Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Ylli Pango: Përsiatje mbi librin “Shpirt” të Emil Asdurian

Libri “Shpirt” i Emil Asdurian dhe nudo-pikturat e Bujar Arizit që e sodisin e i sodit përbri:

…Piktura dhe mendimi poetik. Abstragimi artistik si paraprijës i sē resë, të panjohurës, të fshehtave, që mëton t’i prekë sado me tahmina, qëi tenton intuitivisht… Ato çka shkenca u afrohet me durim e së fundmi rrok racionalisht.

E ka edhe më. E jo rrallë ka ndodhur kjo… A ka abstragim më sublim se muzika e njëherazi vibrures telash shpirti, të fshehtash brenda nesh që ende nuk ka shkencë t’i qëmtojë dot?

…Kjo e ka joshur krijuesin, shkrimtarin e neurokirurgun Emil Asdurian, që edhe në vetvete si personalitet e si formim, e përmban këtë amalgamë të dijeve e të fshehtave njerëzore. E kjo alkimi e shtyn fort e jo për të parën herë, t’ia hyjë tentacionit të palpimit të disa të fshehtave sublime të shpirtit njerëzor… e jo vetëm kaq… ka rrokur duart e krijimit me piktorin për të na dhënë shembëlltyra të hapësirave të fshehura pa fund të këtij shpirti. Të atij shpirti që nuk do të mjaftonin shumë gjuhë për ta përshkruar… Guxim i madh. Nuk mund t’i afroheshin veçse nëpërmjet dy gjuhëve më të sofistikuara e njëherazi më të fisme të kreativitetit njerëzor: poezisë dhe skicave poetike, apo poezive lirike që siç i quan autori “kërkojnë të gjejnë diçka të veçantë në një pamje, gjest, dritë a hije dhe pse jo tek një formë ndjellëse trupi e për më shumë çfarë ndodhet brenda tij, në zgavellat e shpirtit…”.

…dhe… si për t’u plotësuar a harmonizuar më mirë edhe pikturave… nudove joshëse e aq pasqyruese të Bujarit- a thua se duke ia dhënë kaq të larmishme e ndjellëse të donte ta ndihmonte edhe më mirë Emilin të arrinte përmes tyre sa të mundej më pranë shpirtrave të tyre…

…”Shpirtit” të tij… E jo vetëm kaq: delli i dijetarit nuk mund t’i lerë të qetë të vozisin ujrash të endërrta ndjesore poetin e piktorin… se dorë për dorë përanash faqesh gjen Parathënien, shtrirë nga fillimi i librit e deri në fund si Thënie, Më Tej Thënie e Pasthënie, përsiatje për artin e misteret e tij, për misteret e shqisave që e ngjërojnë atë, për prekjen, perceptimin, figurën, ngacmimin e shqisave…gjestin e më sublimin syresh… mendimin. E përmes tij shpirtin. E më tej për artin e mendimit e mendimin në art… psikanalizën e tensionin në art… dijen e gjuhën… artin  në mitologji, psikologjinë e krijimit, njohjen e vetes e mendimit si parësi e gjithë kësaj Parathënie-Pasthënie, dhe natyrisht prodhimtarisë më të sofistikuarat të tij, letërsisë e sidomos e veçanërisht poezisë.

…dhe shpalosen përpara syve të atyre që dinë të shohin e të dëgjojnë edhe muzikë duke lexuar… (muzika-i vetmi art sublim e i mistershëm-që duket sikur mungon në këtë libër, por që gjithësesi ndjehet edhe ajo në këtë ndërthurje artesh: në melodinë e poezive lirike e nën penelin e hollë të nudove sensuale-pasqyrë e tyre)…

Dhe shpalosen para lexuesit gjithë ç’mund të shpërthejë e derdhë, mendja-shpirti  i krijuesve:

…frikë nga e panjohura e vetes, zhbërja e tjetërsimi, rilindja a humbja… fjollat e shpirtit… ndjesitë për qashtërsinë, dëshirat lënguese të ëmbla e njëherazi therëse… dhimbshëm të paplota… po aq të lashta sa djepi më i hershëm njerëzor… ndjesitë e kadifejta që mbledhin të parën vesë të bukurive… dhimbja e kënaqësia lindur soje deri në rilindje… dëshira e marrë me hy deri në shpirt të hyjnive… fruti i ndaluem që të len e vetja s’të len me e hangër e veç me e cek e me e lanë siç asht… ndeshje të kundërtash për të njëjtën ndjenjë… magjepsje formash, kolmësish a tundimesh joshëse e ca më shumë se kaq me gjallesën e përndezjen sensuale të penelit të Bujarit, aq të gjetur përbri, vështrim i mbajtur në duar si pikë e parë shiu… harmonia e përpjestimet e përsosura, magjitë e numrave që rrok perceptimi e tjerr më tej në hije e ngjyra mendimi, e bukura në një simetri të humbur… shkrirja e shpirtrave si të kundërta bashkuese…dhe..shumë e shumë kredhje të tjera të magjishme e kurioze të Shpirtit… në ujra të thella e të magjishme kreaturash hyjnore, që preken e s’preken, shfaqen e zhduken se “ka (a mbetet) gjithmonë një e fshehtë, siç shkruan poeti e i gjegjet dijetari… një klithmë trupi krahasuar me Hënën, ëndja ende e pangopur e gjurma në ind të mendjes…

…po unë nuk mund e s’do mund si duhet t’ua them gjithë ç’ndjen e bulëron “Shpirti” i Emilit në ato 200 faqe bukurshkruar prej tij e po aq vrragshëm skalitur për anash nga peneli i Bujarit…

Duhet t’ia hyni aventurës të trazoni shpirtin e të shtegtoni me shpirtin e trazuar të dy artistëve… poetit e piktorit… se veç që do ndjeni e provoni, por edhe… me gjasë… do njihni ndoca më mirë edhe shpirtin tuaj.

…se edhe unë dua të jem edhe ca kohë i zënë… se duhet të vazhdoj ta lexoj e rilexoj… “Shpirtin” e kësisoj të ve pasqyrë e rilexoj si mijra herë më parë edhe në shpirtin tim… pra edhe ju o miq… ju lutem… sprovoni ndjenjën, shpirtin tuaj… lexoni “Shpirtin”…

…këtë kaleidoskop ndjesish të holla a sublime, gjendjesh të brendshme a ngasjesh delikate…”Shpirt” në kompleksen e të thellën e tij pa fund…

…Një libër i rrallë që duhet lexuar, ndjerë, kuptuar… një ndërthurje arti, mendimi, kulture, pene e peneli që të le mbresa të thella e të shtyn të mendosh e të rimendosh atë që njerëzimi prej mijra vjetësh ka më të pavdekshëm, më të mistershëm, më të thellë e më të bukur: Shpirtin

Të faleminderit Emil, por edhe ty Bujar, për tentacionin drejt të paarritshmes, shpirtit, mendimit, të mistershmit art… përqasjet më të afërta që njohim drejt hyjnores!

Please follow and like us: