Albspirit

Media/News/Publishing

Kur të qajnë ata që “t’vrasin” dhe t’vajtojnë ata që duhet të flasin

Fitnete Gruda

Ndodh një ngjarje e rrëndë/tragjedi në vendin tonë dhe sapo transmetohet në media vjen reagimi i menjëhershëm i shtetit, duke “qarë” atë që e shkaktoi vetë – me keq – qeverisjen e tij dhe duke u përpjekur për të gjetur shkaqet dhe përgjegjësit, në rrugë pa krye, kur përgjegjësia për sigurinë e shtetasve të vetë bie mbi vetë pushtetin. Paralelisht me qëndimet e pushtetit, vjen edhe reagimi disaditor i publikut të gjërë – në trajtë dhimbje, vajtimi, zemërimi – reagim, që merr përmasa të mëdha – gati virale, në varësi nga shkalla e vëmendjes mediatike dhe mundësinë që japin rrjetet sociale. Kjo gjë u vu re edhe kohët e fundit, pas ngjaries tragjike në shkollën 9–vjeçare “Fan Noli” Tiranë, por që e rizgjoi këtë diskutim fokusi i qeverisë tek mbyllja e “TikTok”, me argumentin, si shkaktari kryesor që sjell pasiguri në shkolla, thjesht duke kërkuar një fajtor me analiza jo standarde, që shmang përgjegjshmërinë institucionale. Sigurisht, për publikun, reagimet në të tilla raste janë normale dhe njerëzore, por të para në raport me shkallën e reagimeve të mëparshme – me qëllim parandalimi të çdo të keqe, këtu shikohet sa vlerë kanë këto reagimeve masive. Konkretisht, duke parë shkallën shumë të ulët të reagimeve që bën shoqëria (individuale/kolektive) ndaj së keqes, në të gjitha aspektet – si në vendin e punës, në komunitete, në institucione shtetërore, institucione të drejtësisë e kudo, vlera e këtyre reagimeve (pasi ndodhin ngjarje të rrënda), zbehet aq shumë, sa mund të themi që “çdo dramë në vendin tonë, shndërrohet në melodramë”, aq më shumë kur këtyre u shtohen reagimet jo thelbësore të shtetit dhe politikës – në veçanti shteti që e ka për detyrë mbrojtjen e shtetasve të vet, kur nis të “qajë” duke dhënë zgjidhje sopradike, shtuar edhe reagimet e gjata të mediave – në veçanti atyre mediave selective në informacione, që kanë mundësi parandalimi dhe sensibilizimi në mënyrë të vazhdueshme.

Ngritja e zërit, në vendin e punës, kur shikohet që gjërat nuk shkojnë e që një ditë, mund të degradojnë në forma të rrënda, është detyrë dhe përgjegjësi. Ngritja e zërit nga shoqëria, ndaj së keqes aty – këtu, është përgjegjësi morale/shoqërore, që ka gjithësejcili nga ne, për të parandaluar sa të mundemi, por kjo fatkeqësisht nuk ndodh. Që do të thotë, nuk ka më vlerë reagimi ynë, pas një tragjedie, kur më parë kemi bërë spektatorin në çdo gjë. Nuk dua të prek shumë rastin në shkollën “Fan Noli”, pasi sa herë e përmendim, gërvishim dhimbjen e familjes -në vecanti të prindërve të fëmijës së ndjerë, por duke parë mosseriozitetin e shtetit në kërkimin e shkaqeve reale që çuan në këtë tragjedi, por dhe lloj – lloj komentesh në media që largojnë nga e vërteta objektive, sipas meje, më erdhi ky reagim revoltë. Kjo revoltë e nxitur dhe argumentuar mbi bazën e përvojës time si, ish – drejtuese shkolle në kryeqytet, ish – mësuese me experience rreth 30 –vjeçare në arsim; mësuese që ka ngritur mjaftë problematika në arsim tek ish –ministrja e arsimit Lindita Nikolla (të cilat jo vetëm u shpërfillën, por nxitën hedhjen në rrugë)–vënë theksin tek mungesa e sigurisë dhe mungesa e disiplinës në shkolla; mësuese që ka ngritur këto problematika në shtypin e shkuar për vite të tëra (gazeta dhe portale), me opinione, për shkak të të cilëve sot, jo vetëm jam e hedhur në rrugë, por mbaj mbi supe një akuzë, mbi bazë sajese për hakmarrje ndaj fjalës së lirë, për të cilën jam e vendosur ta ndjek deri në fund.

Duke u kthyer tek problemi në fjalë, të jemi të ndërgjegjshëm, probleme mes adoleshentëve ka patur gjithmonë, ato janë pjesë e moshës. Po ashtu edhe që rrjetet sociale kanë ndikim negativ tek adoleshentët dhe kanë nxitur shpesh konflikte mes tyre, por t’ia adresosh “TikTok – ut”, pasigurinë në shkolla, në emër të prindërve dhe mësuesve të konsultuar (kur këto përgjidhen në mënyrë selektive për të marrë mendimet e pritshme) duke lënë mënjanë papërgjegjshmërinë institucionale dhe mbikqyrjen publike, kjo nuk është aspak zgjidhje, por rrëshqitje për t’iu shmangur reaalitetit. Rreziku i “TikTok – ut”, nuk është asgjë, përballë krimit që shëtit i qetë dhe vepron lirshëm, në lagje e kudo dhe që mund të depërtojë lehtësisht edhe në shkolla, ku bashkëpunëtorë të tij mund të jenë drejtues por edhe mësues të veçantë dhe mund të rekrutojë edhe fëmijë me anë kërcënimesh apo kurthesh; nuk është asgjë “Tik Tok”, përballë pasigurisë në shkolla, përballë drogës që hyn në forma të ndryshme në shkolla; nuk është asgjë “Tik Tok” përballë, mungesës së disiplinës në shkollë – ku procesi mësimor cënohet çdo ditë, ku nxënësit nxirren jashtë nga ora e mësimit dhe sillen rreth e qark shkollës/në WC/ korridore/nëpërmjedise të tjera në shkollë, apo dhe jashtë shkollës, kur shokët e tjerë janë në mësim – të gjitha me dijeni të drejtuesve të shkollës, kur prindi e di që fëmijën e ka në shkollë; nuk është asgjë

“Tik Tok”, përballë asaj papërgjegjshmërie të MAS, ku shumica e shkollave në Tiranë janë drejtuar për shumë vite nga drejtues të komanduar, po ashtu dhe Drejtoria Arsimore e Qytetit Tiranë (sot ZVA Tiranë) e drejtuar mbi 5 vite me drejtues të komanduar – që kanë kryer paralelisht edhe detyrën e mëparshme po në këtë drejtori; nuk është asgjë “Tik Tok”, përballë asaj që përzgjidhen të drejtojnë shkollat/Zyrat Arsimore/Drejtoritë eprore, drejtues horra, out, manipulatorë e falsifikator, drejtues që sillen e veprojnë si një bandë, drejtues që sigurinë e tyre e vendosin në themelin e pasigurisë në shkollë; nuk është asgjë “Tik Tok” përballë asaj që ligji mbetet vetëm i shkruar në letër; s’është asgjë “Tik Tok”, përballë një shkolle pa ngrohje, pa tavolina e karrige për tu ulur të gjithë, pa mjete të domosdoshme mësimore, pa laboratore funksional, pa biblioteka funksionale (madje diku vetëm funksion biblioteke nuk ka patur); pa kompjutera funksionalë në laboratorët e Informatikës – laboratorë të ngritur që në qeverisjen Berisha dhe më pas asnjë rinovim – përkundrazi shkatërrim; nuk është asgjë përballë asaj kur në mjediset e shkollës sheh në çdo moment njerëz të panjohur – madje hyjnë në sallë të mësuesve, në klasa dhe provokojnë e kërcënojnë etj; nuk është asgjë “Tik Tok”, përballë, përdorimit të nxënësve, nga ana e drejtuesve të shkollës, për të sulmuar/larguar nga puna mësuesit që ngrenë zërin kundër keqfunksionimit të punës në shkollë; kur rolin e rojes së shkollës detyrohen ta bëjnë me vite sanitaret e shkollës – kur prindërit financojnë për sigurinë në shkollë, nëpërmjet Bordit të shkollës; s’është asgjë “Tik Tok”, përballë një mjedisi ku mësuesit vihen para si turma, duke miratuar çdo gjë në heshtje, madje turmat përdoren për të sulmuar ata pak persona që guxojnë të ngrejnë zërin dhe kjo indirekt përcjel negativitet tek fëmijët dhe shpesh edhe përfshirje të tyre (dikush që ka qenë larg arsimit mund t’i duken këto gjëra të pamundura, në institucione arsimore, por këto janë gjëra që kanë ndodhur – jo pak here, në shkolla dhe mësuesit e dijnë këtë gjë).

Në fakt pasiguria në shkolla, nuk lindi dhe u evidentua sot si problem. Siguria në shkolla ka qenë alarmante 10 vitet e fundit, por zërat në shkolla që të alarmojnë për këtë pasiguri kanë qenë shumë të pakët, aty – këtu mungojnë fare, pasi ato zëra mbyten. Sipas meje, këtë pasiguri e instaloi ish – ministrja Nikolla, me instalimin e “drejtimit të komanduar” me vite të tëra dhe pa përmbushur as kritere minimale, por kjo rrugë u ndoq edhe nga ministra të tjerë më pas gjersa ka ende në shkolla drejtues gati 10 vite të komanduar. Nëse për këtë gjë nuk ka dijeni Kryeministri, atëherë do të thotë që nuk e kanë mirëinformuar ministrat – kohë pas kohe dhe këshilltarët e tij. Nëse për këtë situatë nuk ka dijeni të plotë ministrja Manastirliu, do të thotë që nuk e mirëinformojnë vartësit e saj dhe këshilltarët. Nuk mendojë se Ministria e Arsimit dhe Sportit duhet menduar shumë për të vënë pikat mbi “i” në shkolla, pas kësaj tragjedie, me qëllim parandalimin e çdo gjëje të keqe. Vetë legjislacioni në arsim i ka të përcaktuara përgjegjësitë e gjithësecilit në shkollë – drejtor, zv.drejtorë, mësues kujdestarë, mësues lënde, psikolog, së fundmi dhe oficer sigurie. Madje dhe detyrat e nxënësit dhe prindit. Po ashtu edhe për ZVA – të,… e deri tek MAS. Rregullorja e Brendshme e shkollës, ka të përcaktuara edhe detyrat e personelit ndihmës në shkollë – roja i shkollës etj. Mbi bazën e këtyre përcaktimeve ligjore, nis analiza institucionale, për të gjetur shkaqet, përgjegjësit dhe marrë masa për ndryshim, duke u bazuar në problematikat e shumta që dihen, por që disa i sipërcitova dhe vënë përpara përgjegjësisë edhe institucionet eprore që kanë lënë në këtë gjendje situatën në disa shkolla.

Ndërsa, ndjekja e rastit penalisht, siç e dijmë, i takon organeve kompetente – Prokurorisë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Janë ata që do të hetojnë dhe ngrejnë akuza. Unë mendoj që, Prokuroria dhe Policia e Shtetit – aq sa i takon, nëse duan të bëjnë hetime serioze, e ngrejnë akuza të bazuara, duhet të qëndrojnë larg ndikimeve të pushtetit e politikës dhe presioneve të krimit. Nuk ka nevojë Prokuroria / Policia e Shtetit për mendimet tona. Gjithsesi unë mendojë që, hetimet dalin të suksesshme mbi fakte dhe rrethana të provuara si dhe të lidhura këto me përgjegjësitë institucionale, sipas legjislacionit në arsim duke respektuar edhe të dhënat personale – sipas këtij legjislacioni (ndërthurje veprimesh ndërmjet institucioneve shtetërore) për të mos dëmtuar të tjerë, por unë janë skeptike që hetimet do të jenë të pavarura dhe të thelluara dhe ky skepticizëm më vjen, nga përvoja që kam patur me këto dy institucione.

Një shkak tjetër që nxit neglizhencë në identifikimin e konflikteve mes nxënësve në shkolla si dhe parandalimin e tyre, është shpërndarja e përgjegjësive midis shumë aktorëve në shkollë (drejtori – mësues kujdestar – mësues lënde – psikolog – oficer sigurie, pse jo dhe roja i shkollës që është pjesë e sigurisë në shkollë). Në vendin tonë, si kudo dhe në arsim, duke dashur të shkojmë drejt Europës, implementohen shumë risi dhe në mënyrë të shpejtë e jo shumë të studiuar. Kjo i gjen aktorët në shkollë të papërgatitur. Përpos, për vetë sistemin që kemi jetuar, nuk është e lehtë përshtatja lehtësisht me këto reformime, as kuptimi dhe ndjeshmëria për këto reforma, si domosdoshmëri në arsim. Kështu ka ndodhur me futjen e psikologut në shkolla, ku trumbetohet shumë për rolin efektiv të tyre në shkollë, por realiteti është, se nuk ka qenë shumë produktiv, pasi nuk është parë nga të gjithë aktorët siç duhet të jetë, madje mund të them as nga vetë ata. Ka patur raste ku psikologu në shkolla, që në fillimet e tij, është përdorur nga drejtues të ndryshëm shkollash, për të sulmuar/larguar mësues nga puna dhe disa raste i kam paraqitur edhe unë në shtypin e shkruar, por nuk janë të vetme. Po ashtu, ka psikologë/punonjës social në shkolla që nuk e kanë idenë se, Ligji 69/12, “Për Sistemin Arsimor Parauniversitar” dhe shumë akte nënligjore, kanë dispozita të veçanta për punën e tyre dhe përgjegjësi për këtë kanë drejtoritë e shkollave që nuk i njohin me to si dhe Shërbimi Psiko – Social në ZVA, që nuk i bën këto njohje, pjesë e trajnimeve. Edhe roli i oficerit të sigurisë në shkolla, nuk besoj se ka qenë shumë efektiv, për të njëjtat arësye. Për këtë, mendoj se,ndër të tjera, duhet ri – parë nga MAS pozicioni i psikologut në shkolla si dhe i oficerit të sigurisë, që të forcohet siguria në shkolla.

Mungesa e sigurisë është evidence dhe alarmante jo vetëm në shkolla, por edhe në komunitete, në institucione shtetërore e private, në rrugë, per fat të keq edhe në disa institucione drejtësie, saqë thua ketu drejtoni shteti apo krimi! Kësisoj, viktimë e kësaj pasigurie jemi të gjithë, por fëmijët aq më shumë dhe përballë kësaj pasigurie nuk i hyn në punë edukata e familjes. Askush, mendoj unë, nuk pret nga shteti që ti ndërtojë raporte njerëzore, ama shteti ka për detyrë të krijojë siguri shtetasve të vet kudo që ata të jenë në vend; tu krijojë mundësi jetese, duke krijuar kushte të barabarta në trajtim gjatë procedurave në punësime dhe me politikat sociale serioze mbështetëse, duke ndihmuar kështu prindërit të kryejnë sa më mirë rolin e edukimit si një hallkë e rëndësishme e edukimit; të mos përdor pushteti, politika përça e sundo, duke orjentuar dhunshëm raporte shoqërore e farefisnore false dhe prishur ato reale dhe ndikuar në klimën kolektive në institucione, klimën komunitare – ku jetohet e punohet – nxitur konflikte, shkatërruar familje – deri në vrasje, vëllavrasje e vetvrasje, duke qëmtuar dobësi njerëzore (jo pak raste kemi dëgjuar të tilla në media, por dhe realitet). Sigurisht që këto i bëjnë vetëm pushtetet mafioze, të korruptuara, që sigurinë e tyre e vendosin në themelin e pasigurisë së qytetarit, duke përfituar nga një sistem drejtësie në vendin tonë, që ka lejuar që ky pushtet të jetë i tillë. Nuk dua të bëj përcaktime të tilla, por është fakt tronditës që vitet e fundit – si asnjëherë, pushteti e ka kthyer popullin në turma që e ndjekin, duke miratuar në heshtje çdo vendim edhe kur e dijnë që po mbrojnë një të keqe të madhe, pranojnë çdo formë shtypje. Turmat heshtin dhe bëjnë sehir edhe kur e shohin që kolegu i tyre goditet sepse ngirti zërin ndaj kësaj qeverisje; edhe kur kolegu i tyre “rebel”, më pas, hidhet në rrugë, turma vazhdon heshtjen. Këto kanë ndodhur si në arsim, mjekësi etj etj, ku shteti bën nga një “kurban” për të friksuar më shumë turmën, madje kudo, taktika ka qenë, “hidh në rrugë dhe vishi një akuzë” që të mos mund të kthehen më në punë. Hakmarria shkon deri aty, sa këto persona dhe familjarët e tyre pengohen të marrin edhe shërbimet publike që shteti është i detyruar t’ia jap – deri tek pengimi i shërbimit shëndetësor real. Në këtë formë, pa hezituar mund të thuhet që ky shtet, po ngrite zërin “të vret”, pastaj të qan. Të vret vet apo nëpërmjet dorës së krimit, kjo mbetet një pikëpyetje. Turmat heshtin e bëjnë sehir edhe kur shohin apo kuptojnë se, ndaj një fqinji të pafajshëm, apo që kërkon të drejtën e vet, ushtrohet terror në çdo formë, nga persona / grup persona teë njohur apo të panjohur (që mund të jenë persona të lidhur me shtetin, me krimin, vetë krimi apo policia secrete). Turmat jo vetëm heshtin, kur kolegut dhe fqinjit i ndodhin këto, por shpesh disa bëhen pjesë mbështetëse dhe bashkëpunuese si dhe pjesë e përbuzjes, e shperfilljes dhe veçimit të kësaj kategorie. Ndodh që turmat përdoren nga shteti, për të ushtruar terror ndaj një personi, kur gjatë kërkimit të të drejtave të tij, pushtetarëve u dalin pislliqet që kanë bërë apo kur një person bënë një kërkesë apo ankesë, ende pa u regjistruar ankesa / kërkesa, ndien presionin e turmave – në rrugë, rreth e qark banesës, madje edhe përballë Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe më e keqja edhe Brenda gjykatave, skandale turmash. Këto, mendoj unë, janë teknika kriminale apo teknika të policies sekrete, që arrin të mbajë turmat nën presion. Kjo flet qartë, nëse një individ tejkalon frymën politike në institucion duke bërë diçka që i shërben punës dhe kundërshton të keqen, atëhere ky person fillon e shikohet si dele e zezë. Nuk syrvejohet krimi, por syrvejohen ato persona që flasin dhe familjarët e tyre. Të gjitha këto ndikojnë direkt tek fëmijët, duke çekulibruar edukimin familjar, por dhe mund të bëhen shtysh për ngjarje tragjike të nxitura nga vetë shteti. Kësisoj, përgjegjësia që ka shteti – e kthyer kjo në papërgjegjshmëri totale. dihet sepse preket në çdo hap tonin, por mbetet e ulët përgjegjësia e shoqërisë që është sa morale dhe “llogarikërkuese” ndaj shtetit, pra është parandaluese – mbrojtëse në fund të fundit edhe e vetvetes dhe familjes së gjithësejcilit. Nëse shoqëria do të reagonte fuqishëm ndaj çdo gjëje të keqe që shikon apo dëgjon, nuk do të ishte vetëflijuar një person, para pak muajve, në kërkim të së drejtës, pranë SPAK – ut, aty ku çdo ditë rrijnë media me orë të tëra; nuk do të kishte ndodhur as tragjedia në shkollën e sipërcituar dhe të tjera tragjedi, që ne më pas i komentojmë. Ne, në mënyrë të vazhdueshme, duhet t’ia kujtojmë shtetit – që ka përgjegjësi për sigurinë në vend, se gjërat nuk shkojnë dhe “ e tundim” të lëviz e të ndryshojë trajektoren e qeverisjes, sepse vetëm në këtë formë nuk e lejojmë shtetin – me papërgjegjshmërinë e tejskajshme, të na “vras” e pastaj të na qajë, Në këtë mënyrë ne si shoqëri dhe mediat, aq sa mundemi, kemi dhënë kontributin në parandalimin e ngjarjeve të rrënda e tragjedive, në këtë mënyrë reagimet tona (shoqëri dhe media) kur ndodhin të tilla ngjarje të rrënda, janë reagime shpirti dhe revolte, ndaj kësaj qeverisje.

Please follow and like us: