Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Hajde more trima, nëna s’u bën prapë
Luftëtarë nga fshati Velçë i Vlorës vitet e jetës së tyre i kaluan me nder duke dhënë gjënë më të shtrenjtë, jetën, për çlirimin e Atdheut nga robërin fashiste e nazizte. Të katër trimat që ranë në Kosovë ia ngritën më lart lavdinë vendit, familjeve dhe Velçës. Dhe kjo lavdi mbuloi edhe Gjakovën e Kosovës, siç mbuloi dhe Prizrenin, ku luftuan trimërisht djemtë e Labërisë, të Velçës, të Vlorës e të gjithë Shqipërisë.
Teshat e shokëve i lau me gjak…
Hito Sinan Sinamataj lindi në vitin 1916 ne fshatin Velçë të Vlorës. Ai kaloi një fëmijëri të vështirë. Nëna e la të vogel, ai u rrit nën kujdesin e të atit, Sinanit, një burrë i zgjuar, i urtë dhe i nderuar. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshat punojë atë pëllëmbë tokë dhe vreshtin në Mbivelçë. Ishte i qetë, i shëndetshëm, flokë kaçurrel dhe me pamje tërheqëse. Në vitin 1938 u thirr nën armë në ushtrinë mbretërore. Pas ushtrisë u kthye në fshat dhe u aktivizua me lëvizjen. Nga viti 1942 mori pjesë në të gjitha aksionet e zhvilluara në krahinën e Mesaplikut dhe në rrethin e Vlorës. Ishte një nga anëtarët më luftarakë të Organizatës së Rinise Antifashishte të Velçës, si dhe një anëtar aktiv i çetës territoriale “Islam Shanaj”. Në Luftën e Gjormit, në betejën e Drashovicës, në Vajzë, në grykën e Karterit, në Velçë etj., gjëmoi pushka e trimit Hito Resulaj.
Në janar 1944 doli partizan dhe më 20 janar 1944 u rreshrua në radhët e BrVS. Në luftë u bë një nga partizanët më të pjekur në moshë e në përpjekje luftarake. Kompania ku bënte pjesë Hito mori pjesë në aksione e luftime si në urën e Palasës, luftoi në malin e Vunoit, në Bogonicë, në Tri Urat në Çarshovë të Përmetit, në Macukull të Matit, në malin e Korabit për çlirimin e Peshkopisë e të Dibrës etj. Hito Resulaj tregoi zotësi e trimëri në luftën e Kalasë së Dodës, në krahinën e Lumës, në malin e Kolosianit etj.
Sulmi mbi qytetin e Gjakovës ishte i vështirë. Partizanët nuk kishin përvojë për luftimin në qytet, dhe ndërtesat e larta armiku i kishte kthyer në qendra zjarri që mbulonin rrugët e afrimit prej nga nisnin sulmet partizanët. Kompania e Hito Resulaj duke sulmuar përpara çliroi njerën pas tjetrës lagjet lindore dhe hyri në thellësi. Në përpjekjet për të çliruar një ndërtesë, Hito plagoset nga zjarri i një mitralozi armik i vendosur në një minare xhamie. Megjithëse i plagosur ai vazhdonte të qëllonte me belxhikun e tij… ishte data 10 nëntor 1944 kur u çlirua Gjakova.
Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Vlorës.
Luftoi që nga Vlora në Kosovë
Qemal Çize Shabani lindi në kohën e Luftës së Vlorës më 1923. Në fillim e la babai, pas disa muajsh edhe nëna. Mbetën jetim, por gjetën strehe tek fisi Shabani dhe u rrit me bëmat trimërore të të parëve të shtëpisë së tyre, u dhanë gjak trupave të tyre të njomë. Kur ata dëgjonin se si Hakan Shabani i kishte vënë pushkën shovinistëve grek, më 1913-1914 në Kuç e në Tatzat dhe më vonë pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës më 1920 dhe ra në fushë të nderit. Në kasollen e tyre buçiste cyla e Qemalit që 7-8 vjeç, ishte bërë mjeshtër i saj dhe i kërrabës pas berrave.
Rriteshin jetimet, rriteshin dhe hallet. Vëllai i madh, Malo shkon në Vlorë dhe pasi u end lart e poshtë për të gjetur ndonjë punë, vdiq në varfëri. Qemalin dhe Bejkon, motrën, i mori tezja e tyre në Tërbaç. Në këtë familje, që ishte një nga bazat e para të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Qemali bie në kontakt me aktivistë dhe simpatizantë të Lëvizjes si Vehbi Hoxha etj. Qemali u aktivizua në njësitin guerril të fshatit Tërbaç e më pas mori pjesë në Luftën e Gjormit. Më 24 korrik 1942 duke treguar guxim e shpirt vetëmohimi, dha kontribut në aksionin për paralizimin e ndërlidhjes fashiste duke prerë telat e telefonit. Komanda e ushtrisë fashiste pasi i zbuloi, arrestoi aktivistë të Lëvizjes. Një nga ata ishte Qemal Çize Shabani, të cilin e mbyllën në burgun e Porto Palermos. Në kampin fashist provoi mbi trupin e tij tortura, por për mungës provash e lirojnë. Qemali në nëntor 1943, del partizan në mal dhe rreshtohet në radhët e BrVS. Në aksionet e brigadës Qemali do të shquhej për gatishmëri, trimëri dhe do të shpalose veti luftarke që nga Tërbaçi, Mesapliku, Përmeti, Kosova e deri në Sanxhak të Bosnjes. Djali i Shabanajve do të tregojë karakteristikat e një labi të vendosur, të një velçoti të zgjuar, të një partizani internacionalist i Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.
Pranimi në radhët e PKSH ia rriti entuziazmin dhe kurajon në luftë kundër armikut dhe për merita në luftë caktohet komisar politik toge. BrVS me luftime doli në Kosovë dhe në bashkëveprim me repartet kosovare luftuan për çlirimin e rafshit të Dukagjinit, çliruan Dragashin, Gjakovën, Prizrenin, Pejën dhe Istogun. Mbrëmjen e 19 dhjetorit 1944 batalioni ka zënë vend në fshatin Domjollopishë të Senicës në Sanxhak. Detyra ishte të sulmohen pikëmbështetjet e nazistëve. Kundërsulmuan nazistët, partizantët u turrën me shkathtësi… Krisma nga të dy palet. “Urra!” nga partizanët, britma nga gjermanët. … një plumb gjurmëlënës qëndroi i ndezur disa çaste në trupin e Qemalit…
Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Vlorës.
Qëndroi luftëtar deri në frymën e fundit
Faslli Bejko Hasanaj ka lindur në vitin 1910 në Velçë. Babai Bejko Hasanaj u shpërngul nga Bolena dhe me pëlqimin e pleqësisë së Velçës u vendos në përroin e Muço Gjonit. Fëmijëve kur vdiq ju la pak pasuri, një vatër arë, ca berra, kasollen thurur me thupra dhe halle e vuajtje shumë. Pas pushtimit fashist të vendit vëllezërit Faslli dhe Kanan nuk pranuan të vishnin rrobat e milicit dhe të regjistroheshin në partinë fashiste. I përbuzën thirrjet dhe urrejtja u shtua. Në vitin 1939 Faslliu, për të mbajtur familjen, futet punëtor krahu në ndërmarrjen italiane në Vlore, më vonë në ndërtimin e rrugës Velçë-Ramicë.
Faslliu u lidh me lëvizjen. Ai ishte ndër partizanët e parë të çetës territoriale “Islam Shanaj” dhe mori pjesë në të gjithë aksionet, si në bregun e Rait, tek Ura e Fshikurit, në Luftën e Selenicës, në betejën e Drashovicës, etj. Në janar 1944 doli partizan në mal dhe u rreshtua në radhët e BrVS. Tregoi qëndresë gjatë muajit të Operacionit Armik të Dimrit 1943-1944 në malet e Çipinit, Kuçit, në Fterrë e në malet e Golishtit. Heroizmi i tij shkëlqeu në luftimet në malin e Korabit, ku u thyen keqas forcat naziste dhe partizanet e BrVS i ndoqën këmba-këmbës e duke gjakosur bishën naziste, mbërriti në Sanxhak. Këtu do të ndesheshim serish me armikun për çlirimin e Bosnjes Perëndimore. Shpëtuan nga lufta, por jeta e luftëtarëve kërcënohej nga përhapja e epidemive të sëmundjeve. U përhap tifoja e morrit. Sëmundja ishte e pashërueshme për kohën. Faslliu u prek nga tifoja e morrit të kuq… U shtrua në spitalin e Senicës, që ishin vetëm ca baraka të ulta, pa ngrohje, pa xhame në dritare, pa kujdesin e nevojshëm mjekësor. Kishte shumë të sëmurë, të gjithë dergjeshin pa shpresë në shtrat. Luftëtari po ndeshej me një armik tjetër, më të rrezikshëm, të padukshëm… Në spitalin barakë të Senicës së Sanxhakut, dha frymën e fundit luftëtari trim Faslli Hasanaj. Ishte 2 shkurt 1945.
Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22.9.1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Vlorës.
Ra heroikisht si trimat në ballë të luftës…
Fejzo Rakip Memaj lindi në vitin 1925, në Velçë të Vlorës. Në vatër cdo mbrëmje mblidheshin pesë fëmijët dhe prindërit dhe kujtonin të parët e tyre, bëmat dhe luftërat. Shtëpia Memaj u kthte në një bazë të luftës. Babai i Fejzos, Rakipi, u plagos në kokë nga një copë predhë artilerie në afërsi të konakut, shtëpia e tyre u dogj nga pushtuesit, vëllai i madh Ymeri ishte partizan dhe po luftonte në Sanxhak, në BrVS, ndërsa xhaxhai i tij, Sefer Memaj kishte rënë në luftë. Djali shtatëmbëdhjetë vjeçar hodhi pushkën krahut dhe doli malit partizan në luftë kundër pushtuesve të huaj dhe tradhëtarëve të vendit. Fejzo u takua me partizanët e BrIS në dhjetor 1943, që ndodhej me luftime në krahinën e Mesaplikut. Fejzua u sëmur nga të ftohtit dhe u shtrua në spitalin partizan të Zagorisë. U shërua dhe niset për në BrVIIS. Nga 12 dhjetorit 1944 e deri më 7 shkurt 1945 brigadat BrVIS dhe BrXXIIS, së bashku me BrVIIS kryen një varg luftimesh kundër armikut për çlirimin e Vishegradit… Në Livarrekë, kompania ku bënte pjesë Fejzua u kacafyt trup me trup me nazistët gjermanë. Armiku u thye duke lënë në fushë të luftimit shumë të vrarë e të plagosur dhe mjaft armatim e materiale të tjera ushtarake. Fejzua luftonte në këmbë, me mitralozin e tij dhe gjermanët po tërhiqeshin të shpartalluar. Nga një kodër përballë, një nazist shtiu me breshëri automatiku duke e lënë trimin shtatëmbëdhjetë vjeçar të vdekur.
Është shpallur Dëshmor i Atdheut me vendimin nr. 97, datë 22. 9. 1972 të Komitetit Ekzekutiv të KP të Rrethit të Vlorës.