Prof. Asoc. Dr. Zaho Golemi: PLUMBAT E VASIL LAÇIT QË TRONDITËN FASHIZMIN
(Në 84-vjetorin e atentatit që Vasil Laçi kreu ndaj Viktor Emanuel-it III më 17 maj 1941, që ishte sinjal kushtrimi të luftës antifashizmit italian në Shqipëri)
Plumba mbi fashizmin fillimi i kryengritjes mbarëpopullore.
Pala shqiptare dhe italiane synuan ta minimizonin ngjarjen e 17 majit të vitit 1941. Po nuk mundën. Kjo ngjarje as u shua as u harrua, pasi pushtimit të 7 prillit 1939 i kishte ardhur “ora e kundërpërgjigjes” mbarëpopullore. As vizita njëjavore e Viktor Emanuelit nuk rezultoi sukses në “rrugëtimin miqësor”. Pushtimi ishte ngjarja që kërkonte shpagim, pasi italianët kishin “harruar”, vitin 1920, kur 89 çeta luftëtarësh shqiptarë, hodhën në det një perandori 40 milionëshe. Fashizmi erdhi në botë si një formë e ultranacionalizmit autoritar radikal të krahut të djathtë, i karakterizuar nga pushteti diktatorial,
Fashistët ufrymëzuan nga burime të lashta si spartanët, duke u nisur nga pastërtia racore dhe elitarizmi. Fashizmi e gjente frymëzimin dhe tek vijueshmëria ideologjike e Romës, veçanërisht Perandorisë Romake. Edhe këndvështrimi i Hegelit mbi autoritetin absolut të shtetit ndikoi në një farë mënyre dhe në të menduarit fashist. Nga ana tjetër “revolucioni francez” pati ndikim që i bënte fashistët, që të luftonin idetë e liberalizmit, demokracisë liberale e barazinë racore. Kultura aristokrate “e lartë dhe fisnike” ariane në krahasim me një kulturë semite “parazitare” ishte thelbi i pikëpamjeve racore të nazizmit. Të gjitha këto koncepte gjetën strehë dhe mbështetje tek Hitleri, Duçja dhe Perandoi japonez, që më 7.7.1937 kishte pushtuar Kinën dhe synonte të shtrinte pushtimet në Azinë lindore e jugore. Boshti fashist Berlin – Romë – Tokio i arritur në vitin 1936, synonte ta vendoste nën thundër mbarë planetin.
Fuqitë e Boshtit, të njohura si “Boshti Roma-Berlin-Tokio”, u njohën me një nofkë që i përkonte një emri italian “Roberto”. Gjithçka u motivua nga inicialet e: “RO-ma”, “BER-lin” dhe” TO-kio”. Hapi i parë ishte traktati i nënshkruar nga Gjermania dhe Italia në tetor 1936. Benito Mussolini deklaroi më 1 nëntor 1936, se të gjitha vendet e tjera evropiane nga ajo kohë do të rrotulloheshin në boshtin Romë-Berlin, duke krijuar kështu termin “Boshti”. Më 2 nëntor 1936, diktatori italian Benitto Musolini shpall Boshtin Romë, Berlin, duke krijuar aleancën e Fuqive të Boshtit. Termi “bosht” besohet të jetë përdorur fillimisht nga kryeministri fashist i Hungarisë, Gyula Gombos, i cili përkrahte idenë e një aleance Gjermani – Hungari – Itali. Ai veproi edhe si ndërmjetës mes Gjermanisë dhe Italisë për të arritur një aleancë të tillë. Por Gombos vdiq papritur në vitin 1936, dhe ardhja e Kalman Daranyit, pasardhës jo-fashist në postin e kryeministrit, i dha fund përpjekjeve të Budapestit për krijimin e një boshti 3-palësh. Hapi i dytë pothuajse i njëkohshëm ishte nënshkrimi i nëntorit 1936 i Paktit Anti-Comintern, një traktat antikomunist midis Gjermanisë dhe Japonisë. Italia u bashkua me Paktin në vitin 1937. Boshti Romë – Berlini u bë një aleancë ushtarake në vitin 1939 nën të ashtuquajturën “Pakti i Çelikut”, me Paktin Trepalësh të vitit 1940 që çoi në integrimin e qëllimeve ushtarake të Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë. Fillimi i LIIB dhe vazhdimi i saj për 5 vite rresht shkaktoi tragjedinë më të madhe të shumë kohërave që nga fillimi i njerëzimit, luftë që përfshiu mbi 100 milionë njerëz me mbi 30 shtete, ku u vranë miliona njerëz (70-85 milionë njerëz, shumica nga BS), përfshi nga gjenocidi, masakrat, Holokausti, bombardimet strategjike, uria, Përdorimi i armëve bërthamore etj.
Shqipëria ishte preha e parë e fashizmit italian, por 1939-1941 zjarri i përballjes me fashizmin sa vinte e rritej. Gjeneral Alfredo Guzzoni erdhi në portet shqiptare me 22 mijë burra nën uniformë atë ditë të zezë prilli. Po me kaq burra edhe ishte larguar i turpëruar një tjetër gjeneral italian Settimo Piacentini më 3 shtatorin e viti 1920. Ndërkohë që këtë radhë vinin si fashistë me “ideale të ish Romës perandorake”!. Nuk e dinin se shqiptarët dinë të zgjohen në momentin e duhur edhe kur nuk kanë shtet edhe kur i tradhtoi kryetari i shtetit. Një pikë kulmore ishte padyshim 17 maji 1941, kur plumbat u derdhën mbi kokën e perandorit dhe jo vetëm edhe mbi shoqëruesin e parë kryebashkëpuntorin dhe “kryeministrin” Shefqet Vërlaci. Djaloshi 19-vjeçar Vasil Laçi qëlloi makinën, e cila transportonte Viktor Emanueli III-të, ai edhe Mbret i pagëzuar i Shqipërisë, pas dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut më 12 prill të 1939. Ngjarja e ndodhur ditën e shtatë të vizitës në Shqipëri dhe që po largohej në drejtim të aeroportit të Laprakës, në rrugën e Durrësit ishte vetë zjarri i rinisë antifashiste që kishte në gji dhe sinjali i fuqishëm i fillimit të një lufte mbarëpopullore, që u dha hapur dhe në mënyrë demonstrative nga tyta e revolverit të djaloshit antifashist të vendosur nga fshati Piqeras i bregdetit joninan pranë Sarandës.
*
Kush ishte Vasil Laçi, hero dhe dëshmor i lirisë së shqiptarëve?
Vasil Laçi, ishte lindur më 19 shtatorin e vitit 1920 në fshatin Piqeras të Bregdetit pranë Sarandës, në një familje me rrënjë atdhetare e patriotike një fshat me dymbëdhjetë yje të pashuar, dëshmorë të Atdheut të rënë gjatë LANÇ-it. Piqerasi ka dy heronj të popullit Vasil Laçi dhe Mitro Xhani. Vasil Laçi arsimimin fillor e kreu në vendlindjen e vet, ndërkohë që kishte dëshirë për të vazhduar shkollën e lartë që nuk mund të përmbushej për pamundësi financiare. Gjendja ekonomike e familjes Laçi, e detyroi Vasil Laçin të fillonte punë si punëtor krahu në portin e Sarandës, e cila për moshën e vogël të djaloshit, 14 vjeçar, ishte e rëndë, por me një shpërblim të vogël qesharak. Por për adoleshentin piqerasiot ishte hapi i parë në jetë, duke u përballur me jetën e vështirësitë e panumërta. Punën e krahut Vasili e vazhdoi për vite me radhë nga Saranda në portin e Durrësit e më tej edhe në Tiranë, duke u përballur me gjithëfarë punësh. Në portin e Durrësit ai punoi si hamall bashkë edhe me Mitro Xhanin, fshatarin e tij, i cili e ndihmoi për të shkuar në Tiranë me shpresë për të gjetur ndonjë punë, por edhe për të mundësuar lidhjen e tij me njësitet antifashiste. Në Tiranë Vasili Laçi punoi në Hotel “Berati”, duke mbajtur lidhje me farefisin, me Kol Laçin, kushëriri i tij, anëtar i Grupit Komunist të Korçës, por dhe me shumë shokë e miq të tjerë nga e gjithë Shqipëria. Vasil Laçi hotelin e kishte kthyer në një strehë për të ndjekurit nga fashizmi, për punëtorë të papunë, ushtarë të dezertuar nga lufta italo-greke e viteve 1940-1941 dhe të gjithë ata që realisht e urrenin fashizmin. Ai fliste dhe argumentonte me guxim për pakënaqësitë që kishte shkaktuar fashizmi italian për mohimin e lirive, grabitjen e pasurive, rritjen e varfërisë ekonomike, por edhe për shtypësit e shfrytëzuesit vendas. Në Hotel Berati, Vasil Laçi u lidh me Vasil Shanton, shok dhe mik i ngushtë i Qemal Stafës. Vasili në aktivitetin revolucionar, bërjen e atentatit më 17 maj 1941 kundër Viktor Emanuelit III, u lidh me Stilo Mekshin nga Shënvasili i Sarandës. Stillua i bleu Vasilit revolverin “Beret” me 5 fishekë, 50 franga ari me paratë e veta tek një ushtar italian i quajtur Umberto. Vasili gjatë përgatitjes së atentatit e ruante të fshehtë revolen para aksionit. Atë e kishte fshehur në dyshemenë e dhomës, e vajiste, e pastronte në vijimësi, shpjegonte bashkëpunëtori i tij i ngushtë Stillo Mekshi. Vasili i thoshte Stillos: “Beretin e duam që të ruajmë kokën dhe për neve do të vijë një ditë e mirë që plumbat ti derdhim mbi fashizmin”. Stillua tregonte: “U dëgjua një autoparlant me thirrjen që nesër vjen mbreti në Tiranë. Dil e bëj sehir ti, tha Vasili, sepse unë do të dal ta përcjell kur të largohet. Dhe vërtet e përcolli me 5 plumba”. Ditën e ballafaqimit në gjyq, Vasili u shpreh: “Mos merrni njeri në qafë! Unë e kreva vetë atentatin, pa u ndikuar nga askush tjetër.” Vasil Laçi u gjykua nga gjykata ushtarake e shtetit fashist italian. Trupi gjykues drejtohej nga gjeneral Feruci, prokuror i akuzës ishte gjeneral-major Umberto Meragini. Ky gjyq u bë me dekret të posaçëm mbretëror. Vendimi ishte i formës së prerë, nuk u lejua të bëhej apel. Më 26 maj 1941, Vasil Laçi u dënua me vdekje, varje në litar. Ai u ekzekutua në 27 maj 1941, ora 5.40 në burgun e Tiranës. Pyetjes së trupit gjykues për dëshirën e tij të fundit, Vasili iu përgjigj: “Dua një krëhër për të krehur flokët!”. Gjatë ekzekutimit me varje Vasili nuk pranoi t’i largonin arkën e sigurisë së ekzekutuesit, por e shtyu vetë me këmbë. Nga të dhënat dokumentare, “Dënimi me vdekje u ekzekutua me varje në litar dhe sipas konstatimit të mjekut, atij i doli shpirti 19 minuta pas varjes”. Më 17 maj 1941, kur mbreti italian po largohej nga vizita njëjavore në Shqipëri, Vasili qëlloi mbi të me 5 plumba, por nuk e vrau dot, por nuk u vra vetëm fizikisht, por moralisht u diskreditua dhe e mori mesazhin e antifashizmit nga shqiptarët. Atentati i Vasil Laçit mbi Perandorin e Italisë fashiste ishte një urrejtje kulmore për pushtuesit fashistë, ishte akt frymëzimi për brezat, pasi pesë plumbat mbi mbretin fashist ishin thirrje për kryengritje të armatosur si i vetmi mjet i fitores së lirisë dhe të drejtave kombëtare. Ishin akt trimërie, vetëmohimi për interesat e përgjithshme që Vasil Laçi i dinte mirë pasojat, por ishte i ndërgjegjshëm për misionin e lartë që kreu mbi pushtuest fashistë. Krismat e revolverit gjëmuan në Tiranë, por u dëgjuan në të gjithë Shqipërinë. Jehona e tyre u përhap në të si rrufe, pasi ato ishin krisma simbol trimërie, burrërie, vendosmërie për t’i dalë zot Atdheut në kohët më të rrezikshme. Trimëria e Vasil Laçit nuk u shkreh vetëm në atentatin mbi mbretin, por edhe me qëndrimin e tij plotësisht të heshtur që mbajti gjatë hetimit. Ai nuk kallzoi asnjë njeri dhe e pranoi se e kishte kryer vetë atentatin nga urrejtja për pushtuesit fashistë. Torturat e shumta nuk mundën, nuk e thyen, nuk e ligështuan, ai nuk kërtkoi falje as përpara njeriut të Zotit, nuk u përkul për aktin e kryer, për aktin madhor që ishte në nderin e Atdheut, në funksion të lirisë së Shqipërisë.
Për aktin që ka kryer Kuvendi Popullor e ka dekoruar Vasil Laçin me titullin më të lartë “Hero i Popullit”, është dëshmor i Atdheut si dhe ka merituar vlerësimin nga Presidenti i Shqipërisë për Vasil Laçi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” me motivacionin e poshtëshënuar: “Atdhetarit antifashist që me aktin e tij heroik dhe vetëflijues i tregoi të gjithë shqiptarëve e veçanërisht rinisë se rruga drejt lirisë dhe çlirimit të atdheut kalonte vetëm përmes fuqizimit të rezistencës së paepur ndaj pushtuesve dhe gatishmërisë edhe për sakrificën më sublime. Atentati i tij kundër uzurpatorit të fronit të Shqipërisë ishte demonstrimi më kuptimplotë patriotik dhe atdhetar kundër pushtimit fashist dhe dhunimit të sovranitetit shtetëror dhe kombëtar”. (me nr. Dekreti: 11407, datë 31.12.2019). Ndërkohë që në shtypin shqiptar ka me dhjetra artikuj që përjetësojnë heroizmin, si dhe akti i tij heroik dhe i pa zëvendësueshëm, është përjetësuar edhe në filmin “Plumba Perandorit”, në vitin 1980, nga Konostudioja “Shqipëria e Re”. Plumbat e Vasil Laçit që derdhi mbi Perandorin, ishin plumbat e urrejtjes shqiptare ndaj fashizmit 84 vite më parë. Në këto më shumë se tetë dekada Shqipëria dhe popujt e botës përjetuan eksperienca nga më të hidhurat pasi ekstremizmi politik botëror ka kaluar shpesh në çmendurira me udhëheqës anormalë që fusin popujt në luftë dhe luftën e kanë obsion kokat e nxehta të politikës botërore. Ky mësim i hidhur i historisë shpresohet të mos përsëritet, duke kujtuar të rënët dhe të parandalohet çdo tragjedi, urrejtje dhe konfliktet në të çojnë në të ardhme të pasigurtë. Nderimi i heronjve, dëshmorëve është nderim dhe respekt për historinë, nderim i vlerave antifashiste, që forcat e errëta të mos duken as në asnjë horizont apo projeksion të zhvillimit të popujve.