Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Ulqini i vogël me dashuri të madhe për librin shqip

Bashkë me studiuesin dhe poetin e njohur Sadik Bejko ishim të ftuar për tri ditë në Ulqin, në javën kushtuar letërsisë shqipe. Ishte hera e dytë që, brenda pak muajve, shkonim të dy në kryeqendrën e shqiptarëve në Malin e Zi, vend anëtar i NATO-s dhe shumë pranë pranimit në familjen europiane, ku bashkëkombasit tanë janë atje zëri më properëndimor.

Herën e parë, së bashku me profesor Ali Aliun, (anëtar akademie në Tiranë, Shkup dhe Prishtinë), botuesin e “Onufrit” dhe të përjavshmes letrare “Exlibris”, Bujar Hudhrin, kryeakademikun e Kosovës Mehmet Krajën dhe kryetarin e Art-Club, profesorin e universitetit të Shkodrës Ismet Kallaba, organizues i veprimtarisë, morëm pjesë në veprimtarinë triditore “In memoriam, Ismail Kadare”.

Asokohe u zhvilluan një sërë veprimtarish në kalanë e Ulqinit, në librari, në bibliotekë e deri në muzeun e Hajredin Kovacit në Draginë ku kryefjala ishte Kadare, personalitet i shquar, ndarë nga jeta në 1 korrik 2024, 88 vjeç, që e bëri shqipen gjuhë të metropoleve botërore dhe e radhiti letërsinë tonë në universin planetar.

Natyrisht që një veprimtari e tillë mund të zhvillohej në Shqipëri, Kosovë ose në Maqedoninë e Veriut ku mundësitë dhe resurset janë më të mëdha, por e bëri megjithatë këtë Ulqini, si për të thënë se është edhe ai një zë i veçantë kulturor në artin e viseve tona.

Me shkas nga dita ndërkombëtare e librit, që përjetëson dy shkrimtarë të përbotshëm, Shekspir dhe Servantes, Art-Club i Ulqinit organizoi javën e letërsisë shqipe, me një program të ngjeshur dhe me pjesëmarrje të konsiderueshme.

Në ditën e parë të veprimtarisë, në librarinë qendrore të Ulqinit, nën moderimin e profesores së gjuhëve të huaja në universitetin shtetëror të Malit të Zi, Sabina Osmanovic referuan Ismet Kallaba dhe Binak Kelmendi, kreu i Pen Qendrës së Kosovës, publicist, përkthyes dhe shkrimtar i njohur.

Në ditën e dytë, nën moderimin e mësueses pasionante të letërsisë Vediha Gjoni, të ftuarit nga Prishtina dhe Tirana bashkëbiseduan mbi procesin krijues me nxënës dhe rrethin letrar të shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim”.

Po në këtë ditë, nën moderimin e drejtoreshës së bibliotekës së Ukqinit Ardita Rama, së bashku me profesorin dhe shkrimtarin Ibrahim Berisha u bashkëbisedua për librat e gjithsecilit, por edhe për ballafaqimin e sotëm të letërsisë shqipe në Ballkan, Europë dhe më gjerë.

Në ditën e tretë, në shkollën 9-vjeçare “Bedri Elezaga” në Katërkoll, nën moderimin e publicistit dhe shkrimtarit Haxhi Shabani u zhvillua një seancë debati mbi programet dhe tekstet mësimore të letërsisë shqipe në Kosovë, Shqipëri e Malin e Zi ku referuan Dimitrov Popov, Sadik Bejko, Ibrahim Berisha, mësues të lëndëve të letërsisë dhe të ftuar të tjerë.

Po këtë ditë në shtëpinë muze të shkrimtarit Hajredin Kovaçi në Draginë, nën moderimin e Vediha Gjonit u zhvillua tryeza e bashkëbisedimit me poetët Sadik Bejko dhe Sai Bashota. Brenda kuadrit të kësaj jave për letrat shqipe ishte edhe bashkëbisedimi me ish drejtues dhe drejtues të shkollës 9-vjeçare Gjergj Kastriot Skënderbeu në Krajë, një mjedis i jashtëzakonshëm me një bibliotekë që mund të merrej shembull edhe në qytetet më të mëdha.

Është hera e dytë që marr pjesë në veprimtaritë e Art-Club të Ulqinit dhe ndjesia e parë që kam marrë është ajo e solidaritetit mes krijuesve dhe e dashurisë së veçantë për librin, letërsinë. Në Ulqin ka disa vite që zhvillohet një panair i përvitshëm libri, në viset shqiptare të kësaj treve kanë dalë personalitete të shquara, që janë shndërruar në emblema kombëtare, por, përpos tyre dhe përkundër goditjeve që po merr sot krijimi letrar nga teknologjia dhe globalizmi, banorët e këtushëm e kanë të palëkundur pasionin për këtë mjet themeltar kulturor.

26 prill 2025.

Please follow and like us: