Albspirit

Media/News/Publishing

ROMANI “FLIJIMI I MASKAVE”, NJË NARRATIVË E FUQISHME E PASQYRIMIT ARTISTIK

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

Bujar Skëndo njihet nga lexuesi bashkëkohor si kritik letrar dhe eseist, por në dekadat e fundit të jetës shqiptare, ai shfaqet edhe si një prozator i talentuar, i cili, pas romanit “Psherëtima e humbjes”, nxori në dritë një roman tjetër, atë me titull “Flijimi i maskave”, i cili ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, për botën e tij të pasur letrare dhe universale, në zëshmimin e jetës njerëzore dhe fatit të tij dramatik, ku dashuria, brenga dhe vetmia, bartin konotacione ekzistenciale.

Romani i Bujar Skëndos “Flijimi i maskave” i merr ngjarjet nga një realitet social-shoqëror-bashkëkohor dhe aktualiteti e ka nxitur atë për të përshkruar ngjarje e personazhe në një sfond gri të këtij realiteti, ku ndonjë ngjyrë e tjetërllojtë shfaqet rastësisht. Personazhet e tij ecin mbi një sipërfaqe që mbulon nën të një hapësirë bosh, përfund së cilës rri një shtjellë përpirëse. Bota e krimit, korruptimi i instancave të larta shtetërore në shkallë hierarkike gjer poshtë, aq sa ata kanë në varësi nga ana e saj, ka kërkuar nga autori një qasje të vëmendshme ndaj kësaj dukurie të shëmtuar dhe jo thjesht për ta pasqyruar atë si fotografim, por për ta dhënë përmes gjuhës së artit.

Ky fenomen nuk gjeti asnjë antikorp, asnjë kundërshti, ai korruptoi edhe një pjesë të njerëzve – dhe erdh gati si një zezonë, duke topitur arsyen dhe joshjen ndaj një shprese për të ardhmen. Një traumë sociale me efekte psikologjike, e cila, e vënë në penën e Bujar Skëndos merr një domethënie artistike përmes një fraze të rrjedhshme dhe të mençur të narratives. Korruptimi i pushtetit dhe një pushtet që ushqehet nga paratë e krimit, është një fenomen i njohur në vendet e pazhvilluara ose që janë në zhvillim e sipër. Krimit i duhet ta mbajë të lidhur pushtetin me fijet e tij, në mënyrë që ai të jetë i qetë nga “mungesa e vëmendjes së pushtetit” për ta kontrolluar, ashtu si dhe pushtetit i duhen paratë e krimit për të sunduar dhe për ta rritur potencialin e sundimit, në mënyrë që ta ciklojë këtë në mënyrë të vazhdueshme.

Është kjo arsyeja që këta dy përbindësha bashkëjetojnë dhe i marrin frymën një shoqërie të lirë, të drejtës dhe demokratike. Ky problem bashkëkohor qëndron në qendër të gjithë romanit të Bujar Skëndos, i ngritur në art përmes metaforës së maskës. Maska bëhet gati një fytyrë e vërtetë e gënjeshtrës, fytyra e vërtetë aq shumë është shkrirë me maskën, sa ajo nuk njihet më sa mund ta marrësh maskën për fytyrë dhe fytyrën për maskë, një shndërrim i besueshëm në një botë hipokrite të molepsur nga interesa dhe frika që vjen nga hija e të fortit.

“Dëshiron të dukesh i thellë në mendime, përdor maskën e intelektualit të rremë-nxitesh nga ideja e fshehjes së budallallëkut tënd, përdor heshtjen e lodhur filozofike. Dëshiron ta fshehësh zilinë ndaj suksesit të tjetrit, përdor maskën e urimit të rremë” etj., etj., -shprehje të autorit, që i gjejmë në roman, ku është ajo pjesë e meditimeve të personazheve apo të zërit autorial, sepse ky është një roman edhe me ngjarje, edhe me zërin përsiatës të personazheve, si dhe atë të rrëfimtarit, që shpërfaqet në kontraste, ftohtësi, në mungesën e dashurisë dhe një vetmie brengosëse.

Në shoqëri të tilla ku etja e parasë dhe sundimi i krimit përmes saj ose i parasë si burim i krimit, maska aq shumë lodhet për të mbajtur mashtrimin, sa ajo nuk ka më forcë ta përballojë këtë lodhje, deformimi i identitetit njerëzor e lodh aq shumë, edhe maskën, e cila kërkon edhe ajo ta ruajë pamjen e saj prej maske. Në njëfarë mënyre edhe ato ndihen të flijuara, ky është një grotesk dramatik dhe tragjik, ku shtrembërimi i identitetit njerëzor arrin në përçudnim të paparë, prandaj edhe titulli i romanit është mjaft i gjetur, se ka të bëjë me tjetërsimin si në një prozë kafkiane.

Në këtë kohë ku hipokrizia bëhet normë, prishja e moralit po ashtu, ku nderi nuk ekziston dhe gjithçka shitet dhe blihet duke mashtruar e gënjyer, ku ecën më shumë injoranca se mençuria, ku lehtësia për të fituar ndodh si me magji, ku babëzia e shton oreksin e saj banal deri në aty ku neveria ta mpin shijen më të fundit, e pra, në këtë kohë të pakohë, kryen aktet e një drame shurdhe që gjëmon së thelli prej dhimbjes së njerëzve të ndershëm, të cilët, të pafuqishëm për të ndryshuar diçka, në këtë rrjedhë tërhiqen dhe rrinë mënjanë dhe vuajnë në heshtje.

Ngjarjet e romanit vendosen në restorantin “Korbi i bardhë”, në një mjedis që shkëlqen ftohtësisht me luks dhe “finesë gri”, ku paradoksi i titullit (korb të bardhë s’mund të ketë-) shfaqet figura e Leonit… Të gjitha detajet dhe përshkrimet janë ngjethëse. Të gjithë këta politikanë që një herë në katër vjet zbresin në terrenin ku jeton populli për t’i kërkuar votën, të cilën e blejnë, e vjedhin apo e manipulojnë me paratë e krimit, të gjithë këta që janë aq shumë të dashur “mirëbërës”, papritur, sapo marrin frenat e pushtetit, nuk i gjen më në këto mjedise, ata kanë mjedise të tjera si ata të restorantit “Korbi i Bardhë”. Në roman-janë mjedise pronarësh të kënaqur, ku ata ftohen aty prej tyre, mjedise luksoze me pije të shtrenjta, seks dhe prostitucion- aty ku jepet paraja që krimi të delegojë në instancat e shtetit dhe pushtetit njerëzit e tij dhe kështu ta mbajë në rregull maskën, ta bëjë të besueshme gënjeshtrën si të vërtetë.

Ja si e përshkruan autori këtë mjedis: “Piktura të mëdha, të mëdha e të vogla, pasqyra në tërë gjatësinë e njërit prej mureve. Nga Tavani vareshin shandanë të rëndë të të gjithë formave, prozhektorë të shumtë”. “Kamera, parfum, silikon, verëra të shtrenjta franceze, shampanjë e diku një tavolinë e gjatë me katering”. Është një moment kur gjashtë biznesmenë do t’i shpallnin kandidaturat e tyre për deputetë… Dhe, regjisorë, gazetarë, media e blerë etj., etj., një maskaradë e vërtetë, një festë shkëlqimtare dhe e ftohtë… Dhe këta nuk janë biznesmenë që janë bërë të tillë nga puna e tyre, nga projektet e tyre, por nga bota e krimit, e vrasjeve, e vjedhjeve dhe që duan ta sigurojnë këtë botë përmes pushtetit, në mënyrë që ai t’i ndihmojë e të mos i ngacmojë të paktën…

Këta njerëz të ngarkuar me aq shumë faje ndihen të qetë dhe në ankth, ata ndihen “miqësorë” dhe kërcënues si dhe të kërcënuar, kanë rreth tyre një numër njerëzish që u shërbejnë dhe që i paguajnë mirë, janë njerëz të cilët kanë gjithçka dhe kjo nuk u mjafton, ata synojnë më lart dhe kjo më lart është vetë pushteti. Kështu jepet figura e Leonit, një figurë tipike e biznesmenit, mafioz të sotëm, një figurë e vizatuar me mjeshtëri për hollësitë e sjelljes së tij alla Uriah Hip e të kujdesshme, një figurë që në çdo hap që hedh ndihet hija e tij kërcënuese. Ai është i kujdesshëm, ngjit në pushtet shokët e tij dhe më vonë ngjitet edhe vetë- për arsyet që i përmendëm. Kjo ngjethje e tij është metodike në binomin pushtet- para. Figura e Dritanit është një tjetër vizatim në këtë linjë, por ai është dhënë disi më ndryshe. Edhe ky personazh i botës së krimit shfaqet tani i penduar dhe kërkon të bëjë jetën e tij, por “llogaritë e vjetra” hakmerren. Vdekja e tij në fund dhe trashëgimi që i lë së shoqes Emës dhe fëmijës së sapolindur, Vanesës, janë tregues të qartë të një ecurie të natyrshme dhe që shprehin bukur idenë se shpaga do të vijë, ajo do të vijë edhe për Leonin, e vetmja dritare optimizmi në fund të përshkrimit të gjithë kësaj atmosfere të zymtë ankthi dhe pasigurie.

Në marrëdhënien midis Dritanit dhe Emës, një aktore e talentuar që kishte lozur rolet e personazheve të disa dramave të Shekspirit, një paralele e bukur dhe e nënkuptueshme artistike që shpjegon se tani duhet të luajë dramën e jetës së saj dhe të të shoqit, duket se është e vetmja linjë disi lirike që na kujton jetën e vërtetë vetëm në aspektin e dashurisë. Duket se ata nuk e dinë kur dashurohen në fillim se jetojnë në botën e krimit ose po nisen drejt tij me udhëtimet e tyre jashtë shtetit, por në të vërtetë ata janë në rrathët e tij danteskë dhe i kapërcejnë ata jo si kundrues për të filozofuar për vuajtjen, por për ta jetuar atë.

Te Dritani kemi një reflektim kur ai nuk pranon të jetë një i dërguari i Leonit për t’u ngjitur në zyrat e pushtetit, por tashmë është vonë. Edhe ai duhet të paguajë dhe e paguan. Edhe ai është pjesë e krimit. Tashmë ai nuk mund të dalë nga vallja, ngarkesa e mëkatit edhe për atë është e madhe sado ta hedhë këtë ngarkesë vetëm me fundin e tij të trishtueshëm. Sikur të mos i mjaftojë zëri autorial, autori krijon një personazh tjetër që quhet Gazmend Tasho (profesor i shkencave sociale), që analizon fenomene të shfaqjes së botës së krimit e të fenomeneve të tjera sociologjike, psikologjike, politike etj.

Këtë figurë -personazh, autori e krijon në mënyrë të vetëdijshme jo se ai do të na sqarojë ndonjë gjë të madhe, por për të treguar se në një kohë traumatike, pesha e fjalës zvogëlohet, sado që ajo të jetë e madhe. Fjala nuk po troket siç duhet në ndërgjegjet e mjegullta, ajo nuk po bëhet dot ndërgjegje. Se ashtu siç shitet shpirti, shitet fjala, shiten ndërgjegje, siç shiten pushtetarë të joshur nga biznesmenët, siç shiten femrat të joshura nga paraja, pra, gjithçka shitet…

Romani “Flijimi i maskave” trajton një temë që i shkon në thelb shoqërisë së sotme shqiptare, duke e zhveshur atë nga boja e gënjeshtrës për ta nxjerrë lakuriq para lexuesit, ashtu siç është. Në njëfarë mënyre, në rrugë të vëzhgimit artistik, ai zhvesh nga miti i lumturisë edhe të pasurit, të cilët vuajnë ankthin-dhe ky është thelbi humanist i romanit. Ai jep kamuflimin e kësaj shoqërie, rrugën e saj të gabuar që ecën përmes gënjeshtrës, mashtrimit, imoralitetit deri perversitetit dhe patjetër krimit që është motivi kryesor.

Romani është ndërtuar në aspektin kompozicional, duke ndërthurur disa linja e duke nxjerrë në pah personazhe si Leoni, që qendërzojnë konceptin e, meditacionet autoriale dhe të përgjithshme për krimin, por edhe Dritanin, Emën e personazhe të tjerë që janë episodikë, por që prania dhe zhvillimi i tyre psikomotorik flet shumë, për të treguar një shoqëri të infektuar, ku zotëron molepsja morale dhe indiferenca, si dhe pafuqia për t’u përballur me “të fortët” të përkrahur nga politika. Ata janë të fortë në çdo aspekt dhe i vetmi eleminim i tyre është eleminimi nga njëri-tjetri.

Autori na sjell një imazh artistik si refuzim ndaj krimit, kjo është e vetmja shije pozitive që të mbetet pas leximit të këtij romani, shkruar me një gjuhë të zgjedhur dhe të zhveshur nga teprimet dhe e pasuruar me arsyetimet bindëse të sjelljeve të personazheve që krijojnë një lojë makabriteti të paralajmëruar. Si njohës i thellë i temës dhe i realitetit shoqëror-psikologjik të botës së krimit- autori e sjell vizatimin psikologjik të këtyre personazheve si një shpalim situatash të përsëritura me intensitetin e problemeve që dalin e krijojnë ankth, që është bindës, i thellë dhe i pranuar, nëse flasim për vërtetësinë e këtyre problemeve në rëndesën e tyre psikologjike, shtjelluar me vërtetësinë e një realizmi psikologjik të përkorë..

Përvoja autoriale dhe njohja e temës që trajton, si dhe aftësia vëzhguese, e ka çuar shkrimtarin Bujar Skëndo në këtë procedim dhe shtjellim të narratives, e cila nuk bazohet aq nga ngjarjet sesa nga reflektimi që japin ato për ta krijuar një ngushti mbytëse dhe të trishtueshme të një fundi që pritet. Edhe kur kemi situata të qeta, prania e krimit ndihet, ajo është e nënkuptuar. Edhe kur personazhet përmes kodit të tyre shpirtëror dhe të menduarit djallëzor dinë ta manipulojnë veten dhe të paraqiten si të vërtetë për t’u pranuar si të natyrshëm, të besueshëm, sërish ata ndihen se nuk janë të tillë, dhe kjo padyshim është meritë e shkrimit të romanit nga një shkrimtar i sprovuar dhe që e njeh mirë fjalinë, sensin e masës dhe që di po kaq mirë të kalojë në reflektime meditative-filozofike, të cilat janë të shumta dhe e mbushin atmosferën e të shprehurit artistik në roman, duke dhënë dramacitetin e kohëve tona.

Forca e detajit është gjithashtu një vlerë e këtij romani. Përmes detajeve pasqyrohen dilema, jepen karakteristika të caktuara të të menduarit të personazheve, pasqyrohen mjedise të zhytura në mjegullën e ftohtë të hipokrizisë pas të cilës qëndron tmerri i reve të nxira të të papriturës dhe të krimit. Çdo shkëlqim i jashtëm luksoz, ambiente ku shtrenjtësia shfaqet pa gjallëri, ngufuese dhe bezdisëse, paraqiten nga autori me përshkrime autentike dhe të besueshme, të cilat të bindin dhe të krijojnë një ndjesi refuzuese ndaj kësaj panorame të trishtueshme.

Autori nuk ka pasur nevojë të bëjë zbukurime stilistike, thjeshtësia e rrëfimit të tij është mbresëlënëse. Një botë e mbushur dhe e zbrazët njëkohësisht, është antiteza më e fuqishme që qëndron në boshtin ideotematik të romanit dhe i jep atij limfën e ftohtë të rrëfimit, të një rrëfimi të arsyetuar dhe që krijon një sens mase të pranuar, çka i jep vlerë rrëfimit, sepse thuhet ajo që duhet thënë pa zgjatje të panevojshme, duke ruajtur kështu temporitmin e narracionit dhe duke bërë që ky roman të lexohet pa bezdi edhe pse tema është e njohur.

Qëllimi i shkrimtarit Bujar Skëndo nuk ka qenë të pasqyrojë kohën, por të zezat dhe mbrapshtitë e saj që fillojnë nga sferat më të larta dhe arrijnë gjer poshtë, ku viktima beson se nuk mund të shpëtojë nga ky mallkim dhe ose e refuzon si realitet shoqëror, ose merr pjesë duke e besuar se nuk mund të besojë gjë tjetër dhe se nuk mund t’i afrohet gjë tjetër prej këtij shkurajimi që pëson. Kjo shpërfaqet si rezultat i topitjes së kësaj shtrese të gjerë të popullit në shoqërinë e sotme shqiptare, që ka sjellë edhe mungesën e kurajos civile për t’u përballur me të keqen që vjen nga krimi në të gjitha sferat ku ai zhvillohet.

Mekanizmi i fshehtë i krimit që lubrifikohet nga paraja e pistë, duket se bluan ëndrrën e çdokujt për të pasur një shteg, një ndjesi dhe mendim, që krijohet vetiu nga ky roman i suksesshëm shkruar me një gjuhë kockore ku pasqyrohet pasurimi dhe mjerimi i një grupi njerëzish, të cilët i afrohen njëri-tjetrit vetëm përmes maskës dhe është e vështirë t’i kuptosh. Por këtë kuptueshmëri e sjell artistikisht Bujar Skëndo me romanin e tij “Flijimi i maskave”, duke shënuar një sukses të ri në prozën bashkëkohore shqiptare./exlibris.al

https://exlibris.al/wp-content/uploads/2025/05/EXLIBRIS_335.pdf?fbclid=IwY2xjawKUgZlleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFEZEFyd0E1TEVXNHpwY3o3AR7rQswVs7v0YGk88shM1KasxTRBtMiFQUapH5j_a7WpaqKYiaQ1qODynQstJA_aem_sNcpsxzXjHNWL4UP3rpgbQ

Please follow and like us: