Taip Sulko: Festat e Librit në Toronto dhe në Montreal
Dy ditë më parë, në 27 prill mora pjesë në Festivalin e Librit Shqip të Montrealit. Edhe pse kanë kaluar dy ditë, ende i kam po aq të freskëta dhe të forta mbresat nga pjesëmarrja në atë veprimtari të veçantë, me shumë vlera.
Organizimi Festivalit të Librit shqip ishte i shkëlqyeshëm, meritë kjo e tre shoqatave atdhetare shqiptare, nga Shqipëria dhe Kosova. Shkrimtari Flurans Ilia, drejtues i bisedave me shkrimtarët, ishte, jo vetëm i kudogjendur, por edhe një ndërlidhës i natyrshëm mes vetëdijes së lexuesit dhe përgjegjësisë së krijuesve shkrimtarë dhe poetë. Pyetjet nga salla ishin të pafundme. Pyetjet ndërpriteshin vetëm kur mbaronte koha. Kjo është domethënëse. Ishte një shprehje e çiltër e dashurisë për artin e fjalës shqip. Këtë përkushtim e vura re sidomos tek Ermir Dardha dhe Iliriana Latifi, përfaqësues të shoqatave atdhetare të Montrealit, të cilat në atë veprimtari më lanë mbresën se janë së bashku pjesë e një ujdhese shqiptarie që di të jetojë, bashkëveprojë dhe krijojë si një e vetme.
Kjo festë e Librit ishte organizuar në një nga sallat e mëdha dhe plot dritë të John Abbot College. Sapo hyje të krijohej mendimi se këtë dritë e sillte dashuria për artin dhe fjalën shqipe. Këtë e shihja tek mikpritja e vullnetarëve të shumtë, tek komunikimi me bashkëatdhetarët që përzgjidhnin librat e sidomos tek përfaqësusit dhe organizatorët e kësaj ngjarjeje të rëndësishme kulturore. U habita që nuk më zuri syri asnjë përfaqësues nga ambasadat e dy shteteve tona.
Në 27 prill, pasdite, së bashku me shkrimtaret Ajkuna Dakli, mora pjesë në një bisedë për letërsinë, të cilën e drejtoi Flurans Ilia. Pyetjet e tij jo vetëm që të tërhiqnin në shtigje befasuese për letërsinë, por duke të kërkuar të flisje për rrëfimin, për sfidat e artistit, për lexuesin ideal, për të ashtuquajturin ligj të numrave të mëdhenj, për vlerën reale të letërsisë, për vlerën e rrëfimit në gjuhën shqipe, për shkritmarin të cilin e ke për zemër e i ngjan, apo edhe se ç’mund të bëhet më tej për nxitjen e librit dhe krijimit shqip jashtë atdheut, të shtynin jo vetëm të rrefeheshe në bisedë, por edhe e mbanin të ndezur kureshtjen e të pranishmëve në sallë. Sigurisht që kjo bisedë e gjerë për letërsinë, pyetjet dhe përgjigjet për to e meritojnë një paraqitje më të zgjeruar, që shpresoj se së shpejti do të përmbushet.
Një nga vlerat e paçmuara të Festivaleve të Librit është ta takosh e të bisedosh e shpesh edhe të njihesh me krijues/e që i ke lexuar, i vlerëson, me të cilët ke etje jo të zakontë t’i takosh, të bisedosh me ta sy më sy. Kjo ndodhi edhe në Panairin e Montrealit. Aty, në mjediset e Festës së Librit u takova dhe bisedova me të njohur dhe që prisja të njihja, por që të gjithë ishin krijues të mirëfilltë si Artan Gjyzel Hasani, Flurans Ilia, Ajkuna Dakli, Anila Erindi, Armenida Qyqja e të tjerë. Ndërkaq Valbona Ahmetin, të cilën s’munda ta takoja drejtpërdrejt ma bëri të afërt një poezi e bukur e Valbonës, që ma lexoi aty në mjediset e Festivalit poetja Anila Erindi.
Festat e Librit në fillim në Toronto dhe tani në Montreal përfaqësojnë një risi që kërkon jo vetëm vëmendje, por edhe kujdes të veçantë institucional. Këto festa fare natyrshëm na bëjnë që të veprojmë, të gëzojmë dhe të flasim së bashku-shqip!