Albspirit

Media/News/Publishing

Zaho Golemi: HITO KONGOCI DHE TOPAT E GORRICTË NË TREVËN E DELVINËS

(Në përkujtim të burrit të shquar të Labërisë Hito Kongoci (1810-1878), të 215 vjetorit të lindjes dhe 147 vjetorit të rënies të luftëtarit dhe kundërshtarit të të gjithë pushtuesve, i lindur në Fushëbardhë dhe të rënë në Rrëzomë të Delvinës; “arkitektit” dhe armëtar i njohur që ndërtoi topat prej druri me palcën e drurit goricës dhe i përdori me sukses kundër pushtuesve osmanë por dhe pushtuesve grekë, luftëtarit që e derdhi gjakun për mbrojtjen e truallit shqiptar. Hito Kongoci si armëtar ka hyrë në librat historikë e fjalorët enciklopedikë shqiptarë, ndërkohë që për gjakun që derdhi dhe jetën e fali për mbrojtjen e trojeve shqiptare në jug të vendit bazuar ligjin 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit dëshmor i Atdheut”, meriton ligjërisht të shpallet “Dëshmor i Atdheut”).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Shqiptarët në të gjithë shtrirjen gjeografike, mbarë trevat veriore e jugore nëpër shekuj kanë mbrojtur identitetin, ruajtur traditat, kulturën, zakonet, dhe mbi të gjitha janë përballur me pushtues të shumta. Përmes pushtimesh kanë mbijetuar sikurse dhe  popuj të tjerë ballkanikë, Europianë e më gjerë. Krahina vitale e Labërisë e ka parë “luftën si znatin tradicional të shqiptarit”, të imponuar nga invazionet e shumta të babëzitur pas pushtimeve. Nuk është e rastit që Çabej  i vlerësonte si “kastë luftëtare me armë në dorë..”. Në kuadrin e vlerësimit të figurave luftarake po sjellim një figurë reale që nuk është një legjendë, pasi Hito Kongoci ka identitet të plotë të një labi prijës luftëtar i shquar, por i ngelur edhe në këngë, që ka hyrë në histori dhe libra, që tregohet e këndohet, por edhe në dimensionin gjeografik dhe sot kanë ngelur toponime si “Maja e Hito Kongocit’, “Kalaja e Hito Kongocit”, “Rrathët e Hito Kongocit”, “Kalaja e topave të Hito Kongocit”, “Hito Topçiu-Kongoci”, Sinorët e Hito Kongocit”, por dhe në këngë si “Këngë për Hito Kongoci-Fushbardhë”, “Këngë për Hito Kongoci-Rrëzoma”, “Hito Zhulati me kordhë”, etj. Zhulati i këtejmë, Fushëbardha, Zhulati i tejmë, Tatzati, Kalasa, Koqinova e mbarë krahina e Kardhiqit dhe Rrëzomës e njohin figurën historike, luftëtarin dhe kundërshtarin e ashpër të të gjithë pushtuesve më shumë përmes gojëdhënës, por edhe nga vargjet e këngëve popullore. Ai ngeli në histori si mbrojtës i paepur i sinoreve të truallit arbëror, si mbrojtës i shqiptarizmës.

