Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Iris Halili: Drita që nuk u shua kurrë…

Ganimet Gjilani Fratari me Musine Kokalarin.

Kujtimet s’më lënë ta harroj Drita Kosturin.

Në vitet e para të demokracisë, nisën të na vizitonin mikeshat e gjyshes, gra të guximshme që deri atëherë kishin qenë në burgje apo internime. Mes tyre mbaj mend me shumë përmallim Drita Kosturin. Inteligjente dhe pasionante, Drita rrëfente shumë histori nga Lufta Nacional Çlirimtare. Ajo kishte qenë e burgosur si nga fashistët ashtu edhe nga komunistët. Rrëfente pothuaj se herë na takonte sesi i kishin rrethuar mëngjesin kur vranë Qemal Stafën. Ajo e kishte bindje – vrasja apo vetvrasja e Qemalit në tentativë për t’iu shpëtuar karabinierëve italianë kishte firmën e Enver Hoxhës dhe Nexhmije Xhuglinit, sepse sipas saj, ata ishin të vetmit që e dinin vendndodhjen e bazës ku Qemali kaloi natën e fundit të jetës së tij. Tregonte Drita edhe tradhëti të tjera të Enverit dhe Nexhmijes ndaj shokëve komunistë që kishin qenë idealistë të vërtetë. Në shumë biseda ajo ngulte këmbë që edhe dëshmorët e 4 Shkurtit, ku mbeti i vrarë një ndër vëllezërit e saj, ishin ekzekutuar si pasojë e një tradhëtie nga vetë Enveri Hoxha, i cili edhe këtë herë e kishte raportuar bazën tek fashistët. Gjithmonë përsëriste sesi Bije Vokshi, që historia komuniste e kishte lavdëruar si një grua kosovare që pati strehuar bijtë komunistë përgjatë viteve të ilegalitetit, me porosi direkte të Enver Hoxhës, në vend ti strehonte kishte spiunuar tek fashistët sa e sa djem dhe vajza ilegale.

Drita kishte më shumë pasion të fliste për jetën e saj në vitet e luftës sesa për atë të burgjeve dhe intermineve. Kur fliste për këto të fundit binte si në një përhumbje. Rrëfente torturat. Një herë i kishin veshur dimija, dhe i kishin futur brenda tyre një mace të cilën ja patën lënë gjithë natën t’i kafshonte dhe të çirrte mishin. “Të nesërmen isha në koma, tregonte ajo, kur u përmenda, trupin, këmbët dhe kofshët i kisha të copëtuara”.

Por torturat nuk përfundonin aty. Ato ishin sa fizike aq edhe psikologjike. Një natë tjetër, pasi e kishin torturuar për ditë të tëra , e kishin mbyllur në një qeli me shumë burra, në të cilën kishin lënë vetëm një dyshek që qelbej nga era. “Ata djem e burra ishin të gjithë fisnikë”, sqaronte ajo me zërin e trashur nga duhani që kishte pirë ndër vite. “Kur hyra, të tërë zunë vend si me një komandë të dhënë nga askush në njërin cep të qelisë, ashtu gati cip mbi cip mbi njëri mbi tjetrin, dhe mua më lanë dyshekun për të shtrirë gjymtyrët që prej muajsh nuk i ndjeja nga torturat. Qëndrova aty disa javë dhe ata burra më trajtuan si motër, shpesh kur zgjohesha ndjeja që mbi trup më ishte hedhur një xhaketë apo triko e grisur që ata zotërinj kush një herë a kush një tjetër ma hidhnin në supe. Kur më nxorrën nga ajo qeli shpirtin e dërrmuar ma kishte përlarë ndjenja e lartë humane, mirënjohja. As vetë nuk e kuptoja sesi kjo ndjesi më kishte bërë të harroja dhimbjet që kisha mbi trup. Mesa dukej shpirti brënda meje jetonte akoma dhe kjo më bënte të mos ndalesha”.

Mbaj mend një pasdite kur Drita erdhi të na tregonte për një aktivitet ku kishte marrë pjesë gjatë paradites. E kishin ftuar në një podium të fliste kundër komunizmit që i kishte gjymtuar jetën asaj dhe mijra të tjerëve në vend. “U çova, Gano, – i tha ajo gjyshes sime, por edhe ne të tjerët dëgjonim me kureshtje , dola në podium dhe ngrita bastunin që ti e di e kam këmbën e tretë tani (Drita shquhej për një humor shumë elegant). Pastaj u thashë të pranishmëve: – E shihni këtë shkop? Hajde më jepni së pari një dru të mirë mua, se unë isha një nga ato që ua solli komunizmin. Pastaj le të flasim për krimet e tij”. Unë deri më sot nuk kam dëgjuar ende një apologji apo pendesë më të sinqertë se kjo. Dhe të mendosh që Drita nuk mori asnjë orë pushtet nga ai i ashtuquajturi “Pushteti Popullor”.

Drita Kosturi që njoha unë ishte tashmë e kërrusur dhe dëgjimi po e linte. Lëkura e saj e fytyrës ishte e gjitha me rrudha që paloseshin mbi njëra tjetrën. Dukej sikur çdo rrudhë ishte ditari i dhunimeve, persekutimeve dhe tragjedive që i kishin ndodhur në jetë. Rrudhat dendësoheshin edhe më shumë në ballë i cili ngjante si një tokë e tharë që nuk kishtë parë ujë në dekada. Kur bëri vizitën e fundit në Itali për të kontrolluar sytë, mjekët i patën thanë të mos kishte shpresë pasi sytë i kishin mbaruar si pasojë e torturave. U kthye nga Italia dhe e ndjente se nuk i kishte mbetur edhe shumë jetë. Pati marrë me vete një regjistrator, ma tregoi dhe me entuziazëm më tha se me anë të tij donte që unë t’i regjistroja kujtimet. Kështu të dyja menduam t’ia nismin punës mënjëherë. Fatkeqësisht, aparati nuk punonte. E çova në disa njerëz për ta kontrolluar dhe asnjëri nuk mundi ta ndreqte. Fakti që nuk arrita kurrë të regjistroj kujtimet e Drita Kosturit mbetet një nga pengjet më të mëdha të jetës sime. Ajo iku më shpejt sesa koha që mu desh për të gjetur një tjetër aparat regjistrues. Ndërkohë aparati që më dha Drita mbeti në sirtarin tim si kujtimi i fundit i një gruaje heroinë në çdo drejtim.

Drita fatkeqësisht nuk la shumë intervista apo kujtime. Atëhere më pati thënë që në Itali po xhirronin një film për të , por nuk kam dëgjuar asgjë më shumë. Duket se e gjithë historia e jetës së saj është e dhimbshme, jo vetëm për atë që ajo përjetoi, por edhe për mënyrën si po i harrohen vlerat dhe sakrificat në emër të një Shqipërie të lirë dhe demokratike. Drita Kosturi ishte një ndër ilegalet e para, një ndër vajzat e para komuniste të Shkollës së Nënës Mbretëreshë, njeriu i fundit që takoi Qemal Stafën përpara vdekjes , ishte ish e fejuara e tij, por ishte edhe një nga gratë shqiptare më të përndjekura të fashizmit dhe komunizmit. Drita kishte studiuar mjekësi në Universitetin “La Sapienza” në Romë. Mbetet historike një foto e tyre e përbashkët me Musine Kokalarin gjatë viteve studentore në Romë. Më pas ato ironikisht u ritakuan në burg, Drita si një idealiste e Shkollës Nëna Mbretëreshë që e kishte përkrahur komunizmin që ditën e parë, ndërsa Musineja edhe ajo nxënëse e Shkollës Nëna Mbretëreshë si një realiste që e kishte kundërshtuar komunizmin që në gjenezë. Hakmarrja e diktatorit sajonte akuza imagjinare shpesh pa asnjë lidhje me realitetin.

Sa herë e pyes veten pse nuk përsëriten më zonja të këtij kalibri apo karakteri? Si përgjigje më vjen mendimi se, për aq kohë sa figurat historike, dhe jo vetëm, që jetuan me dinjitet dhe forcë karakteri nuk studiohen nga brezat e rinj, ato modele do të flenë në heshtjen e kohës. Do të mbeten të harruara. Dhe kur veprat e mira harrohen, nuk ka kush t’i imitojë. Ndaj dhe vlerat duhet të studiohen me shembuj konkretë. Vetëm kështu brezat i mësojnë, kuptojnë, imitojnë dhe si rrjedhim shoqëritë përparojnë. Ndihem me fat që falë gjyshes sime e njoha nga afër Drita Kosturin dhe ndihem e mbushur që e desha aq shumë. Mbetem me shpresën e mirë që diku në kopshtet e Parajsës, të dyja tashmë pushojnë të qeta dhe gëzojnë jetën që nuk mundën ta shijonin sa ishin ende gjallë.

https://www.facebook.com/100064755940971/posts/1091979216303933/?rdid=DY2y2UT77z1aKr1W#

Please follow and like us: