Lef Nosi – një nga themeluesit e shtetit shqiptar, ende pa varr
“Ka qenë 25-vjetori i Pavarësisë kur dajë Lefi, për të pamundësuar çdo falsifikim a manipulim të dokumentit të Pavarësisë, e fotografoi dhe e shtypi në qindra kopje, duke ia shpërndarë më së pari familjarëve të firmëtarëve”, kujton Skënder Kosturi, një nga nipërit e Lef Nosit.
Ky gjest i thjeshtë por me vizion, ndihmoi jo vetëm në ruajtjen e vetmit kopje ekzistuese të aktit të Pavarësisë, por edhe në dështimin e përpjekjeve të mëvonshme për të shtuar në mënyrë të rreme emra të afërmve të sundimtarëve në listën e firmëtarëve.
Lef Nosi lindi në Elbasan, në prill të vitit 1877. Ai është një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë dhe një figurë e shquar e jetës politike, kulturore dhe shkencore shqiptare. Aktiv në Klubin “Vllaznia”, themelues i shoqërisë “Afëdita”, gazetës “Tomorri” dhe revistës “Kopështi letrar”, Nosi do të hynte shpejt në politikë si ministër i Postë-Telegrafëve në qeverinë e Ismail Qemalit.
Një pasion i tij i veçantë ishte filatelia: nën drejtimin e tij, Qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione të pullave postare shqiptare – mes tyre ato me shqiponjën dykrenore dhe mbishkrimin “Shqipënia” – duke hedhur bazat e filatelisë kombëtare.
Kontributet e tij vijojnë në fusha të ndryshme: në themelimin e Shkollës Normale, në kryesimin e Bashkisë së Elbasanit, në bashkëpunime me figura si Gurakuqi, Xhuvani, Konica, Noli e Mit’hat Frashëri, si dhe në botimin e dokumenteve me vlerë të rrallë për albanologjinë, etnologjinë e historinë shqiptare.
Një njohës i gjuhëve të huaja dhe bibliofil i rrallë, thuhet se zotëronte bibliotekën e dytë më të madhe në vend pas Mit’hat Frashërit. Një pjesë e këtij fondi, me vlerë të jashtëzakonshme për studimet ballkanologjike dhe shqiptare, ndodhet sot në bibliotekën publike “Qemal Baholli” në Elbasan.
Në vitet 1943–1944, Nosi ishte anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1945 ai arrestohet dhe akuzohet si kolaboracionist. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 20 shkurt 1946, në Kodrën e Priftit në Tiranë, bashkë me Atë Anton Harapin dhe Maliq Bushatin.
Një ironi tragjike e fatit: Lef Nosi, që u burgos nga osmanët për përhapjen e gjuhës shqipe dhe u internua nga italianët për aktivitet antifashist, u pushkatua nga regjimi komunist si bashkëpunëtor i pushtuesve. Familjarët ende nuk dinë ku ndodhet varri i tij, një plagë e hapur në kujtesën kombëtare.
Megjithatë, nderimet nuk mungojnë. Lef Nosi është dekoruar me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti i Republikës dhe shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit, ku është ngritur edhe shtatorja e tij. Një rrugë dhe një shkollë në Elbasan, si dhe një tjetër në Prizren, mbajnë emrin e tij. Studimet e tij janë botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë./autoriteti i dosjeve