Albspirit

Media/News/Publishing

Borgjezi! Por ç’borgjezi or byrazer! Dreqi ta hajë! Kënaqësia kushton! 

Emil Asdurian

S’kushton ajo e vjedhura ose ajo e blerë me fare lirë. Ka dhe një të tillë, e vetja për veten, si ndoshta nga frika e humbjes, që gjithësesi rrit adrenalinën dhe që nga ana e saj rrit ëmbëlsinë e gjakut, kaq të preferuar nga mbreti Tru, tirani që çfarë nuk bën për ta arritur atë. Gjithçka për një reaksion mediokër djegieje, si nga një gotë birrë që i arrin të dyja. Alkoholi është një derivat i sheqerit. Të gjitha kanë një çmim dhe ajo më sublimja. Blihen, dhe në të fundit, të gjitha llojet ose mjetet e kënaqësisë, duke përfshirë dhe atë të zbulimit, pushtetit apo dijes konkurojnë me njëra-tjetrën për sy, vëmendje apo puthje të ujshme, “french”, të lagura. 

Grekët e lashtë u përpoqën sa mundën ta afronin me Zotat, por e vërteta u shkiti nga duart. Të gjitha janë për treg, nga Sokrati tek “vepra” e tij në gojdhana si ajo e Homerit. 

Por duhet të dehesh me çdo njerën prej tyre, a ndoshta në një kohe tjetër, (pse jo tani), por më shumë me nektarin e dijes, grumbulluar prej shekujsh njerëzimi, të quajtur Poezi, krijim. Të kudogjendshmen!

“Ju jeni shumica për nga numri dhe inteligjenca; ndaj jeni forca që sjell drejtësi (justice). Disa nga ju janë shkollare, disa pronarë, ajo ditë e lavdishme do të vijë kur të shkolluarit do të bëhen pronarë dhe pronarët të shkolluar. Atëhere forca juaj do të jetë e plotë dhe asnjeri nuk do të ngrihet kundër. Përderisa harmonia m’e lartë s’është arritur ende, do të mbeten vetëm ata që janë pronarë dhe do aspirojnë të bëhen të shkolluar, sepse dija nuk është një kënaqësi me e paktë se pronësia”. 

Baudelaire, Letër drejtuar borgjezisë 

Dëgjova një fjalim të  Kryeministrit tonë të sotëm për diaporën ku midis të tjerave thuhej “se sado që të përvetësoni kulturën e vendeve ku jetoni Shqipen nuk duhet ta harroni kurrë”! Mirë e ka, se ajo, “gluha” mbetet veçoria më e qëndrueshme e një kombi, dhe veçanërisht për shqipëtarët mbetet me se e vetmja, ajo! Po si mund të mbrohet dhe zhvillohet gjuha pa librin! Si kudo dhe në Shqipëri Libri nuk lexohet sikur sjell alergji. Për të tjerët, Fuqite e Mëdha multinacionale, dhe kapërdihet, por për ne mbetet arma e vetme e mbijetesës. 

Pak a shumë kështu kanë bërë qeveritë e të gjitha vendeve të cilat kanë diaspora në botë. Të gjithë na kujtojnë mëmëdhenë nga ikëm dhe detyrën e shenjtë që kemi ndaj Nënëmadhes, paçka ç’bëhet kur kthehemi, kur ndjehemi më të huaj se të huajt. Pa përmendur fjalën “emigrant”, që kaq shpesh perdoret vetëm tek ne! Nejse, këto kanë të bëjnë me karakteret e ndërlikuara kombëtare, të cilët sillen si individe, në bazë të zhvillimit të tyre. E vërteta është se qeveria ka bërë diçka për këtë siç ka bërë dhe emigracia. Qeveria ngriti një institucion të diasporës, edhe pse duhet të kish të tilla jashtë tutelës partiake. Libri ka nje careshë të vetën që si Kleopatra promovon ata që duhen, siç ka edhe Konkurse dhe Panaire, që mbështesin jo aq shumë libër-dijen, se sa xhepin e tyre që i organizojnë në çfarëdo lloj mënyre e për çfarëdo arsye të dukshme apo të fshehtë. Tregu i librit nuk është treg i lirë, ndërkohë që është i ndarë nga kultura dhe edukimi. Se as kam menduar dhe as mendoj që tregu i lirë, të varet nga pushteti politik drejtëpërsëdrejti, sa të quhet oligaki. Se ne shqipot çdo gjë, si gjuhën dhe origjinën pellazgjike e kemi të veçantë, siç patëm dhe diktaturën me bunkera dhe hekura. Mandej ç’faj ka qeveriu në një ekonomi tregu? Qeveriu është përgjegjës për kombin, apo jo?

Ndërkohë “emigrantët” e gjorë edhe kur nuk kishin bukë të hanin shkruanin poezi! Novela dashurie që nuk i gëzuan kurrë në rini dhe erdhën t’i  botonin në fole. Blenë fjalorë dhe gramatika, gjuhën e njësuar që mezi e mbanin gjallë edhe pse ngulur në TV të jetonin vendin, ku flitej e shkruhej një gjuhë që nuk ishte as mish as peshk, dhe me dialekte që ishin në fakt konglomerate pjesëzash vjedhur nga një Tironse e përzier me Kuksjançe. Por ajo që i vrau më shumë, që iu preu krahët, nga gjithë ai vrull hyjnor për të shlyer mekatin dhe fajin e ikjes, mallin dhe lëngimin për atë që humben, ishte se u kishin borxh, veç mundit dhe ëndrrës, para të thata, qindra dollarë, shtëpive botuese dhe shtypshkronjave në atdhe, që me përvojë e kishin asimiluar këtë “vajtim patriotik” të emigrantit, me mendësinë e një shpirti të vogël gobsek donin të zhvasnin dhe dy kacidhe të qelbura dhe në këtë treg. Sigurisht që në këtë katrahurë mizerabël ka dhe përjashtime. Por kush e ka paguar më shumë është arti. Shumë fasadë për asgjë, si shishja e ujit në Sarandën e shenjtorëve, ku kushton më shumë se një pulë supermarketi. Është ky treg që stimulon gjuhen dhe artin, konkurencën, mikpritjen? 

Qeveria, qeveriu të cilëve nuk kam asnjë dyshim që i qan shpirti për artin dhe që e kuptojnë që hyrja në Europë nuk do bëhet për miqësi prijësish, ulje në gjunjë  dhe as vetëm për arsye gjeopolitike, por në bazën e një kulture të vërtetë borgjeze, me plotë kuptimin e fjalës, siç thoshte Bodelaire, (i cili vdiq në borxhe sa ish gjallë)!

Ç’mund të bëhet? 

  • Të hiqet taksa mbi krijimtarinë artistike, pasi nuk flitet për prodhim mallrash.
  • Të rriten pagesat dhe përfitimet që të stimulojne produktivitetin artistik kombëtar për çdo lloj arti apo krijimtarie, heqja e taksave atyre që investojnë në art. (U çirrën dhe rrahën gjoksin për Teatrin kur drama dhe skena për to mezi gjenden në kryeqytet, lere gjetkë). Librashitësja merr 50% së vlerës së shitjes, 15% botuesi për shpërndarjen, nga taksa i mbetet shkrimtarit 30%, që nuk nxjerr as shpenzimet e botimit. Cili prodhues në botë del me humbje për mallin e tij. 
  • Te ngrihen institucione të pavarura për vlerësim dhe kritikë arti, siç janë kudo. Jo emërime nga lart, si Lidhja e Shkrimtarëve, që as ndihet në kalbje! 
  • Stimulim i turizmit kulturor, jo vetëm për të shkuarën dhe folklorin, por artin bashkëkohor në të gjitha zhanret. Fonderi artitike etj . 

Mburremi për kulturën e stërherëshme pellazgjike dhe atë të Apollonisë së lashtë, por për bashkëkohoren thërresim Modiglianin të na flasë nga kryeministria.

Mirë që ishte dhe ai, se Galeria e Arteve dhe Teatri presin të ndërtohen. 

Nënë Teresa e Kalkutës është në Qiell me Kadaranë! 

Çfarë do çojmë të shesim kur të hyjmë në Bashkimin Europian? Malet dhe Gjadrin për Kampe Refugjatësh-Emigrantësh? 

Mos harrojmë se librat shtypen shumë më lirë dhe në Kinë dhe në Kroaci apo dhe në Rumani si në kohën e Osmanllijve për abetaret! Tregun i lirë global! 

Please follow and like us: