Ftohtë, Forcat e Armatosura numerikisht arritën 61000 forca aktive, dhe 380.000 forca rezerviste e vullnetare; të cilat u riorganizuan disa herë. Efektivi i FLD-së arriti në rreth 5000 vetë me një potencial mjetesh detare luftarake të konsiderueshme, por mbi të gjitha plotësisht të afta për kryerjen e misionit. Tasim Meçe është konkret kur shprehet se, “Në vitin 1945 Shqipëria e filloi nga “hiçi” dhe të mendosh se në fund të viteve 90’-të të shekullit të kaluar kishim gati 150 anije luftarake dhe ndihmuese me dy destinacione kryesore, atë të kohës së paqes dhe të kohës së luftës. Në kohë paqeje, ne siguronim paprekshmërinë e Atdheut dhe ruajtjen e ujërave tona territoriale, ndërsa në kohë lufte, Flota kryente detyra të shkallës operative që do të thoshte me anijet tona luftarake në situata kërcënuese, por edhe në luftë, pengonim karvanet e anijeve armike në bashkëpunim të ngushtë me aviacionin tonë dhe artilerinë bregdetare duke dhënë goditje me silura si nga katerat silurues ashtu dhe nëndetset tona për të prishur dhe penguar formacionet e armikut. Kjo pengesë do t’i jepte kohë popullit që të armatosej dhe të ish i gatshëm për të përballuar agresionin. Në raport me shtrirjen tonë gjeografike, sasinë e popullatës dhe hapsirën detare ne kishim flotë të fuqishme, një popull me 3,5 milionë banorë kishte 150 anije, ndërkohë që Italia, Greqia e Jugosllavia përllogaritur për numër popullsie, ne shqiptarët ishim tërësisht të mirëpërgatitur dhe mirëorganizuar në përballimin e të gjitha situatave në tokë, në det dhe në ajër”.

Sazani ky ishull i shpresës, dhe 10000 banorët që militarizuan atë në gjysëmshekulli

Tasim Meçe shërbeu edhe në Sazan, në ishullin më të madh dhe të vetëm të vendit tonë, ku maja e tij më e lartë është 342 m, me një siperfaqe 5,7 km², vijë bregdetare të thyer në rreth 15 km. Shtrirja gjeografike e tij është juglindje-veriperëndim në një gjatësi prej 4.8 kilometër. Gjerësia më e madhe e tij është 2 kilometër. Vija bregdetare e ishullit është pak e thyer. Në anën perëndimore gati në mes të tij formohet Gryka e Xhehenemit, që është një gji i vogël, por i hapur dhe shumë i thellë. Në bregun lindor formohet Gjiri i Shënkollës, ku është ndërtuar edhe porti ushtarak i ishullit dhe në jug të tij shtrihet Gjiri i Japrakut. Në ishull gjendet edhe plazhi i njohur zallor i Admiralit. Sipas autorit të vjetër romak Sklymi, në antikitet Sazani thërritej me emrin Sasan, që do të thotë “ishulli i Shpresës” ose i Gurit, një ishull plot thesare dhe çudira historike. Nga shek IV quhej “sason”, në mesjetë u zotërua nga venecianët, në kohët e reja bashkë me ishujt jonianë u zotërua nga britanikët. Ishulli zotëron pikat më strategjike të Adriatikut. Mbreti Ferdinand i Napolit më 1481 e ka përdorur Sazanin si bazë ushtarake. Në shekullin e XV-të u pushtua nga osmanët. Në fillimin e shekullit të XIX-të, Sazani së bashku me disa ishuj të tjerë jonianë u pushtua nga Britania, e cila në vitin 1864 ia kaloi Greqisë. Gjatë luftërave Ballkanike, në vitin 1912, për të bllokuar daljen në det të qeverisë së parë shqiptare të Ismail Qemalit, grekët vendosën trupa në Sazan. Më 30 dhjetor 1914, Sazani u pushtua nga Italia. Më 1920 italianët u përzunë nga Vlora, por jo nga Sazani dhe ai u kthye në një vend internimi, më saktë në  “burg natyror” për ata që kundërshtonin fashizmin. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913 e detyruan atë që të tërhiqej nga Sazani. Gjatë LIB ishulli u pushtua nga Italia. Lufta e Vlorës në vitin 1920 bëri të mundur që ata të tërhiqeshin nga Vlora, por mbajtën ende në Sazan deri më 1943, kur Shqipëria u pushtua nga nazistët gjermanë. Më 22 tetor 1944 ishulli u çlirua nga formacioni luftarak i UNÇSH, nga partizanët e Br12S, dhe që nga ajo kohë është pjesë e integritetit dhe sovranitetit të shtetit shqiptar. Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, Sazani së bashku me bazën detare ushtarake të Pashalimanit, në Orikum të Vlorës, u shndërrua në një ndër pikat kyçe të Ushtrisë së Kuqe sovjetike dhe asaj shqiptare në Mesdhe. Që nga koha e Jul Çezarit e deri në LIIB në bregdetin përreth Gjirit të Vlorës janë zhvilluar një numër betejash detare, pasojë e të cilave kanë qenë disa anije të mbytura. Sazani gjatë periudhës 1944 e deri më 2014 ka shërbyer si bazë ushtarake detare ku ishin vendosur kryesisht anijet katerasuluruese, artilieria bregdetare etj. Gjatë asaj periudhe ishulli ka qenë i banuar nga rreth 10 mijë banorë të cilët kryesisht ishin familjarë të oficerëve që shërbenin në ishull. Ushtarakisht nga Sazani kontrollohet i gjithë bregdeti shqiptar dhe kanalin e Otrantos. Për këtë arsye Enver Hoxha e quante ishullin e Sazanit si një nga pikat me nevralgjike jo vetëm të Shqipërisë dhe të Ballkanit, por dhe të gjithë Evropës, duke thënë shprehjen e famshme se “çelësat e Otrantos i kemi ne shqiptarët”. Gjatë luftës së ftohtë ishulli i Sazanit bashkë me gjirin e Vlorës konsideroheshin si fronti me i vështirë për Ushtrinë Popullore në rast lufte. Për këtë arsyje njerëzit që shërbenin në ishull kishin trajtim të veçantë. Nga viti 1997 në ishull u vendosën disa motovedeta dhe anije të forcave detare Italiane të cilat asistonin ne luftën kundër trafiqeve të jashtëligjshme dhe ndihmën për ringritjen e kapaciteteve operative të forcave detare dhe policisë kufitare Shqipëtare. Në vitin 2009 forcat detare Italiane largohen nga ishulli dhe planet e Ministrisë së Mbrojtjes përi bazë detare po zbehen përballë planeve madhore të turizmit elitar, si potencial turistik. Që nga viti 2014, ujërat që rrethojnë gadishullin e Karaburunit dhe ishullit të Sazanit janë kthyer në një park kombëtar detar. 

Rusani fshati që kishte dhëndërr Ali Pashë Tepelenën

Tasim Meçe tregon me pasion për fshatin e tij të lindjes, Rusanin lagjen e Delvinës, vetëm një çerek ore larg me këmbë, ndërkohë që fshati ka qenë “i privilegjuar”, pasi kishte për dhëndërr pashain e famshëm të Janinës.  Historikisht është e njohur se Ali pashë Tepelenjoti (1743 -5.2.1822) ishte sundimtar i fuqishëm fisnik shqiptar në kohën e sundimit Osman me tendenca autonomiste që shndërroi Janinën në Pashallëk. Ai ka qenë pinjoll i derës së fisme të Hysove, ku gjyshi i tij Myftar beu ishte dizdar (kështjellar) i Tepelenës, që më pas ra rob rob dhe u var në litar gjatë rrethimit të dytë të Korfuzit. Një nga tre djemtë e Myftar beut, Veliu mori për grua Esmiha hanëmin (Hankua)nga dera e bejlerëve të Konicës që më pas do të njiheshin si Zenelbejllinjtë, çifti pati një djalë dhe një vajzë, Aliun dhe Shahnisanë. Aliu iu dha jetës së komitit me trimat e vet deri kur më 1763 i kërkoi dorën Hanko pashës (e shoqja e pashës), e bija e Ahmet pashë Ngurzës. Por Hankoja nuk e pranoi kërkesën e tij dhe më 1766 u martua me Ibrahim pashë Vlorën. Më 1768, Aliu 25 vjeçar u martua me të bijën e Sanxhakbeut të Delvinës, Kapllan Asllanpashalliut, Emine (Ymi) Gylsym hanëmin. Pas varjes së vjehrrit dhe ngadhënjimit si i tretë në rivalitetin e dyerve të Kokajve dhe Selimaj-Hajdaragaj-Dostëve, iu dha posti i kajmekamit të bejlerbeut të Rumelisë dhe mori titullin e pashait me një tujë në krye të Sanxhakut të Delvinës. Pas luftës së Perandorisë Osmane me Rusinë më 1787, ku mori pjesë me pasuesit e vet nën komandën e Vezirit të Madh, Jusuf Pashës, Ali Pasha u shqua në luftime. Arsye për të cilën, pas traktatit të paqes u emërua sanxhakbej i Tërhallës dhe derbahat naziri (kryembikëqyrës i qafëmaleve dhe rrugëve të Rumelisë); u fuqizua dhe pasurua gjithnjë e më tepër. Ndër qindra libra të shkruara për dhëndërrin e Rusanit flitet natyrshëm edhe për gratë e Aliut, për trungun e rrethin familjar në prozë, tregime, romane e novela por edhe në vargje sikurse është e famshmja poemë epike “Alipashaida” me 10 mijë vargje e delvinjotit Haxhi Shehtreti poet dhe diplomat i shquar. Rusan është fshati i dashur i Tasim Meçes, fare pranë Delvinës, që historia e tij është gati gjashtë shekullore. Nga veriu fshati Rusan kufizohet me fshatin Lefterhor dhe Kakodhiq, nga jugu me Vllahatin dhe nga lindja me qytetin Delvinë. Rusan ka këto lagje: Bigor ose lagja e fisit të njohur “Kallapodhëve” dhe Rusani. Toponimet të fshatit Rusan janë: “Baçeja Aguridhe”, “Balta e Kuqe”, “Batina”, “Bregu i Shebeke, i Thanës”, “Brigjet e Koke”, “Burim i Kallapodhe”, “Çollaka”, “Dimërori”, “Guri i Lalos”, “Kroi i Babure”, “Mulliri i Bardhë”, “Prroi i Kallapodhe”, “Ura e Beqir Efendiut”, “Ura e Kallapodhate”, “Xhamia e Gjinaleksit” e cila ka qenë ndërtuar nga vëlIëzerit Gjini dhe Aleksi më 1230, e kthyer në xhami (duke ju shtuar minareja) më 1700. Familjet, fiset dhe oxhaqet e fshatit Rusan janë të njohura si: “Baburi (të ardhur nga fshati Babur i Çamërisë), Dizdari, Fteranj, Jupaj, Koka, Meçaj (të ardhur nga Mavrova), Mustaj, Shkrepa, Pupurenj (nga Fterra), Rugjaj (nga Golemi), Rushitaj, Vajaj, Kallapodhaj dhe të tjerë. Sipas Fjalorit Onomastik i Epirit, të Fatos Merorrapaj, por dhe tregimeve të Avdul Veli Kallapodhi e Besnik Veli Kallapodhi, një nga varjantet e shpjegimit të prejardhjes së fisit “Kallapodhi” qarkullon në formë legjende se: “dikur herët i pari i këtij fisi pati shkuar për vizitë tek një miku i tij në Athinë. Takoi që ajo ditë kur ky i shkoi mikut në shtëpi të ishte ditë e vitit të ri, dhe qe i pari ky “që bëri këmbë”. Kjo i solli një mbarësi të madhe asaj shtëpie dhe miku nga Athina, kur i kthente vizitën këtij në Delvinë, e thërriste me mbiemrin “Kallapodhi” që në gjuhën e fqinjëve do të thotë “këmbëmbarë”. Kështu filloi t’i thërriste edhe populli dhe ky emër i ka mbetur gjer më sot”, edhe pse historikisht është një fis i njohur edhe për trimëri, për prijës e kapedanë që kanë hirë në histori dhe në këngët e popullit. Por historia njeh edhe kapedanin dhe prijësin Sulo Kallapodhin nga Rusani i Delvinës që u shqua si luftëtar trim në periudhën e luftës kundër Tanzimatit, bashkë me shumë trima të tjerë. Mendohet se faqet e kodrave këtu në Rusan kanë qenë të mbushura me rrush dhe fshati para sllavëve quhej rrush, ndërsa më pas u quajt “Rusan”, edhe pse këtu nuk mungojnë dhe objektet e kultit dhe rrënojat e një Manastiri më shumë se 1500 vjeçar. Më pas u bë gërshetim mes xhamisë dhe teqesë”. Dikur quhej xhamia e Gjin Aleksit ose xhamia e Abanoz Beut. Sot Rusani bën pjesë në listën e 100 fshatrave turistikë, pret në çdo kohë vizitorë për treguar më shumë për historinë e saj të lashtë dhe të re.

Please follow and like us: