Fadil Berisha: Vetë Edukimi me Artin e Fotografisë
Rafaela Prifti
– Si fotograf shumë i njohur i modës ju e dini se konkurrenca është shumë e egër dhe se shumë përpiqen të hyjnë por pak ia dalin. Si ishte jeta në Amerikë për ty dhe familjen Berisha? Cila ishte shtysa për të synuar majat e artit të fotografisë së modës?
Fadil Berisha: Rruga ka qenë e gjatë, me zigzage dhe e vështirë. Familja ime e ka origjinën nga Tropoja, por në vitet ‘50 u shpërngulën në Kosovë ku linda unë dhe disa nga vëllezërit e motrat e mia.
Për emigrantët jeta qe e vështirë edhe në Jugosllavi. Babai siguroi bileta udhetimi dhe u nisëm për në Itali. Meqë kisha mbushur moshën e shkollës aty fillova mësimet në një gjuhë krejt të panjohur në një vend të huaj pa shokë dhe i vetmuar. Për fat, një kushëri që kishte vajtur me familjen e tij para nesh, më ndihmoi të mësoja gjuhën shpejt e më hapi sytë ta shikoja botën që na rrethonte dhe ngjyrat e saj. Aty pashë për herë të parë nga afër zezakë, kinezë dhe raca të tjera. Një vit më vonë ndihesha mirë, pasi kisha mësuar gjuhën e kasha plot shokë, mirëpo familja u shpërngul sërish. Kësaj here për në Amerikën e largët. Kur erdhëm në Nju Jork, gjashtë muajt e parë u strehuam te një xhami. Një kushëri i babait, me djalin e të cilit u miqësova shpejt, u bë udhërrëfyesi im për Amerikën. Babai bleu një shtëpi në Nju Xhersi, në një zonë ku shumica e banorëve ishin jaudi. Fqinjët, kur panë gratë e familjes sonë me shami të bardha në kokë, e me veshje krejt tjetër, ndryshe nga ajo e Amerikës, s’na flisnin me gojë dhe s’na përshëndesnin asnjëherë. Në vendin e ri mbetëm prapë të huaj ashtu si në Jugosllavi dhe Itali.
Për ne fëmijët ishte e vështirë edhe në shkollë, se visheshim ndryshe e kishim zakone të tjera. Babai ishte shumë fetar dhe ndiqte me rreptësi të gjitha ritet e besimit mysliman. Edhe nuset që vinin në shtëpinë tonë pa shami të bardha në kokë, pas martese, detyroheshin ta respektonin rregullin. Për babain rregullat ishin norma të detyrueshme, për të gjithë, pa përjashtim. Për shkak të pengesës me gjuhën dhe teshave që vishnim, as në shkollë nuk e patëm të lehtë. Ishim tetë fëmijë dhe jetonim bashkë me prindërit e babait. Ishim familje e madhe me të ardhura modeste. Koncepti i prindërve tanë ishte të dilnim të veshur, me rroba në trup, veç kaq. Në shkollë na shihnin me mospërfillje, sepse asnjë nga ne s’kishte veshje të firmave si shumë nga moshatarët tanë. Fqinjët na rrinin larg, ndërsa fëmijët e tyre “na ndihmonin” duke na mësuar vetëm fjalë të këqija dhe qeshnin kur ne i përdornim sipas shpjegimeve të tyre. Në shkollë kishte dhe disa italianë, me të cilët u shoqëruam shpejt se edhe ata, sikurse ne ishin emigrantë. Unë fillova të mësoj anglisht me të gjitha forcat e me gjithë inatin tim rinor. Doja të flisja njëlloj si amerikanët që askush të mos më dallonte se isha i huaj dhe aq më tepër që asnjë të mos kishte mundësi të më vinte në lojë.
Cilat ishin prirjet e tua gjatë shkollimit gjatë kësaj kohe?
Fadil Berisha: Kur mbarova shkollën e mesme, notat më të larta i kisha në art. Artisti lind artist. Këtë dhunti ose e ke, ose nuk e ke. Në atë kohë nuk mund të filozofoja, por kisha dëshirë të flaktë të barazohesha me botën, të qëndroja në një shkallë me çdokënd. Më vinte inat me ata që na shihnin nga lart, sikur ishim qytetarë të dorës së dytë siç na kishin parë serbët në Jugosllavi, italianët kur jetuam në Itali dhe tani amerikanët. Kudo të shpërfillur. Unë shihja motrat dhe kushërirat e mendoja sa mirë do të ishte të zbulohej bukuria e tyre, jo vetëm ajo fizike, por edhe ajo shpirtërore që nuk ishte e lehtë për t’u dalluar.
Si ju tërhoqi Nju Jorku dhe çfarë ofronte qyteti kozmopolitan për një djalosh emigrant? Sa e rëndësishme ishte miqësia me Dr. Santos të cilën e ruani edhe sot?
Fadil Berisha: Një nga motrat e mia qe martuar në Nju Jork dhe unë shkoja shpesh ta vizitoja. Ky qytet më bëri shpejt për vete. E desha shumë dhe menjëherë. Ndihesha më mirë në këtë vend të madh, sesa në Nju Xhersi ku kishim shtëpinë tonë. I thashë babait se doja të studioja për art. “Arti nuk është punë, ma priti, mendo për diçka tjetër”! Në atë kohë shumë pak fëmijë emigrantësh shqiptarë vazhdonin studimet e larta, e vetëm rrallë e tek mund të gjeje ndonjë student në fakultetin e juridikut ose të biznesit si degët që preferoheshin më shumë, ndërsa shkollave të artit s’u afrohej askush nga ne. I thashë babait se shumë nga shokët e mi do të studionin në F.R.T. Unë do punoj vetë e do të banoj në lagjen më luksoze, në Manhattan, për të qenë sa më i kohës. I mbaja edhe flokët e gjata, ashtu si edhe shumë moshatarë të mi.
Kërkova punë dhe nisa të jem “bartender” në një lokal. Kur më pyetën nëse e dija atë zanat, nuk hezitova të thosha “Po” por mu desh të filloja punë atë mbrëmje. Bleva shpejt një libër që të më ndihmonte sadopak. Më dridheshin duart, dhe e dija që s’kisha haber nga ai zanat. Dhe koktejin nuk e bëra siç duhej. Klienti që e kishte porositur më tha se nuk ishte pija që kishte kërkuar. U justifikova se gjasme “ashtu e përgatisnim në Nju Xhersi”. Ai u çudit pak, por gjithsesi më tregoi se si përgatitej pija që donte. Atë mbrëmje u njoha me pronarin e restoranti që erdhi më uroi “Punë të mbarë!” dhe më pyeti nga ç’vend vija. I thashë se isha shqiptar. Nuk mund të habitesha më shumë kur ai ma ktheu shqip: “Edhe unë jam shqiptar, jam arbëresh”. Kështu u njoha me doktor Santos, me të cilin e ruajmë miqësinë edhe sot.
Ku ju çoi puna si bartender?
Fadil Berisha: Meqë kisha më shumë pare xhepi, pata me shumë liri dhe pavarësi, vishesha sipas modes dhe ndihesha si vetja ime por sa herë dilja me shokë shqiptarë, dëgjoja veçse kritika për flokët, teshat, këpucët, etj. Më mërzitën aq shumë sa vendosa të ndahesha prej tyre. Dhe të gjithë shokët e mi i pata amerikanë. Për pak kohë nisa të punoj edhe si buyer (blerës), por nuk më pëlqeu, se kishte shumë tension. Në shkollë shkoja rregullisht, por ende s’më dukej se kisha gjetur vetveten. Kjo ndryshoi kur në F.R.T. erdhi një disenjator. Ai sapo më pa duke ecur në korridor, më pyeti: “A ke dëshirë të bëhesh modelist për veshjet e mia”? Unë s’dita ç’të them, ndaj heshta. “Ti ke trup perfekt dhe puna nuk është e vështirë. Do vishni rrobat që do t’u jap unë dhe do ecni në sfilatë”. Pata frikë edhe ta mendoja veten në skenë e jo më të ecja si modelet që kisha parë në TV. Bashkëbiseduesi e vure re hezitimin tim: “Paga është 25 dollarë në orë”. Kjo e anoi peshoren në favor të tij. E pranova ofertën dhe fillova “punën” e re, në fillim me druajtje, por shpejt më doli frika. Më pëlqente ta shihja veten veshur me rroba të shtrenjta, dhe të ecja në skenë. “Në qoftë se të pëlqen puna, duhet të japësh një provim dhe nëse fiton mund të vish me ne në Europë për një turne”, qe oferta tjetër. Fillova të kursej për udhëtimin në Europë. Puna pas banakut të pijeve dhe shkolla më pëlqenin, por më dukej se diçka më mungonte.
Periudha e “Fadilit model” e plotësoi atë që kërkonit apo ju drejtoi diku tjetër?
Fadil Berisha: Po më jepej një mundësi tjetër për të njohur veten dhe aftësitë e mia. Në verën e vitit 1982 u nisa për në Itali. Por në Milano më ndodhi një e papritur që m’i theu shpresat dhe ëndrrat. Nuk më lejuan të dilja në qytet. Mbeta në aeroport. Unë e dija veten nënshtetas amerikan, por veç pasaportës jugosllave, s’kisha asnjë dokument tjetër. Me atë lloj pasaporte duhej vizë për të dalë në qytet dhe meqë unë vizë s’kisha marrë, më kthyen në ShBA. U mbylla në shtëpi se nuk doja t’i tregoja askujt për incidentin që më ndodhi. Të hënën që në mëngjes vajta në konsullatën italiane, mora vizën dhe pasdite u nisa sërish për në Itali. Përveç disa qindra dollarëve e tri ditëve sorollatje, s’kisha humbur gjë tjetër. Italia me pëlqeu shumë edhe ngaqë e mbaja mend gjuhën nga koha që kisha kaluar aty, ndihesha mirë. Më lindi dëshira të bëja një libër për stilet e modës, por kjo nuk ishte aspak e lehtë. Zgjidhja rrobat, rregulloja modelet e i lutesha fotografes t’i fotografonte. Mënyra e fotografimit të saj s’më pëlqeu sepse nuk i afrohej asfare imazhit që kisha krijuar unë në mendjen time për modelet. Kur u ktheva në hotel dhe pashë aparatin fotografik mbi tavolinë pata guximin ta pyes nëse mund ta përdorja për pak kohë. Fillova të fotografoj modelet e përgatitura me veshjet e zgjedhura prej meje dhe mbeta shumë i kënaqur. Modelet në fotografi ishin ashtu sikurse i kisha në imagjinatën time.
“Tani e di çfarë dua të bëhem”, i thashë vetes. Ai udhëtim zbuloi e përcaktoi qartë rrugën të cilën e ndoqa dhe po e ndjek pa asnjë mëdyshje. Sapo u ktheva në Amerikë, i ndryshova klasat që të studioja gjithçka që kishte të bënte me artin e fotografimit.
Si u prit kjo në familje?
Fadil Berisha: Babait nuk i pëlqeu aspak zgjedhja ime e re, se zanati i fotografit i dukej i rëndomtë, por e dinte mirë se s’kishte fuqi të më ndalonte, se atëherë isha i rritur. Fillova të studioj rregullisht e të punoja shumë që të bëhesha dikush. Ndërkohë isha martuar me vajzën që kishin zgjedhur për mua. Sipas babait, “s’kisha ku gjeja më të mirë se ajo”. Sot i jam mirënjohës babait dhe fjalët e tij për time shoqe i kujtoj gjithmonë. Porosia tjetër e rëndësishme ishte edukimi në familje për të ndihmuar çdokënd që kishte nevojë me aq sa mundeshim pa dallime midis racave. Kur një shok më pati pyetur se çfarë do të bëja për Krishlindje, iu përgjigja se unë isha mysliman. “Po ti je vëllai im, më tha, babai yt është kumbari im”. Këta janë shqiptarët e vërtetë.
Jeta e artistit kërkon sakrifica nga ai dhe familjarët. Si e keni përjetuar ju këtë në profesionin tuaj?
Fadil Berisha: Edhe familjarët s’e kanë patur të lehtë dhe as tani nuk e kanë. Si shembull, kur na lindi djali, unë dhe bashkëshortja u gëzuam shumë, se e kishim fëmijën e parë. Mirëpo pronari na përzuri nga apartamenti se s’kishim paguar qiranë për disa muaj. Unë i prishja paratë për të blerë filma e për të larë fotografitë. Për artin s’kurseja asgjë. Ime shoqe edhe në ditët më të rënda për familjen tonë s’u ankua dhe as u mundua të më largonte nga rruga e vështirë dhe e paqartë në të cilën po ecja, prandaj i jam shumë mirënjohës. Mendoj se dashuria e vërtetë në jetën e njeriut provohet në vështirësi.
Cilat ishin pasojat e rrethanave të reja dhe si ndikoi kjo periudhë tek ju?
Fadil Berisha: Për mua ajo kohë është më e rënda që kam kaluar. M’u desh të kthehesha në shtëpinë e prindërve. U ndjeva i rënë poshtë, pa krenari e pa shumë shpresa, por i vendosur për të vazhduar më tej. Edhe babai, i cili nuk e kishte pranuar profesionin tim, kur më pa të mërzitur, një ditë më tha: “Fadil, mos u mërzit! Zoti e shpërblen at’ që mundohet”. Prindërit e mi, edhe pse s’e kishin pëlqyer zgjedhjen time, prapë më rrinin pranë e më jepnin kurajë. Babai vdiq shpejt pas kthimit tim në shtëpinë atërore po para se të vdiste më tha: “Fadil, bëje mirë çdo punë që merr përsipër dhe suksesi do të ndjekë, më beso. Dhe gjithmonë bëju të mira të tjerëve, edhe nëse nuk ta dinë. Po t’i bësh mirë dikujt, ka shumë mundësi që edhe ai ta mësojë këtë”. E mbaj mend këshillën e tij dhe jam i bindur se po nuk ndihmuam njëri-tjetrin, kurrë s’mund të përparojmë!
Ju e keni vënë në jetë porosinë e tij sepse studio juaj ka qenë vend mikpritës për sa e sa veprimtari të komunitetit ndërsa ju keni ndihmuar karrierën e shumë e shumë artistëve. Talenteve të reja e të panjohura, iu keni krijuar mundësitë të shpalosin aftësitë e tyre në Konkurset Ndërkombëtare të Bukurisë. Njerëzit thonë “Nëse do të dukesh e bukur, shko te Fadil Berisha”.
Fadil Berisha: Edhe mua ma ka zënë veshi këtë shprehje. Mua më pëlqen e bukura, ajo më bën të gëzuar e më mbush me gjallëri e forcë. Por unë kam sy të shoh edhe atë që të tjerët nuk e shohin. Në këtë lloj profesioni kjo veti ka vlera të mëdha.
Cila është fotografia që të kënaq ty së pari pastaj edhe subjektin? Ku është sekreti i kapjes së bukurisë me aparatin fotografik?
Fadil Berisha: Unë kënaqem kur fotografia nxjerr në pah ato cilësi që kam parë unë. Mendoj se stili im është klasik, por çdo gjë edhe ndryshon. Kjo vjen në formë organike, është diçka e brendshme. Ngaqë ishim të nënshtruar, të përçmuar, të diskriminuar, të parë nga lart poshtë, unë e kam ndjerë gjithnjë si një lloj detyrimi dhe si misionin tim, ta ndryshoj këtë përshtypje për shqiptarët. Që në fëmijëri më ka preokupuar ky aspekt. Atëherë vishesha bukur e me shije, kështu që asnjë njeri s’e kuptonte që isha shqiptar. Kjo për mua përkthehej se shija jonë ishte po aq e mirë sa edhe e të tjerëve. Më pas, desha që puna ime të ishte e barabartë me ato të artistëve më të mirë, që kështu të shiheshin cilësitë e kombit tonë. Përpiqem me të gjitha forcat e mia të përkrah artistët shqiptarë. Për mua është e mjaftueshme që janë shqiptarë e as dua të di se nga cila krahinë vijnë. Shqiptarët i përkasin një etnie për mua, pavarësisht se ku kanë banuar, ku banojnë ose çfarë dialekti flasin. Shqipja, si edhe çdo gjuhë tjetër është e bukur në të gjitha të folmet e saj, por duhet syri dhe veshi që t’i dëgjosh e t’i shijosh të gjitha llojet e bukurive.
Botohet për herë të parë me rastin e 65-vjetorit të ditëlindjes së Fadil Berishës. Foto nga festimi i 50 vjetorit të krijimtarisë së shkrimtarit Naum Priftit në studion e Fadil Berishës, Nju Jork 2002.