Albspirit

Media/News/Publishing

CIROK CAMA, PARTIZANI TRIM DHE DËSHMOR LIRIE NË PAVDEKËSI

(Me rastin e 108 vjetorit të lindjes dhe 81 vjetorit të rënies në afërsi të fshatit Borsh (kalaja) të dëshmorit të LANÇ-it, birit të Fushëbardhës Cirok Cama (30.6.1917 – 15.6.1944), dhe 80 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin; eshtrat e dëshmorit Cirok Cama prehen në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës. Cirok Cama është i shpallur me titullin “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të rrethit Gjirokastër si dhe është njohur sipas legjislacionit zyrtar pranë Komisionit Qenror të statusit “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes me Vendim nr. 791/11, datë 15.8.2020. Dëshmori Cirok Cama është prehur dikur në në Gjikosh në Fushëvërri, ku u përcoll nga bashkëluftatarët dhe më tej në varrezat e dëshmorëve të Delvinës, por duke qenë se shokët-dëshmorë të fshatit Fushëbardhë preheshin në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastër u përcoll me të gjitha nderimet në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës, ku është nderi për ata që i sollën lirinë dhe lavdinë Shqipërisë).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Në rrënjët e trimërisë të oxhakut “Cama” në Fushëbardhë.

Fisi Cama është një ndër fiset e shquara për atdhetari e patriotizëm, për besë e qëndresë kundër çdo lloj pushtuesi që kanë ardhur për të zaptuar truallin shqiptar. Vetëm në dy shekujt e fundit që historia shqiptare është disi e dokumentuar dhe që arkivat flasin më shumë se epokat e tjera të zhvillimeve shqiptare, burra trima e patriot janë pjesë e rëndësishme e fshatit Fushëbardhë, krahinave të Kardhiqit e Rrëzomës dhe më gjerë të mbarë trevës labe. Kështu ka mjaft këngë që flasin për trimëri dhe heroizëm, për përballje e rebelim ndaj të huajve. Në këtë truall atdhetar edhe në jetë Cirok Cama në Fushëbardhë më datën 30 qershorin e vitit 1917. Babai i Cirokut, Osmani dhe nëna e tij Zubë Golemi (motra e Kalem Golemit), ishin njerëz të nderuar e respektuar në fshat dhe më gjerë. Ata e përballonin jetën sikurse u vinte. Ishin familje bukëdhënë, të fisëm, të urtë e punëtorë, që rronin me djersën e ballit. Nga ana tjetër nuk ja përtonin paraardhësit e tyrë edhe dyfekut e jataganit. Kjo vërtetohet edhe me faktin që kanë qenë pjesë e gjithë çetave që ngriti fshati kundër pushtuesve. Edhe gjyshi i Cirokut, Muho Cama ka rënë dëshmor më 1913 në Bezhan dhe në Pesë Puset në Janinë bashkë me bashkëluftëtarë të tjerë nga Fushëbardha si Rustem Shalari, Resul Peçi, Islam Zyber Kondi dhe Ismail Nora. Muho Cama dhe luftëtarë të tjerë ngelën përjetësisht në luftën për Janinën në fillim të shekullit të kaluar kur Shqipëria ishte shtet vetëm një vjeçar. Luftëtar në Skërficë ka qenë dhe Murat Cama, Hadër Uzeiri, etj., të cilët pas shërimit të plagëve morën pjesë dhe në Luftën e Vlorës më 1920. Në truallin shqiptar në pas pushtimit fashist në tetor 1940 1940 Italia sulmoi Greqinë për të marrë e zaptuar trojet shqiptare të vendosura më 1913. Por kur greku theu mësymjen italiane shkelën tokën shqiptare edhe të Fushëbardhës, ku lufta Italo-Greke u zhvendos edhe në Kurvelesh e Labëri në periudhën gjashtë mujore (28.10.1940 deri në prill 1941). Në mars 1941, bombardimet e aviacionit vranë: Hekuran Cama, Çeno Maçi, Jupe Baho, Pronjo Nora, dhe Fadil Hair Shalari, që të katërt ishin tek “Bregu i Nore” përbri Mogilës, sipër saj, në vendin ku edhe i preu predha e avaicionit në mes.  Raste të till aka me dhjetra dhe që meritojnë vëmendje, pasi edhe Murat Cama ndërroi jetë nga plagët e rënda të luftës. Familja e Osman Camës, birit të dëshmorit të luftës së Janinës ka qenë një familje e madhe me shtatë djem dhe një vajzë. Fëmijë të Osmanit dhe Zubës ishin: Hekurani, Nesheti (11 vjeç më 1914), Rakipi (9 vjeç në vitin 1914, që vdiqën rrugës dhe janë varrosur rrugës, kur ikën fshatçe për në Vlorë kur i përzuri greku i 14’-ës), Qek Cama, Mahmut Cama, Godo Cama dhe Cirok Cama që ka qenë më i vogëli i fëmijëve dhe që është sot dëshmor i Atdheut. Motra e vetme e shtatë vëllezërve ishte Pëllumba Osman Cama, që ka qenë martuar me Gazi Islam Kondi (dëshmor i LANÇ-it) dhe që kanë lënë vetëm një vajzë dhe një djalë (Islam Kondi). Ramadan Feruni nga Picari ish-partizan në Brigadën 12 Sulmuese tregonte për Cirok Camën që në operacionit të dimrit të vitit 1944, gjithmonë në krye të kompanisë  që drejtonte e çante dëborën si askush tjetër, një div nga trupi shumë i stërvitur e kalitur maleve ishte djalë shtatlartë i shkathët e energjikqë nuk e njihte rrezikun, zemërmirë dhe shumë i dashur (transmetuar këto nga biri i dëshmorit Islam Gazi Kondi). Ndërkohë që në kuadrin e kuadrin e 80 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin, që po shkruajmë këto radhë, bindshëm në Fushëbardhë dhe jo vetëm të flasin për Cirok Cama si një ish-partizan trim, komandant kompanie  që nuk i trembej syri kurrë deri në ditën kur mbeti përjetësisht dëshmor lirie në pavdekësi. Në kohën kur Ciroku doli partizan fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre i dogjën shtëpinë në Fushëbardhë, sikurse u dogjën gjithë shtëpitë e djemve dhe vajzave që kishin dalë partizanë në strukturat e formacioneve partizane. Ndërkohë gojëdhëna flet për ballafaqimin dhe ndarjen përfundimtare tek “qafa e Hanit) me nacionalistët e zonës të disa luftëtarëve, të brumosur me idealet e lirisë partizane, ku bindja i dërgoi në drejtimin e duhur të historisë edhe kur ndonjë nga bashkëfshatarët e tyre kishte ideale të tjera. Ndarja përfundimtare “paqësore” në qafën e Hanit poshtë fshatit Senicë ishte koha e përcaktimit të përkatësisë. Forcat antifashiste ishin në kohën dhe vendin e duhur. Edhe për bijtë që gjakun e derdhën për Atdheun është rezervuar mirënjohja e kombit për të rënët për Atdhenë.

*

Lufta partizane krenari e fshatit Fushëbardhë

Bijtë e bijat e fshatit Fushëbardhë krenohen me të shkuarën e lavdishme që shkruan në kohë luftë, kur ditën të orientohen në kohë pushtimi, kur zgjodhën luftën pa kompromis ndaj fashizmin. Por kjo ishte edhe rruga më e drejtë dhe më e vështirë, kur të luftoje fashizmin, ishte të zgjidhje rrugën e malit, papajtueshmëri me pushtuesit. Cirok Cama e lidhi jetën me lirinë e Atdheut. Ai ishte  pjesë e çetës emërndritur “Çerçiz Topulli”, dhe më tej në batalionin e Krahinës së Kardhiqit (7.8.1943) dhe më tej me një eksperiencë e përvojë të madhe luftarake komandant kompanie më 20.5.1944,  BrXIIS u caktua komandant kompanie si një luftëtar që kishte kaluar nga një formacion luftarak partizan në tjetrin dhe duke u rritur formacionet luftarake. Ai kishte fituar një përvojë të çmuar në luftime. Shquhej në beteja për trimëri e zgjuarsi. Nga Suka e Përmetit, kur u formua BrXIIS e në vijimësi mori pjesë në dhjetra beteja si komandant kompanie, por dhe si luftëtar në vijën e parë. Dhjetra e dhjetra beteja e dalluan Cirok Camën në luftimet e Përmetit, Mesaplik, Delvinë, Bunec, Piqerras, duke i shkaktuar armikut dëme të shumta në njerëz dhe në matëriale. Në historikun e BrXIIS, dokumentohet nga vetë dëshmitarët okularë të luftës ish-partizanë, që shkruajnë se, “Një kompani e b1p të BXIIS dhe një kompani e b1p të BrXIVS organizuan një sulm përfundimtar kundër garnizonit gjerman që ishte vendosur në Kalanë e Borshit. Këtu ishte përqëndrimi i komapnisë së parë të Batalionit XX, të Rrëgjimentit 999 të fortifikatave të përforcuara me një bateri artilerie me katër topa. Forcat partizane e kishin bërë të pamundur kalimin e forcave gjermane përgjatë rrugës automobilistike Sarandë-Borsh. Në Borsh gjermanët kishin 250 forca ndërsa në gjithë bregdetin kishin garnizone me këto forca: Shën Vasil 50 forca, Himarë 130 trupa si dhe në mjaft garnizone të tjera. Forcat partizane mbanin në mbikqyrje gjithë lëvizjet e forcave armike. Sulmi partizan në Kalanë e Borshit nisi më 17 shtator dhe vijoi deri në mbrëmje të datës 18 shtator 1944 duke i detyruar forcat gjermane të largoheshin nga Borshi drejt bregut të detit për të hipur në një anije që i priste në breg të detit. Luftimet u bënë shumë të ashpra dhe në mesnatë të datës 18 shtator u detyruan ta braktisin plotësisht kalanë. Në mëngjesin e datës 19 shtator partizanët e b1p të BrXIIS u futën në kala, një pozicion sundues për forcat partizane, në roje të kësaj pjese delikate të sektorit bregdetar jugor (Historiku BrXII, Tiranë, 2002, faqe164 dhe faqe 165). Ndërkohë në betejën e përgjakshme për marrjen e kalasë së Borshit ra në fushën e nderit komandanti i kompanisë dhe trimi Cirok Cama, këtu ku kishin rëqnë edhe dy trima të tjerë më parë Tahir Xhuvani dhe Alem Shehu, dy kushërinj të parë nga Fushëbardha. Në këto luftime u derdh gjaku për liri dhe nuk u kursye jeta edhe nga partizanë të tjerë, sikurse ishte rasti i vrasjes së komandantit të vendit  dëshmori Tahir Poga, por dhe u plagosën edhe shtatë partizanë të tjerë të BrXII Sulmuese. Forcat gjermane hodhën në erë gjatë tërheqjes urën mbi lumin e Borshitdhe dy vende në xhade miqis Piqerasit dhe Borshit si dhe midis Borshit dhe Qeparoit. Në të gjitha luftimet dhanë jetën dhe ngelën në themelet e lirisë 107 dëshmorë të BrXXS. Në një sërë dokumentash arkivore dhe muzeale, por edhe në shkrime të shumta në gazeta e revista si dhe publikime të tjera vërtetohet se trimi i Fushëbardhës Cirok Cama ra pranë kalasë historike të Borshit, në fushën e nderit. Trupi i tij u përcoll nga shokët e tij në Gjikosh në Fushëvërri sipas rregullit partizan me një batare pushkatarësh të partizanëve që e shoqëronin dhe që ai vetë i drejtonte në luftime. Pas çlirimit dëshmori Cirok Cama do të çohej nga Gjikoshi, tek varrezat e dëshmorëve në Delvinë. Me këmbënguljen e familjarëve (kryesisht të kunatës së tij, Haxho Nuhe Cama/Nora) dhe Muho Godo Cama por edhe me lejen e Komitetit të Veteranëve, dëshmori Cirok Cama u vendos që të prehet përfundimisht në varrezat e dëshmorëve në Gjirokastër bashkë me luftëtarët e tjerë të Fushëbardhës që ranë për lirinë e Shqipërisë. Fakt është se jo të gjithë partizanët e dëshmorët e fshatit Fushëbardhë kanë pasur fotografi, ndër të cilët edhe Cirok Cama që për rrethanat e kohës nuk ka pasur mundësi të fotografohej (megjithëse të dhënat flasin se ekziston një fotografi ku Boço Muho dhe Cirok Cama kanë dalë gjatë luftës).

*

Besën dhe jetën vatanit, një biografi  e shkruar në 70 vjetorin e lindjes së dëshmorit

Pjesa është e shkëputur nga libri Fero Golemi Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015, nën titullin “Besën dhe jetën vatanit” (Kushtuar dëshmorit Cirok Cama me rastin e 70 vjetorit të lindjes):  “Ushtima e avionëve grekë në një ditë dimri të vitit 1940 alarmoi të madh e të vogël në fshatin Fushëbardhë. Avionët bombarduan pa mëshirë mbi fshatra të Labërisë. Pati mjaft viktima, ku në Fushëbardhë një familje u shua krejtësisht. Viktimat e këtij bombardimi makabër ishin vëllai i Cirok Camës, Hekurani me nusen dhe vajza e vogël 5 vjeçare (në vitin 1941). Ciroku ishte linduur në verën e viti 1917, kur Shqipëria ishte shesh lufte në Luftën e Parë Botërore. Nuk mjaftonin vuajtjet, brengat, fukarallëku i madh, por këtyre ju shtuan edhe bombardimet greke dhe italiane që luftonin kundër njera-tjetrës në truallin tonë. Kështu urrrejtja ndaj pushtuesve kishte arritur kulmin, dhe çdo revoltë kundër pushtuesit gjente tek shpirti i Cirok Camës përkrahësin e flaktë, antifashistin e orëve të para. Më datën 12 dhjetor të vitit 1942 në  sheshin e Zhërmës në Fushëbardhë u mblodhën burrat dhe djemtë e Fushëbardhës, Zhulatit, Kardhiqit e Prongjisë dhe themeluan çetën “Çerçiz Topulli”, që fillimisht u quajt çeta e “Çakallit” me një efektiv prej 27 vetash, me komandant Dilaver Poçi dhe komisar Gani Haloçi. Që ditën e parë në rradhët partizane rreshtohet edhe Cirok Cama. Bashkë me çetën që në ditën e parë fillojnë aktivitetin luftarak duke kaluar në Rëzomë të Delvinës. Hapja e depove dhe shpërndarja e bereqetit për popullin u dha emër dhe famë partizanëve të Krahinës së Kardhiqit. Më tej Ciroku në përbërje të çetës kreu dhjetra aksione në zonën e Delvinës dhe Sarandës. Çeta e Lebërve u bë tmerri i fashistëve. Aksioni i rriti partizanët dhe u mësoi taktikat e veprimit, dhe shkathtësinë partizane. Pasi u bashkuan në batalionin “Asim Zeneli” në 7 gusht 1943 lufta u bë edhe më e organizuar. Më pas Cirok Cama kaloi në batalionin territorial që komandohej nga trimi Karafil Bello. Në luftime të shumta kanë lënë emrin dhe gjakun e tyre qindra luftëtarë. Cirok Cama duke kaluar nga njeri formacion luftarak partizan në tjetrin dhe duke u rritur formacionet luftarake fitoi një përvojë të çmuar në luftime, për trimëri e zgjuarsi në Sukë të Përmetit, kur u formua BrXIIS më 20.5.1944 emërohet komandant kompanie. Djetra e dhjetra beteja e dalluan atë si në luftimet e Përmetit, në Mesaplik, Delvinë, Bunec, Pëqerras,.duke i shkaktuar armikut dëme të shumta në njerëz dhe në matëriale. Ciroku vritet në fushën e nderit pranë Kalasë së Borshit, dhe përcillet nga partizanët në Gjikosh në Fushëvërri sipas rregullit partizan me një batare pushkatarësh të partizanëve që e shoqëronin dhe që ai vetë i drejtonte në luftime. Pas çlirimit dëshmori Cirok Cama do të çohej tek varrezat e dëshmorëve në Delvinë. Me këmbënguljen e familjarëve (kryesisht të kunatës së tij, Haxho Nuhe Cama/Nora) dhe me lejen e Komitetit të Veteranëve, dëshmori Cirok Cama prehet përfundimisht në varrezat e dëshmorëve në Gjirokastër. Ne kemi qenë dëshmitarë okularë të një ceremonië madhështore që nderonim një burrë të lartë, një partizan dëshmor që nderoi atdheun me gjakun e tij. Dëshmori Cirok Cama besën, gjakun dhe jetën ja dha vatanit. Në mes të gjerdanit të artë të dëshmorëve fushëbardhas ka dekada që është edhe emri i dëshmorit Cirok Cama, emër i skalitur thellë në kujtesën e bashkëluftëtarëve dhe kombit. Në përvjetorin e tij të lindjes ne e kujtojmë dhe e respektojmë atë. Traditës atdhetare të familjes së tij ju shtua edhe ai i burrit të fuqishëm, partizanit sypatrembur Cirok Cama. Po të jetonte do të ishte një lis 90 vjeçar. Por në fakt ai jeton në kujtesën historike të luftëtarëve dhe martirëve të Luftës së Madhe Nacionalçlirimtare. Në rrënjët e lirisë qëndron gjaku i dëshmorëve, trimëria e djemëve dhe burrave që bënë LANÇ. Ideali partizan jeton bashkë me lirinë, për atë liri që u vra Cirok Cama me shokët e tij. Kujtimi i tij dhe i shokëve të vet dëshmorë është dhe do të jetë i përjetshëm. Në përfundim të këtyre radhëve e gjej me vend të shtoj një të vërtetë të padiskutueshme: “Dëshmorët e LANÇ-it janë 28 mijë”, një dëshmor për çdo kilometër katror. Kjo shifër dëshmohet si më poshtë: dëshmorë të shpallur sipas dokumenteve ligjore me vendime të Komiteteve Ekzekutive, Vendimeve të Komisionit qeveritar shtetëror të vitit 1971-1972 janë 9470 dëshmorë, të pushkatuar nga nazifashistët e bashkëpunëtorët janë 6436 dëshmorë; të asgjësuar në 23 kampet gjermane dhe që nuk kanë varre janë 11.200 dëshmorë; të asgjësuar në kampet në Greqi, por pa varre janë 50 dëshmorë; të asgjësuar në kampet në Itali, por pa varre janë 70 dëshmorë; të asgjësuar në kampin e Mathauzenit, pa vend prehje janë 351 dëshmorë; të asgjësuar në kampin e Aushvicit në Poloni janë 32 dëshmorë; të asgjësuar në kampin e Prishtinës janë 168 dëshmorë; të asgjësuar në kampin e Zemunit në Jugosllavi janë 162 dëshmorë; të asgjësuar në kampin e Bitolës në tokën shqiptare sot në Maqedoni janë 144 dëshmorë; në kampin e Strugës kanë janë asgjësuar 27 dëshmorë. Shuma e përgjithshme e të rënëve është 28.110 dëshmorë. Tiranë, më 30.3.2007“.

*

Komandant kompanie në Brigadën e 12 Sulmuese partizane ose në “Brigadën e Kongresit”

Në batalionin partizan “Asim Zeneli” partizani trim nga Fushëbardha Cirok Cama i shquar për trimëri në të gjitha llojet e luftimeve, ku perfeksionoi përdorimin e armëve në dispozicion dhe ishte mjaft aktiv si dhe një organizator shumë i zoti. Cirok Cama në një kohë shumë të shpejtë u bë mjeshtër në organizimin dhe drejtimin e luftimeve. Kështu edhe u përzgjodh për të drejtuar kompaninë edhe pse ai luftonte gjithmonë në vijë të parë dhe shquhej për djalë me trimëri të rrallë. Ai nuk pyeti kurrë për dy plagë të luftës dhe nuk tërhiqej kurrë nga fronti më i vështirë i luftimeve sikurse kanë treguar bashkëmoshatarët dhe bashkëluftëtarët e tij në Br12Sulmuese. Plagët Ciroku ua fshihte shokëve dhe vijonte të udhëhiqte në luftime. Ideali i tij ishte vetëm Shqipëria e Lirë, shporrja e çizmes fashiste që na kishte zaptuar vendin. Plagët e plumbit i quante “gërvishje të parëndësishme plumbash”, të pashmangshme në një luftë me okupatorin. LANÇ-i mori hov të madh veçanërisht në Pranverë të vitit 1944. Cirok Cama ishte bërë një luftëtar dhe drejtues kompanie profesionist në radhët e rreshtave partizane. Në maj të vitit 1944, vetëm katër ditë përpara se të fillonte punimet Kongresi i Përmetit, më 20 maj 1944, rreth 600 partizanë e partizane të ardhur nga Zona I-rë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, u mblodhën në Sukë të Përmetit dhe krijuan BrXII S, ku komandant brigade u caktuar Refat Bajramin dhe komisar Qemal Klosi. Detyra e parë e luftarake e Br XII S ju caktua mbrojtja e qytetit të Përmetit, ku zhvillonte punimet Kongresit Antifashist mjaft i njohur brenda dhe jashtë tek aleatët tanë për vendimet që mori. Emri i Br XII S është i lidhur me Kongresin e Përmetit ndaj dhe është thirrur “Brigada e Kongresit”, kështu e njohu historia e luftës dhe e pasluftës në Shqipëri. Brigada në organizimin e saj i ndau forcat luftarake në 4 batalione duke ju caktuar detyrë konkrete për mbrojtjen e qytetit nga ndonjë sulm i papritur i armikut. Në këtë brigadë karakteristik ishte pjesëmarrja masive e vajzave partizane, ku në ditën e inaugurimit u rreshtuan 50 luftëtare dhe shumë shpejt numri arriti në rreth 200 partizane, të cilat luftuan me trimëri për çlirimin e atdheun. Brenda pak ditëve BrXIIS u rrit në 670 partizanë nga të cilët 200 nga Gjirokastra dhe mbi 470 nga Vlora e Mallakastra. Në Përmet komandanti i kompanisë partizane Cirok Cama u takua me bashkëfshatarë fushëbardhas, që ishin rreshtuar dhe luftonin në të njëjtën njësi luftarake si: Sami Bineri, Mehmet Tafil Lagji, Mato Mato, Guxho Muho, Boço Muho, Maksut Muho, Fejzo Kapo, Sako Mullai, Shefqet Golemi, Ramiz Cama, Aqif Bello, Avni Bello, Baxhul Nora, Rauf Basho, Musto Zani, Lufto Bello, Rabihe Caca, Sako Meçani, Laze Muho, Ramo Nora, Sorush Bineri, Shefqet Deçka, Shega Onjea, Nuri Çarçani, Amzo Muho, Dife Maçi, Hodo Basho. Cirok Cama i kishte rënë kryq e tërthor fshatrave Fushëbardhë, Zhulat e Fushëvërri por edhe përtej Kalasës e Tatzatit në Sasaj, Piqeras, Hundecace, Shën Vasil, Nivicë Bubar, Lukovë, malit Lavan e qafës së malit te Lavanit, Borshit e Qeparoit etj. Ai ishte njohës i mirë i malit dhe i fushës, i qafave dhe bregoreve dinte këngë dhe histori të trashëguara nga të parët, edhe pse më shumë ishte i njohur me historitë e luftrave, trimërive dhe lavdisë së të parëve të fisit të tij, të fshatit, krahinës dhe më gjerë të Labërisë. BrXIIS në Operacionin armik të Qershorit 1944, përballoi detyra të rëndësishme duke vepruar në terrene të thyera malore dhe në prani të mjaft armiqve që kishin kapur pozicione të favorshme luftimi si në rrethinat e Berat, Skrapart, në luftimet e Tendës së Qypit, qafës së Kiçokut. Cirok Cama si organizator dhe komandant kompanie por edhe si luftëtar direkt në vijën e parë të frontit u shqua në luftimet më të ashpra me pushtuesin nazi-fashistë që kjo brigadë e shquar e UNÇSH ka zhvilluat në Tepelenë, Kurvelesh, Vlorë, Llogara, Himarë etj., ku Cirok Cama dhe partizanë të tjerë të kësaj brigade shkruan faqe lavdie e heroizmi partizan. Nga fshati Fushëbardhë nga Brigada XII Sulmuese kanë dhënë jetën për liri dhe çlirimin e Atdheut, Cirok Osman Cama, Baxhul Duro Nora, dhe që në fakt që të tre janë shpallur me titullin e lartë dhe të merituar “Dëshmor i Atdheut” me vendim nr 65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Gjirokastrës, ndërsa Mato Serjan Mato për arsye se ka vdekur nga tre plagë lufte në vitin 1946 është shpallur dëshmor, duke u bazuar në Ligjin nr. 109/2018, datë 20.12.2018,  “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në nenin 5, “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, në pikën “ë”: “shtetasit shqiptarë, pjesëmarrës në formacione të rregullta të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, të cilët kanë humbur jetën brenda datës 9.5.1947 për shkak të sëmundjeve e plagëve të marra/ fatkeqësive të ndryshme, duke qenë në krye të detyrës luftarake”, Mato Serjan Mato është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim Nr.769 datë 2.4.2019 të Komisionit Qendror të Statusit Dëshmor i Atdheut pranë Ministrisë së Mbrojtjes si dhe familjes së tij i ka dhënë simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”. Ciroku, Matua dhe Baxhuli ishin shokë, bashkëfshatarë, bashkëluftëtarë, shokë ideali që ngelën përjetësisht flamurtarë lirie. Që të tre prehen sot në altarin e lirisë së kombit shqiptar, prandaj edhe nderohen dhe do kenë mirënjohjen e përjetshme të shqiptarëve.

Cirok Cama dhe dëshmorët e tjerë Fushëbardhas përjetësisht në këngët e popullit

Në Shqipëri kudo por dhe në Fushëbardhë në Labëri e gjetkë këngët dhe vargëzimi për dëshmorët nuk ishte detyrim brezash por e ndjenin në brendësi të ndërgjegjes së tyre se “trimave dhe trimërive vetëm u këndohet”. Prandaj edhe këngët për dëshmorët në Fushëbardhë rrjedhin dhe gurgullojnë si gurgullima e ujrave të kristalta, si jehonë e shekujve për ata që truallin arbëror e mbrojtën me gjak me sakrifica të panumërta. Kështu kënga thotë:Këngë për dëshmorët e fshatit Fushëbardhë”: “Një këngë për dëshmorët tanë,/ Krismenderi në ajri./-Ç’të themi për Karafilë,/ Komandant me dituri./- Alem Shehu me Tahirë,/ Ranë në Borsh dy kushëri,/- Kutbi Gjeçi deli djalë,/Lule Sami Golemi,/- Neshat Kondi  erë mali,/ Xhezo Proda djal i ri,/Latifeja me Baxhulë, Cirok Cama mal i lartë,/-Ziadini trim i rrallë,/Destan Nora flak mbi flakë,/-Që të gjithë ishin luanë,/Jetën e dhanë për liri. Refreni: “Ratë o bij ju për vatanë,/ Ratë si trimat me  pallë,/ Dragonj të Fushësëbardhë,/ Dymbëdhjetë yje të rrallë”. Nga të dhënat në Fushëbardhë autori tekstshkrues ka qenë ish-drejtori i Shkollës “Karafil Bello” të Fushëbardhës Tamaz Kondi, ndërkohë që marrësja e grupit ka qenë Natasha Kapo, kthyes: Maksim Onjea, hedhës: Habip Maçi, dhe është kënduar në vitin 1975. Një këngë tjetër ishte “Ç’ligje ligjërove ti moj Fushëbardhë,/ Prite e çnuk prite dymbëdhjetë të vrarë. Edhe kjo një këngë e veçantë për dëshmorët e Fushëbardhës e ka shkruar  nga të dhënat që kemi nga Tamaz Kondi dhe kënduar nga Guro Golemi/Resuli: “Ç’ligje ligjërove,/ t’i moj Fushëbardhë,/Prite e çnuk prite,/ dymbëdhjetë të vrarë,/Kadia te Shkalla,/ Qante të vëllanë,/ Ç’i tha Xhezos Bijua,/Prodajtë ç’í thanë?,/ Alem e Tahiri,/ kushërinj të parë,/ Në Kalanë e Borshit, seç mbetën të vrarë,/ Trimi Cirok Cama,/ Luftoi si luanë,/ Gjakun deri lumë,/ Besën për Vatanë,/ Neshat Kondi ymërgjati,/Dëshmor vetë, dëshmorë i ati…”. (këngët janë sjellë sipas teksteve origjinalë, pavarësisht kompleksitetit të kohës dhe kulturës së para gjysëm shekulli). Në këto vargje nuk përfshihen Tajar Proda, Gazi Kondi dhe Mato Mato pasi kur është bërë kënga më 1975, nuk ishin shpallur ende dëshmorë të Atdheut. Për Cirok Camën sikurse për gjithë dëshmorët e tjerë ka mjaft frymëzime poetike e vargje, skica e tregime, sikurse është edhe poezia e poetit të mirënjohur fushëbardhas Zeqir Cama të shkruar në vitin 1971 në revistën e “Ylli”, por edhe në disa nga botimet e poetit. Gjurmët e heroizmit partizan nuk shuhen kurrë. Ato frymëzuan dhe frymëzojnë brezat në këtë botë kaq të trazuar, por edhe kaq komplekse. Këngët për dëshmorët do këndohen në breza. Vargëzimi poetik nuk do ndalet. Tregime e skicat do të flasin për epokën e ndritur të shqiptarëve që luftuan dhe fituan, që u rreshtuan krah fitimtarëve, në anën e duhur të historisë. Cirok Cama, dëshmori i Fushëbardhës, Labërisë, Shqipërisë do të kujtohet përherë.

Burime studimi:

Dosja historike e BrXIIS të përgatitur nga Departamenti i Historisë i AFA-së, Dokumente të ndryshe të MHK, të Muzeut të luftës në Gjirokastër, të ish-Muzeut të luftës të fshatit Fushëbardhë; të muzeut të Forcave të Armatosura; Resul Bedo, Yje të Pashuar, seria e vëllimeve, Tiranë, 1999, (Cirok Osman Cama 1917-1944); Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015 (shkrimi për Cirok Cama, besën ja kam dhënë vatanit).; AQSH, Fondi dokumentar i Brigadës së Dymbëdhjetë Sulmuese, viti 1944,; AQSH, Fondi i BrXIIS, viti 1944; Të dhëna nga bashkëluftëtarë ish-partizanë të Brigadës XII Sulmuese, që janë shkruar në gati gjysëm shekulli si Resul Bedo, Xhelal Gjeçovi, Islam Poçi, Prof.As. Bernard Zotaj, Prof. As. Zaho Golemi, Dëshmorët e Fushëbardhës nder dhe krenari shqiptare, shkrime për dëshmorët e Fushëbardhës në Telegraf, Labëria, Ushtria, Mbrojtja, Revista Pavdekësia, Dielli në SHBA, në shumë portale si në Balkanëeb, Albspirit, dhe shumë të tjerë brenda dhe jashtë vendit.; Zaho Golemi, Bernard Zotaj, Libri zyrtar në Republikën e Shqipërisë “Dëshmorët e Atdheut”, publikuar në kuadër të 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar, Tiranë, 2012, faqe 100; Zeqir Cama, revista “Ylli”, një dedikim poetik për dëshmorët e Fushëbardhës, publikuar në vitin 1971; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, 2004-2014; Periodiku i gazetës “Për Mëmëdhenë”, organ i Shoqatës Atdhetare për të Rënët e Kombit Shqiptar; Periodikë revistash e gazetash të Bibliotekës Kombëtare; Gazeta Fushëbardha (periodiku); Burime studimi nga bashkëluftatarët, nga dokumentet e AQSH dhe AQFA-së, Historiku i Br12Sulmuese në dokumentet e AFA-së, Departamenti i Historisë; Historiku i Br XII Sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, Tiranë, 2002, të hartuar nga Veis Gjebero, Qemal Klosi, Luftëtar Bolena, Vangjo Sotiriadhi, Burhan Beqari, Xhemal Orhani, Qemal Shehu, Cane Toskimi dhe Dr. Rakip Beqaj, Organi politik i Br12S ishte “Flaka”, por ishin edhe ato ta batalioneve sikurse ishte për b1p “para partizanë!”, b2p “Rruga e së vërtetës, b3p “Sulmi”, b4p “Heroizmi në ndriçim” dhe organi i komitetit të brigadës “Zëri i të riut”. AQ të KQPPSH, Brigada e XII Sulmuese viti 1944, fondi 199/209; Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm, Vol.I, viti 1976, faqe 409-410. -&-

Please follow and like us: