Albspirit

Media/News/Publishing

Ismet Hajrullahu: Ngërçi Politik

Kosova prej vitesh përballet me sfida të mëdha politike, të cilat shpesh ndërlidhen me ngërçet institucionale dhe mungesën e komunikimit konstruktiv midis aktorëve kryesorë politikë.

Një shembull i qartë i kësaj situate është ngërçi i fundit, i cili, sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, nuk ka shenja për zgjidhje, madje as pas një takimi të drejtpërdrejtë me deputetin, kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.

Takimi ndërmjet tyre,i cili zgjati përafërsisht një orë, para seancës së Kuvendit, është një reflektim, një pjekuri e PDK-së dhe lidershipit të saj, për përpjekje serioze për dialog për të dalë nga ky ngërç që e ka kapluar Kosovën.

Megjithatë, deklarata e Krasniqit për mungesën e pritshmërive pozitive pas këtij takimi e përforcon idenë se këto përpjekje shpesh mbesin simbolike dhe jo substanciale.

PDK dhe LVV, dy prej partive më të fuqishme politike në Kosovë, jo rrallëherë, kanë pasur qasje të ndryshme në qeverisje dhe politika publike.

Divergjencat ideologjike dhe mosbesimi reciprok kanë krijuar një klimë ku bashkëpunimi i sinqertë duket i paarritshëm.

Një nga shkaqet kryesore të këtij ngërçi politik është mungesa e kompromisit ndërmjet partive politike në tërësi. Përfaqësimi i interesave partiake shpesh mbizotëron mbi interesin kombëtar, duke e bërë të pamundur arritjen e marrëveshjeve të rëndësishme. Një tjetër faktor i rëndësishëm është presioni ndërkombëtar, i cili shpesh perceptohet si ndërhyrje në vendimmarrjen e brendshme, duke nxitur polarizime të mëtejshme.

Po ashtu, klima politike në Kosovë është ndikuar nga çështje të pazgjidhura të drejtësisë tranzicionale, marrëdhëniet me Serbinë dhe sfidat ekonomike. Këto çështje shtyjnë më tej vendin drejt polarizimit politik, duke e bërë të vështirë ndërtimin e një konsensusi të gjerë për të ardhmen e Kosovës.

Gjitthashtu, procesi i Hages po e mban peng Kosovën!

Për mendimin tim, ky ngërç politik ka pasoja të rënda për Kosovën. Ai pengon miratimin e reformave të nevojshme dhe vonon zhvillimin ekonomik. Mungesa e stabilitetit politik gjithashtu e bën Kosovën më të ndjeshme ndaj ndikimeve të jashtme dhe dobëson pozicionin e saj në negociatat ndërkombëtare. Ndërkohë, qytetarët ndihen të zhgënjyer dhe të lodhur nga mungesa e progresit konkret, gjë që nxit një nivel të lartë të apatisë politike.

Zgjidhja e këtij ngërçit politik kërkon angazhim të përbashkët dhe dialog konstruktiv.

Politikanët duhet të fokusohen në gjetjen e pikave të përbashkëta dhe të ndërtojnë një kulturë të re politike që promovon bashkëpunimin dhe respektin reciprok.

Shoqëria civile dhe institucionet ndërkombëtare mund të luajnë një rol të rëndësishëm në lehtësimin e këtij dialogu nderpartiak, duke ofruar platforma neutrale për diskutim dhe duke inkurajuar transparencën. Këta aktorë mund të ndihmojnë në krijimin e një mjedisi të favorshëm për marrëveshje të qëndrueshme dhe afatgjate.

Kosova ka potencial të madh për zhvillim, por ky potencial mund të realizohet vetëm përmes një qasjeje të re e konstruktive.

Kjo përfshin reformimin e institucioneve, zhvillimin e një ekonomie të qëndrueshme dhe forcimin e sundimit të ligjit. Për më tepër, arritja e dialogut politik dhe angazhimi për interesin publik janë të domosdoshme për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për vendin.

Nëse liderët politikë mund të tejkalojnë dallimet e tyre dhe të punojnë së bashku për të mirën e popullit, atëherë vendi ka një shans të vërtetë për të avancuar drejt stabilitetit dhe prosperitetit. Në të kundërtën, rreziku i mbetjes në vendnumëro mbetet mëse evident!

Ngërçi politik në Kosovë paraqet një sfidë të madhe, por jo të pakalueshme. Përmes dialogut të sinqertë, kompromisit dhe angazhimit ndaj interesit publik, liderët e Kosovës mund të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për vendin dhe për qytetarët.

Dhe krejt në fund, Kurti duhet ta kuptoj njëherë e mirë, se ka ikur koha e monizmit dhe vetëm një bashkepunim i sinqertë nderpartiak mund ta çoj Kosovēn drejt BE-së!

Please follow and like us: