Albspirit

Media/News/Publishing

Pak Amerikë (sipas meje) – Lajme, tragjedi, dhimbje, keqardhje!


senad guraziu – ars poetica, j 2025 – koment

Bisnesi është biznes – politika politikë, le ta përdorim këtë si “kompas”, le ta mbajmë afër, përgjatë scribo-aventurës sonë.

Tragjedia e mbrëmshme me aeroplanin e pasagjerëve dhe me helikopterin ushtarak është dhimbje… është lajm i dhimbshëm, 67 persona thuhet se e humbën jetën pas ndeshjes së fluturakeve pranë aeroportit Ronald Reagan të Uashington DC, të mërkurën në mbrëmje. Secila tragjedi, secila fatkeqësi, qofshin aso të natyrës… si zjarret e Kalifornisë, apo si fatkeqësi të trafikut ajror, hekurudhor, automotiv etj. secila fatkeqësi na pikëllon, na i rëndon zemrat.

Mirëpo akoma më e dhimbshme (sipas meje) është kur të tilla fatkeqësi janë të “lidhura” kryekëput me politikat aktuale. Sepse bizneset janë të lidhura me politikat. Janë të lidhura me “bujën, me zallahinë, me segmentet monetare, me egocentrizmin, me paturpësinë” e 1 a 2 javëve të fundit në skenën e politikave amerikane.
Si na qenka e “lidhur” fatkeqësia e mbrëmshme me politikat, ç’lidhje na paska aviacioni ajror + ai ushtarak me politikat?!

Epo, nuk është “pa lidhje”, ma lejoni ta sqaroj sadopak keqardhjen time si “pikëpamje” rreth gjithkaje të politikave që është duke u shpalosur ditëve të fundit, këto 2 javët e fundit para “syve” tanë. Për t’u “sqaruar” kuptohet se duhen ca rreshta më shumë (e pamundur të kapërthehet me pak fjalë – andaj dhe aq e lehtë të manipulohet politikisht me masat, sepse askush s’mund t’i kapërthejë të gjitha, madje as vetë AI, as vetë inteligjenca artifiça “Deepseek” e kinezëve : )

Presidenti Trump shpesh i thotë Evropës “e kemi një oqean ndërmjet”, e saktë kjo… kur duhet folur për interesat ekonomike natyrisht Atlantikusi na ndanë. S’e mohon kush ndasinë, ndarjen, kufirin oqeanik, gjithkush sheh xhepin e vet, vëllai-vëllait ia tregon bërrylin e edhe gishtin. Psh. rreth NATO-s Trumpidenti ia tregon gishtin e “mesëm” Evropës, njësoj siç eksperimentonte Mister Bean (ai shakaxhiu britanik) me gishtin e vet kur pati vajtur në Amerikë!

Sidoqoftë, të njëjtin Atlanticus e kemi mbushur me kabllo të trashë mediatikësh, lajmet e andej-oqeanit tashmë thjesht na seviren në pjatën e mëngjesit. Kafeja na shkundullos dhe na i bën sytë kokërr, ndonjë “croissant” a briosh i ngrohtë na pëlqen po ashtu, mirëpo na serviren dhe lajmet taze të Amerikës dhe të mbarë botës.

Akoma pa i dalë gjumi vetë Trumpidentit (atje në Shtëpinë e Bardhë), edhe ne ordinerët si qytetarë mësojmë për secilën ngjarje që ka ndodhur gjatë natës në Uashington. S’e kemi fjalën për “detajet” e dhomave të gjumit (detajet e universit, me mikrogrimca e me kuantika, aq detajisht s’na nevojiten, kuantikat u interesojnë vetëm shkencëtarëve : ) mirëpo derisa Trumpidenti akoma duke i përkundur ëndrrat, me Uashingtonin si të thuash jemi dhe ne evropianët më “afër” se ai vetë.

Pikërisht duke iu falënderuar oqeanit që na ndanë, na serviren dhe lajmet e Uashingtonit. U jemi mirënjohës dhe satelitëve të orbitës (sidomos atyre të Starlink), s’e mohon kush as këtë, por mirënjohja u takon dhe kabllove të Atlantikut. E dimë fort mirë se të kujt janë kabllot, sikur dhe me mijëra satelitë atje lart e dimë se te kujt janë. Psh. me mijëra mini-satelitë të Starlink e dimë fort mirë se janë të z. Elon Musk. Bisnesi biznes – politika politikë. E dimë i kujtë është X, i kujt është Facebook, Meta… i kujt Amazon, i kujt Starlink, i kujt Starship, e dimë madje dhe e kujt është “Miss Universe”, s’po themi gjë për pallatet e Trump etj.

Për t’i mbrojtur bizneset psh. oligarkët shpesh investojnë në politikat, oligarkët shpesh i blejnë komplet “politikat” e një vendi të caktuar. Dhe s’e kemi fjalën strikt për oligarkizmin e Aristotelit – nëse ta ndiqnim strikt definicionin aristotelian, ashtu ndoshta as Rusia e Putinit s’ka “oligarkë”. Pa le pastaj Kosova, Amerika etj. hiç se hiç.

Kohëve të fundit oligarkizmi është kthyer në një fenomen tejet kompleks. Nuk ndodhë vetëm në Rusi, as jo vetëm në Kosovë (Kosovën po e përmendëm sa për hir të “shembullit” jokrahasimtar). Oligarkia a la kosovarçe dhe politikat e atjeshme dalin si të thuash “qesharake”, nëse faqebardhësinë e Kosovës ta mbanim përball pasqyrës gjigante Euro-Atlantike, apo përball pasqyrës gjigante ruso-kineze. Shtet i “vockël”, ekzakt diç si mini-shtet, nëse ta krahasonim me Amerikat, me Kinat e me Rusiat e kësaj bote.

Abuzoje, “shite”, tradhtoje popullin kosovar komplet… në nivel evropian pothuaj s’merret as vesh, pothuaj si një pikë në Oqean. Vetëm Poseidoni e di sa i vogël është Oqeani. BE-ja do brengosej, do i binte alarmit “më humbi bebja”, ndihmë… më humbi Kosova, u zhduk, as shenjë as gjurmë. Mirëpo i gjithë kosovaro-hesapi pikë në Oqean, smerret vesh as humbja e “bebeve ballkanike”, s’e përmend kush.

Nëse ta pyesnim Aristotelin rreth oligarkizmit kosovar, do ta zinim “ngusht”, do ngelej pykë – tekefundit Aristoteli dikur s’e kishte idenë për format ideatike të Elon Musk, as për politikat e futurizmit. As nuk ishte qëllimi ynë ta krahasojmë Kosovën me Amerikën, s’jemi duke i krahasuar shtetet. Deshëm të themi që s’ka krahasime konceptuale të popujve, nuk “krahasohen” gjërat e pakrahasueshme. E njëjta vlen si në Amerikë, në Rusi, në Kosovë a në Kinë, kudo.

Nëse politikanët e Kosovës bëjnë dallavere interesash me oligarkët e atjeshëm, e dëmtojnë popullin (por s’merret vesh, ashtu-kështu popull i përvuajtur, duke qarë e vajtuar gjithmonë, me dallavere i dëmtojnë rreth 2 milionë subjekte politike). Populli aq i vjetër, popull i stërlashtë, dardanët, kosovarët pothuaj diç si proto-popull i Evropës, por ja që Kosova kurrë s’ka qenë shtet, dmth. si “organizëm” politik. Politikanët e Kosovës mund të ndjehen më fatlumët e planetit, sepse Kosova kurrë s’ka qenë shtet, për herë të parë tani shtet, në kohën e tyre, si fat i tyre.

Bisnesi biznes – politika politikë. Shfrytëzoje potencialin për aq sa ke kohë, zbulo ç’mund të eksploatohet, nesër në kokën e Trump “shkrep” ndonjë ide trumpetike dhe, varësisht nga interesat trump-ologjike, Kosova sakaq mund ta humb “shtetësinë” e vet. S’është shaka. S’do ketë pastaj as politikanë as çfarë të eksploatosh. Ose psh. (se mos vetëm Kosova) edhe ajo Ukraina e madhe mund ta humb gjysmën territoriale, thjesht për t’u balansuar interesat eventuale trump-putiniane.

Dhe nga ana tjetër siç dihet (veç e thamë, e vogël Kosovarlushja krahasuar me Kinën – ku na qenkan 2 milionë, e ku 2 miliardë subjekte politike – as Aristoteli s’e kishte idenë e kompleksitetit kinez) mirëpo çdo popull është i “Madh” si koncept. Kina mund t’ketë qenë shteti i parë i planetit, shteti më i vjetër i botës, edhe populli kinez është i vjetër sa vetë vjetërsia, njësoj sikur dhe kosovarët që janë popull vërtet i stërlashtë i Evropës. Shkurt e troç disa gjëra janë “krahasime” nonsens, të pakrahasueshme, anise brenda natës mund të bëhen diç si nonsens trumpidencial, mund t’na e nxirosin gjithçka.

Kosovën e përmendëm sa për hir të “shembullit”, për t’i ilustruar krahasimet e pamundura, mirëfilli fjalën e patëm për Amerikën marramendëse. Bujë e madhe politike, ka 2 javë lajmet e tyre dhe politikat na mahnitin. Trumpidenti gjatë javës së parë të detyrës dhe e katapultoi veten diku pranë diellit, si “superstar”. Gjithë ai popull i madh nën një kulm të federalizmit politik, 50 shtete së bashku duhet t’i kullufitin lajmet e tij, konferencat e tij, pollavrat e tij. Imagjinoje pakëz diku në Azi t’i bësh 50 shtete bashkë, nuk është e pamundur… për më tepër, imagjino t’kishte një Trumpident ballkanik, imagjino çfarë buje do ishte për 50 shtetet rreth-e-rrotull!

Bisnesi është biznes – politika politikë. Nuk është larg në kohë, fare e freskët është, e dimë se Mega-oligarku amerikan Elon Musk i pati “investuar 250 milionë $ në blerjen” e Trumpidentit. Thjesht u bë aq i pasur sa tashmë mund ta “blente” një Trumpident komplet. Dhe siç e dimë po ashtu (ende s’kemi “harruar”), ca ditë para inaugurimit të Trumpidentit, para 2 javësh eksplodoi fluturakja Starship (le ta quajmë thjesht “fluturake”, anise mund t’thoshim dhe Raketë, mund ta quanim dhe Saturn 6, Apollo 7, Enterprise 77, Starship, Spaceship etj., në thelb raketat fluturojnë, kështu që sa më thjeshtë). Edhe kjo fluturake që eksplodoi e dimë se ishte e z. Elon Musk.

Administrata e kompanisë së tij (SpaceX – gjithçka me X, sepse shefi i ka dobësi X-at, psh. e blen Twitter dhe e pagëzon X, por dhe vetë të birin e pati quajtur X, thuase na qenkësh prodhim serik… dalur nga traka, diku nga linja robotike e Tesla, i ka jo më pak por nja 13 X-a : ) eksplozionin spektakolar e pati quajtur “çmontim i paparishikuar” (ose kështu diç, përafërisht). Thënë të vërtetën “definicioni” i Elon Musk i eksplozionit ma pati ngjallur buzëqeshjen.

Hm, “çmontim i paparishikuar”… terminologji fort simpatike. Eksplodon një Starship (kujtohuni, patjetër se ju kujtohet, pati eksploduar dhe “space shuttle Columbia” e NASA-s, atëbotë e patën humbur jetën ekuipazhi komplet i fluturakes, 7 persona), mirëpo sipas z. Musk tashmë nuk është eksplozion fatkeq as fatkeqësi në qiellin e Amerikës, është “çmontim i paparishikuar”.

Para dy javësh e pamë “prushin e qiellit”, e pamë si u “çmontua” Starship. Edhe dikur, nëse bazohemi në termat e Elon Musk, qe “çmontuar” Columbia. Nuk pati eksploduar, por vetiu eksplozivisht qe “çmontuar”. Personifikimi i ShBA me figurën femërore “Columbia” (Kolumbia) është simbolikë kuptimplote dhe mjaft domethënëse, afërmendsh se është. Njësoj siç është simbolikë kuptimplote dhe Liberty. Jo vetëm se Columbia (si emër) lidhet me Kristofin, me Kolumbon, me detarin-eksploruesin, me vizitorin e “Indisë”. As jo sepse si logo ikonike e studios filmike “Columbia Pictures”, si të thuash “Columbia” pa hile ka ndihmuar të definohet (jo vetëm simbolikisht por) realisht industria kinematografike e shek. XX.

Patjetër se lidhet dhe me këto… por deshëm të vijmë tek thelbi se dallimi i “fatkeqësisë eksplozive” mes fluturakes Columbia (të NASA) dhe fluturakes Starship (të Elon Musk) është se Columbia i pati shërbyer programit për 22 vjet me radhë. Ndërsa Starship – për fat të mirë pa ekuipazh njerëzor – eksplodon, “paparashikueshëm çmontohet” duke qenë ende në fazën testuese. Sipas Musk, SpaceX ka mirëqenie të mjaftueshme për ta konsideruar një “asgjë”, humbja e 1 Starship është diç si “entertainment” – uaa, i njëjti Musk mund ta blejë 1 Trumpident komplet pa t’i dhimbset 1 raketë!

Gjatë funksionit 22-vjeçar, fluturakja Columbia do i fluturonte 28 misione, do i kalonte mbi 300 ditë në hapësirë (dmth. ~1 vit komplet), ​​dhe do “rrotullohej” mbi 4000 herë, do i kryente mbi 4000 rrotullime orbitale rreth Tokës. Lirisht mund t’thuhet se fluturakja ishte një “vjetërsirë, një hekurishte e vjetër”, do duhej t’ishte pensionuar.

Sepse s’mund t’i mbash për 2-3 dekada me miliona tekno-detaje “fringo” të reja, të kontrolluara, sepse gjithçka e asaj bote të lançimeve ishin ndërmarrje kolosale. Sepse të shkosh 30 herë në hapësirë me teknologjinë e asaj kohe nuk ishte pak (fluturimi i parë i Columbia ishte në v. 1981). Gjërat nisin e “ndryshken”, vidat nisin e çlirohen, vjetërsia e bën të veten, pjesët nisin e dëmtohen (eksplozioni dhe dizintegrimi i fluturakës duke u “zhytur” atmosferës pati qenë rezulatat i një diçkaje të kompromituar, lidhur me termo-problematikat).

Dmth. i pati ndodhur dhe vetë Agjencisë Kombëtare të Hapësirës… NASA, organizatë marramendëse, mega-kompani federale, organizëm gjigant, fatkeqësia u ndodhë dhe kompanive private si SpaceX (të Elon Musk), apo Blue Origin (të Jeff Bezos), Virgin Galactic (të Richard Branson), ULA (United Launch Alliance – të kompanive Lockheed Martin dhe Boeing) etj. etj.

Eksplozionet, “çmontimet e paparashikuara”, fatkeqësitë eksplozive mund t’u ndodhin të gjithëve. Madje dhe kinezëve me starship-at e tyre, edhe Arianespace e Evropës mund t’ketë “çmontime…” të pallogaritura, edhe ISRO e Indisë, Roscosmos e Rusisë etj. pa përjashtime, të gjithë.

Ja pse FAA e ShBA (Administrata Federale e Aviacionit) ishte e brengosur rreth sigurisë së ndërmarrjeve të njëpasnjëshme të lançimit të raketave nga SpaceX. Sepse Starship-at s’janë thjesht pako me fishekzjarre por janë probleme serioze. Në rregull, janë bizneset në pyetje, pagat e shumë inxinierëve, janë investime të mëdha private dhe tekefundit boss-i vendos vetë, me raketa e me fabrika janë private, pronësi e një super-miliarderi, lançimet janë qasje “entuziasmike” e një biznismeni privat. Por roli i Administratës së Aviacionit është që të kujdeset për sigurinë e hapësirës ajrore të 50 e kusur shteteve, kur është fjala për aviatikat e për space-aventurat.

Presidenti Trump (apo siç unë e quaj shkurt Trumpident – sepse sipas meje është kategori mëvete e presidencializmit, kategori e mëvetshme si psh. “Oqeani (Poseidoni, Saturni)”, “Jupiteri” etj etj.) rreth përplasjes tragjike të fluturakeve mbrëmë në Uashington DC i shprehu ngushëllimet e veta për familjet që i humbën të dashurit e tyre. Gjatë fjalimit për shtyp ai e fajësoi të ashtuquajturën DEI. Mirëpo ç’është DEI, dhe pse Trumpidenti për tragjedinë e mbrëmshme ia hedh fajet një “shkurtese” DEI?

DEI – Diversiteti, Barazia dhe Përfshirja, në skenën amerikane është supozuar t’jenë korniza organizative që synojnë promovimin e trajtimit të drejtë dhe pjesëmarrjen e plotë të të gjithëve, veçanërisht grupeve që historikisht kanë qenë të nënpërfaqësuara, ose kanë qenë dhe janë subjekt i diskriminimit në bazë të identitetit ose aftësisë së kufizuar. Këto tre nocione (diversiteti, barazia dhe përfshirja) së bashku i përfaqësojnë “tri vlera të lidhura ngusht”, që organizatat amerikane provojnë t’i institucionalizojnë përmes kornizave të DEI. Anise DEI njihet më së miri si një formë e trajnimit në kuadër të korporatave, po ashtu gjen zbatim brenda shumë llojeve të organizatave, qofshin aso akademike, të shëndetësisë, ushtarake etj.

I pyetur pse po e fajësonte DEI (iniciativat e diversitet-barazisë), Trumpidenti u përgjigj “sepse kam sens të përgjithshëm…”. Dmth. investigimi do kryhet dhe duhet pritur, ende s’dimë detaje as fakte relevante sjellur në dritë nga ekspertët, por unë si Trumpident pothuaj mund ta “ndiej” se kush e çfarë duhet fajësuar. Me fjalë të tjera, me fjalë troç e shkurt, sipas Trumpidentit, t’i punësosh të bardhët (ashtu-kështu suprematikë, dihet kjo) së bashku me zezakët, me aborigjinët, me kinezët, meksikanët, apaçët, indianët etj. në aviacionin civil dhe ushtarak, s’mund të jetë kurrë “mirë”. Racat e ndryshme të planetit thjesht s’mund të jenë të “besueshme”, s’mund të shtyhen me zotësinë e racës suprematike.

Njëra nga agjencitë që duhet të merret me ekspertizat e investigimit është FAA (që e përmendëm më lart – Administrata Federale e Aviacionit). FAA duhet të përcaktojë se çfarë shkoi gabim dhe çfarë e solli tragjedinë e mbrëmshme, aksidentin vdekjeprurës për 67 njerëz. Problemi është se FAA nuk e ka kryenjeriun e vet në postin e duhur drejtues, sepse FAA dhe interesat e Elon Musk dhe të Trump nuk përputhen.

Andaj mbrëmë derisa tragjedia e pikëlloi botën, agjencia kyç e Aviacionit Amerikan ishte pa “kokë”, pa udhëhqeje, sepse që nga inaugurimi i Trump drejtuesi i FAA qe larguar, duhej të largohej nga puna, ishte kërkesë e Elon Musk. Vetëm sot (31 Janar), tashmë kur përplasja e fluturakeve në Uashington është tragjedi e kryer, Trump njoftoi se do ta emërojë Administratorin e FAA.

Vetëm 1 ditë pas shpërthimit të Starship-it të Elon Musk, dmth. pas “çmontimit të paparashikuar” (siç sqaruam më lart), Administrata Federale e Aviacioni (FAA) ia ndaloi kompanisë SpaceX eksperimentimet e papërgjegjshme me Starship-at dhe pati raportuar për dëmet pronësore në ishujt britanikë Turks dhe Kaikos, shkaktuar nga “prushi qiellor” i Elon Musk. Dhjetra fluturime të avionëve për udhëtarët duhej të devijoheshin, për t’u shmangur nga mbeturinat e raketave të “çmontuara” të qiellit.

Sipas Rachel Maddow (MSNBC), fluturimet e Qantas (të Australisë) do pësonin vonesa nga rënia e mbeturinave. Edhe JetBlue Airways, American Airlines, Delta Air Lines, një kargo-avion i FedEx, një avion i Spirit Airlines do kishin probleme sepse duhej shmangur, devijuar.
S’mund të fluturoni përsëri me këtë raketë-Starship derisa të zbuloni se çfarë e shkaktoi shpërthimin e raketës – pati thënë FAA.

Ndalesë-kërkesë e thjeshtë dhe e logjikshme. Edhe vetë NASA-s dikur do i ndalohej njësoj, do duhej t’i investigonte gjërat e fatkeqësisë fillimisht. Gjeje shkakun e “eksplozioneve”, zgjidhi problemet teknike pastaj nisja rishtas me fluturimet e me lançimet. Mirëpo ja që arroganca e Elon Musk s’ia del mbanë me direktivat e FAA, andaj drejtuesi i agjencisë duhej të ikte.

Tri ditë më vonë pas inaugurimit Trumpidencial administratori i FAA do ngelej pa punën, pa postin e vet. FAA s’ka asgjë t’bëjë me politikat, drejtuesi zgjedhet me mandat 5-vjeçar, dmth. shërbimi i tij mund t’jetë gjatë mandateve të 2 presidentëve të ndryshëm. Trump s’do duhej t’i “përzihet” FAA-së, mirëpo ja që FAA është “pengesë federale” për biznesin e Elon Musk. Bisnesi është biznes – politika politikë.

Elon Musk e pati postuar dikur një “twitter-cicërimë” në X (të cilin X mediatik-internetik ai e zotëron, e pati blerë thuase na ishte asgjë, 44 miliardë $) ku shkruante “duhet të dorëhiqet” (drejtuesi i FAA, Mike Whitaker), sepse shefi i FAA pati thënë që SpaceX duhet të funksionojë në “nivelin më të lartë të sigurisë”. Vallë, drejtues i një Agjencie Federale aq të rëndësishme, e cila kujdeset për sigurinë ajrore të 50 shteteve, dhe një biznismen arrogant tashmë ka fuqinë ta shkarkojë, vetëm e vetëm sepse ky drejtuesi i FAA kujdeset për sigurinë e popullit të ShBA!

Anise, edhe përpara shpërthimit të Starship (shenjë se jo gjithçka është nën kontrollin e SpaceX, dhe FAA kishte të drejtë lidhur me brengat rreth sigurisë) FAA donte të gjobiste kompaninë SpaceX me 633.000 $ për shkelje të sigurisë gjatë 2 lëshimeve (zbritjeve raketore) në Florida. Sepse tani raketat e SpaceX dhe kthehen, ripërdoren, dmth. duhet t’flasim për “zbritje, për aterim raketor”.

Dhe mbrëmë u përplasen fluturaket në Uashington, fatkeqësi, aksident mbase për shkak të njeriut si “faktor”, por e humbën jetën 67 njerëz të pafajshëm. Vallë a nuk është ironike që Amerika nuk e kishte mbrëmë njeriun kyç të FAA në detyrën e vet, administratori i pafajshëm të FAA duhej të jepte dorëheqjen para administratës së Trumpidentit. Bisnesi është biznes – politika politikë.

Thjesht sepse ia zinte “rrugën” biznismenit arrogant, Mega-oligarkut Elon Musk, i cili e pati “blerë Trumpidentin” me 250 milionë $ dhe kështusoj e kompromiton demokracinë dhe drejtimin e popullit gjigant, 300-milionësh të Amerikës. I njëjti Trumpident pastaj në përgjigjet para gazetarëve, me të njëjtën arrogancë i “injoron” pyetjet serioze të mediatikëve, sepse e gëzon fuqinë kushtetuese, vetë kushtetuta e ShBA ia mundëson të sillet si një Perandor, si një Trumpident.

Po ashtu, faktin thelbësor të “marrëveshjes” (ultimative) me shefin e Meta, Mark Zuckerberg, duke u pajtuar ky që t’ia paguaj Trumpidentit 25 milionë $, është pasqyrë e “mjerimit” të administratës së Trump. Kompania Meta, ose Mark Zuckerberg, u pajtua jashtë gjykatës (me dallaveret dhe me ultimatumin e Trump, për llogarinë e tij të pezulluar të Facebook) ranë dakord që Zuckerberg t’ia paguajë 25 milionë $ si dëmshpërblim.

Pastaj prezantuesi Jimmy Kimmel parodizon duke e pyetur gjoja vetë AI-n e Meta (Inteligjencën Artificiale) se çfarë do t’thotë kur CEO i një kompanie të madhe teknologjike i paguan Presidentit të ShBA 25 milionë $?

IA (Inteligjenca Artificiale) e Facebook i përgjigjet (më poshtë si vijon, citat):

“Ky është një skenar hipotetik, nuk jam në dijeni të ndonjë rasti në jetën reale të një CEO-s që i paguan Presidentit të ShBA 25 milionë $. Në përgjithësi, nëse një CEO do t’i paguante Presidentit një shumë të madhe parash, kjo mund të ngrejë shqetësime serioze etike dhe ligjore. Ja disa interpretime të mundshme:
– Donacion për fushatë: Nëse pagesa është bërë gjatë një fushate zgjedhore, mund të konsiderohet si donacion fushate.
– Ryshfet ose shitje me ndikim: Nëse pagesa është bërë në këmbim të trajtimit të favorshëm ose ndikimit mbi vendimet e politikave, mund të konsiderohet ryshfet ose shitje me ndikim, e që të cilat janë të paligjshme. [ të dyja këto dmth. i kanë bërë edhe Elon Musk, edhe Mark Zuckerberg – shën. im ]
– Donacion filantropik: Nëse pagesa është bërë për të mbështetur një iniciativë ose kauzë të caktuar bamirësie të mbështetur nga Presidenti, mund të konsiderohet donacion filantropik.
Sidoqoftë, është thelbësore të theksohet se Presidenti i ShBA është një nëpunës publik dhe përgjegjësia e tij kryesore është t’u shërbejë interesave të popullit amerikan, jo të pranojë ryshfet individësh apo të kompanive.”
(fund i cit.)

Dhe pra, në kuadër të parodizimit, Kimmel pastaj gjoja sikur i çuditur për mençurinë makinale, i drejtohet publikut “mos vallë IA (Inteligjenca Artificiale) më e mençur se ne amerikanët” : ) Sepse IA e Zuckerbergut del të jetë më e mençur dhe më objektive sesa shefi, më e besueshme sesa vete pronari i saj.

***
(Jimmy Kimmel është prezantues dhe producent i “Jimmy Kimmel Live”, emision i ABC-së, i ka më shumë se 20 milionë abonentë në kanalin e vet të YouTube – të cilin Kimmel madje dhe Dua Lipa, njësoj si Rihanna, e pati “zgjuar” në gjysmë të natës duke iu futur në dhomën e gjumit dhe duke kërcyer si e çmendur mbi shtratin e tij, me kamerat për ta parë gjithë bota : )

Please follow and like us: