Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Libër për kapedanin shqiptar, Tafi Buzi
Libri “Tafil Buzi dhe Trebeshina”, si dhe vlerësimi “Anëtar Nderi i Shoqatës” nga kryesia e Shoqatës Atdhetare e Kulturore “Tafil Buzi”, është një vlerësim dhe mirënjohje nga krahina dhe komuniteti buzijot. Libri vjen si një enciklopedi për kapedanin Tafil Buzi të shkruar në një periudhë disa vjeçare nga “40 shenjëtorët”, siç i cilëson Medin Duro, kryetar i Shoqatës “Tafil Buzi”.
Libri i përgatitur nga Feti Zeneli vjen si një kontribut i veçantë i disa autorëve për kapedanin. Nëpërmjet mjaft shkrimeve të paraqitur jepet një tabllo e madhe për heroin dhe kapedanin kryesorë të kryengritjeve antiosmane në Shqipërinë e Jugut në vitet 1828-1847. Shkrimet e autorëve në kohë të ndryshme kanë paraqitur dhe kanë pasuruar më tej njohjen e kësaj figure kapedane, emrin e të cilit mban shoqata e krahinës së Buzit në Bashkinë Memaliaj.
Libri për kapedanin Tafil Buzi është projektuar dhe realizuar me këmbënguljen dhe përkushtimin e autorit Feti Zeneli. Ai ka arritur të botojë një libër me vlera kombëtare për një figurë të shquar të kapedanëve shqiptarë në gjysmën e parë të shek. XIX. Libri paraqet punën e bërë në vite edhe nga shoqata, e cila ka qëmtuar në këtë periudhë shkrimet e publikuara në shtypin e shkruar për Tafil Buzin. Ndaj dhe kryesia e shoqatës në objektivat e vitit 2024, përcaktoi dhe miratoi përfshirjen e librit “Tafil Buzi dhe Trebeshina”.
Libri fillon me një parathënie nga kryetari i shoqatës Medin Duro, i cili autorët që kanë shkruar në vite për Tafil Buzin i quan “shenjëtorë”, një vlerësim i goditur, si dhe një falënderim në heshtje për të gjithë shkruesit.
Libri është i konceptuar në dy pjesë, ku në pjesën e parë zënë vend 12 shkrimet e Feti Zeneli, shkrime që nxjerrin në dukje figurën e Tafil Buzit, por njëkohësisht hedhin dritë dhe mbi krahinën e Buzit dhe të Toskërisë. Autori jep të dhëna si nisën gjurmët muzeore, paraqet mjaft citime nga dokumente të muzeut historik të Tepelenës, përshkruan rebelemin antiosman, si dhe jep një tabllo të trashgimtarëve të sotëm të këtij kapedani me emër në historinë e Shqipërisë.
Në pjesën e dytë, me mjaft kulturë janë paraqitur shkrimet, analizat dhe poezitë e tridhjetë e nëntë autorëve të tjerë, që kanë shkruar në vite, por pa e ditur se një ditë do të përmblidheshin në një antologji për Tafil Buzin. Ndaj dhe shoqata, meriton përgëzime, por dhe mirënjohje për një vlerësim të tillë që ju ka bërë autorëve. Ata në libër janë paraqitur sipas alfabetit, dhe janë të vlerësuar nga shoqata si “40 shënjtorë” të sektit të “Besëlidhjes”, fesë së Tafil Buzit për lirinë dhe mëvetësinë e Shqipërisë.
E veçantë është se për çdo shkrues, është bërë dhe një prezantim në formë përshkrimi të jetës, punës dhe veprimtarisë të çdo autori, për t’u njohur e për t’u bërë anëtarë të saj. Një gjetje e re dhe me vlera për autorët, por dhe për kujdesin e shoqatës ndaj tyre, për kontributin modest të dhënë për Tafil Buzin.
Nëpër shkrimeve të autorëve në faqet e librit gjenden një mori përshkrime duke filluar nga këngët, bashkëudhëtare të këtyre kryengritjeve, shkrime historike, publicistike, artistike, poezi, këngë, balada. Në këto shkrime gjen dhe përshkrime të portretit të Tafil Buzit, kuriozitete, si dhe të dhëna të tjera për trimet e tij, bashkëluftëtarëve të tij në këto kryengritje masive të fashtarësisë së jugut të Shqipërisë.
Në disa shkrime gjejmë dhe momentet kur janë organizuar takime madhështore e festa në krahinën e Buzit për të nderuar kryetrimin me ngritjen e bustit, me dhënien e titullit të lartë “Nderi i Kombit”, si dhe cermoni të thjeshta të organizuara nga shoqata në vite.
Autori Feti Zeneli, por dhe shoqata ka bërë një punë të vlerësuar duke arritur në përfundimin që të qëmtojë dhe të bashkojë autorët, shkruesit, krijuesit dhe studiuesit në këtë libër me mjaft kulturë dhe korrektesë në shkrimet e tyre. Me mjaft paraqitje në libër zënë vend dhe fotot e autorëve, gjë që tregon respekt për ta, por njëkohësisht dhe vlerësim për këtë kontribut modes të tyre në lidhje me figurën e Tafil Buzit.
Mjaft nga autorët që janë marrë me studimin e figurës së Tafil Buzit, janë emra te njohur nga fusha të shkencës, të ushtrisë, të artit dhe të kultures, si Prof. Dr. Vezir Muharremaj, Prof. Dr. Shyqyri Hysi, Prof. Dr. Gjergj Titani, Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi, Dr. Zihni Haskaj, Prof. Dr, Lavdi Hasani, nuk mungojnë mjekë e poetë, shkrimtar e studiues të Tepelenës si Faik Deda e Izet Çulli, studiuesi i mirënjohur Xhezo Cana, shkrimtari dhe studiuesi Gëzim Zilja, poeti dhe studiuesi Mihal Gjergji, drejtuesja e muzeut historik të Tepelenes në vite Natasha Beluli, studiuesi dhe kritiku i artit Fitim Çaushi, kryeredaktori i disa revistave e gazetave, shkrimtari dhe publicisti i mirënjohur Albert Zholi, intelektualë e krijues nga Buzi si Asim Brahimi, Bedri Seijani, Limo Paza, Eqerem Osmani, Ferrik Danaj, Daut Velaj, Maliq Vrekaj, Pëllumb Aliaj, Shuaip Kanushi, Gëzim Malkaj, shkrimtarja dhe poetja e mirënjohur Kozeta Zylo, studiuesi dhe mësuesi i mirënjohur Ilirjan Ballaj, historiani Beqar Skënderi, Sulo Gërbi, etj. Autori ka punuar me merak dhe ka gjetur gërmë pas gërme të gjithë autorët që kanë shkruar qoftë dhe një poezi, apo disa rreshta në gazetën “Trebeshina”, e cila në vijimësi ju ka bërë jehon këtyre shkrimeve.
Të gjitha shkrimet autori i ka vendosur me kujdes duke ndërtuar kalanë shekullore dhe të përjetshme të Tafil Buzit, në librin për të. Ky libër është një kala shekullore që do të rrojë dhe tregojë në shekuj historitë e këtij prijsi të veçantë dhe plot trimëri të Toskërisë.
Autorët kanë qenë dhe muratorët më të mirë që e kanë ngritur këtë kala në vite, duke shkruar histori, treguar ngjarje, zbuluar dokumenta dhe ngritur këngë trimërie. Të gjitha bashkë kanë bërë kalanë e Tafil Buzit për ta vendosur në pjedestalin e lirisë së vendit.
Tafil Buzi në historinë e Shqipërisë ka hyrë me këngë dhe ka vazhuar me buste dhe nderime për t’u përjetësuar në përmendoren e madhe, në zemrën e një populli e të tërë. Shkrimet për këtë hero legjendë nuk do të rreshtin kurrë dhe shoqata me emrin “Tafil Buzi” do të lartësohet dhe do të nderohet në shekuj.
Me këtë libër shoqata i ka bërë një monument Tafil Buzit, por dhe ka rritur vlerat e saj, sepse vlera të tilla duhen nxjerrë në dukje dhe duhen transmentuar në breza. Kini bërë një veprim të madh patriotik dhe duke i dhënë nder shoqatës dhe lavdi Tafil Buzit. Shpresoj dhe në prurje të tjera për patriot të tjerë të trevës së Buzit.