Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: Emocionet që ngjall varfëria…

Netë të shkuara ndesha në Digitalb filmin ‘Vagabondi’ të Raxh Kapur. Mbaj mend se andej nga fundi i viteve 1950, kur po hyja në moshën e adoleshencës, filmi pat bërë bujë të madhe, kurse kënga e tij kryesore “Awaara Hoon”, që ne e shqiptonim ‘abara mu’, këndohej gjithandej. Filmi renditet ndër më të suksesëshmit për numrin e spektatorëve, madje revista Time në 2012 e përfshinte ndër 100 filmat më të mirë të të gjitha kohëve.

Përkundër gjithë këtyre meritave, parmbrëmë nuk arrita ta ndiqja deri në fund ngaqë më ngjau tejet sentimental dhe i vjetëruar thuajse në gjithë përbërësit. Dhe kjo është e kuptueshme, kanë kaluar më shumë se 60 vjet nga koha kur e pashë për herë të parë dhe as unë, as teknika e kodet kinematografike nuk jemi më të njëjtët.

Po pas gjasash ‘Vakabondi’ më pat pëlqyer aq shumë edhe për një shkak ekstra artistik. Ishte një film ku nuk lejohej hyrja nën moshën 18 vjeç dhe unë e pashë duke hyrë hajdutshe: ngjitur pas palltos së një të panjohuri arrita të kaloja kontrollorin e biletave. Një punonjës tjetër që, me sa dukej më kishte pikasur, erdhi dhe më kapi pas zverku po ndërkohë u fikën dritat e koridorit për të lajmëruar shikuesit të hynin në sallë.

Për çudinë time sa u bë errësirë punonjësi më lëshoi dhe kështu arrita ta shoh filmin, mollë e ndaluar, ulur në një nga shkallaret. Ka të ngjarë që asaj nate pata një arsye plus të bëja atë që bëja thujse në çdo film: të identifikohesha me heroin e filmit. Vakabond Raxhi, vakabond edhe unë adoleshenti centaur, gjysëm kalama e gjysëm burrë.

Në ato mote filmat ishin të paktë dhe bëheshin edhe më pak ngaqë ne fëmijët nuk mund t’i shihnim të gjithë. Fëmijët e sotëm shohin sa të duan e kur të duan. Filmat që shohin, të paktën teknikisht janë shumë më të arrirë sesa ata të fëmijërisë sonë. Dhe megjithatë nuk di të them: a emocionohen po aq sa ne? Apo emocionet që ngjall varfëria janë më të fuqishme se ato që ngjall bollëku? Sakën se më thoni: rroftë varfëria!

Please follow and like us: