Ismet Hajrullahu: Ramadan Bunjaku dhe libri “Ecje mbi Plojë”
Historia e Ramadan Bunjakut, siç përshkruhet në librin e tij “Ecje mbi Plojë”, nuk është thjesht një rrëfim personal, por një pasqyrim i vështirësive dhe sakrificave që shumë shqiptarë kanë përjetuar në periudhat më të errëta të sundimit jugosllav. Është jeta e një njeriu që nuk u përkul kurrë përballë padrejtësisë, por e ktheu vuajtjen në forcë.
Ramadani nuk u bë kurrë viktimë e sistemit, ai ishte luftëtar i së vërtetës – një zë i pathyeshëm që sfidoi represionin me guxim dhe integritet. Si ish-i burgosur politik, ashtu si shumë prej jush që jeni sot këtu, ai përjetoi brutalitetin e një regjimi që synonte të shuante çdo zë që kërkonte liri dhe drejtësi për popullin e vet.
Lindur dhe edukuar në një familje me tradita të forta atdhetare, Dani, së bashku me vëllezërit e tij, nuk reshti kurrë së punuari dhe luftuari për idealin e bashkimit kombëtar – idealin e stërgjyshërve tanë, të dëshmorëve të kombit dhe të sakrificës sublime të Adem Jasharit.
Përpjekja e tij për të ruajtur idealet kombëtare dhe për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve e vuri shpesh në shënjestër të pushtetit serb, i cili përdorte dhunën dhe shtypjen sistematike për të heshtur çdo kundërshtim. Në qelitë e burgut, Ramadani kaloi kohë të vështira, por kurrë nuk e humbi besimin në kauzën që përfaqësonte. Ai e dinte se heshtja nuk mund të ndërtojë të ardhmen, dhe se frika nuk mund të na çojë drejt lirisë.
Ashtu si çdo i burgosur politik që ka përjetuar dhunën barbare të sistemit, edhe Ramadani u përball me tortura fizike dhe presion psikologjik – mjete që regjimi përdorte për të thyer vullnetin. Por ai nuk u thye. Përkundrazi, e shndërroi burgimin në një etapë të re të betejës së tij për drejtësi dhe dinjitet.
Pas lirimit, ai nuk e la pas kauzën kombëtare. Si profesionist në fushën e drejtësisë, gazetarisë dhe diplomacisë, ai e kuptonte se liria kërkon përpjekje të pandërprera. U bë pjesë aktive e lëvizjeve që mbronin të drejtat e shqiptarëve dhe synonin bashkimin kombëtar.
Si themelues dhe sekretar i përgjithshëm i UNIKOMB-it, Ramadani luajti një rol kyç në organizimin e rezistencës politike dhe në promovimin e çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare. Në vend të armëve, ai zgjodhi fjalën dhe penën si armë – duke shkruar, folur dhe dëshmuar për padrejtësitë që përjetonte populli ynë.
Ramadani që unë kam njohur, nuk ishte një njeri që hiqte dorë nga bindjet e tij. Ai ishte strateg dhe ideolog, një njeri që luftonte për të drejtat e të gjithëve, jo vetëm për të vetat. Ndërsa shumë të tjerë zgjidhnin heshtjen, ai sfidonte hapur regjimin, duke kërkuar barazi, njohje dhe drejtësi.
Sot, teksa e kujtojmë Ramadanin, nuk po nderojmë vetëm një individ, por një simbol të përkushtimit ndaj bashkimit kombëtar. Në vitet e rënda të arratisjes së tij në Shqipëri, na bashkoi miku ynë i përbashkët, Halil Alidema – një tjetër figurë e shquar e çështjes sonë kombëtare.
Çdo takim, çdo tryezë, qoftë me vendas apo të huaj, kishte një qëllim të vetëm: arritjen e lirisë dhe largimin e regjimit shtypës serbo-jugosllav.
Çlirimi i Kosovës është fryt i përpjekjeve të një populli të tërë, i mbështetjes së bashkësisë ndërkombëtare, dhe i individëve si Ramadani, por edhe secilit prej jush që keni kontribuar me mund, shpirt e sakrificë për këtë Kosovë që e gëzojmë sot.
Drita e dashur, nder për ty që ishe pjesë e rëndësishme e jetës së Ramadanit – ndriçove çdo hap të tij me përkushtim dhe stoicizëm të rrallë.
Ramadani, miku im, edhe pas çlirimit nuk kërkoi poste apo lavdi. Ai ishte i pajisur me një bagazh të pasur intelektual e kombëtar, që shumë të tjerë nuk e kishin. Dhe mbi të gjitha, e ruajti me krenari dhe fanatizëm idenë se Kosova një ditë do të jetë Shqipëri – një ide për të cilën angazhoheshim bashkë çdo ditë.