Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj Anton Filipaj: Pasqyrë e marrëdhënieve me autoritarizmin

*Tregimet e Ndue Ukajt janë një ftesë për të reflektuar mbi gjendjen njerëzore, për të analizuar strukturat që e rrethojnë individin, për të eksploruar dimensionet e fshehura të shpirtit. Këto tregime tregojnë se letërsia, përveçse një akt krijues, është edhe një formë rezistence,  hapësirë ku njeriu mund të kërkojë lirinë dhe të vërtetën.

*Proza poetike dhe përshkrimet e gjalla te libri me tregime “Shtegu i të verbërve”  krijojnë një atmosferë të ngjeshur me emocion dhe tension, ku edhepse mbizotëron errësira, gjithmonë ekziston një mundësi për dritë dhe zgjim.

Libri me tregime Shtegu i të Verbërve” nuk është thjesht një përmbledhje tregimesh interesante, por një dimension i thellë i letërsisë shqiptare bashkëkohore. Ndue Ukaj sjell një kombinim të shqetësimeve sociale, narracionit filozofik dhe simbolikës ekzistenciale, duke ofruar një perspektivë unike mbi individin që përballet me sfidat morale dhe strukturat shtypëse të pushtetit. Kjo vepër shpalos një botë ku humnerat e mjegullta të ndjenjave njerëzore, të shoqëruara nga dilemat ekzistenciale, e sfidojnë lexuesin të ndalet dhe të reflektojë mbi pozitën e tij në shoqëri.

Kur një vepër letrare arrin të reflektojë jo vetëm të kaluarën dhe të tashmen, por edhe të ardhmen, ajo shndërrohet në një pasqyrë ku analizohen marrëdhëniet midis individit dhe turmës, pushtetit, autoritarizmit dhe elementëve të tjerë që përbëjnë shtypjen shoqërore. Libri me tregime “Shtegu i të verbërve” i autorit Ndue Ukaj është një pasqyrë e tillë ku ilustrohet marrëdhëna e njeriut me autoritarizmin, pushtetin, gjithnjë duke e ruajtur distancën e mendimit të pavarur. Tema si mjegulla, dhuna, turmat dhe lidhja e individit me pushtetin trajtohen në mënyrë universale, duke bërë këtë libër një kontribut të çmuar në letërsinë moderne shqiptare.

Ndue Ukaj ka arritur të krijojë një mozaik të fuqishëm tregimesh, ku proza ndërthuret mjeshtërisht midis simbolikës dhe narrativës, duke e pasuruar atë me thellësi filozofike dhe emocionale. Përmes errësirës që mbizotëron në tregimet e tija, Ukaj rrëfen se shpresa mbetet gjithmonë një fije delikate që nuk këputet kurrë. “Shtegu i të verbërve” e fton lexuesin ta shqyrtoj kuptimin e verbërisë, jo vetëm si një paaftësi fizike, por si gjendje mendore dhe shpirtërore që flen në një krevat me frikën, manipulimin, dhe mungesën e guximit për të parë drejt të vërtetën.

Në tregimin “Shtegu i të verbërve” qe e mban titullin e librit, mjegulla përdoret si metaforë e paqartësisë dhe amullisë së një shoqërie të paralizuar nga frika dhe e pavërteta. Përmes përshkrimeve të një qyteti të murmë, ku banorët jetojnë të izoluar dhe të paaftë për të dalluar drejtimin e duhur, Ukaj e paraqet dilemën e natyrës njerëzore, atë të përballjes së individit me të vërtetën dhe përgjegjësinë e tij personale. Mjegulla te ky tregim nuk është vetëm një pengesë fizike, por simbol i ikjes nga përgjegjësia dhe veprimi. Turma, e portretizuar si një masë e verbër që ndjek një prijës pa ditur cakun e udhëtimit, nxjerr në pah sesi njeriu është i prirë të sakrifikojë individualitetin për një iluzion sigurie kolektive. Ky tension midis turmës dhe individit përbën shpirtin filozofik të librit.

Një nga aspektet më të fuqishme të tregimeve të Ukajt është trajtimi i marrëdhënies midis individit dhe pushtetit. Prijësi, që simbolizon një figurë tiranike dhe të vetëkënaqur, nga Ukaj është portretizuar si një qenie e konsumuar nga lavdia e vet. Autori e përshkruan me mjeshtëri rrugëtimin e liderit nga një njeri i zakonshëm, i ndjekur nga ambicia, në një figurë të konsumuar nga lavdia mashtruese. Në tregimet e Ukajt prijësi nuk është vetëm një tiran, por edhe një viktimë e strukturës që ka krijuar vetë. Ai është një shembull i fuqisë që humbet kuptimin kur e pren fijen që e mban lidhjen me humanizmin dhe arsyen. Ukaj po ashtu e ndërton një tension të vazhdueshëm midis ndjekësve dhe liderit, duke theksuar kotësinë e ndjekjes verbale dhe humbjen e identitetit individual brenda masës. Pyetja “Ku po shkojmë?” e shtuar disa herë në tregim, e nxjerr në pah një nga temat kyçe të veprës, atë që autori e shikon si paaftësi të pushtetit për të ndaluar forcën e rrjedhës që ka krijuar vetë.

Errësira, një element i përsëritur në tregimet e Ukajt, nuk është vetëm përshkrim i atmosferës, por po ashtu e përfaqëson mungesën e qartësisë, frikën dhe shtypjen që mbizotëron jo vetëm mbi individin, por mbi shoqërinë. Por Ukaj nuk e lë lexuesin të humbasë në errësirë. Përkundrazi, ai ofron momente dritë, duke treguar se edhe në kohët më të errëta, ekziston mundësia për zgjim, këndellje, dhe ndryshim.

Tregimi “Njeriu që fjeti me dritë të ndezur” është një portret i dhimbshëm i personit të thyer nga dhuna, që mbart plagët e përjetshme të një kohe represioni. Përmes jetës së Tanush Lekës, autori Ukaj lexuesin e dërgon  në një botë ku drita dhe errësira ndërthuren si simbole të shpresës dhe traumës. Errësira, dikur pjesë natyrale e jetës, bëhet për Tanushin një kujtesë e gjallë e dhunës dhe poshtërimit. Në këtë errësirë, ai përjeton izolimin dhe humbjen e kontrollit, duke u ndarë dhunshëm nga bota njerëzore. Vendimi për të fjetur me dritë të ndezur nuk është thjesht një përpjekje për të sfiduar terrin, por një përkujtim i vazhdueshëm i dritës si mburojë ndaj kujtimeve që e ndjekin Tanushin. Ky tregim i Ukajt e përshkruan rezistencën e heshtur të një individi që i përkushtohet artit për të përballuar një realitet të dhunshëm. Plot melankoli, fati i Tanushit e përçon zërin e një kohe plot dhunë që nuk shuhet kurrë nga kujtesa.

Tregimi “Mundimet e Martirëve të Karadakut është një rrëfim i një kohe të humbur, ku burrat dhe gratë e Stubllës luftonin për të ruajtur identitetin e tyre në një botë që kërkonte t’i zhdukte ata. Nën hijen e Maleve të Sharrit, ata jetonin një jetë të dyfishtë: ditën si myslimanë, natën si katolikë, një ekzistencë e fshehtë laramane që i gërryente nga brenda. Kur dëgjuan për një ferman që u premtonte liri fetare, shpresa u kthye si një rreze drite në terrin e tyre të përhershëm. Me guxim të jashtëzakonshëm, ata i shpallën beut të Gjilanit vendosmërinë e tyre për të jetuar si shqiptarë katolikë. Por për këtë akt, ata përballuan tortura, internime dhe një udhëtim të pafund drejt fushave të Anadollit, ku u përpoqën t’i nënshtroheshin një jete të re. Megjithatë, ëndrra për t’u kthyer në atdhe mbeti e pashuar. Pas dy vitesh vuajtjeje, ata u kthyen në Stubëll, duke përqafuar lirinë dhe ringjallur shpresën në një vend të mbushur me dhimbje, por edhe me dritë të pafundme.

Përmes një gjuhe të fuqishme dhe të narrativit të ndërtuar me saktësi, Ukaj krijon një botë ku çdo detaj ka rëndësi dhe ku lexuesi nuk mund të qëndrojë indiferent.

Libri me 15 tregime “Shtegu i të verbërve” është një reflektim mbi marrëdhëniet njerëzore me pushtetin, frikën dhe përgjegjësinë. Ndue Ukaj ka krijuar një vepër që sfidon lexuesin të mendojë përtej të zakonshmes dhe të shqyrtojë pyetjet e mëdha të ekzistencës. Duke kombinuar elemente simbolike dhe narrative me thellësi filozofike, libri përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në letërsinë shqiptare dhe e sfidon lexuesin të njohë dhe të sfidojë verbërinë, si atë individuale, ashtu edhe atë kolektive. Proza poetike dhe përshkrimet e gjalla të Ndue Ukajt krijojnë një atmosferë të ngjeshur me emocion dhe tension, ku edhepse mbizotëron errësira, gjithmonë ekziston një mundësi për dritë dhe zgjim. “Shtegu i të verbërve” është një vepër që nuk lexohet thjesht për kënaqësi, por që përjetohet si udhëtim brenda vetes, dhe një reflektim mbi shoqërinë tonë. Është një libër që qëndron gjatë në mendje, duke ftuar lexuesin në një dialog të vazhdueshëm me veten dhe botën që e rrethon.

https://exlibris.al/gjergj-anton-filipaj-pasqyre-e-marredhenieve-me-autoritarizmin/?amp=1&fbclid=IwY2xjawHdaL5leHRuA2FlbQIxMQABHRHpj1pgseS5fLUw3OrbZRHJbA5FcrUfl0Hz32e7nhnklNT-D-gNGg5zng_aem_7cl8-1mb4LdgSLJV274DFw

Please follow and like us: