Zaho Golemi: NESHAT KONDI-LUFTËTAR PARTIZAN, KUFITAR DHE DËSHMOR I SHQIPËRISË
(Me rastin e 112 vjetorit të lindjes dhe 80 vjetorit të rënies në afërsi të Hoçisht të Bilishtit në Korçë të dëshmorit birit të Fushëbardhës Neshat Dullah Kondi (27.1.1913-21.7.1945), si dhe 80 vjetorit të fitores mbi nazi-fashizmin. Neshat Kondi ka qenë komandant batalioni në BrIIS, luftëtar i shquar, drejtues i lartë në formacionet partizane antifashiste shqiptare, mbrojtës i kufirit shqiptar që në ditëtët e para të çlirimit, luftëtar i paepur që dha gjakun për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë në detyrën e komandantit të batalionit në Hoçisht të Korçës; Është shpallur me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut” me Vendim nr.65 datë 2.10.1971 të ish-Komitetit Ekzekutiv të rrethit Gjirokastër; është njohur statusi “Dëshmor i Atdheut” pranë Ministrisë së Mbrojtjes me Vendim nr. 11, datë 4.7.2003. Dëshmori Neshat Kondi është prehur fillimisht në kodrën e xhamisë në Fushëbardhë, ku u përcoll nga bashkëluftatarët dhe gjithë fshati Fushëbardhë me të gjitha nderimet në varrezat e dëshmorëve të Gjirokastrës, ku është nderi për ata që i sollën lirinë popullit shqiptar).
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Një oxhak trimash e luftëtarësh nëpër shekuj!…
Në Fushëbardhë të krahinës së Kardhiqit dhe në mbarë Labërinë gjen histori nga më të mahnitshmet, histori trimash që lindnin nga krismat, rriteshin mes luftrave, si mënyrë jetese e destinuar për ta dhe që binin në luftra duke e falur gjakun për truallin shqiptar. Shembuj të tillë ka në të gjitha luftrat e shqiptarëve dhe një ndër fiset luftarake të saj në Fushëbardhë dhe Zhulat janë edhe Kondajt. Edhe përgjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ka pasur mjaft luftëtarë të shquar të rreshtave partizanë në çeta, batalione e brigada partizane, por Neshat Dullah Kondi dallonte si luftëtar dhe kuadër drejtues i formacioneve partizane të LANÇ-it, mbrojtës i kufijve të Shqipërisë dhe që mbeti përjetësisht dëshmor i lirisë së Shqipërisë. Të parët e oxhakut “Kondi” bashkë me çetat luftëtare të fshatit dhe të krahinës kanë marrë pjesë me armë në dorë që nga koha e Tanzimatitit më 1847, në katër luftrat për mbrojtjen e Vilajetit të Janinës, në luftën e qafës së Skërficës, në Luftën e Vlorës të 1920-tës e veçanërisht përgjatë LANÇ-it.
*
Foshnja e porsalindur, që në frymëmarrjen e parë thithi ajrin e përzier me afsh baruti
Neshat Kondi ishte lindur në fshatin Fushëbardhë në krye të fshatit më 27 janarin e vitit 1913, vetëm pak ditë pasi ishte shpallur pavarësia e Shqipërisë në Vlorë, ose sikurse i thoshin në fshat “vërsnik” me shtetin shqiptar. Fisi i tij që shtrihej në Zhulatin e tejmë dhe në Zhulatin e këtejmë (Fushëbardhë) ishte i shquar në historinë e fshatit, krahinës së Kardhiqit e Rrëzomës dhe më gjerë edhe në atë të Labërisë. Krisma e dyfekut të Kondajve dhe jatagani i tyre ishte i njohur në të gjitha betejat e shumta që fshati e Labëria kanë bërë në katër luftrat për Janinën, në luftrat antiosmane, antigreke e kundër çdo lloj pushtuesi tjetër italianë e gjermanë. Neshati erdhi në jetë nga një familje e njohur e një oxhaku patriot, që kishin se çfarë të tregonin në fshat dhe në krahinë. Lavdia dhe trimëria por dhe gjaku i derdhur shekujve ishin bërë një shkollë trimërie në mbarë Labërinë. Nuk është e rastit që ende pa rritur mirë Fushëbardhasit dhe jo vetëm ishin zotërues edhe të armatimit, dhe në moshën e burrërisë ishin të gatshëm të përgatitur dhe të stërvitur për të qenë pjesë e formacioneve luftarake kundër pushtuesve. Jeta i kishte mësuar të silleshin ashtu sikurse e kërkonin pushtuesit, ku rrebelimi ishte forma e parë e revoltës dhe kryengritjet e luftrat kundër pushtuesve i bënë këto treva mbijetuese përmes luftrave. Neshat Kondi ishte nipi i Xhemal Kondit, një gjysh luftarak dhe sedërli. Edhe babai i Xhemalit, Avdullah Kondi ishte i njohur në krahinë e më gjerë, ndërsa babai i Neshatit ecte në rrugën e të parëve. Ja si e përshkruan Mitat Kondi lindjen e shokut të tij të armëve, Neshatit: “Në 1913, në trazirat e mëdha dhe kur qielli mbante erë barut, lindi Neshati. E shoqa e Dullahut (Bejka) lindi djalë, por djali nuk lindi në shtëpinë e të parëve, por aty lartë, në një shpellë (Shpella e Zhulit), ku gratë e fëmijët mbëshiheshin për t’u shpëtuar masakrave të ushtrisë rebele greke. Ky djalë që u quajt Neshat nuk u përkund në djep, atë e jëma e mbështolli në prokovin e mushkës. Ledhatimet e nënës ishin të kursyera për të, në gjumë vihej sepse e joshte era e barutit dhe aroma e luleve. Me të në krahë nëna e Neshatit çahu nëpër malet e Kurveleshit dhe mbriti në Vlorë. Nëna me foshnjën ecte, kurse krismat e armëve çanin malet dhe mbrinin deri tek turmat shtegtare. Foshnja e porsalindur, që në frymëmarrjen e parë thithi ajrin e përzier me afsh baruti”. Ndërsa vetë Neshati kur të rritej do të përkufizonte rrugëtimin e fisit në këtë mënyrë: “..derën tonë e ngrin plumbi për të mbrojtur këtë të shkretë Atdhe”.
*
Bëmë baba të të ngjaj”, një maksimë popullore proverbiale labe e provuar…
Neshat Kondi mori nga babai i tij Dullahu dhe nëna Bejka tiparet më të mira të labit. Ai u rrit mes hallesh dhe brengash të shumta të kohës, mes skamjes dhe jetës së vështrirë të fshatit malor, ku bora pllakoste gjatë dhe mezi prisnin prodhimin e ri, për të mbajtur frymën gjallë. Në vitin 1914 kur ishte vetëm një vjeç ngeli pa baba. Shkollën fillore ato pak klasë i ndoqi në fshatin e lindjes në Fushëbardhë në vitet 1920-1924, ndërkohë që shkolla në Fushëbardhë ishte hapur nga mësuesi Nexhip Çarçani në vjeshtën e vitit 1907 edhe me mbështetjen e Dervish Mehmet Golemit. Shpejt hodhi shtat dhe i doli krah familjes me ato pak bagëti që kishin dhe e gjeje sa në punimin e asaj pak toke që kishin edhe në mal me bagëti. Në vitin 1925, kur u bë republika e parë dhe sapo Neshati mbushi 12 vjeç, fëmija-burrë mori kërrabën e çobanit për të ndihmuar familjen. Në kushtet tepër të vështira pasurinë tepër të vogël me 30 krerë dele dhe 4-5 dhi e një pelë i dha për një copëz shtëpie që bleu në grykën e Shurit në Fushëbardhë rreth viteve 1933-1934. Kur erdhi koha e mobilizimit ushtarak ai shkoi me dëshirë për të bërë shërbimin ndaj shtetit, edhe pse sapo ishte martuar në verën e vitit 1936 me Fatime Sinan Kërpaçi. Vjerri Sinani dhe vjerra Kalia i kishin besuar bijën Neshat Kondit, që ishte tashmë i rritur e burrëruar dhe që i dilte ballazi punëve dhe zot familjes së tij. Ishte koha e mbretërisë shqiptare dhe Neshat Kondi e kreu shërbimin ushtarak të detyrueshëm dy vjeçar në periudhën 1937-1938. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak në Tiranë Neshati punoi disa kohë me punë të ndryshme në Tiranë edhe si ndërtues por më shumë si bojaxhi. Por u rikthyen sërish në Fushëbardhë dhe më 21.9.1941 u bënë me djalë. Në luftë kishin lindur tre breza, gjyshi, babai dhe në luftë i lindi edhe i biri. Neshati dhe Fatimeja e quatën Fatmir, që të kishte fat të mirë në jetë pasi shumë nga oxhaku i Kondajve kishin dhënë jetën dhe derdhur gjakun në shekujt plot luftra për çlirimin e Atdheut. Në vitet 1939-1941 nga vjeshta deri në muajt e pranverës punonte si punëtor ndërtimi dhe bojaxhi në Tiranë.
*
Rrugëtimi luftarak i Neshat Kondit në vitet e stuhishme të luftës çlirimtare
952 ditë në shërbim të çlirimit dhe mbrojtjes së kufirit shtetëror
Pushtimi italian i 7 prillit 1939 ishte një gjëmë e madhe për të gjithë shqiptarët. Urrejtja ndaj fashizmin sa vinte dhe po shndrohej në një vullkan zemërimi që bëri që shqiptarët të merrnin vetë fatin e tyre në dorë. Kështu në vitet që pasuan 1942-1945 ishin vitetet e vrullshme të jetës aktive luftarake të Neshat Kondit. Ai ju përkushtua tërësisht luftës çlirimtare në njësitet guerrile (në aksionin e prerjes së linjave telefonike në fundkorriku 1942), në çetë, në batalion partizan dhe në Brigadën e dytë Sulmuese, ku arriti deri në detyrën e komandantit të batalionit dhe zëvendëskomandantit të Brigadës. Jeta e tij ishte e gjitha luftë. Neshati la djalin fare të vogël dhe shërbeu denjësisht në luftën çlirimtare të shqiptarëve. Neshati kur doli partizan ishte burrë i rritur, tek të tridhjetave, kishte kryer shërbimin e detyruar ushtarak ku kishte qënë edhe komanant skuadre. Në fëmijëri e në rini ishte rrahur me jetën e vështirë baritore, kishte parë e dëgjuar për jetën e veprimtarinë e hajdutërisë së viteve 1917–1930. Të gjitha këto të marra së bashku kishin kalitur tek personi i tij një pjekuri të mjaftueshme, shumë të vlefshme për luftën partizane, të cilat ai i demonstroi dhe i vuri në veprim gjatë jetës dhe veprimtarisë luftarake si partizan dhe komandant në vitet e stuhishme të luftës çlirimtare. Ai më mirë se kushdo jetoi peshën e halleve dhe kuptonte vuajtjet mbarëpopullore. Në zemrën e tij vlonte urrejtja për regjimin zogist, për pushtuesit. Edhe kur nevojat ekonomike e detyruan të shkonte në Tiranë për të gjetur ndonjë punë, ra në kontakt me idetë antifashiste dhe bojaxhiu nga Fushëbardha e ndjeu se duhej të kthehej në vendlindje. Ai e la një ditë Tiranën dhe u kthye në Fushëbardhë. Fjalët e tij për t’u ngritur me armë në dorë kundër pushtuesit priteshin me etje nga bashkëfshatarët. Qëndrimi i tij antifashist filloi të binte në sy të armikut dhe më 12 dhjetor 1942 Neshati doli partizan në çetën “Çerçiz Topulli”, në ditën e themelimit të kësaj çete në qendër të fshatit Fushëbardhë. Në këtë datë ishte bashkë e gjithë krahina e Kardhiqit. Pushka e Neshatit u dëgjua në Cepo, Ura e Kardhiqit, Rrëzomë, Lunxhëri, Libohovë, Gjirokastër etj. Çeta partizane e kaliti dhe forcoi Neshat Kondin dhe partizanët e tjerë. Ai ishte i gatshëm për formacionet më të mëdha partizane sikurse ishte pjesëmarrja më 7 gusht 1943 kur u formua batalioni partizan “Asim Zeneli” me 540 partizanë që u formua nga çeta “Çerçiz Topulli”, “Hajredin Tremishti”, “Avni Rustemi” e “Toto Bolena”. Partizanët e këtij batalioni ja ngritën më lartë lavdinë dhe krenarinë krahinës së Kardhiqit, krahinë që derdhi gjakun e 106 dëshmorëve të kësaj krahine lavdiplotë. Partizanët e këtij formacioni përfaqësonin trimat pushkëbashkuar të të gjithë luftëtarëve të krahinës së Kardhiqit që i bënë nder Labërisë, Gjirokastrës, mbarë truallit shqiptar. Të gjitha këto të dhëna vijnë përmes shënimesh të luftëtarit, partizanit, kuadrove të lartë ushtarakë Dilaver Poçi, Gani Haloçi, Mitat Kondi, Resul Bedo etj., që në fakt i bën nder historiografisë shqiptare dhe veçanërisht asaj ushtarake. Kuadrot luftëtarë të Krahinës mbetën përjetësisht njerëzorë: “Madhështinë e njeriut nuk e bëjnë postet që arrin në jetë, por virtytet, karakteri i tij, ideali atdhetar, familja, të cilave u përkushtohesh”. Lufta çlirimtare e bijëve të popullit për të cilët luftoi Neshat Kondi, bëri që fshatrat e krahinës së Kardhiqit të hapnin dyert e zemrat për partizanët çlirimtarë të brigadave partizane që erdhën në krahinën e Kardhiqit si misionarë të çlirimit, që erdhën në këtë krahinë të lavdishme dhe që janë mirëpritur me zakonin tradicional të shqiptarit, “kripë, buke e zemër”, formacionet partizane të: Br1S; Br.IIIS; Br.VS; BrVIS; Br.VIIS dhe BrXIVS. Rrugëtimi luftarak i Neshat Kondit do të ishte nga çeta “Çerçiz Topulli” (12.12.1942) në batalionin partizan “Asim Zeneli” (7.8.1943) dhe më tej në Brigadën e Dytë Sulmuese (28.11.1943)deri në çlirim, por dhe pas çlirimit Neshat Kondi ishte prapë në luftë, në buzë të kufirit shtëtëror shqiptar dhe në mbrojtje të kufirit dhe në frymën e fundit më 21.7.1945. Kështu Neshat Kondi i shërbeu Shqipërisë në ditëtët më të vështira të saj përgjatë luftës në flakët e luftës për çlirim. Ai i shërbeu shtetit plotë 952 ditë.
*
Mësoje birin tonë, Fatmirin të dojë Shqipërinë dhe popullin!
Pas kapitullimit të Italisë fashiste më 20 shtator 1943, kur ndodheshin në Gjirokastrën e çliruar përkohësisht, Neshtai u emërua komandant kompanie dhe më 21.9.1943 në krye të një kompanie prej rreth 60 partizanësh u nis për në BrIIS që sipas urdhërit të ShP do të formohej atë muaj vjeshte diku në malësitë e Elbasanit dhe të Tiranës. Kur u caktua për në brigadë megjithëse ishte kryefamiljar, baba me fëmijë dhe pa asnjë përkrahje tjetër jo vetëm që nuk tha as gjysmë llafi “kundërshtim” por e priti me qejf urdhërin e dhënë, mblodhi e përgatiti kompaninë dhe në 21 shtator u nisën menjëherë pa u takuar fare as me familjen, me të cilën kishte më tepër se një muaj, dhe pikërisht që para 7 gushtit 1943, që nuk e kishte parë më. Një ditë para se të niseshin hoqi një letër nga fletorja e tij e shënimeve dhe së bashku shkruan nga një letër për familjen, bashkëshorten e tij përafërsisht me këtë përmbajtje: “E dashur…..Jam mirë me të gjithë shokët, dëshiroj që edhe juve të jeni mirë që të gjithë. Sot që po të shkruaj ndodhemi këtu në Gjirokastrën e çliruar, megjithatë lufta nuk ka mbaruar akoma. Unë së bashku me disa shokë jemi transferuar në një vend tjeter larg dhe jashtë qarkut tonë, mbase andej nga gegëria. Ju mos u mërzitni dhe mos u vëni merak, do takohemi përsëri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Të porosis të kesh kujdes djalin dhe shtëpinë, të punosh për lëvizjen atje në fshat, të ndihmosh shokët e shoqet partizane me ç’të të ndodhet t’i presësh e t’i percjellësh njësoj sikur të isha unë. Kur të marresh letrën shko një ditë nga Zhulati, llafosu me nënë Dilinë dhe thuaj, po deshi le të vij dhe ajo në Fushëbardhë në shtëpinë tonë dhe rrini bashkë. Më kij kujdes Mirin (djalin), puthe menjëherë për mua dhe sido që të ndodhë rrite me dashuri sikur të ishim të dy të nënës e të babës, mësoje të dojë, Shqipërinë e popullin. Nuk kisha pare ti blija ndonjë gjë dhe t’ja dërgoja që të gëzohej, po dërgoj këto qile (gëzhoja) me kapsolla e rreth të kuq për të luajtur, janë të fishekëve të zjarrit që u zumë gjermanëve tek ura e Kardhiqit. Te fala të gjithëve andej, u pafshim në Shpipëri të lirë! Juaji, Neshat Kondi, Gërhot, Gjirokastër 20.9.1943.
*
Neshat Kondi në Brigadën partizane që u krijua në Ditën e Flamurit.
Rrugëtimi luftarak i Neshat Kondit dhe partizanëve të tjerë të ardhur nga Labëria vijoi gjatë luftës në Shëngjergj të Tiranës, ku më 28.11.1943 u krijua Brigada e II Sulmuese, ku bijë e bija shqiptarë erdhën në gjirin e kësaj njësie nga zona dhe krahina të ndryshme të Tiranës, Elbasanit, Gjirokastrës, Mallakastrës, Kurveleshit, Kolonjës, Librazhdit etj. Vullnetarisht lanë vatrat e ngrohta qetësinë e tyre familjare dhe u bashkuan me familjen partizane ku luftuan me trimëri e vetmohim në emër të çështjes të çlirimit kombëtar e shoqëror të popullit. BrIIS, e krijuar me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, më 28.11.1943, në Shëngjergj të Tiranës, u krijua në ditën simbol të kombit, në ditën e shpalljes së pavarësisë. Partizanët takuan në ditën e inagurimit udhëheqësit e luftës, Enver Hoxha e Spiro Moisiu, i cili i dorëzoi dhe flamurin luftarak komandantit të Brigadës Beqir Balluku. BrIIS/ brigade e ditës së flamurit u krijua në zemër të Shqipërisë së Mesme, pranë kryeqytetit. Nishat Kondi dhe partizanët e tjerë të brigadës përballuan vështirësi serioze, në një ndër zonat më të varfëra. Ishte pragu i Operacionit të madh të Dimrit dhe fashistët kërkonin të shuanin luftën partizane e cila ishte bërë tmerr për armiqtë dhe shpresë për popullin. Pavarësisht vështirësive, BrIIS kreu aksione të shumta kundër pushtuesve, përshkoi territore e zona të tëra në gjithë Shqipërinë dhe çliroi një sërë krahinash e qytetesh përmes sakrificash dhe heroizmi, u bëri ballë operacioneve naziste gjermane dhe reaksionit më të madh e të egër të Shqipërisë së Mesme në dimrin e vitit 1943-1944. Në aktivitetin e saj luftarak Brigada II Sulmuese ka një varg veprimesh të rëndësishme luftarake, zhvilloi luftime kundër pushtuesve në krahinën e Dibrës, Çermenikë, Tiranës; Priskë, Brar, Pezë, Fushë-Krujë, Ishëm, në rrethinat dhe brenda në Tiranë. Një nga aksionet brenda në kryeqytet ajo kreu aksionin kundër forcave mercenare në “Shkollën e Kuqe”, më 17.1.1944 ku njësia partizane e komanduar me zgjuarsi, zotësi e trimëri të rrallë nga komisari i batalionit të parë Kozma Naska, i cili hyri në oborrin e “Shkollës së kuqe” dhe i shpartalloi bashkëpunëtorët e fashizmit. Ky aksion tronditi thellë kundërshtarët dhe entuziazmoi opinionin e popullit të Tiranës, rriti më tej besimin e tij te populli dhe krijoi bindjen se vetëm partizanët, bijtë e tij, do të sjellin çlirimin e kryeqytetit dhe gjithë Shqipërisë. Brigada II Sulmuese kalo vështirësi e peripeci të ndryshme, të diktuar nga kushtet e motit dhe të agresioni i tmerrshëm armik kundër dhe u shpërnda, po nuk ja ulin aspak lavdinë. Ajo u shpërnda për t’u riorganizuar në Korçë. Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm Brigada II, në pranverën e vitit 1944, kaloi nga Shqipëria e Mesme në Qarkun e Korçës ku u plotësua dhe u riorganizua me forca të reja. Në qarkun e Korçës Brigada u dyfishuan: nga 600 në 1400 partizanë, pjesa më e madhe ishin të rinj, që i dhanë gjallëri të madhe Brigadës, sollën freski, trimëri e guxim rinor. Kjo bëri që në aksionet e njëpasnjëshme luftarake që pasuan njëri-tjetrin të kishte me shumë rini dhe vetëm fitore. Janë ta paharruara luftimet në Qafën e Qarrit, Devoll, Bozhigrad, Vithkuq, në fushën e Korçës, në Pojan e Zëmblak etj.. Gjatë muajve shtator-tetor Neshat Kondi dhe partizanët e BrIIS çliruan Leskovikun, Ersekën, Bilishtin. Në bashkëpunim me Brigadën IX S dhe një batalion të Brigadës XX S çliruan Korçën më 24.10.1944. Luftimet për çlirimin e qytetit të Korçës vazhduan tri ditë e tri netë rresht. Pas çlirimit të Korçës brigada vazhdoi aksionet për ndjekjen e forcave gjermane gjatë rrugës Strugë, Qafë Thanë, Përrenjas, Hotolisht, Librazhd etj. Në të gjitha këto aksione brigada diti të koordinojë mirë bashkëpunimin me popullin, rininë e forcat e terrenit, ku jo vetëm shpartalloi armiqtë dhe reaksionin, por luajti një rol të madh në ngritjen e Këshillave NAÇ dhe në propagandimin e LANÇ, si e vetmja mundësi për çlirimin e vendit. BrIIS u rreshtua në Divizionin VIS së bashku me Brigadën IX dhe Brigadën XX duke marrë pjesë në Korparmatën II dhe pas çlirimit të vendit në Korpusin II me qendër në Berat. Familja e madhe partizane e brigadës u kthye në një shkollë edhe për edukimin ushtarak e edukimin e përgjithshëm moralo-politik të partizanëve. Ishte kjo familje partizane që ngriti lart frymën patriotike e atdhetare. Midis partizanëve lindi dhe u kalit ndenja e solidariteit, kolektivitetit e sakrificës dhe miqësisë. Gjaku dhe vepra e partizanëve të BrIIS do të ngelet në përjetësi: Neshat Kondi, Kozma Naska, Besim Imami, Alqi Kondi, Shejnaze Juka, Kostandina Gaçe, Raqi Themeli, Sul Misiri, Llazar Mango, Jaçe Hormova, Ymer Demiri etj. Për shokët e Neshatit, që tregonin pas rënies së tij në kohën që lufta po merrte hov të madh në pranverë të vitit 1944, Neshat Kondi, në prag të Kongresit të Përmetit u zgjodh delegat i Kongresit historik të Përmetit (24-28.5.1944), ishte pjesë e delegatëve që përfaqësonin “vullnetin e popullit”. Neshati e ndjeu mirë se ky ishte besimi më i madh i i shokëve të armëve në rrugën e ndritur për çlirim. Ai u betua ta mbante me nder përjetë këtë besim dhe në fakt gjaku i tij ngeli dritë për përparimin e Atdheut.
*
Jetë në mbrojtje të kufijve të porsaçliruar shqiptarë
Në trashëgiminë e bashkëmoshatarëve ka një shprehje “trim si Neshat Kondi, nuk bën nëna…”. Shokët ja njohën trimërinë, dashurinë për njerëzit, tepër luftarak, udhëheqës në çdo aksion, fjalëzjarrtë, bindës dhe argumentues… Kështu kanë shkruar e ish-partizanët Resul Bedo, Mitat Kondi, Hasko Kasi, Dilaver Poçi, Gani Haloçi etj. Neshati ju gëzua 29 nëntorit, ditës së çlirimit, por ai mbeti në luftë edhe pas çlirimit. Edhe pas çlirimit të vendit Neshati nuk e lëshoi armën nga dora. Ai dëshironte të punonte në repartet e ndjekjes kundër kriminelëve që ende s’ishin zhdukur ende. Në këtë kohë ishte bërë “Marrëveshja e Varkizës në Greqi dhe qarqet shoviniste greke filluan nga rivendikimit e vjetra kundër vendit tonë. BrIIS me tu kthyer në Korçë u caktua të vepronte në rrethin e Bilishtit. Batalioni io tretë komandohej nga Neshat Kondi dhe u ngarkua me urdhër të vepronte në fshatrat buzë kufirit në pjesën e sipërme të Devollit në lokalitetin Dardhë Bozhigrad. Gjatë një periudhe dy mujore ushtri e popull ishin një për mbrojtjen e kufirit. Në fund të janarit 1945 BrIIS transferohet përkohësisht në qarkun e Elbasanit dhe batalioni i Neshatit veproi në Polis, Shpat, Gramsh për çarmatosjen e mbeturinave të bashkëpuntorëve të fashizmit. Në prill 1944 Neshati dhe brigada e tij u kthye në Pogradec me një organizim të ri, ku detyra ishte në rast kërcënimi të mbronte drejtimin e Bilishtit (Devoll). Për këtë Neshat Kondi u përzgjodh si komandant batalioni me përvojë dhe vendosen forcat në Bilisht dhe në maj dolën në fushim në Hoçisht. Situata me grekët ishte komplekse dhe tepër e acaruar. Por strukturat e batalionit të Neshatit përparësi kishin ruajtjen e kufirit në bashkëpunim me kufitarët dhe popullin. Incidentet ishin të përditshme. Në shinjestër ishin kuadrot më të vendosur, më luftarakë dhe më trima. Në një ditë qershori të vitit 1945 duart e gjakosura të banditëve grekë goditën në befasi nga prita mbi komandant Neshatin, që u plagos rëndë, por edhe i plagosur me saktësi në goditje eleminoi me gotitjen e parë zyllumqarin e ardhur nga përtej kufirit. Edhe në këto çaste të befasishme e të rënda, ashtu i plagosur rëndë nuk e humbi gjakftohtësinë, zuri menjëhërë pozicion të faorshëm, hapi zjarr dhe plagosi flakë për flakë njerin prej armiqve të pa humbur u thirri shokëve që kishte me vehte nga mburoja ku kishte rënë dhe duke ju vënë detyra vranë dhe kapën të gjithë grupin e tradhëtarëve diversantë të shitur tek armiqtë. Me plagë shumë të rënda u nda nga gjithë aktiviteti gjatë luftës e punës, nga shokët e terrenit e të reparteve ushtarakë të rrethit e të batalionit dhe u shtrua në spitalin e Korçës. Për dy muaj në spital ishte i rrethuar nga shumë shokë që i qëndronin afër nga dashuria e respekti i shumë të tjerëve që i ndiqnin në ankth nga larg në kufi, në shërbime e në punë gjëndje e shokut e të komandantit të tyre. Dy muaj pas plagosjes doktor Borova në spitalin e Korçës u përkujdes maksimalisht për Neshatin, që ishte shumë rëndë nga plaga e marrë në kofshë, por edhe pasi përpjekjet e shtetit të kohës për ta kuruar në Moskë nuk u realizuan për garancinë e mjekëve në Korçë përsëri humbi jetën në lulen e rinisë në moshën 32 vjeçare. Pak kohë para se të shuhej mblodhi edhe njëherë gjithë forcat e tij dhe ju foli shokëve këto fjalë: “Tani u muarr vesh që unë nuk e gëzova dotë lirinë, të cilën e desha aq shumë, por mjafton që e pashë Shqipërinë të lirë…”. Bashkëshortja e tij, Fatimja e arriti të gjallë në momentet e fundit kur Neshati ishte në agoni në spitalin e Korçës dhe mori amanetet e porosinë e fundit, për Mirin – dajlin e tij katër vjeçar që s’e kishte parë që në maj të vitit 1944. Sido që të jetë puna, i tha Neshati, djalin ta rritni me kujdes, të bëhet i mirë, të dojë si gjënë më të shtrenjtë Atdheun. Dhe kështu mbylli sytë përgjithmonë më 21.7.1945. Korça e përcolli si djalin e vet për në vendlindjen e tij në Fushëbardhë, ndërsa Fushëbardha, populli i krahinës së Kardhiqit, përfaqësues të organeve të shtetit të Gjirokastrës e përcollën me lotë në sy për në banesën e fundit më 23.7.1945. Shoku i armëve Mitat Kondi shkruan: “Unë e shoqërova trupin e tij për në Gjirokastër, e varrosëm në Fushëbardhë me dhimbje të madhe, më tepër si një shokë të ngushtë të jetës jetime, të atij e timen, të jetës së halleve e një shokë të pandarë që nga fillimi e deri në mbarim të Luftës Nacionalçlirimtare..”. Populli e përjetësoi në këngën e tij: “Trim o trim Neshat Xhemali,/dëshmor vetë, dëshmor i ati..”. Baba e bir, i bashkoi përjetësisht ideali i lirisë së Atdheut. Lot dhe dhimbje për një trim të shquar dhe bir të denjë të fshatit Fushëbardhë, për një dëshmor që nuk harrohet kurrë. Kur pushteti qendror e vendor vendosën që dëshmorët të kishin varrezën e tyre të përbashkët ku të preheshin trimat, dëshmorin Neshat Kondi e çvarrosën përsëri për ta përcjellë me nderimet më të larta në Varrezat e Dëshmorëve të Gjirokastrës, ndërkohë që panë se toka mëmë e kishte mbajtur dëshmorin krejtësisht sikurse ishte, prandaj dhe shokët e luftës thanë, “..nuk paska ndryshuar fare!”. Jeta vazhdonte. Hallet e pasçlirimit nuk kishin të sosur dhe në këto kushte njerësit e saj e martojnë Fatimen, bashkëshorten e dëshmorit me Elmaz Zervoin një djalë ushtarak me emër në Fushëbardhë dhe jo vetëm. Djali i dëshmorit do të gjente një familje të re, por dhe mbështetje dhe ngrohësi familjare, pasi këtu u bë edhe me dy motra dhe katër vëllezër. Kujtimi i babait përjetohej në një familje të madhe. Nëna e Fatmirit, Fatmija u bë shembulli i mirësisë njerëzore dhe mbashtetjes së vijueshme ndaj Fatmirit, por dhe fëmijëve të tjerë që solli në jetë, Suhorovin, Filloretën, Ismetin, Perlatin, Dhuratën dhe Agimin. Djali i dëshmorit Neshat Kondi shkëlqeu në mësime, ndoqi studimet në ish-BS dhe i shërbeu me dinjitet dhe krenari vendit të vet dhe aktualisht ka një djalë dhe një vajzë që kujtojnë, nderojnë e respektojnë familjarisht gjakun e dëshmorit të Atdheut, Neshat Kondin e shquar në historinë e Fushëbardhës, në historinë e Labërisë dhe të Shqipërisë. Neshat Kondi është nderuar nga shteti urdhëra, medalje e dekorata të ndryshme si: medalja e trimërisë, Dekorata e kujtimit, Medalja e 10 vjetorit të çlirimit, si dhe me titullin e lartë “Dëshmor i Atdheut”.
*
Trimat nuk vdesin, … ata ngelen në këngë…
Rapsodi i Fushëbardhës e përjetesoi Neshatin me gjithë dëshmorët e fshatit me këto vargje:
“Krenohu moj Fushëbardhë,/ Për ata trima që tu vranë,/ Kapetan Neshat Xhemalë (Xhemal Kondi ka qenë gjyshi i Neshatit, edhe ky luftëtarë i shquar),/ Shqiponja majë për majë….e tjera. Një këngë tjetër thotë: “Trim o trim që s’u përkule,/Neshat Kondi o lule,/Male shtigje kapërceve,/në lugina dhe xhade,/prit, godit m’ato kolona,/fashizmin e bëtë pre..”. Kënga nuk ndalet: “Kujtoi moj Fushebardhë,/lule Fushëbardhë,/Gjithë trimat që t’u vranë,/Neshat Kondin trim i rrallë,/Shqiponjë e maleve mbarë…”. Një këngë që ka hyrë në fodin e artë të këngëve polifonike labe është edhe “Këngë për dëshmorët e fshatit Fushëbardhë” të shkruar nga ish mësuesi dhe ish-drejtori i shkollës “’Karafil Bello”, Tamas Kondi: “Një këngë për dëshmorët tanë,/ Alem Shehu me Tahirë, (Alem Shehu dhe Tahir Xhuvani),/ Ranë në Borsh dy kushëri,/ Kutbi Gjeçi deli djalë, (Kutbi Gjeçi)/Lule Sami Golemi./(Sami Golemi),/ Neshat Kondi erë mali, (Neshat Kondi),/ Xhezo Proda djal i ri. (Xhezo Proda),/ Latifeja me Baxhulë, (Latife Nora, Baxhul Nora),/ Cirok Cama mal i lartë, (Cirok Cama),/ Ziadini trim i rrallë, (Ziadin Çarçani),/ Destan Nora flak mbi flakë, (Destan Nora),/ Që të gjithë ishin luanë,/ Dhanë jetën për liri./ Ratë o bij ju për vatanë,/ Ratë si trimat me pallë,/ Dragonj të Fushës së bardhë. Autori tekstshkrues i këngës “Dymbëdhjetë yje të rrallë”: Tamas Kondi. Marrësja: Natasha Kapo, Kthyes: Maksim Onjea, Hedhës: Habip Maçi, lënduar në vitin 1975, ku kënga: “Ç’ligje ligjërove,/ t’i moj Fushebardhë,/ Prite e ç’nuk prite,/ dymbëdhjetë të vrarë,/ Kadia te Shkalla,/Qante të vëllanë,/Ç’i tha Xhezos Bijua,/Prodajtë ç’í thanë?,/Alem e Tahiri,/ kushërinj të parë,/Në Kalanë e Borshit, seç mbetën të vrarë,/ Trimi Cirok Cama,/Luftoi si luanë,/Gjakun derdhi lumë,/Besën për vatanë,/Neshat Kondi ymërgjati,/Dëshmor vetë, dëshmorë i ati../. Është një këngë e veçantë për dëshmorët e Fushëbardhës por dihet që e ka shkruar Tamas Kondi dhe ndoshta kënduar nga Guro Golemi/Resuli; ndërkohë që Tajar Proda, Gazi Kondi, Mato Mato dhe kur është bërë kënga më 1975, nuk ishin shpallur ende dëshmorë të Atdheut. Në fshatrat e Labërisë këndohet shpesh dhe kënga: “Trim o trim Neshat Zhulati, dëshmor vetë, dëshmor i ati,…” (Mbiemrin “Zhulati” populli ja ka vënë trimave, personaliteteve pavarësisht cilit fshat i përkisnin sepse në kohët antike Zhulati shtrihej në dy krahinat e sotme fillonte tek Ura e Kardhiqit ose në Humelicë dhe përfundonte në Qafë të Breshërit në krahinën e Rrëzomës). Dhe njeriu mban këmbët. Në dy vargje të thjeshtë futet pavdekësia e njeriut tonë. Fshatarët e moshuar e dinë mirë se përse bën fjalë kënga, ku çdo vatër në këto anë e mban mend mirë Neshat Kondin, partizanin e orëve të para, njeriun e halleve, por dhe të buzëqeshjes, njeriun e popullit, që ngeli në këngë. Ja edhe kënga e plotë: Dëshmor Ti, dëshmor i Ati, (Këngë kushtuar dëshmorit Neshat Kondi): “Vjeshtë me erë lirie,/Nëntëqint dyzet e dy,/ Yll në ball e armë ngjeshur,/Shkrepave në Labëri./Bir i shqipes fitimtare,/Neshat Kondi o lule,/I rritur në ato male,/Me pushkënë supeve,/Në Fushëbardhë,/Me Argjerinë e trimave,/Luftove si trim me fletë,/Me pushkë e me dituri,/Komandant i respektuar,/I vendosur në Parti,/Trim o trim që s’u përkule,/Neshat Kondi o lule,/ Male, shtigje kapërceve,/Në lugina dhe xhade,/Prit, godit ato kolona,/Fashizmin e bëtë pre./Që në Sarandë e përpjetë,/Dibër, Tiranë e Malsi,/ Elbasan e Korçë plakë,/ Pezë e Mat e Arbëri./Trim o trim Neshat Fushëbardha,/Dëshmor ti, dëshmor i ati,/Dëshmor gjyshi dhe i ungji,/Dhë stërgjyshi vdiq nga plumbi/Ti u ngjave gjë s’të tundi,/Kishe nënë zemër plumbi”.
*
Burimet e studimit:
Heronj të heshtur, vëllimi 8, shtëpia botuese “8 Nëntori”, përgatitur nga MPB, Tiranë, 1983. Faqe 99 deri 103, (Neshat Dullah Kondi 1913-1945), Fushëbardhë, Gjirokastër; Neshat Kondi ish-luftëtar dhe drejtues partizan në Br2S është shpallur “Dëshmor i Atdheut”, me Vendim Nr. 65 datë 2.10.1971, të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, pranë Ministrisë së Mbrojtjes (sipas librit zyrtar në Republikën e Shqipërisë: Prof. Asoc Zaho Golemi, Prof. Asoc. Bernard Zotaj, “Dëshmorët e Atdheut”, të Ministrisë së Mbrojtjes, Tiranë, 2012, publikuar me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, faqe 88 (Dëshmorët e atdheut, Gjirokastër, rreshti 3); Kanë shkruar për Neshat Kondin: Resul Bedo, Mitat Kondi, Alem Çako, Islam Poçi, Kudret Eveli (Vërmik), Gani Goxhi (Borsh), Pavllo Shambro (Grapsh), Urhan Puto, Vasil Bodari (Bodar, Përmet), Myrteza Ciruli (Libohovë), Janaq Karapataqi (Korçë), Hamit Manaku (Berat); Gani Haloçi, Ahmet Aliko, Hasko Kasi, Vezir Kondi, në librin e serisë Yje të Pashuar (20 libra); Mitat Kondi ka shkruar një libër të posaçëm me 112 faqe (dorëshkrim shtypur me makinë dhe gjendet në familjen e të birit të Neshat Kondit, Fatmiri), “Jeta dhe rruga luftarake e dëshmorit Neshat Dullah Kondi”, Tiranë, 1981; Vezir Kondi, Shqiponja e Fushëbardhës, Fier: Shtupshkronja “Ymeraj” Maj 2013; Fadil Shehu, Trim dhe Agjitator i flaktë, botuar në gazetën Pararoja, organ i KP të rrethit Gjirokastër, 23.7.1980; Fadil Shehu, Shqiponja e Fushëbardhës, Pararoja, 25.7.1981; 27.7.1985, 28.7.1990; Vezir Kondi, Neshat Kondi partizan i orëve të para, gazeta “Labëria”, organ i SHAK “Labëria”; Vezir Kondi, Dëshmori Neshat Kondi nga Fushëbardha, revista “Pavdekësia”, nr.42, Dhjetor 2005; Vezir Kondi, Neshat Kondi trim i rrallë, revista “Pavdekësia”, nr.54, shkurt 2008 dhe nr.71 viti 2010; Nure Lamçellari, Neshat Kondi Përherë i nderuar; Rait Haska, Gazeta Kushtrim Brezash, 25.8.2009; Vezir Kondi, Neshat Kondi luftëtar i idealeve të lirisë, gazeta “Zerii Popullit”, 17.7.2009 dhe datë 16 janar 2013; gazeta “Zëri i së vërtetës, 9.3.2013; gazeta “Telegraf” 5.8.2005; Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, “Labëria”, “Telegraf”, “Dielli”, gazeta “Ushtria”, Revista “Mbrojtja”, portali “Albspirit” etj.
-&-