*

Hito Kongoci jetë e gdhendur në historinë e luftave të trevës labe

Hito Kongoci ishte lindur në një truall luftarak dhe patriotik në pranverën e vitit 1810 në Fushëbardhë, por që tokat e fisit të tij të Kongoce ishin përtej qafës së Skërficës në Vërri, sikurse edhe disa fiseve të tjera të njohur të Fushëbardhës si, Baho, Kazo, Kuci, Tefa, Shalari, Shkurti, Lagji, Këndezi, Deçka, Bello, Zervoi, Isaraj, Alidhima, Proda, Veliu, Kongoci, Golemi, Memushi, Cama, Rofi, Mullai, Resuli, Muho (Shaho Muho), etj. Fakt është se përreth tokave ishin dhe kullotat dhe fakt sikurse tregonin më të moçmit e fshatit, tokat që ka patur Fushëbardha në Vërri (kështu quhej në atë kohë më vonë u quajt Shënkoll e Fushëvërri), shtrihen nga Luvadhi e deri në qafë të Breshërit. Në këtë pikë fise të tjera kishin toka në Kakodhiq, Piks, qafë Dardhë dhe Honin e Sipërm, Kaçullat, Kofole, Mesare, Lëmëth, grykën e Shurit (deri tek shpella e Zhulit), Vështin e Goleme, gryka e Mokrave, Gjikeç, etj. Familja e oxhakut të Kongoce kishte haurët sikurse gjithë fiset e tjera në Vërri, edhe pse është vështirë ti përcaktosh identitetin fshaçe, pasi Hito Kongoci del përtej rajonizimit fshatçe është më shumë se krahinor, i përket Labërisë. Ishte koha kur pushtuesit osmanë kishin shtrirë sundimin në rajonet fushore e kodrinore dhe që egërsia e tyre në mbledhjen e taksave shkonte deri në rrëmbimin e kafshatës së fundit të bukës nga goja e fshatarëve, për të mbajtur gjallë dhe gjatë sundimin, për mbajtjen e një makinerie shumë të madhe njerëzish në ushtrinë osmane. Nga ana tjetër djemuria shqiptare sapo mbushte moshën për rekrutim në askerllik, nizamllëk rrëmbehej “me hir e pahir” për të mbushur radhët ushtarake në tre kontinente në rreth 8 milionë km², ku shtriheshin Sulltanati dhe pushtimet osmane. Hito Kongoci u rrit sikurse gjithë moshatarët dhe mes halleve dhe vuajtjeve por dhe taksave tërënda. Babai e gjyshi i tij në linjë stërgjyshërore kishin qenë kundërshtarë të pushtuesve, dhe nuk e njihnin “urtësinë”, kur ja kërkonte puna, edhe pse nga brenda nga zemërimi ishin zjarr përvëlues. Edhe pse e dinin fatin e të qënit “asker”, Hitua nuk ju shmang shërbimit të gjatë të detyrueshëm ushtarak shtatë vjeçar. Bashkë me shokë të fshatit, Labërisë, Delvinës etj, hipi vaporrit “Daut”, që kishte marrë djemuri shqiptare edhe në skelat e Ulqinit, Shkodrës, Shëngjinit, Durrësit e Vlorës. Ishte koha kur nizamllëku i kushtonte shqiptarëve më shumë se 14 mijë djem në vit që bë kryenin shërbimin në të gjithë anët e Sulltanatit Osman. Kështu vepronin dhe djemtë e Fushëbardhës që i merrnin “nizamë”, (rregull, rend, ligj), i çonin në Delvinë, dhe nga garnizoni i Delvinës grumbulloheshin djemtë që do bëheshin “askerllikun” i çonin në skelën e Sarandës. E kishte edhe kjo “të mirën” e vet dhe kjo e mirë ishte arti më i vështirë në botë që ishte lufta si art shkatërrimi. Nizamllëku i kishte mësuar e burrëruar, në kufijtë ekstremë të jetës, u kishte mësuar artin luftarak osman, përdorimin e armëve, kamës, thikës, pushkës e deri edhe topat, që e kishin profesion të trashëguar në breza nga tradita luftarake liridashëse. Askush nga djalëria e këtij vendi nuk e harronte  anijen që i çonte në “anën tjetër të dynjasë, ku piqet buka në diell”, që i dërgonte në kazermat ushtarake/askeri këshllasënda, të Portës së Lartë “ajkën e djalërisë” shqiptare, në zbatim të fermanëve famëkeqë, që Sulltanati mbushte radhët ushtarake për të mbajtur pushtetin e pushtimit me zjarr e hekur, por më shumë me gjak. Njerëzit në brigjet shqiptare e quanin pampori i dhimbjes, mallëngjimit e shpresës. Hito Kongocit dhe disa shokëve të tij i priu “fati”, që pas karantinës të caktohej në “Topçu Denizli” në mbrojtje të kështjellave detare osmane. Këtu mësoi principin e funksionimit të topave dhe mendjen e kishte në vatanin e tij. Vitet kaluan dhe qitapët e njësisë bregdetare i ofruan të qëndronte rrogëtar, por nuk pranoi dhe u kthye i gjallë pas shtatë viteve në vendlindje. Hito Kongoci 25 vjeçar kishte ardhur në kohën kur ziente vendi nga rrebelimi dhe kryengritjet shqiptare. Shqiptarët i pritën me përbuzje traktatin e “Gylhanesë” (reformat e Tanzimatit të 1839-ës), që synonte konsolidimin e perandorisë osmane. Askush nuk ishte dakord me reformat e sulltan Abdyl Mexhitit, në fushën administrative, financiare, ushtarake e arsimore. Kështu reformat në vend që të qetësonin shqiptarët i hodhën “benzinë zjarrit” dhe kryengritjet u finalizuan më 1847, ndërkohë që Osmanët ishin shtrirë në gjashtë vilajete në Ballkan (në 165 mijë km², ku popullsia e Ballkanit nën pushtim ishte 5.5 milionë banorë). Hito Kongoci ishte pjesë e të dënuarve për rrebelim, por është falur pasi mbashkë me kapedanë të tjerë të Labërisë u bë pjesë e detashmenteve labe që shkuan vullnetarisht si “redif”/rezervistë për të mbrojtuar tokat shqiptare në vilajetin e Shkodrës (sot hapësira administrative e Malit të Zi). Hito Kongoci ju përgjigj thirrjes si redif/rezervist në mbrojtje të truallit arbëror të vilajetit të Shkodrës nën thirrjen: “Vilayet tehlikede”/vilajeti në rrezik!, dhe shkoi bashkë me Zenel Gjolekën, Hodo Ali Nivicën, Gjikë Thanasin, Halim Toto Progonati, etj. Trimat e Labërisë filluan luftimet në zonën e Kërnicës e pastaj u zgjerua dhe nga krahu i Taraboshit. Luftimet e detashmentit lab në veri kanë ngelur në kujtesën mbarëkombëtare edhe pse aty mbetën përjetësisht në altarin e lirisë si martirë të pavdekshëm të Atdheut. Hito Kongoci edhe pse u plagos dy herë mundi të mbijetonte plagëve dhe nuk e dha veten. Ai u bë përsëri i aftë për luftë, por këtë herë për luftë kundër çdo pushtuesi si osmanë edhe andartë që vinin nga deti për zaptimin e trojeve shqiptare në jug. Në kohën që luftohej në veri për tokat shqiptare lindi edhe kënga lapidar e Labërisë: “Përse lufton a derëzi?/ As për mua, as për ti,/Po për gjithë Shqipëri!”. Lufta për mëmëdheun përjetësohej në vargje: “Mëmëdheun nëpër shekuj,/vrarë e prerë po kurrë vdekur,/ lumenj gjaku për flamur,/ Si nuk humbi pyet bota?,/ Prerë me shpatë djegur me topa?/ Jo, nuk humbet shqiptari,/ e provon çelikun zjarri”. Pas këtyre betejave nga veriu, greku kërcënonte nga Jugu dhe më 1854 përsëri një përballje e përgjakshme, por këtë herë armatosja e taborëve të redifëve shqiptarë bëhej në Delvinë dhe në Janinë dhe luftime të përgjakshme për mbrojtjen e tokës shqiptare në Petë, Mecovë, Artë dhe në të gjithë Çamërinë. Trimfuan mbi grekun e parë, por me osmanët nuk u bënë kurrë miq sepse mbeteshin në armiqësi të përjetshme. Por në këto vite në Labëri kishte një famë të madhe çeta e shquar e Bilbilenjve, që ishte me 13 vetë, por bilbilenj kishte në çdo fshat të Labërisë në të pesëqind fshatrat e saj. Kështu nga Fushëbardha kishte me dhjetra bilbilenj, pasi për nder të Bilbil Shakos komandantit të bilbilenjve, këtë emër merrte kushdo rrëmbente pushkën kundër pushtuesve. Kështu nga Fushëbardha bilbilenj të njohur sipas dokumenteve muzeale kanë qenë: Sadik Hazbi Memushi, Myrteza Sulli, Skëndo Habil Xhuvani, Musa Mustafa Rofi, Hito Kongoci, Gafur Kondi etj. Çdo fshat kundërshtonte taksat e rënda në mënyrën e vet, edh epse mënyra më e ashpër dhe e drejtpërdrejtë ishte e bilbilenjve, që e përfunduan misionin e tyre duke u vetdorëzuar dhe “shkuan në litarë vetë,/bilbilenj të trembëdhjetë” më shkurt 1858. Bilbilenjtë u varën në Janinë tek rrapi i falë, por ideali i tyre nuk u shua, vijoi të mbetej i ndezuar prushi i atdhetarisë dhe i këndërshtimit të çdo lloj pushtuesi. Kështu ngeli i paepur Hito Kongoci, sikurse dhe prijësa, kapedanë e luftëtarë të tjerë të trevës labe.

*

Topat e gorrictë në fushëbetejat e Labërisë në jug të Shqipërisë

Luftëtarët shqiptarë në very dhe në jug të vendit kanë qenë inovatorë në fushën e betejës. Ata kanë ditur të bëjnë zgjidhje dhe zgjedhje për ta nënshtruar armikun. Një prej këtyre zgjidhjeve që vjen që nga koha e Motit të Madh të Arbërit, nga periudha e Gjergj Kastriotit Skënderbeut e në vijimësi. Kështu në faqet e librit enciklopedik publikuar në Prishtinë përshkruhet “topi prej druri”, si një armë zjarri e përgatitur prej drurit të lisit ose të gorricës nga luftëtarët armëtarë shqiptarë gjatë kryengritjeve kundërosmane. Është përdorur për t’u mbrojtur në qafat e maleve, në majat e kodrave dhe në kështjellat. Efekti kryesor i tij ishte të shkaktonte pështjellim të madh në radhët e ushtrisë së osmane. Të dhënat kryesore të topit prej druri janë: kalibri 100-150 mm, gjatësia e përgjithshme 1000-1500 mm, pesha rreth 60 kg (edhe më shumë), mbartja me kafshë ose dy luftëtarë, mbushja nga tyta, lloji i barutit me tym; distanca e larghedhjes 1000 deri në 1500 metra, si predha përdoreshin gurë ose copa metalesh të ndryshme, por për nga forma dhe përmasat por dhe funksionimi ishte krejtësisht artizanal. Historikisht njihen këto raste të përdorimit të kësaj “artilerie” të kryengritësve shqiptarë: armëtari luftëtar Dedë Gjeri që përgatiti një top prej trungut të lisit dhe e përdori atë në Kelmend më 1638 kundër osmanëve (Ekspedita e Vuço Pashës); një top prej trungut të goricës u përgatit dhe u përdor nga Hito Kongoci në Fushëbardhë/Zhulat (Gjirokastër) në shek. XVIII; në kryengritjet kundërosmane të viteve 1909-1912, janë përdorur top prej druri në Qafën e Morinës, në Sukën e Babajve të Bokës, në Hereç të Gjakovës, në Betejën e Qafës së Agrit, nga Mitër Kola etj. Një model i topit prej druri (është riprodhuar nga Zef Temali në vitin 1981) ruhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë. (Riza Drishti, FEUSH, Prishtinë, 2020, f 902). Por këto janë vetëm disa fragmente të larmisë së mjeteve luftarake të përdorura nga shqiptarët. Ndërkohë që të dhënat flasin se Hito Topçiu, ose Hito Kongoci është ndërtues edhe i katër topave të gorrictë në trevën labe. Topat e artilerisë së Hito Kongocit ishin një lloj artilerie artizanale, por funksionale, që futi panikun brenda radhëve ushtarake të rregullta armike. Kjo metodë u përdor me efektivitet nga kryengritësit që e ndërtuan artilerinë jo me shkrirje topash por me artilerinë e vendit, me topa që ishin ndërtuar me palcën e drurit të gorricës, por edhe të lisit, të karfosura me unaza hekuri. Këto topa prej druri u përdorën me efektivitet në luftën e Palavlisë në Rrëzomë të Delvinës, ku përmendet në vargje kënge mjeshtri Hito Kongoci. Taboret e pushtuesve i zuri paniku kur “artileria shkëmbore nuk ishte vetëm në grykat e maleve që ishin të pritshme për pushtuesin, por edhe në fushë të hapur, kur gjylet binin breshër dhe prishnin formacionin luftarak të armikut duke future tmerr dhe frikë në radhët e tyre. Koqinova në krahinën e Rrëzomës në Delvinë u shndrua në një realitet të ri luftarak të panjohur më parë. Taboret armike njëhën një armë të re në duart e kryengritësve, topat që qëllonin nga se prisnin. Vendi do mbushej me gjyle dhe kështjella në Koqinovë do të shndrohej në një fortesë shumëdimensionale. Artilierët e Labërisë ngritën kështjellë dhe e fortifikuan në të gjithë drejtimet. Kështjella natyrore solli një dimensión të ri lufte. Prijësi dhe drejtuesi, topçiu i vjetër që i kishte kaluar të gjashtëdhjetat kishte përgatitur edhe topçinjtë e rinj, ata që kishin djersitur ditë e natë për  ta bërë majën e Koqinovës me një emërtim të ri “Maja e Hito Kongocit”, për ta përjetësuar  luftën në fushë e në kodër, në kështjellën e Koqinovës. Luftëtarët e çetës, zhvilluan një luftim mbrojtës mjeshtëror, edhe nuk e prisnin që misioni i tyre të ishte kaq rezultativ si një “traktat lufte”. Ata nuk e dinin se edhe traktatin e luftës së artilerisë e shkruante një shqiptar në austri Gjergj Basta, por në fakt çeta labe po e zbatonte këtë traktat nga eksperienca luftarake e shqiptarëve në shekuj, por dhe nga mjeshtëria e drejtimit të Hito Kongocit. Hito Kongoci e gjeti lëndën e parë tek gorricat e vjetra të zonës, që kishte me shumicë, duke prerë disa nga trungjet më të fortë e që ja vlenin për misionin që i priste. Kjo u bë edhe për faktin se faqja e malit të Lucës, por dhe mali i Lavanit kishte lisa që mund të shërbenin për këtë punë, por puna nuk priste, ndërkohë që për gjyle shërbenin gjithëfarë gurësh të rrumbullakosur por dhe copa metalesh e gjyle të vjetra të luftarave të mëparshme të zhvilluiar në këtë zonë. Fillimisht bashkëluftëtarët e tij nuk e besonin nismën e Hito Kongocit, kur ai e vetë i pari. Gdhendja e drurit ishte një mjeshtëri e njohur e gjithë trevës labe. Por jo për të krijuar topa lufte. Kështu trungjet ndaheshin më dysh dhe gdhendeshin me dalta, sopata e hanxharë. Hitua gjithë merak kishte siguruar edhe rrathë hekuri nga të bucelave dhe vedrave të staneve. Pasi përgatiti “bombardën e gorrictë”, që krahasur me drurët e tjerë, druri i gorricës është shumë i fortë dhe mund të realizojë tre deri në katër maksimumi pesë shtimje, forca e barutit e djeg dhe  e çan, për këtë arsye u përgatitën edhe bombardat rezervë. Hitua ju tregoi se kur të çahet e para, bëjmë gati tjetrin. Kjo ishte një taktikë dhe strategji e panohur për pushtuesin dhe as që e prisnin që inkursioni i taboreve të pritej nga gjylat që kërcisnin mbi formacionet armike. Hito Kongoci kishte menduar edhe për barutin, për folenë e barutit, për shtupën e fortë  dhe të padepërtueshme të gazrave si dhe gjylet (lënda vrasëse me gurë lumi të stërralltë, copëra hekurishtesh në formë saçme. Eshka e thatë mirë shërbente në vend të fitilit. Edhe pse ka të dhëna të ndryshme rreth kohëpërdorimin e topit të gorrictë, armiku gjithësesi braktisi fushën e luftës dhe u tërhoq në panik. Gojëdhëna thotë se Hito Kongoci përgatiti një duzinë topash për të siguruar vijimësinë e luftimit. Armiku provoi ta shuante rezistencën dhe artilerinë e tyre të ngritur në kështjellën natyrore, por që edhe pas përdorimit të lëndëve djegëse nga pushtuesit, luftimi vijoi me të gjithë armët e deri në përleshje trup me trup, ku humbën jetën mjaft luftëtarë dhe një ndër më të njohurit është edhe shpikësi i artilerisë  artilieri popullor, Hito Kongoci. Në Rrëzomë ende është Koqinova me histori ku shihen mbeturinat e kështjellës ngjajnë me një vend-guide muezeale që na kujtojnë brezit tonë dhe brezave që do të vijnë luftrat për mbrojtje të truallit arbëror, por dhe topat e gorrictë të prijësit komandantit, topçiut sypatrembur Hito Kongocit, si një trashëgimi historike e zonës, si një visar i çmuar të trimërisë lave sa të moçme aq edhe me vlerë. Ndërkohë që kënga nuk rreshti për më shumë se dy shekuj dhe nuk do të rreshtë kurrë: “Kush e njeh Hito Fushëbardhë,/Jelekzhveshur, pallëlarë,/Ngrehu topat e kalanë,/Në kuti ia hodhi zjarrë,/E dogji su dha i gjallë,/Në kala, në Koqinovë,/Hito Kongoci me kordhë,/Bën dyfek ruan sinorë,/Me venedikt e arhondë,../Me junanë e me osmanë,/Për Vatanin e dha xhanë.

*

Histori e shkruar në këngë, e dokumentuar në kujtesën mbarëpopullore

Shekujve të shkuar kur Shqipëria nuk kishte shtet dhe institucione, pushtuesit nuk lanë gjë pa bërë për të fshirë nga faqja e dheut historinë e shqiptarëve. Por kishte një mekanizëm interesant që nuk mund ta shuanin të shkuarën tonë edhe kur nuk ka dokumente. Kështu këngët që u ngritën nga rapsodët në kuvende dhe në beteja mundësuan ruajtjen e historisë. Kënga i ka bërë një shërbim të çmuar shqiptarizmës duke folur edhe për trupat e asgjësuara, edhe për heronjtë e rënë betejave, edhe për datat, edhe për ngjarjet, edhe për gjakun e derdhur për liri. Këngët që nga Mesjeta vijnë deri në ditët tona shkojnë edhe më shumë se dhjetë shekullore: “Lum o lum Petro Zhulati,/kali kuq sa gjysëm shpati,/ me bizant të zu inati..”, ose “Dëgjuar e parë kini,/ Në Senicë u bë pajtimi,/ /Mbani vesh o kapedanë,/ Të madhe ju bëj rixhanë,/ Të mençur e pleq me radhë,/ Të lidhemi besë e fjalë,/ Se të gjithë trimat u vranë,/ Mbetën shkretë këto anë,/ Vritet shoqi me vëllanë,/ S’jemi turq e venecianë,/ Jemi gjithë shqipëtarë,/ Jemi një gjak e një farë..”. Kënga për Kito Kongocin gjëmon edhe sot e kësaj dite: “Në kala, në Koqinovë,/ Hito Zhulati me kordhë,/Si asllan ruan sinorë,/Të gorrictë e bëri topnë, Kush e njih Hito asganë,/Me një bengë djelm asllanë”. Populli këndon gjithashtu vargje të lira për të rënët: “Fushëbardhë t’u rritën djemtë/Të luftojnë për dovlet,/Pallëlarë proto i pari, Sadik Memushi Kordhëtari, Djalë i vetëm Myrtezai (Sulli), Musa (Mustafa) Rofi djalë mali, Skëndo Habili (Xhuvani) luani… Hito Kongoci topçiu,/Në Koqinovë llogoret ngriu/lexo ngriti, (1878), për vatanë jetën e shkriu,/ Resul (Beqo) Resuli (1897) redif, në Janinë në mexhlis,/ ndezi zjarrin e lirisë..”. Historia natyrshëm vjen përmes emrash të trimave që udhëhoqën luftimet, në ballë të luftës të bijëve nga Fushëbardha: “Kush u hodh proto i pari,/Sadik Memush bajraktari,/topçitë me top ia dhanë,/flaka i mori fustanë,/fora e bëri jataganë,/ për vatanë o të vdekur, o të gjallë. Në atë betejë luftarake u dalluan burrat e fshatit Fushëbardhë të komanduar nga Osman Kuci. Kënga tjetër po në atë betejë më 1878 thotë: “Ra topi në Palavli,/Ra topi në Koqinovë,/Palavli shtatë taborë,/Ra topi në Palavli..”. Një rol të rëndësishëm luajti në këtë betejë edhe topi i gorictë i Hito Kongocit. Hitua me mjeshtërinë e tij e përdori për panik dhe shpërqëndrim e deri në shpartallim topin e gorictë. Ai e përdori këtë për të frikësuar ushtritë e huaja dhe për t’i larguar ato nga trojet e vendit tonë.Tjetër këngë nga rapsodi fushëbardhas totë: “Kush e njeh Hito Fushëbardhë,/ armëngjeshur pallëlarë,/ Ngrehu topat e kalanë,/Në kuti ia hodhi zjarrë,/E dogji su dha i gjallë,/Në kala, në Koqinovë,/ Hito Kongoci me kordhë,/ Bën dyfek ruan sinorë,/ Me Venedikt e Arhonë,/ Me junanë e me osmanë,/ Për Vatanin e dha xhanë…”. Në dokumentat që kishte ish Muzeu i Fushëbardhës por dhe në fondet arkivore të Muzeut të Gjirokastrës në kala (kutia nr.59 e disjes së muzeut të Gjirokastrës), gjejmë se në luftë me osmanët në Bradhomë e Palavli të Rrëzomës (Delvinë)  u vranë edhe këta fushëbardhas: Skëndo Xhuvani, Myrteza Sulli, Musa Rofi (nga Fushëbardha shkoi të banonte në Kopaçez) dhe Sadik Hazbi Memushi. Gjithësesi emrat vijnë në këngë dhe kënga tregon trimërinë, gjakun e derdhur në mbrojtje të truallit arbëror: “Gjithë armiqtë le ta dinë,/të shikojnë historinë,/vet koha e ka treguar,/se kushdo që na ka pushtuar,/me lëkurë e ka paguar,/Ca burra, ca djem astritë,/me asqerët e Turqisë,/gjyle nga Bradhoma nisnë,/ndizej flakë gur e lirisë,/flet Mehmeti me Rakipnë,/që në Livadh e në Delvinë,/nga Fushëbardha u grinë,/Nga Labëria e gjithë,/jetën dhanë për Shqipërinë. Fakt është se trualli shqiptar, në veri dhe në jug, në Kosovë dhe në Çamëri, në të katër vilajetet e shqiptare dhe sidomos në vilajetin e Janinës ku luftoi dhe u përgjak në katër luftra Labëria, ka një bilanc të luftimeve, ku gjaku është derdhur lumë lumë në beteja të shumta. Fushëbardha sikurse Zhulati, krahina e Kardhiqit, krahina e Rrëzomës dhe më gjerë gjithë Labëria e ka paguar lirinë me gjakun e qindra e qindra dëshmorëve dhe padyshim një ndër dëshmorët që ka fituar pavdekësinë është edhe emërndrituri në historinë labe, emërndritur në historikun e Fushëbardhës Hito Kongoci. Prandaj përkujtohet edhe pas 167 vjetë pas rënies në fushën e nderit dhe që në bazë të ligjit 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, meriton të shpallet me titullin e lartë  “Dëshmor i Atdheut”.

*

Burimet e studimit:

Riza Drishti, “Armët dhe armëtarët shqiptarë”, Tiranë, 1976, faqe 80 deri 81, Të dhëna nga pubicisti i shquar ushtarak Agim Hila, Zeqo Cama, burime gojore gojëdhënë e këngë që plotësojnë historinë atje ku mungojnë burimet arkivore dhe që vijnë si referenca nga Resul Bedo, Neki Golemi, Tafil Lagji, Bilush Shkurti, Felek Golemi, Pajtim Bello, Trifon Golemi, Nexhip Onjea, Angjelo Kazo, Isa Bello, Vlash Leka, Teli Resuli, etj; Fero Golemi, Nga Fushëbardha në Ushtrinë Popullore, Tiranë, 2015; këngët e kënduara në popull, “Ra topi në Palavli”, “Gjithë armiqtë le ta dinë,/Nuk e japim Shqipërinë”, “Në Koqinovë në majë, Kush e njeh Hito Fushëbardhë”; si dhe “Kush e njeh Hito Fushëbardhë, jelekzhveshur, pallëlarë..”, kënga “Në kala, në Koqinovë, Hito Zhulati me kordhë”, “Kush e njih Hito Zhulanë,/Me një bengë djelm luanë..” (varjant kënge është edhe “asllanë”, por populli e ka shqipëruar, “asllan-luan”; “Armëtarët” publikuar më 7.10.2018 dhe referuar Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985; Dokumentacion nga ish Muzeu i fshatit Fushëbardhë; dokumente arkivore nga Muzeu i Luftës në Gjirokastër, arkivi, dosja nr. 59 me materiale arkivore që bëjnë fjalë edhe për fshatin Fushëbardhë; Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: “Fushëbardha – djepi i historisë trimërisë, lavdisë dhe mençurisë labe” publikuar në disa organe të shtypit; Zaho Golemi, “Mite e legjenda historike, Zhulati i tejmë për Zhulatin aktual dhe Zhulati i këtejmë për Fushëbardhën”; https://historiashqiptare.net/21-shkurt-1913-renia-e-kryeqytetit-te-toskerise-janines-ne-duart-e-grekeve/;https://alb-spirit.com/2023/02/10/ sadik-memushi-emer-gdhendur-perjetesisht-ne-kujtesen-e-kombit-arberor/; Zaho Golemi, Lufta për Vilajetin e Janinës në katër epoka publikuar në revistën “Mbrojtja” 11, Nëntor/ 2019;  faqe 44 deri 50; Joseph Swire, Shqipëria ngritja e një mbretërie, Tiranë, Dituria, 2005, f.73; Edith Durham, Brenga e Ballkanit dhe vepra të tjera për shqipërinë dhe shqiptarët, Tiranë, 1991. Zaho Golemi, Shqiptarët në mbrojtje të Janinës, Mbrojtja, 2008; Riza Drishti, zëri “Topi prej druri”, FEUSH, Prishtinë, 2020 faqe 902: Periodiku i gazetës “Fushëbardha”, “Labëria”, “Ushtria”, Revista “Mbrojtja”, “Diskutime”, “Pavdekësia”, portal i mirënjohur shkrime dhe dosier me karakter historik në “Albspirit”.

-&-

Please follow and like us: