Albspirit

Media/News/Publishing

ODIESEA-KY BURIM I PASHTERSHËM I LETERSISË BOTNORE

Rudolf Marku

Një sprovë mbi “Odise”-në, sjell në shqip për ju.

ODIESEA-KY BURIM I PASHTERSHËM I LETERSISË BOTNORE

D. Mendelsohn

një farë mënyre, Odisea nuk ka nevojë për prezantim: historia e Odiseut është gjithandej rreth nesh. Gjatë gati tridhjetë shekujve që nga momenti kur epopeja mahnitëse e Homerit për kthimin e heroit Odise nga Lufta e Trojës filloi të qarkullonte, historia, personazhet dhe temat e saj janë ndërthurur aq ngushtë në strukturën e letërsisë dhe artit, muzikës dhe dramës sonë, sa na duken të pashmangshme, të natyrshme. Është tronditëse kur kujtojmë se dikush duhej t’i shpikte ato.

Qoftë kur lexon ‘Eneidën’ e Virgjilit apo kur shikon ‘Magjistarin’ e Oz-it ose ‘Duke kërkuar Nemon’, ti shijon një histori që huazon strukturën e Odiseas: një hero, i ndarë nga shtëpia dhe të dashurit, duhet të endet nëpër popuj të çuditshëm dhe vende fantastike gjatë një udhëtimi të vështirë dhe shpesh të rrezikshëm, përpara se më në fund të arrijë të rimarrë a të bashkohet prapë me familjen ashtu edhe me atdheun. Ndërsa përshkon ‘Ferrin’ e Dantes, ‘Catcher in the rye’ e J.D. Salinger-it apo ‘Stand by Me’ të Stephen King-ut, ti je duke ndjekur një hark metaforik që për herë të parë u trazua nga Homeri: udhëtimi nëpër hapësirë dhe kohë si simbol i rritjes intelektuale dhe zbulimit, i një kuptimi gjithnjë më të thellë të marrëdhënies mes vetes dhe botës, i trajektores që ndjekim të gjithë nga lindja në vdekje. Një nga kthesat më të tensionuara dhe emocionuese të fabulës së Odiseas—kur heroi më në fund kthehet i maskuar dhe mund të provojë në fshehtësi besnikërinë e atyre që la pas—është ricikluar pafund, nga autorë si Alexandre Dumas (Konti i Monte Kristos) deri te regjisorë si Ridley Scott (Gladiatori). Dhe prova kulmore e heroit të Odiseas, i cili duhet të dëshmojë si identitetin ashtu edhe vlefshmërinë për të marrë rolin që i është caktuar përmes një sërë sfidash fizike dhe mendore, është rikthyer në epika moderne si Harry Potter apo Game of Thrones.

Odisea i ka dhuruar Perëndimit zhanre të tëra. Magjepsja e poemës me krijesa të çuditshme dhe kultura të panjohura, me të cilat përballet heroi shëtitës, ishte fara nga e cila do të lulëzonin si letërsia fantastike ashtu edhe ajo e shkencës së trilluar; Aventurat e Alisës në Botën e Çudirave dhe Star Trek ndajnë fijet e të njëjtit ADN odiseane. Odisea gjithashtu përcaktoi modelin për romanin picaresk, me rrëfimet e gjalla për personazhe dinakë që mezi ia dalin përmes aventurave të rrezikshme—nga Don Kishoti deri te Aventurat e Huckleberry Finn—që pasqyrojnë progresin e Odiseut nga Troja (ku mashtrimi i tij i zgjuar, Kali i Trojës, fitoi luftën), përmes përballjeve me përbindësha, joshëse dhe fantazma, deri në Itakë, shtëpinë që përpiqet me çdo kusht ta arrijë. Drama martesore e Odiseut dhe Penelopës—një çift i ndarë me dhimbje, burri dhe gruaja që përballen me lloje të ndryshme rreziqesh, të ribashkuar vetëm pasi një provë e zgjuarsisë vërteton se janë partnerët idealë për njëri-tjetrin—përmban farën e të gjitha komedive romantike. Kënaqësia që përjetojnë lexuesit kur Elizabeth Bennet dhe Zoti Darcy më në fund bashkohen në fund të Krenari dhe paragjykim është një pasardhëse e drejtpërdrejtë e emocioneve që publiku i Homerit ndiente tridhjetë shekuj më parë teksa dëgjonte historinë e ribashkimit të çiftit mbretëror të Itakës, më në fund të zbuluar plotësisht para njëri-tjetrit pas një ndarjeje njëzetvjeçare.

Odisea ka frymëzuar një numër autorësh të rëndësishëm modernistë dhe bashkëkohorë. Klasi i James Joyce-it i vitit 1922, Uliksi (titulli përdor emrin romak të heroit shëtitës të Homerit), është i ndarë në seksione që mbajnë emrat dhe janë ndërtuar sipas episodeve të eposit homerik: “Circe,” “Proteu”, “Ngrënësit e luleve,” e kështu me radhë. Motive dhe personazhe nga si Iliada ashtu edhe Odisea shfaqen në Omeros, një poemë epike e vitit 1990 mbi temat e kolonializmit dhe tregtisë transatlantike të skllevërve nga shkrimtari i Shën Luçias Derek Walcott, fitues i Çmimit Nobel, ndërsa poetja amerikane Louise Glück, gjithashtu laureate e Nobelit, shqyrtoi një martesë në shkatërrim përmes një ripërpunimi të Odiseas në koleksionin e saj të vitit 1996 ‘Livadhet’. Më së fundmi, shumë autore gra kanë marrë personazhet femra të eposit dhe kanë ripërfytyruar ngjarjet e historisë së Homerit nga këndvështrimi i tyre. Në libra si ‘Penelopiada’ e Margaret Atwood dhe ‘Circe’ e Madeline Miller, orientimi i ri i këndvështrimit narrativ na kujton se veprat e lashta, të shkruara fillimisht nga burra për një audiencë kryesisht mashkullore, janë gjithsesi të pasura me personazhe femra komplekse, potenciali letrar i të cilave ende nuk është shteruar.

Temat madhore të eposit homerik kanë rezultuar të qëndrueshme ndër shekuj. Paraqitja e Odiseut si dikush që dëshiron me çdo kusht të kthehet në shtëpi, por njëkohësisht është i pushtuar nga një kureshtje e pangopur për vendet e çuditshme që viziton, ngre pyetje për mënyrën se si balancojmë mes magjepsjes nga aventura dhe kënaqësive të shtëpisë. Portretizimi i protagonistit si një mbijetues i fortë—në kontrast të thellë me luftëtarët krenarë të Iliadës, për të cilët vdekja e re në betejë është një çmim i drejtë për lavdinë e përjetshme—na detyron të rishqyrtojmë kuptimin e fjalës “hero”. Ndërveprimet e tensionuara të Odiseut me të pavdekshmet si nimfa Kalipso, ofertën e së cilës për jetë dhe rinisë së përjetshme ai e refuzon për hir të kthimit te gruaja e tij që po plaket, na bëjnë, si heroin, të përballemi me kuptimin e vdekshmërisë dhe vlerën e dashurisë njerëzore, edhe pse marrëdhëniet e tij me gruan, dashnoret, djalin dhe babain ofrojnë pasqyrime në marrëdhëniet mes burrit dhe gruas, prindërve dhe fëmijëve. Dhe portretizimi kompleks i karakterit moralisht të dyshimtë të heroit—një njeri me dhunti intelektuale mbresëlënëse, aftësi teknologjike dhe dinakëri “hyjnore” që megjithatë shpesh lë pas shkatërrim dhe dhimbje—shpesh lexohet si një parabolë e errët për vetë qytetërimin perëndimor.

Please follow and like us: