Andrea Gudha: Qestorat. Behare të paharrueshme të fëminisë
Në të gjithë fshatrat e Lunxhërisë gjen bujari dhe fisnikëri, rregull dhe pastërti, harmoni dhe dashuri për njeri-tjetrin, fjalë zemre…
Janë këto vyrtyte të larta njerëzore të krahinës së Lunxhërisë të skalitura ndër shekuj, që kanë impresionuar dhe frymëzuar çdo udhëtar në fshatrat e bukura të Lunxhërisë.
Qestorati ishte një nga vend pushimet, ku poeti anglez, Lord Bajroni, ndenji më 17 tetorit 1809, përgjatë udhëtimit të tij, që frymëzoi poemën e famshme “Shtegtimi i Çajld Haroldit”, botuar në vitin 1812.
Fshati Qestorat, fshat me histori shekullore, ku, natyra dhe shpirti janë në harmoni të plotë: toka, uji, ajri, njerëzit. Fshat klimaterik, veçanërisht për të sëmurët me probleme shëndetësore kronike të mushkërive “të mbushen mushkëritë me oksigjen”.
Qestorati, është ndër fshatrat e Lunxhërisë, me zhvillim historik patriotik, kulturor, arsimor e illuminist, që në shek. 19-të.
Emri i fshatit Qestorat u bë i njohur, jo vetëm në Jug të Shqipërisë, por dhe në mbarë Shqipërinë…
***
Në gjysmën e dytë të shek. 20-të (1955-1965), çdo behar, fëmininë time e kaloja në Qestorat. Nga ndonjëherë, në fshat, e merrja dhe violinën me vete… Në Qestorat kisha familjet e dy motrave të nënës time Ollga, nga familja Dhima, nga Saraqinishta: hallë Fonia e martuar me Sofo Çipin, (djali i komandantit partizan Misto Çipi) dhe hallë Vitua, e martuar në familjen Papa.
Kisha dhe familjen e xhaxhait tim Peço Gudha (barba Petro), kështu i thërrisnin në spitalin e Gjirokastrës, ku punoi për një kohë të gjatë si kuzhinier.
Në Qestorat qëndroja më shumë tek hallë Fonia, pasi, si fëmijë, me Natashën, Miçon, Katinën e Çotën, na bashkonin bisedat, lojrat, shëtitjet në fshat… Fëmijët e xhaxhait ishin më të mëdhenj në moshë (ata ishin bashkëmoshatarë me vëllain tim, Jorgo). Mihal Gudha ishte mësues në shkollën fillore në Qestorat, i martuar me Katina Dhima nga Qestorati (edukatore në kopshtin e fëmijëve, Qestorat), Sofia e martuar në Qestorat me Jani Fotin, mësues, po, dhe Spiro Gudha. Po, kështu, dhe Nesto Papa, djali i hallë Vitos.
***
Duke u gdhirë mëngjesi i ditës së re në shtëpinë e Çipajve, dëgjoja këngën e qyqes, më pas këndezat, lëvizjet në shtëpi të hallë Fones dhe Sofos, që merreshin me rregullimin e bagëtive dhe me punët e shtëpisë.
Hallë Fonia, e pastër, energjike, gjithmonë me “llërë përveshur” për punë. Sofua, i qetë, i urtë, punëtor dhe i dashur.
Tingujt e këmbanës së kishës Shën Mëhilli, i njoftonte fshatarët për fillimin e punës së ditës se rë në kooperativë…
Avlia e shtëpisë së Çipajve ishte përballë çetës së shtëpive të familjeve: Papavasili, Mitrokosta, Kushta, Xhavara, Rumbi, Zografi… shtëpi dy katëshe, që më bënin përshtypje. Këtë mjedis e ndante një përrua i thatë, që shtonte jehonën e zërave kur fshatarët flisin nga njera shtëpi në tjetrën.
Përballë shtëpisë së Çipajve, me shikim pak djathtas, nga avlia e shtëpisë, në mes të fshatit, shikohej rrapi madhështor në sheshin e kishës Shën Mëhilli dhe muret e lartë të shkollës së vjetër. Ishte një godinë e madhe e vjetër, tre katëshe, që i kishin ngelur vetëm muret e trashë prej guri të zinj, të mëdhenj e të skalitur bukur, me shumë dritare të mëdhaja, si dëshmi e historisë.
Dikur në atë atë shkollë mësonin nxënës…
Duke ardhur nga rruga e Dhoksatit, në hyrje të fshatit Qestorat, duke filluar nga Shën Mëria dhe nga shtëpitë: Papavasili, Mitrokosta, Kushta, Xhavara, Rumbi, Zografo, rruga ishte e shtruar me kalldrëm që të çonte në Normalen e Qestoratit.
Nën rrugë, poshtë Normales, ishin dhe dy godina më të vogla, që shërbenin aso kohe si konvikt, mensë e lavanteri për nxënësit e Normales.
Në fshat thoshin: “Këtë shkollë e ka ngritur Zografi… dhe se, në këtë shkollë ka qenë mësues dhe Koto Hoxhi”. Nga babai im Koço kisha mësuar se, Vasil Gudha (gjyshi i tij dhe i Peços), ishte mësues dhe drejtor i shkollës fillore në Normalen e Qestoratit, bashkëkohës me Koto Hoxhin.
***
Qestorati në shek. 19-të ishte një qytezë arsimore, kulturore dhe emancipuese
Ideatori dhe realizuesi i shkollës Normale-Qestorat (1869 – 1891) ishte patrioti, bamirësi i madh i kohës, Kristaq Zografi, lindur më 6 Dhjetor 1820 në Qestorat, dhe vdiq në Paris më 19 Gusht 1898. Kristaqi ndoqi shkollën ‘Zosimea’ në Janinë dhe pastaj shkoi në Stamboll për t’u bashkuar me biznesin e babait, Viktorit nga Qestorati.
Kristaqi u bë një nga kreditorët më të mëdhenj të shtetit osman, ishte ndër bankierët kryesorë dhe një nga bamirësit më të mëdhenj.
Kristaqi e donte dhe e vlerësonte kulturën dhe dijen. Me paratë e tij organizonte ekspozita e konkurse të arteve figurative në Paris, ofroi shuma të mëdha parash për ngritjen e shkollave të mesme në Konstandinopojë, në Universitetet e Mynihut dhe Parisit.
Në vendlindjen e tij Qestorat, në vitin 1869, si patriot, me financimet e tij dhe me shumë përpjekje me Qeverinë osmane, ngriti Shkollën Normale, më të njohur të epokës. Bashkëkohësit e krahasonin atë me vlerat e shkollës së Voskopojës. Gruaja e tij, Domenika (franceze), investonte çdo vit shuma parash për shkollën fillore në fshatin Stegopul-Lunxhëri. Në nder të saj, shkolla quhej “Shkolla e Domenikës”.
Nxënësit dhe studentët në Normalen e Qestoratit, vinin nga krahina të ndryshme: nga Dropulli, Janina, Nikopoja, Paramithia, Vellas, Konica, Berati, Korça, Përmeti, Durrësi, Elbasani etj. Nga këta, 30 djem dhe 30 vajza, ishin bursistë të Kristaq Zografos, që kishin falas studimet, konviktin, ushqimin, veshmbathjen dhe librat. Ishin student, që vinin nga familje shumë të varfëra. 20-30 fëmijë dhe të rinj studionin në këtë shkollë nga Qestorati. Numri i nxënësve dhe studentëve të regjistruar në Normale arriti në 259 djem dhe 105 vajza.
Fal pedagogjisë moderne, që zhvillohej në këtë shkollë, kulturës së përgjithshme, emancipuese e përparimtare, nën ndikimin e iluminizmit perëndimor, ndër mësuesit dhe nxënësit u ndriçua vetëdija kombëtare për gjuhën shqipe.
Ndër ta u shqua Koto Hoxhi, mësues në këtë shkollë dhe nxënësit e kësaj shkolle si: Petro Nini Luarasi, vëllezërit Pandeli e Koto Sotiri dhe Jani Minga, të cilët ndezën dhe përhapën dritën e diturisë në gjuhën shqipe në të gjithë Shqipërinë.
Në vitin 1874 Koto Hoxhi me nxënësit e shkollës vuri në skenë, për herë të parë në gjuhën shqipe, pjesën teatrale “Dasma Lunxhiote”.
Qestorati në këtë periudhë ishte shndërruar në një qytezë të vogël, me lëvizje dhe me komunikacion të përditshëm. Rrugët dhe sheshet e fshatit gjallëroheshin nga studentët dhe nxënësit e Normales në Qestorat.
Në këtë periudhë, përfitimi ekonomik i krahinës Lunxhëri ishte i madh. Gjirokastra thithte sasi të konsiderueshme parash dhe të ardhura të tjera nga Normalja, sepse aty, nga tregëtarët gjirokastritë bëhej tregëti e artikujve ushqimorë, të veshmbathjes dhe sendeve shkollore.
Normalja e Qestoratit ishte një shtëpi e madhe emancipuese për familjet shqiptare. Bëhet fjalë për shkëputjen e vajzave nga familjet me zakone të rrepta prapanike nga krahina të ndryshme dhe, që do të jetonin për disa vjet, sëbashku me djemtë, në një fshat të vogël, Qestorat dhe, pastaj, do të ushtronin profesionin e mësuesisë në krahina të ndryshme të vendit, që ishin nën trysninë e konservatorizmit patriarkal feudal.
Në jetëgjatësinë e Normales së Qestoratit, prej 22 vitesh (1869-1891), nga kjo shkollë kanë dalë 400 mësues dhe, një pjesë të nxënësve të kësaj shkolle, kanë vazhduar studimet më tej në Universitet në Stamboll e Athinë në avokati, në tregëti, në farmaci apo në mjekësi.
Ja, si e përshkruan fshatin Qestorat dhe shtëpinë e Koto Hoxhit bashkëkohësi i asaj kohe, Guri Rr. Sevo në librin e tij “Petro Lurasi, Mësonjësi im i shqipes”, Korçë, Gusht 1936:
“Qestorati është një fshat kundrejt Gjinokatrës, në funt të malit Lepushë, midis dy brigjeve… Fshati ka qenë i pasur shumë dhe burrat qenë veshur të gjithë bukur: meshkujt me të ngushta, femrat me kavath të cohë të sjellë prej Stambolli, me flori në ballë e në gjoks. Gratë kanë qenë të zgjuara fort, huaj-pritëse dhe përdornin dhe falem nderjes asi kohe…
Në Qestorat qëndronte një shkollë greke mjaft e lartë për atë kohë. Qestorati i mbushur me mësonjës. Nuk kishte fshat të Lunçërisë që të mos dërgonte dy-tre djem në mot në këtë skoli. Kjo Normale mbahej prej Kristaq Zografit, i cili dërgonte një mijë lireta në mot nga Stambolli. Tridhjetë djem dhe tridhjetë vajza mbaheshin aty me bursë, një djalë dhe një çupë nga çdo kaza…
Në Qestorat, i ati i Petros (Petro Nini Luarasi) kishte një mik të dashur, që quhej Koto Hoxhi. Ky i ka patur shtëpitë në një nga këto bregore nga del dielli, mbanë fshatit. Shtëpitë qenë të mëdha, të gjëra, të gjata dhe të rrethuara me avlli nga të gjitha anët, të ndërtuara në kohën e Ali Pashës…”.
***
Qestorati i luftëtarëve antifashistë në LANÇ
Tek rrapi në sheshin e shkollës, mblidheshin burrat e fshatit si: Sofo Çipi, Niko Zografi, Vaso Rumbi, Peço Xhavara, Ndriko Kushta,Llazo Dhima, Lame Doni, Pano Dudi (kryeplaku i fshatit) etj, të veshur pastër dhe bukur, bisedonin me urtësi, me edukatë me njeri tjetrin dhe, biseda përfundonte me shakatë dhe të qeshurat e Pano Dudit.
Dukeshin, që vinin nga familje “të fisëm dhe sojlli”… Emigracioni i burrave të fshatit që, në shek. 19-të, ishte lëvruar në Amerikë, Stamboll, Athinë etj.
Përballë rrapit të sheshit dukej shtëpia e madhe me dy kate e Çipajeve, e ndërtuar me mure guri të skalitur. Shtëpia ishte e kufizuar me mure të lartë, me dy porta të mëdhaja, e jashtmja dhe brendshmja, me avli të madhe të mbushur me lule dhe, në anë të shtëpisë, kishte bahçen tërë pemë: fiq, shegë, thanë, ftonj etj.
Nga kjo familje e madhe, dije dashëse, mikpritëse, patriote e atdhedashëse me ndjenja antifashizmit, doli në ballë të LANÇ, trimi Misto Çipi, komandanti i Çetës “Koto Hoxhi” dhe zv.komandandant i batalionit partizan “Misto Mame”. Rrugën antifashiste në LANÇ e pasuan dhe njerëzit e tjerë të familjes Çipi, bashkëfshatarët e tij nga Qestorati dhe të krahinës së Lunxhërisë.
***
Pas Çlirimit të vendit, djemtë dhe vajzat e familjes Çipi u shpërngulën në Tiranë, Durrës etj., me punëra të ndryshme. Sofos, në Qestorat, i ndriste fytyra kur në shtëpi, vinin fëmijët e Leko Çipit nga Tirana, Hajdhica dhe Maksi, kur vinte Mite Boga nga Stegopuli, apo Tase Floku nga Gjirokastra.
Unë, ndjeja kënaqësi të veçantë, tashmë si mjek, kur takohesha me kolegët e mi, me niprit dhe mbesat e familjes Çipi, që kanë lënë gjurmë në Mjekësinë shqiptare si me: Prof. Panajot Boga e Prof. Pasionare Rino, Dr. Ilir Mino e Dr. Donika Xhori, apo, me ekonomisten Katina Mitrokosta.
***
Qestorati i këngës dhe i valles lunxhiote
Shkrimtari i shquar I. KADARE, për magjinë lunxhiote në romanin “Darka e gabuar”, përshkruan:
“Kur ajo (Gjirokastra) s’u josh nga Lunxhëria, mos prisni të zbutet me askënd, thuhej andej – këndej. Katundet e kësaj të fundit shtriheshin përballë saj, përtej luginës, me kishat plot dritëza e kambana, që binin pashkëve, kroje e gra të ëmbla si rrallë kund.
Në krahinën e Lunxhërisë, herë pas here, zhdukeshin vajza ose nuse të reja.
I kërkonin gjithkund, te përroi, te gremina, te stanet e barinjve, gjersa kohë më pas, një pëshpërimë e lehtë si shushërimë mëndafshi ngulte këmbë, se ato kishin përfunduar brenda shtëpive të larta të qytetit…”.
“Ah, vajzat lunxhiote, të shumëkërkuara nga djemtë e qytetit, që, me hijeshinë, me embëlsinë dhe me bukurinë e tyre me kostumin lunxhiot, kushedi, sa e, sa zemra djaloshare kanë ‘plagosur…”. ( A.G.)
***
Të veçanta qenë ditët për mua, si fëmijë, kur vajzat dhe nuset lunxhiote vinin në shtëpinë e prindërve të mi në Gjirokastër, fal dhe pozicionit të shtëpisë afër “sheshit të Çerçizit”.
Vajzat dhe gratë lunxhiote visheshin me kostumin lunxhiot e zbukuroheshin, që të ishin gati për në koncert, në qytet. Nëna ime Ollga, me fjalët e saj të ëmbla, i gëzonte, këpuste nga vazot e luleve nga një degë borziloku dhe ua vendoste në gjoks, që të mbanin dhe erë të mirë…
Gjatë veshjes së kostumit dëgjoja fjalë, që nuk i kuptoja: “cohë, kadife dhe fermele… “Kostumi lunxhiot…”!
Pjesë e kostumit lunxhiot ishin këngët e vallet lunxhiote. Melodinë e këngëve lunxhionte e kam ndjerë sa herë kishim gëzime e festa në familje. Atmosfera e festës familjare fillonte nga babai tim, Koço, me këngën:
“As dalim pak-ë në lëmë, moj lule beharit- o,
Të bëjm’ sehir Lunxhërinë, moj lule beharit- o…”
Apo, kënga “Lunxhëri plot lezete” me tekst të poetit Agim Shehu kënduar nga kushërira time Katina Çipi në Festivalin Folkorik Kombëtar – Gjirokastër (1978).
Lunxhëri plot lezete,
Ç’bukuri ke mbi vete
Ç’nur që ka vallja lunxhote
Lunxhëri plot lezete
Ç’bukuri ke mbi vete
Kodrat e tua të pa shoqe
Lunxhëri moj e mira,
Mbushur sot plot stolira
Mbushur me zërat e zogjve.
Ujrat-o, këngë mali,
Rrjedhin – o si kristali
Djem dhe vajza si lastarë
Lunxhëri plot lezete,
Ç’bukuri ke mbi vete
I ka Atdheu ushtarë,
Lunxhëri moj e mira,
Mbushur sot plot stolira.
Ndoshta, kanë qenë këto motive folklorike pentatonike të trevës së Lunxhërisë, në ngjizjen e kompozimeve të këngëve të mia…
Për informacion më shumë, lexo në Google:
- Prof. Andrea GUDHA: Shkolla është dije, kudo e në çdo kohë për një shoqëri të kulturuar. Normalja e Qestoratit (1869 – 1891).
- Kleanthi DEDI, muzeolog: “Normalja e Qestoratit”, mjegull në histori.
- Prof.As.Dr. Zaho GOLEMI: Misto Çipi, një jetë kushtuar lirisë së atdheut.