Sadik Bejko: Mbi romanin “Gjurmë jete” të Ndue Gjikës
1. Një roman i ri i një autori mirditor
Lexova me kënaqësi, tani së fundi, romanin “Gjurmë jete” të Ndue Gjikës.
Rreth dy javë më parë lexova tek ExLibris një shkrim të Ndue Dedës mbi këtë libër. Prej Ndue Gjikës pëlqej në mënyrë të veçantë tregimet e tij plot me lëng e me lëndë jete, prozë me vizatime të gjalla, me gjuhë të ëmbël lirike, me etyde poetike të ndjenjave e të pamjeve.
Romani i ri ka në qendër një figurë pak mitike dhe pak historike: Lleshin e Zi, kapedanin e mirditorëve të para dy shekujve. Ngjarjet e romanit zhvillohen rreth viteve 1810 -1842. Përmes prijësit mirditor, Lleshit të Zi, përcillen ngjarje, bëma në marrëdhëniet midis mirditorëve dhe dy pashallëqeve shqiptare të kohës: Shkodrës dhe Janinës.
Ndër momentet kyçe të romanit është ngjarja e vitit 1812 në Kardhiq të Gjirokastrës, ku mirditasit, në shërbim të Ali Pashë Tepelenës, refuzuan të ngrinin armët ndaj banorëve të paarmatosur të Kardhiqit. Veprim i mirditasve u bë proverbial. Mirditasit luftonin vetm me kundërshtarë të armatoseshin, duke shprehur kështu një ndjenjë të thellë nderi.
Ndue Gjika, prej vitesh jeton në Saint Louis të SHBA-së. Në romanin “Prapësi” (2008) trajton ngjarjet e “Republikës së Mirditës” së vitit 1921. Romani lirik “Zambakë në erë” është promovuar dhe në SHBA. Me përkushtimin ndaj historisë së Mirditës, Ndue Gjika synon të ndriçojë ngjarje të rëndësishme përmes letërsisë .
“Gjurmë jete” sjell lëndë nga historia, por nuk e ka gjetur atë vijën e prerë në largësi të ftohtë epike që u rri besnike shtjellimeve të ngjarjeve të këtij zhanri të romanit historik. Romani pëecjell personazhe të tjerë si Qorr Gjoci, rrëfyesi i ngjarjeve. Ky personazh i trilluar, Qorr Gjoci, mbart peshë e dramacitet ngjarjesh, ka jetën e tij intime, dhe është vizatuar me detaje piktorike më të gjalla edhe nga figura mitike e kapedanit luftëtar, e Lleshit të Zi.
Si edhe te romani “Prapësia” një punishte e përpunimit të metaleve përbën një nga bërthama e rrëfimit romanor ku lidhen e shtjellen shumë ngjarje e fate njerëzish.
2. Konteksti historiko-gjeografik
Një këngë folklorike rrëfen shumë për Mirditën:
Mue më thonë Mirëditë gazepi
Më ka le baba maje një kepi
Unë nuk kam bukë as për veti
Mue s’ka ç’m’ ban as krajli, as mbreti…
Mirdita për nga kushtet natyrore nuk mund të Ishte një vend bujqësor a blegtoral.
Kjo bashkësi katolike malësorësh nën një varfëri heroike ka ruajtur në shekuj fenë dhe identitetin e vet kulturor shqiptar. Këto kushte jetese ekstreme e bënë mirditorin ushtar profesionist. Në dimra e në stinë me zi e me uri buke, mirditori i thoshte kapedanit: na gjej ndonji luftë, or kapidan. Të shkojmë qoftë dhe për bukën e gojës.
Mirditorët në këtë roman i shohim si njësi ushtarake nën komandën e kapedan Lleshit të Zi vënë në shërbim të Ali Pashë Tepelenës, në shërbim të Stulltanit otoman, si në luftën ruso-turke; vihen dhe në shërbim të Bushatllinjve.
Më shumë se tipi i ushtarit të tmerrshëm mercenar shqiptar të kalitur në luftëra të dy-tre kontinenteve, në roman jepet mirditori që mbetet i butë, njerëzor e krenar për kodet e veta tradicionale. Kudo ky mirditor mendon për fshatin e për familjen e vet të varfër, për atë vatër ku do të kthehet përfundimisht që të vazhdojë jetën e vet. Profesioni i luftëtarit sjell pak të ardhura. Jeta në Mirditë mbetet prapë e ashpër. Qorr Gjoci si mjeshtër metalpunues vihet të prodhojë para kallpe në punishten e tij. Dy luftëtarët Gjoci e Kol Skana fallsifikojnë para dhe aty e gjejnë fundin tragjik. U presin kokën.
3. Linja e gjakut brenda fisit të Gjonmarkajve
Linja e dinastisë së kapedanëve të Oroshit vjen e skicuar bukur e plot tragjicitet. Kapedan Lleshit të Zi, ndërkohë që udhëhiqte mirditorët në Janinë, në Orosh i vrasin tre djemtë. Ia vret kushëriri i tij që mbante postin e kapedanit të krahinës së Mirditës. Hap një luftë gjaku brenda dinastisë së Gjonmarkajve. Në larje të përgjakshme hesapesh brenda dinastisë, vritet kapedani i Mirditës, vritet Lleshi i Zi. Gratë e familjes nxisin një plojë vrasjesh brenda fisit… lëndë kjo si te tragjeditë e lashta me temë hakmarrje gjaku në tre breza brenda fisit.
Kjo linjë e romanit është dhënë me një prozë të dendësisë maksimale. Në stilin e autorit ndihen ndikimet nga baladat e këngët e vajtimit tradicional të burrave mirditorë. Kjo linjë e gjakut brenda fisit mund të ishte temë për roman më vete.
4. Fati i kapedan Lleshit dhe i ushtarit profesionist
Zanati i ushtarit profesionist vazhdon edhe sot. Në këtë roman figura e Lleshit të Zi, me mjete të kursyera proze, është gdhendur jo aq si luftëtar më aftësi të shquara luftarake (ai ka qenë Kapedan e luftëtar që kërkohej në tregun e luftërave të kohës). Lleshi i Zi është një kapidan me kode malësorësh. E ka për krenari që është ushtar. Si mirditor është ushtar, jo xhelat. Trupat e tij ruajnë bashkësinë, individualitetin e dokeve tradicionale të krahinës. Mirditorët janë nën mbrojtjen e tij: nuk janë vetëm ushtarët, por dhe fisi, vëllezërit e tij.
Fundi i Lleshit të Zi si dhe i disa prej ushtarëve të tij më të dëgjuar, flet për fatin tragjik, të palavdi të ushtarit profesionist. Zanati i ushtarit të lë të varfër.
Linja e luftëtarëve të thjeshtë që profesioni i ushtarit i lë të varfër, sa as nuk mund të martohen e të kenë një jetë të tyren, është dhënë më me hollësi në roman.
E përshëndes Ndue Gjikën për prozën e tij, por dhe për interesimet e thellimet e tij në historinë e vendlindjes së tij, Mirditës.