Mediat sociale, kalbja e trurit dhe vdekja e ngadaltë e leximit
Mia Levitin
Puna ime si kritike librash dikur shkaktonte zili në festa koktejlesh, me njerëz që fantazonin për një jetë të kaluar duke lexuar. Tani është më e zakonshme të nxisë rrëfime sikleti nga të pranishmit për faktin që nuk lexojnë aq sa do të donin — a thua unë do u bëja një test të papritur për “Moby-Dick”.
Kohët kur Uliksi i James Joyce-it ishte një magnet për burrat kanë kaluar prej kohësh, siç më kujtoi shkrimtarja irlandeze Anne Enright në një panel për të shënuar 100-vjetorin e librit në vitin 2022. Për arsye të ngjashme, biblioteka ime universitare përmbante një kopje të “Infinite Jest” prej 1,000 faqesh të David Foster Wallace-it.
Sot, as studentët e letërsisë nuk lexojnë më libra të gjatë. Studiuesi i Shekspirit, Sir Jonathan Bate, i cili jep mësim në universitete si në SHBA, ashtu edhe në Mbretërinë e Bashkuar, së fundmi shprehu keqardhje për këtë rënie të lexuesve. Ai i tha BBC Radio 4 se, 40 vjet më parë, “mund t’u thoshe studentëve: ‘Këtë javë është Dickens. Ju lutem lexoni Great Expectations, David Copperfield dhe Bleak House.’ Tani, në vend të tre romaneve në një javë, shumë studentë mezi e mbarojnë një roman në tri javë.”
Një sondazh i fundit nga organizata bamirëse Reading Agency tregoi se vetëm gjysma e të rriturve në Mbretërinë e Bashkuar lexojnë rregullisht për qejf, një rënie nga 58 për qind në vitin 2015. Edhe më shqetësuese, 35 për qind janë lexues që dikur e shijonin këtë hobi. Ata që rrëfehen në festat e koktejleve — mes tyre edhe romancierë — më thonë se tani e gjejnë veten duke bërë scrolling në telefon në shtrat, në vend që të lexojnë. Dhe kush u vë faj? Mediat sociale janë krijuar për të kapur vëmendjen tonë me stimulim dhe miratim, në një mënyrë që teknologjia e faqes së librit e ka të vështirë ta konkurrojë.
Sipas neuroshkencëtares Maryanne Wolf, autore e “Reader, Come Home: The Reading Brain In A Digital World”, ndërsa truri ynë është i prirur për të përvetësuar gjuhën, ai nuk është i programuar natyrshëm për të lexuar; leximi është një aftësi e mësuar. Por plasticiteti i trurit funksionon në të dyja drejtimet: e përdor, ose e humbet, dhe ne po zgjedhim gjithnjë e më shumë ta humbim atë. Fjala e vitit 2024 nga Oxford University Press ishte “kalbja (degradimi) e trurit” — që nënkupton si “përmbajtja me cilësi dhe vlerë të ulët” që gjendet online, ashtu edhe degradimi intelektual nga konsumimi i saj i tepruar. I regjistruar si term për herë të parë në librin “Walden” të Henry David Thoreau-s më 1854, rritja e përdorimit të tij këtë vit i atribuohet (ironikisht), përmendjes në videot e TikTok-ut.
Rritja e lehtë e dopaminës nga mediat sociale mund ta bëjë leximin të duket më i mundimshëm në krahasim me to. Por ia vlen mundimi: lexuesit e rregullt raportojnë mirëqenie dhe kënaqësi më të lartë në jetë, duke përfituar nga gjumë i përmirësuar, fokus, lidhje dhe krijimtari. Ndërsa vetëm gjashtë minuta lexim është vërtetuar se reduktojnë nivelin e stresit me dy të tretat, leximi i thellë ofron dobi konjitive shtesë, si mendimi kritik, empatia dhe vetë-reflektimi.
Ella Berthoud, një biblioterapiste që ofron “receta” të personalizuara librash dhe bashkëautore me Susan Elderkin e “The Novel Cure: An A to Z of Literary Remedies”, thotë se klientët gjithnjë e më shumë kërkojnë udhëzime se si të lexojnë më shumë. Për të ndërtuar një zakon leximor, ajo rekomandon të provoni audiolibrat, të krijoni një kënd leximi për librat fizikë dhe të mbani një ditar leximi, pasi mbajtja e shënimeve ndihmon në përforcimin e kujtesës. Për ata që duan të kombinojnë dy objektiva të reja këtë vit, Berthoud demonstron aftësinë mbresëlënëse të Hula-Hoop-it ndërsa lexon.
Nëse muskujt tuaj të leximit janë atrofizuar, në vend që të zhyteni menjëherë tek, fjala vjen, Uliksi dhe të mbani shënime, mund të jetë më e lehtë të filloni me tregime të shkurtra ose novela, thotë Berthoud. Të preferuarat e saj për lexim të shkurtër përfshijnë koleksionin “Storybook” nga New Directions — projektuar për t’u lexuar në një seancë të vetme — dhe librat nga Peirene Press, një botues i pavarur i specializuar në novela.
Ndërkohë që tregu i fiction-it përfiton nga zhanret si krimi, fantazia dhe romanca, që janë të popullarizuara në BookTok (komuniteti me ndikim i leximit brenda TikTok-ut), shitjet e librave nonfiction kanë rënë dukshëm nga viti në vit. Mendimi i përhapur është se nonfiction-i është më i lehtë për t’u skanuar, duke çuar në shfaqjen e aplikacioneve si Blinkist, Headway dhe StoryShots, të cilat ofrojnë përmbledhje librash që dyshohet se janë gjeneruar kryesisht nga inteligjenca artificiale. Por, edhe duke lënë mënjanë çështjet e të drejtës së autorit dhe saktësisë së IA, leximi nuk ka të bëjë thjesht me efikasitetin. Një nonfiction i mirë ofron jo vetëm informacion, por edhe një bisedë: ndjekja e procesit të mendimit të një autori na stërvit mendjet tona, për të menduar.
Libri im i preferuar nonfiction këtë vit — dhe një antidot i shkëlqyer për degradimin e trurit — është “Stranger than Fiction: Lives of the Twentieth-Century” i Edwin Frank. Mbulimi i 33 librave me një bibliografi sugjerimesh për lexim të mëtejshëm, është një mënyrë për të ushtruar leximin e thellë dhe një portë për t’u lidhur sërish me disa nga veprat më të mëdha në histori.
Maria Popova, autore dhe eseiste që themeloi faqen letrare The Marginalian, dikur e përshkroi letërsinë si “interneti origjinal”, ku çdo referencë dhe shënim është “një hiperlink drejt një teksti tjetër”. Përparësia është se mund të humbisni në këtë internet analog pa përmbajtje virale, që bërtet për vëmendjen tuaj.
Edhe nëse ndalimi i TikTok-ut do të ndodhë në SHBA, platforma të tjera do të dalin për ta zëvendësuar. Kështu që në vitin 2025, pse të mos zëvendësoni telefonin në komodinë me një libër? Vetëm një orë në ditë të marrë nga koha e ekranit shton rreth një libër në javë, duke ju vendosur mes një përqindjeje të lartë lexuesish.
Mia Levitin është kritike dhe autore e librit ‘The Future of Seduction’. / the new york times – bota.al