Frank Shkreli: I paharrueshmi Sami Repishti!
Po të ishte gjallë, të djelën që kaloi me 6 Prill, 2025, Profesor Sami Repishti do kishte mbushur 100-vjet. Profesori i nderuar, mik e koleg i dashur ndër vite, ndërroi jetë vitin e kaluar në moshën 99-vjeçare, duke lenë kështu një boshllëk të madh në komunitetin shqiptaro-amerikan—njëri prej aktivistëve më të palodhur ndër dekada – në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe të çështjes kombëtare në përgjithësi, por jo vetëm. Me rastin e kalimit në amshim të Profesor Repishtit kam shënuar, ndër të tjera, se të drejtat e njeriut – jo vetëm në trojet shqiptare por anë e mbanë botës, me largimin nga kjo jetë e Profesor Repishtit humbën njërin prej mbështetësve më të njohur dhe më të fortë në shumë dekada. Se, marrëdhëniet shqiptaro-amerikanë kanë humbur promovuesin më të zellshëm. Dhe se komunizmi kishte humbur njërin prej kritikëve më të ashpër dhe si -ish-i burgosur vet ai i regjimit të Enver Hoxhës, viktimat e komunizmit – të gjallë e të vdekur – kanë humbur përkrahësin më të madh të tyre; sidomos klerikët katolikë të martirizuar nga komunizmi. Frank Shkreli: Sami Repishti: “Lotë, Lavdi e Lumnim” | Gazeta Telegraf – Por veprimtaria, shkrimet e veprat e Dr Sami Repishtit, në përgjithësi, të botuara gjatë dekadave e pothuaj deri në ditët e fundit të jetës së tij, mbeten sot e gjithmonë një thesar kombëtar për brezat e sotëm dhe të ardhshëm të shqiptarëve. Kontributet e tija ishin të shumta në të gjitha fushat e veprimtarisë së tij patriotike, politike, akademike dhe humanitare gjatë viteve, veçanërisht në fushën e të drejtave të njeriut, në arsim, literature, por edhe në shumë aktivitete të komunitetit shqiptaro-amerikan. Për dekada të tëra, Prof. Repishti ka qenë një shtyllë e fortë e komunitetit shqiptaro-amerikan. Një pasardhës i denjë i rilindasve të vërtetë të Kombit, njëri prej intelektualëve më të njohur e më të dalluar, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe anë e mbarë trojeve shqiptare dhe më gjërë. Besnik ndaj Kombit, besnik ndaj miqve dhe kolegëve, anti-komunist i përbetuar, besnik dhe mbrojtës i pakompromis i demokracisë së vërtetë për shqiptarët dhe të gjithë popujt! Frank Shkreli: Lamtumirë koleg i dashur! Pushofsh në paqë profesor Sami Repishti | Gazeta Telegraf | Gazeta Telegraf Profesor Repishti, në këtë 100-vjetor të lindjes, vazhdon të na flasë nëpërmjet shkrimeve dhe veprave të lëna pas si xhevahire shumë të çmueshme të fjalëve e të veprave të tija. Me Profesor Repishtin kam shkëmbyer shpesh komunikime dhe kemi ndarë shkrime deri vonë. Shkrimet e tija, siç e dinë të gjithë ata që i kanë lexuar gjatë viteve, ishin brilante, frymëzuese dhe edukuese ; shkrime në të cilat, me këshillat dhe përvojën e tij, theksonte të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen gjithmonë duke qarë hallet e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe duke dhënë këshilla konstruktive për një të ardhme më të mirë.
Duke kujtuar Profesorin e nderuar këto ditë të (100-vjetorit të lindjes së tij), m’u kujtua një shkrim i tij që Repishti ma kishte dërguar në gusht të vitit 2017, e që është botuar në gazetën Dielli të Federatës Vatra, —PER NJI ELITE PATRIOTIKE, DEMOKRATIKE, DHE PROFESIONALE – Dielli | The Sun – Dielli The Sun– mjaft interesant, konstruktiv dhe aktual edhe për ditët e sotme, për ata që duan të mësojnë e të dëgjojnë sidomos duke marrë parasysh se shqiptarët janë në prak të zgjedhjeve të 11 Majit, 2025, në Shqipëri. Në atë artikull, me rastin e fitores së Partisë Socialiste, dhe formimin e qeverisë së re (Rama 2), Profesor Repishti paralajmëronte rrezikun që vjen nga përqendrimi i tre pushteteve në duart e nji partie politike të vetme: “Teorikisht, ajo ashtë nji kombinim forcash që lehtësojnë rrugën drejt nji rregjimi autoritar, i cili damton zhvillimin demokratik të vendit. Kjo strukturë më shqetëson, prandaj sot shkruej!”, arsyetonte ai pa frikë. Ndërkohë që bënte thirrje për një elitë të re politike për shqiptarët elitë patriotike, demokratike dhe profesionale, siç e cilësonte ai. Po e kujtoj 100-vjetorin e lindjes së Profesor Sami Repishtit me disa shkëputje paragrafesh nga artikulli në fjalë në kujtim të tij, por edhe sepse këshillat e tija më duken tepër aktuale edhe sot, sidomos në prak të zgjedhjeve të majit në Shqipëri. Veçova këta paragrafe, por lexuesi i interesuar mund të lexoj shkrimin e plotë në linkun e mësipërm.
“…Me ramjen finale të komunizmit, periudha e tranzicionit në demokraci tregoi se e vjetra refuzon me vdekë, dhe e reja demokratike nuk gjen fuqi të mjaftueshme me lindë dhe me u forcue. Sot, nevoja e rishqyrtimit të rrugës së kalueme gjatë këtyne 27 viteve ashtë e domosdoshme për të gjithë, sidomos tashti me krijimin e nji situate të re koncentrimi të pushtetit që rrezikon vetë demokracinë. Shqiptarët duhet të tejkalojnë “lodhjen” që ka shkaktue periudha e tranzicionit në vendin e tyne; dhe për këtë, duhet të jenë ma të bashkuem se asnjiherë ma parë. Propaganda negative dhe shterpe e “rrugaçëve” të grupeve të ndryshme nuk duhet lejue me mbajtë vendin peng në nji kaos politik e konfuzion psikologjik. Kemi nevojë për ide të reja!”, ishte thirrja që bënte Profesor Repishti ka bërë 8-vjetë më parë dhe alarmi që ai i jepte me atë rast për nevojën e një elite kombëtare shqiptare, “patriotike, demokratike dhe profesionale” politikës dhe shoqërisë shqiptare, një nevojë madhore politiko-kombëtare që mbetet edhe sot e kësaj dite e pa realizuar, sipas Profesor Repishtit.
“Me ndryshimin e gjendjes politike në vend, 1990-91, populli i këputun nga vuejtja e randë dyzetë e pesë vjeçare, e ndjeu veten të vetmuem, të harruem, e me shpresa që gënjyen. Ai nuk gjeti përsëri fuqinë e duhun me u ngritë, as me luftue, valën e frikshme të degradimit moral të gjithanshëm, të vorfënisë dërmuese që përfshiu edhe marrëdhaniet ndër-personale. Shumë prej tyne, të huej në vendin e vet, morën rrugën e mërgimit, për nji copë bukë me nder, në nji vend ku jetohet pa frikën e shtypjes dhe të urisë. Dhe me të drejtë!..”Shembulli ma i ri i këtij degradimi moral, ka qenë shitë-blerja e votave në zgjedhjet e fundit të 25 qershorit 2017, nji njollë e zezë për demokracinë e brishtë, e pothuejse ‘të dështueme’ në Shqipëri”.
Profesori, përveç se fajëson politikën për dështimin e demokracisë shqiptare, ai kritikon edhe shoqërinë në përgjithësi: “Manifestimi i plotë i efekteve të këtij “dështimi” shihet në qëndrimin pasiv, gjysëm të përgjumun, të shoqënisë shqiptare, që shijon- e nuk reagon!- programet televizive, ku politikanët e ditës sulmojnë njëni tjetrin me nji fjalor rrugaçërie që ka penetrue edhe sallën e Kuvendit Kombëtar. U përjashtue kështu revoltimi i arsyeshëm dhe pjesëmarrja aktive në transformimin demokratik të Shtetit e të shoqënisë shqiptare. Akoma të tronditun nga persekutimet e së kaluemes jo të largët, ata që mbijetuen rregjimin komunist vegjetojnë akoma me frikë, e qëndrojnë akoma larg angazhimit serioz në jetën politike të vendit. Neutral… deri në vetë-asgjasim! Veprimtaria qytetare në Shqipëri, e pame prej së largu, paraqitet ende si “nji dëshirë” ma shumë se “nji mundësi”. Ashtë shue shpresa, bashkë me shkëndinë e revoltës qytetare… Në Shqipëri, shumica e qytetarëve janë të lodhun, të pa aftë me veprue, e kufizohen me protesta verbale në ambiente të mbylluna. E gjithë kjo, në nji “Shtet” ku manipulohen zgjedhjet, eliminohen kundërshtarët politikë, në nji vend ku mediat e informimit, sidomos programet televizive – shërbejnë padronin qeveritar (ose të pasunit, baronët e drogës me autoritet). Në Shqipëri, turma të vorfnueme jetojnë, krah më krah, me nji oligarki qeveritare tejet të pasun ose të pasun jo-qeveritarë- të gjithë të shurdhët dhe të pashpirtë, skenar i përsosun për nji pabarazi të madhe ekonomike me tone sociale të thella. Në fakt, flitet për mundësinë e nji revolucioni paqësor, si mjeti i vetëm për rrugëdalje”!
“Anëtarët e partive politike, shumica militantë të shpërblyem dhe tru-shpërlarë, veprojnë të patrazuem nga zani i ndërgjegjes së mbytun prej të miravet landore. Sepse, ‘partia’- kjo mbretneshë e pakurorëzueme, ka çveshë shërbyesit e saj nga dinjiteti i aktit të lirë e të pavarun, pa dhanë asnji herë përgjigje për mijëra pyetjet që ngrihen e bien e nuk tërheqin vemendjen e mendjeve të programueme…Duket sikur barka e jonë shqiptare lundron pa një busullë morale. A. Koestler e cilësonte këte gjendje: “kemi pirë kupën e dëshprimit deri në fund”!
“Qytetarët në përgjithësi sikur kanë humbë interesin për nji angazhim aktiv, nji qendrim ky i rrezikshëm, ndërsa në Shqipëri nuk ka dalë ende nji udhëheqës që frymëzon! Dhe kjo si rrjedhim i qëndrimit komunist shqiptar, dhe atij fashist, që zotënoheshin nga nji dëshirë e fortë: me kontrollue jo vetëm trupin, por edhe mendjen e qytetarit. Me këtë qëndrim, ‘mendimi ndryshe’ (disidenca) u trajtue si krim dhe u dënue randë. Konflikti politik u krijue artificialisht, jo me shpëtue atdheun, por me shkatërrue ‘anmikun e klasës’. U mbushën vorrezat me mendje të ndrituna; errësina diktatoriale mbuloi vendin tonë… Sot, paguajmë akoma çmimin e kësaj marrëzie, kryesisht ,sepse shumica e heshtun vegjeton me ndjenjën e poshtënimit të përjetuem…”.
“Na do të hyjmë në ‘histori’, nëse bajmë ‘histori’; dhe do të bajmë ‘histori’ vetëm atëherë kur të kuptojmë si duhet ‘historinë’ e vendit tonë, pa paragjykime. ‘Historia’ do të bahet kur të kuptojmë se nji rend publik i qëndrueshëm kërkon ‘pushtet’ dhe ‘moralitet’, njikohësisht; kur të përqafojmë sensin e përgjegjësisë sonë personale ndaj shoqënisë si qytetarë të lirë’ dhe ndaj bashkësisë sonë kombëtare e ndërkombëtare”!
“Akoma sot diskutojmë ‘meritat’ e pushtimit pesëshekullor otoman. Akoma sot ‘krenohemi’ me tmerret e murtajës së kuqe 45 vjeçare në vendin tonë, dhe akoma nuk kemi gjetë kohë me zbulue të gjitha viktimat e diktaturës dhe vorrezat e tyne, me krye ritet e përkujtimit dhe nderimit që ata meritojnë. “Diktatura e proletariatit”, në fakt diktatura e nji maniaku kriminel si E. Hoxha, ka qenë nji ndër fatkeqësitë ma të mëdha historike, ndoshta ma e madhja për popullin tonë. Shkatërrimet që ajo i ka sjellë vendit e popullit tonë janë të pallogaritshme dhe vazhdojnë të na torturojnë mendërisht e fizikisht akoma sot… Kështu edhe për nostalgjinë e pushtimit otoman… Okupimi otoman dhe diktatura komuniste në Shqipëri kanë qenë dy fatkeqësitë ma të mëdha historike të vendit tonë, çmonte mendja e ndritun e intelektualit Ismail Kadare. Kjo ashtë historia e jonë”!
“Sot, tranzicioni i pafund ‘demokratik’në Shqipëri ka prodhue korrupsion, e cinizmin e partive politike, populizëm mashtrues, ndërsa presioni i kapitalizmit pa fre po kthen qytetarët në konsumatorë të thjeshtë. Pa qytetari, vendi i jonë kthehet në nji turmë robotësh të drejtueme nga nji qendër ‘kompjuterike’ të manovrueme nga ‘specialistët’ e njohun publikisht si ‘elita politike e vendit’. Ky ‘boshllëk’ i rrezikshëm duhet mbulue nga forca koshiente të situates;nga nji elitë Patriotike, Demokratike dhe Profesionale! Kjo kategori patriotësh gjindet vetëm aty ku ka qytetarë të lirë dhe në nji shtet të lirë e të sunduem nga ligji. Duhet të pyeten qytetarët cili ashtë vizioni i tyne, dhe nga këto vizione të nxjerrim përfundimet tona që duhet të jenë esenca e mendimit tonë kolektiv, dhe origjina e ngritjes sonë qytetare. Cili ashtë vizioni i kombit shqiptar në Ballkan, në Europë, në Botën e Lirë, sot në shekulin 21? Kjo ashtë pyetja kryesore që përballojmë sot në hymje të shekullit të dytë të Pavarësisë sonë kombëtare. Përgjigjja e kësaj pyetje ashtë nji imperativ kategorik, korrektësia e së cilës do të përcaktojë fatin tonë të paktën për nji shekull…e ndoshta për jetë!”, -ka shkruar, ndër të tjera, Profesor Sami Repishti në artikullin që ai ka ndarë me mua në gusht të vitit 2017, linkun e plotë, të cilit mund ta lexoni më lartë, siç është botuar në atë kohë në gazetën ‘Dielli’ të Federatës Vatra në Nju Jork.
Ky shkrim dhe qindra të tjerë si ky, një trashëgimi dhe thesar i çmuar politik e letrar kombëtar, lënë pas nga Profesor Sami Repishti, na kujton në këtë 100-vjetor të lindjes së tij njërit prej të mëdhejve të Shkodrës, të Shqipërisë dhe Kombit mbarë. Porositë për gjëndjen aktuale në trojet shqiptare dhe, njëkohësisht, nënvijon misionin e tij profetik, në mbrojtje të interesave kombëtare. Duke dhënë alarmin se shqiptarët kanë nevojë për udhëheqës, që nuk kërkojnë karrierë politike, por për udhëheqës që shërbejnë kauzën e shenjtë të popullit të tyre, për njerëz që “vrasin frikën” duke folur të Vërtetën. Thirrja e Profesor Sami Repishtit për një elitë të re politike ndër shqiptarët Elitë, “Patriotike, Demokratike dhe Profesionale”, jo vetëm që është aktuale sot, por edhe më e nevojshme se kurrë më parë në histori. I përjetshëm qoftë kujtimi i Profesor Sami Repishtit!