Ymer Çiraku: VEPRA NAIMIANE NË PANTEONIN LETRAR SHQIPTAR
Dikur, një shkrimtar i njohur europian pati shkruar se kufijtë e një vendi, d.m.th. integriteti dhe egzistenca/siguria e tij, mund të ruhen me ushtarë – ose me statujat e poetëve. Atëhere, ashtu si për çdo popull e çdo komb tjetër, pa mëdyshje mund të thuhet se poetë shqiptarë të përmasave si Naim Frashëri, janë dhe mbeten shtyllat vertebrale e të sigurta të shqiptarisë. Dhe do t`ia vlente që popujt t`ia mbërrinin asaj dite, që përfundimisht ata të mund të mbrohen me “armët” më të sigurta e më paqësore, pra, me shpirtin dhe dritën e kulturës e të artit të tyre identitar, të përcjellë përmes magjisë së letërsisë. Këtë vlerësim do ta formulonte edhe gjuhëtari i shquar Eqrem Çabej, kur shkruante qyshse ishte fare i ri për N. Frashërin se ai: “është frymë nga fryma jonë dhe gjak nga gjaku ynë”.
Vepra letrare dhe kontributi i gjithanshëm prej misionari i Naim Frashërit, tashmë ka fituar një status të lartë nderimi. Me plot të drejtë, me emrin e tij janë pagëzuar në tërë hapësirat shqiptare një mori shkollash, rrugësh, institucionesh dhe aktivitetesh të ndryshme. Njëri prej tyre, është edhe Festivali Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili, vazhdon që të organizohet suksesshëm prej një çerek shekulli në qytetin e Tetovës, në Maqedoninë e Veriut. Vet pjesëmarrësit në të, poetë të ardhur nga tërë kontinentet e botës, çmimet e përvitshme, që mbajnë emrin e poetit tonë kombëtar, botimet e shumta antologjike me krijimtarinë poetike të tyre, si dhe me kumtesat e mbajtura në konferencat shkencore të organizuara, doemos që përcjellin një vërshim arti të pasur poetik dhe të mendimit kritik letrar. Por ndërkaq, përmes këtij aktiviteti tashmë me emër të njohur, shenjohet njëherazi, në mënyrën më të plotë nderimi dhe vlerësimi për këtë bard të shquar të poezisë shqipe e përmes tij, bëhet i njohur kudo në botë, universi i pasur i letërsisë dhe i kulturës shqiptare. Asdreni, autori i Himnit të Flamurit kuq e zi shqiptar, po ashtu autor i lirikave të shumta atdhetare dhe filozofike – do t`i drejtohej kujtimit të poetit me mirënjohje të thellë, si atit të vet shpirtëror: “…t`adhuronj me mall e besë, se bashk` me zërin t`ënd hyjnor jam rritur…”
NDIKIMI I NAIMIT TE POETËT DHE SHKRIMTARËT
Dhe ndikimi i Naimit do të ishte vërtet fort i ndjeshëm te tërë poetët dhe shkrimtarët e mëpasëm, të cilët, siç do të shkruante nga të parat shkrimtare femra shqiptare, Musine Kokalari, ata shihnin qartazi tek ai Apostullin e Kombit. Ky përcaktim aq sublim për të, nuk do të vinte prej ndonjë autoriteti të jashtëm ndikues apo imponues, por veçse natyrshëm – prej pengut për të dëshmuar nderimin e një misionari, i cili, e shkriu tërë jetën e vet për kauzën e Atdheut. Dhe kjo sakrificë e tij prej shenjti vinte sepse, siç shkruante për të Lasgush Poradeci: Se guxove të na thuash me kalem të zi në kartë, Mall` e Math që të pat djegur. Fjalët e Gjuhës së Zjarrtë… (“Naim Frashërit”)
L. Poradeci do ta cilësonte atë një figurë qendrore të kulturës shqiptare. Madje, që ishte fort i dalluar mes asaj plejade patriotësh, të cilët derdhën pa u kursyer në asnjë çast e në asnjë rrethanë sado të vështirë për ta, gjithë energjitë e tyre – për ta ndriçuar e drejtuar popullin drejt horizonteve të përparimit dhe të çlirimit kombëtar. Dhe Naimi, i jep kësaj lëvizjeje historike “…mistikën e udhëheqësit të madh, zemrën e profetit, pa të cilën, s`është e mundur ndjekja e asnjë ideali”. (L. Poradeci, Vepra II, Onufri, 1999). Lasgushi e vlerëson Naimin si poetin kombëtar të shqiptarëve, simbol të bashkimit. Në Shoqërinë e Stambollit, që do të ishte një vatër e përgatitjes së Rilindjes Kombëtare, Naimi mbetej figura vendimtare, që vokacionin e tij poetik do ta kthente edhe në një bosht ideologjik, pikërisht në orientimin drejt Perëndimit. Do të ishte një boshllëk i madh për kohën do të shkruante Lasgushi “…pa Poetin e atij shkrimi [në fushë të letërsisë e më gjerë], pa prijësin e atij qëllimi, pa Misionarin e atij bashkimi, pa Apostullin e asaj dogme, pa profetin e asaj Feje. Naimi ndërhyn dhe i jep Shoqërisë shpirtin për të cilin [ajo] kish nevojë, i dhuron shenjën e yllit që duhej të jetë ajo për Lëvizjen. Ay bëhet simboli i saj me vjershën e tij të zhuritur atdhesore, e cila, sikundër ish vet e zhuritur, zhuritte dhe rrëmbente me vete gjithë sa e këndonin, sa e dëgjonin, dyke i tretur dhe purifikuar në zjarrin e madh të bashkimit fetar dhe kombëtar të të gjithë Shqiptarëve…”
NAIM FRASHËRI, POETI QË E LËVROI MJESHTËRISHT SHQIPEN
Naim Frashëri mbetet poeti, që e lëvroi mjeshtërisht shqipen. Ai arriti të derdhë nëpër krijimet e veta tërë stolitë e saj të çmuara, qëmtoi dhe gjallëroi fjalët e “fjetura”, apo të strukura në të folmet e krahinave, e pastroi nga “ferrat” e fjalëve të panevojshme të huaja dhe e pasuroi si rrallë kush me fjalë të reja të krijuara prej atij vet – të kulluara dhe të selitura prej thesareve të gjuhës amtare. Por mbi të gjitha, ai solli në botën shqiptare, ide të fuqishme mbi historinë dhe fatet e Atdheut. Sikundër do të shprehej Ernest Koliqi, në fjalën e tij në ceremoninë jubilare me rastin e 40 vjetorit të vdekjes së poetit (1940), organizuar gjatë pelegrinazhit në vendin, ku do të preheshin eshtrat e tij, do të theksonte zjarrminë atdhetare që kishte në shpirt ky njeri, si një ndër apostujt më të fuqishëm të “vllaznimit” të shqiptarëve. Dhe tërë vepra dhe jeta e Naimit, dëshmoi fuqishëm lidhjet e thella dhe misterioze të gjakut e të gjuhës mbi ndasitë fetare dhe krahinore. (“Bota e re”, nr. 12/1940) Ai do të mbetej vizionar i pagabueshëm në përcaktimin e padiskutueshëm të shqiptarëve në qarkun perëndimor, prandaj do të jenë kuptimplote ato vargje, ku poeti e dëshmon qartazi dhe pa ekuivok këtë përkatësi natyrale të shqiptarëve. Por e shqipton në mënyrë apelonjëse edhe thirrjen për ta rigjetur sa më shpejt atë vend të pëtjetërsueshëm, por tragjikisht të tronditur e të përhumbur, nëpër rrugët e vështira të historisë sonë:
Jak` o ditë e uruar
Që lind nga perëndon,
Atë anë e ke ndrituar
E ne, pse na harron?…
Siç do të vrente një studiues i apasionuar dhe i ngulët i veprës naimiane (Jorgo Bulo), N. Frashëri është poeti që e pasuroi me një frymëzim të ri traditën poetike të shqipes, duke nyjëtuar zëra të tjerë të panjohur më parë prej saj të shpirtit njerëzor, edhe atëhere kur i këndoi mallit të mërgimtarit, edhe atëhere kur venitet nga malli i dashurisë, edhe kur kridhet në mjergullën e misticizmës bektashiane dhe kur shkëputet prej saj, edhe kur ngrihet në qiejt e meditacioneve metafizike, edhe kur zbret në tokë… Duke ndjekur përcaktimin metaforik të këtij studiuesi, kjo krijimtari e begatë bën pjesë në atë nivel të lartë arti poetik, që është magji dhe vet poeti, si një ndër ata “magjistarët” e endjes virtuoze të fjalës shqipe.
LIRIKA POETIKE E NAIMIT
Pra, lirika poetike e Naimit dëshmoi mundësitë e pakufizuara të gjuhës shqipe për të shprehur e për ta derdhur artistikisht tërë pasurinë e ndjenjave njerëzore dhe idealeve patriotike (libri: J. Bulo, Tiplogjia e lirikës së Naim Frashërit, 1999, ASHSH). Përmes krijimtarisë së tij, poeti arriti të krijojë një tipologji të pasur stilistike e tematike, duke nisur që nga poema epike narrative, lirika përsiatëse meditative, e peizazhit, e dashurisë. Këto krijime u endën mjeshtërisht përmes një frymëzimi spontan, fryt i talentit të begatë dhe i kulturës së pasur, të fituar prej atyre të lindjes e të perëndimit. Këto dije të gjera e të thella, nuk mbetën stoli të jashtme dhe as një amalgamë informacioni eklektik apo enciklopedik, por u shkrinë organikisht me epërsinë dhe finesën artistike, në hapësirat e vargjeve të këtij opusi të gjerë letrar.
Për vet përmasat e pazakonta të këtij personaliteti, veprës së tij i janë drejtuar studiues të kohëve e të disiplinave të ndryshme. Nuk kanë munguar shkrimtarët me vlerësimet dhe përkushtimet letrare ndaj figurës së tij: Lasgush Poradeci, Ismail Kadare, Ernest Koliqi, Nonda Bulka, Dritëro Agolli, Ali Podrime, Murat Isaku, Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Zija Çela…
Në një nga poezitë kushtuar Naimit, D. Agolli do të shkruante mes të tjerash:
Vargjet e tua me thërrimet e dheut janë përzierë
Dhe na duket se me qënien tonë janë shkrirë,
Se i kemi thithir mes qumështit, frutave, erës
Dhe në burime me ujin i kemi pirë…
Ti si bujk i mirë lërove arën e fjalëve,
Arën e fjalëve të stërgjyshërve mbetur djerrë,
Mbuluar nga barëra të liga të maleve,
E lërove që djerrë mos të mbetej asnjëherë… (“Naim Frashëri”)
GJUHËTARË, HISTORIANË E ANTROPOLOGË MBI VEPRËN E NAIMIT
Po ashtu nuk kanë munguar gjuhëtarë, historianë e antropologë, të cilët, kanë depërtuar në përmasat komplekse të kësaj vepre e të këtij kontributi në tërësi, ku vlerat letrare estetike, transmetojnë e gërshetohen edhe me nyjëtime idesh e trajektore të gjerë epokash historike, kulturologjike, religjioze, gjithnjë në funksion të një depërtimi sa më të thellë të mesazhit të transmetuar. Mes tyre mund të përmenden: Eqrem Çabej, Namik Ressuli, Rexhep Qosja, Dhimitër. S. Shuteriqi, Alfred Uçi, Ali Xhiku, Jorgo Bulo, Sabri Hamiti, Engjëll Sedaj, Idriz Ajeti, Norbert Jokli, Androkli Kostallari, Adriatik Kallulli, Jani Thomaj, Gjovalin Shkurtaj, Kristo Frashëri, Mahmud Hysa, Qemal Haxhihasani, Zija Xholi, Gazmend Shpuza etj.
Studiuesi i njohur Rexhep Qosja ka realizuar mbase studimin më të plotë gjer më sot rreth figurës së Naim Frashërit, duke e sinjalizuar metaforikisht veprën e tij si një Porosi të Madhe, e cila, vazhdon që të përcillet sot e kësaj dite dhe do të përcillet ndër breza edhe në të ardhmen. Brenda këtij titulli të veprës së tij të gjerë monografike (“Porosia e madhe”), studiuesi dëshmon epërsinë e një personaliteti, që i kapërxen epokat. Dhe në mbështetje të kësaj teze, kujton atë që theksonte filozofi i njohur i antikitetit Platoni se Homeri e ka edukuar krejt Greqinë. E po ashtu, sipas këtij studiuesi mund të thuhet edhe për Naim Frashërin, pasi vepra e tij ka ndikuar në popullin shqiptar më shumë se një sërë institucionesh kulturore e politike. Është fjala se figura të tilla arrijnë që të kthehen vet në institucione të autoritetshme. Studiuesi shkruan se: “Naim Frashëri është bërë mësuesi i popullit shqiptar, kurse vepra e tij, pjesë e pandarë e vetqënies së tij shpirtërore dhe morale, sepse për shumë kohë të pastajme, ia ka ndriçuar rrugën…”. Dhe pikërisht ky dimension i pazakontë i këtij personaliteti, e ka kthyer Naimin në një përmendore nderimi për çdo shqiptar. Prandaj dhe vjen natyrshëm ajo që shkruante dikur Ernest Koliqi plot nderim: “Naim, emni i Yt, ka me u përmendun ndër urime e ndër bekime”!