Ismet Hajrullahu: Kolaps Politik—Kuvendi i Bllokuar, Shteti Pa Drejtim
Në një moment vendimtar për të ardhmen politike dhe institucionale të Kosovës, Kuvendi si institucioni më i lartë përfaqësues dhe legjislativ gjendet në një ngërç serioz që po e dëmton thellësisht funksionimin demokratik të shtetit. Ky ngërç nuk është thjesht pasojë e mosmarrëveshjeve politike, por simptomë e një papërgjegjshmërie të vazhdueshme që e rrezikon stabilitetin institucional.
Gjatë kohës që kam qenë i angazhuar si këshilltar i Kryetarit të Kuvendit, z. Jakup Krasniqi, kam vëzhguar nga afër peshën dhe kompleksitetin e këtij institucioni. Kuvendi nuk është një sallon për replika politike, por themeli ku ndërtohen politikat publike, miratohen ligjet dhe ku qytetarët mbikëqyrin përmes përfaqësuesve të tyre qeverisjen e vendit. Kur ky institucion bllokohet, paralizohet jo vetëm procesi ligjvënës, por vetë funksionimi demokratik i shtetit.
Tensionet dhe përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës janë pjesë e natyrshme e një sistemi pluralist. Por kur mungon vullneti për dialog brenda kornizës institucionale, kur debatet e nevojshme politike zëvendësohen me bojkot, obstruksion dhe llogari të ngushta partiake, atëherë kemi një krizë që rrezikon thelbin e demokracisë.
Një parlament pa kryetar të zgjedhur është si një anije pa timon. Drejtimi i përkohshëm nuk siguron as autoritetin, as funksionalitetin e nevojshëm për të ruajtur dinamikën parlamentare. Në vend të një figure unifikuese që menaxhon dhe orienton debatin politik, kemi një vakuum që ushqen tensionet dhe paralizon vendimmarrjen.
Rikthimi i stabilitetit nuk duhet të vijë si rezultat i presionit ndërkombëtar, por si një vendim i brendshëm politik që reflekton përgjegjësi, pjekuri dhe vetëdije institucionale. Deputetët nuk duhet të harrojnë se janë përfaqësues të qytetarëve dhe jo të krizave politike të vetëprodhuara. Kuvendi nuk është mjet për lojë pushteti – ai është burim legjitimiteti dhe besimi publik.
Qytetarët nuk janë spektatorë pasivë të kësaj krize. Ata kanë të drejtë të kërkojnë një Kuvend funksional, të përgjegjshëm dhe transparent. Në fund të fundit, institucionet nuk i përkasin politikanëve, por popullit.
Kosova ka dëshmuar në të kaluarën se di të përballet me sfida të mëdha – me mençurinë e qytetarëve të saj, me sakrificat e brezave dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Sot, sfida është e natyrës politike dhe institucionale dhe kërkon një klasë politike që vepron me përgjegjësi, e jo me inat apo kalkulim afatshkurtër.
Nëse kjo kastë politike nuk e kupton urgjencën e momentit, atëherë po e shtyn Kosovën drejt një rruge pa dalje dhe kjo nuk është më thjesht krizë politike. Është një krizë e demokracisë.