Albspirit

Media/News/Publishing

Edona Llukaçaj: Në zgjedhjet e fundit fitoi arroganca

Për forcë zakoni, se kështu e parashikon ligji, apo se në listat e stërzgjatura, si listat e borxheve në markete të të pamundurve që ia paguan një herë në kaq kohë ndonjë dashamirës si Tom Doshi, patjetër qëllon të përfshihet ndonjë kushëri a i njohur që s’ka si të mos e suportosh, votuam.

Votuam me një qetësi habitëse, si nuk kemi bërë në dekada. Më shumë se sa prej europianizimit tonë të diskutueshëm, qetësia jonë buronte prej bindjes se këto zgjedhje nuk do të shënjonin ndonjë ndryshim rrënjësor dhe se në përfundimin e tyre nuk do të kishte asnjë të humbur. Vërtet, fituan të gjithë!

Si pritej, kryesocialisti Rama fitoi të drejtën të vijonte të mbante kolltukun kryeministror, pa u lodhur dhe pa u sfiduar. Në fakt, aq i bindur ishte që nga fillimi se ishte “e keqja më e vogël” në perceptimim e shqiptarëve, sa këtë fushatë shtoi deri në velje dozën e muzikës, talljes e batutave. Ndërsa, në vend të programit, shiti ëndrrën europiane.

Se doktor Berisha nuk ishte në garë për të fituar zgjedhjet e di edhe bufi. Por atë që donte, ai, padyshim, e mori. Mori vëmendje. Fitoi edhe një herë mundësinë e të qënit faktor në politikën shqiptare. E teksa vërsnikët e tij përtojnë të shkojnë te parku të luajnë domino, përtej çdo etiketimi, ai po thur plane për të kaluar edhe një herë Atlantikun.

Paçka se për këtë rikthim atipik iu desh të hiqte dorë nga simbolika (e merituar a jo, pak rëndësi ka) që ka shoqëruar figurën e tij. Paçka se “fundi me nder” që do të ketë projektuar për karrierën e stërzgjatur politike nuk do të ketë qenë një përpëlitje e pafund.

Z. Berisha ia doli të vetëimponohet dhe, në një përqindje të konsiderueshme, të imponojë si të zgjedhurit tanë bashkëpunëtorët e vet të kahershëm. Kështu fituan edhe ata. Siguruan sërish një ulëse në Kuvend, edhe pse mendimin dhe diskursin e vjetëruar, sa të liderit të tyre historik, nuk ia fsheh dot pamja e rifreskuar.

Partia Socialiste, kryesisht falë kësaj, fitoi një shumicë gati të frikshme mandatesh. Përgatiten të ngërthehen me divizën e ligjvënësit influencera banaliteti e neo-mjelëse, që as nuk inspirojnë e as nuk përfaqësojnë.

Patjetër që fituese janë edhe partitë e reja. Ndoshta më pak të ngjyrit në llum prej kastës politike, ata ia dolën të jenë modestisht në parlament. Ndryshim dot nuk prodhojnë, por një fije shprese, se nuk na varet fati nga dashuria për pushtet e një grusht të shpërlarësh, mund ta ushqejnë.

Fitoi diaspora. Zëri i saj i largët nga të katër anët e globit, thua se e ende e kujtojnë se ç’do të thotë të rropatesh këtu, u dëgjua kumbueshëm. Solli frymën e zhvillimit. Mori të drejtën e vet. U ndje pjesë e zot në vend të vet.

Por, gjithsesi, fituesja më e madhe e 11 Majit ishte arroganca që karakterizoi fushatën elektorale. Arroganca e të sigurtëve dhe sidomos e atyre që i kishin radhitur në lista. Arroganca e liderëve ndaj popullit që hidhte valle për to, si prifti nga belaja. Arroganca në përgjigjet e pyetjeve për të ardhmen. Arroganca në mungesën e llogaridhënies për të shkuarën.

Arroganca me të cilën pritej çdo kërkesë për diçka më shumë e pakëz më mirë. Arroganca, harbutëria dhe shpërfytyrimi kur dikush i kujtonte njërit premtimet e pambajtura në dymbëdhjetë vjet apo tjetrit paudhësitë më të hershme, që pasojat ende ai ndiejmë.

Padyshim që fituesja më e madhe e këtyre zgjedhjeve është arroganca. Ajo u votua nga të gjithë. Ajo do të ulet kembëkryq në kuvend, paçka se në cilin krah e ç’ngjyrë do përfaqësojë. Arrogancën do durojmë katër vitet e ardhshme teksa na fyen inteligjencën dhe na poshtëron si individë.

Se çfarë fituan shqiptarët më 11 Maj nuk mund ta them. Por arrogancën që e votuam në mënyrë plebishtare do e vuajmë bashkarisht, përtej bindjeve politike, nuk ka nevojë të hapet kutia e fundit për ta ditur./gazeta dita

Please follow and like us: