Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Iliazi: Me Sadik Bejkon, nga të rrallët lirikë të ngazëllimit

Me poetin, shkrimtarin, dramaturgun, studiuesin dhe kritikun letrar, profesorin e njohur të letërsisë, Sadik Bejko, më lidh një miqësi e gjatë, që ka filluar pak vite para rrëzimit të diktaturës, kur ai shkruante drama dhe unë punoja si libretist teatri. E kam njohur mirë jetën e tij bardhezi.
Sadik Bejko u lind më 30 mars 1943 në Komar, Tepelenë. Është një nga figurat e rëndësishme të letërsisë shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të dhe mbetet edhe sot, në moshën 82 vjecare, një prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë moderne shqiptare, me një krijimtari që shtrihet afërsisht në 6 dekada. Gjithashtu ishte një nga intelektualët dinjitozë të fillimeve të ndërtimit të shtetit demokratik, pas ndryshimeve politike në vend.
Bejko njihet për poezitë dhe prozën e tij që shpesh trajtojnë thelbin e gjësë shqiptare, tema si identiteti, kultura dhe realitetet socio-politike të Shqipërisë, veçanërisht gjatë periudhës së regjimit komunist, ku jeta dhe karriera e tij kaluan plot privacione.
Mjafton të kujtojmë vitin 1972 kur, ai u internua nga regjimi komunist për vargjet e guximshme që pëshpëritnin për shpirtin njerëzor. Sikurse shumë shkrimtarë, edhe ai u dënua të punojë në punë të rënda, në minierë, për nxitje dhe përhapjen e kulturës borgjeze në Festivalin e Njëmbëdhjetë të Këngës më 1972.

Që në atë kohë rrekej të ishte poet i mendimit të lirë, duke kërkuar hapësira shpërthimesh poetike, duke pasqyruar gjendje e portrete shpirtërore shqetësuese plot nerv dhe aspak të ideologjizuara. Poezia e tij dukej sikur shkruhej përpara kohës, përherë e organizuar dhe me përkryerje sa depërtonte në hapësirën e kohës si ajër dhe si muzikë, me një premtim gati transhendetal për të kapur impulset njerëzore, madje dhe me një lloj rebelimi të hapur:
“Ke pranuar shmangien, vetizolimin,
vetburgosjen ke pranuar si jetë,
je flakur diku tej gëzim-hidhërimit-
pak e hidhur kjo, por e vërtetë.
(Fragment: Ishullari)
Vargjet e Sadik Bejkos rrëzëllenin me guxim dhe me një inkadeshencë të rrallë lirike, duke magjepsur me një figuracion të pasur dhe përfytyrime metaforike, me një komunikim të sinqertë shpirtëror meditativ.
“Është një hënë… hëna, hëna ime,
në netët e verës, në netët e dimrit
më ndrit, feks nën terr, në gjumë,
andej… nga kufijtë e pakuptimit.
(Fragment: Hëna ime)
Poezia e tij ishte ndoshta pak më e thjeshtë se e poetëve të tjerë bashkëkohës shqiptarë, e padorëzuar ndaj rregullave metrike dhe patetizmit që sundonte frymën poetike të kohës. Sadik Bejko ishte nga të rrallët poetë të ngazëllimit, duke eksperimentuar në format poetike, në mënyrë që vargu i tij t’i përgjigjej gjendjeve shpirtërore dhe përfshirjes në proceset e ndërlikuara natyrore e sociale. Ndër titujt më të rëndësishëm të botuar në atë kohë përmendim: Rrënjët’, 1972, (ribotim), 2002, ‘Ku e ka folenë bilbili’, 1982. Edhe në veprat e shkruara pas vitit 1990: ‘Si vdes gruri’ 1994, ‘Letër Hamurabit’, 1997, ‘Somnambul’, 2002, ‘Lulekumbullat’, ( poezi përkthyer nga Konfuci) 2002, ‘Psalm për atin’, 2003, ‘Perëndim me pak natë’, (poezi të zgjedhura ), 2004, ‘Fytyrë e panjohur’, 2005, ‘Poezi’ (shqip dhe maqedonisht), botim i Shoqatës së Shkrimtarëve të Maqedonisë, Shkup 2010, ‘Këngë të Solomonit’, 2017, ‘Kalorësit e shiut’, Shtëpia Botuese ‘Onufri’, 2021, shohim se cdo poezi e tij është një shëtitje dhe vepra e tij është e karakterizuar nga lëvizja që ai e gjen kudo në natyrë, një lëvizje që i përgjigjet aktivitetit të tij mendor, mbi një natyrë meditative.

“Kohërat gdhendën gurë në fytyrat e atjeshme.
Gurët ka nata e nata e dimri u përqafuan në ngurtësim,
peshë që rëndoi deri në gjak,
deri në mishin tim të tokës së bukur…
Gurët që kyçnin rrezen e diellit,
krahun e pëllumbit
dhe një vetull qielli midis dy shpateve…
(Fragment: Gurët)
Poezia e tij të fut në një hipnozë të këndëshme. Profesori është gjithmonë lakonik, i pakënaqur me veten, përherë i ekzaltuar dhe gjithmonë e saktë.
Si poet original ai kurrë nuk solli vetveten si mbresë, por si një refleks kohor, duke depërtuar në psikologjinë e vetevetes krijoi figurën e rrëfimit shpirtëror me shqetësimet e cdo kohe, duke e kthyer poezinë në një portret të gjallë të ndjenjës dhe të mendimit të vet. Kjo ka bërë që poezia e tij të vijë te lexuesi si portret, tipar, ndjenjë, karakter dhe të trupëzohet pastaj në dialog dhe meditim me veten dhe të tjerët.

“Zjarri digjet si një godinë e rubintë.
Si re ngrihet tymi,
mjegull shkundet hiri,
rrënohet e rrëzohet e brofëtin i guximtë –
hije-dritë, natë-ditë, muzgu-agimi”.
(Fragment: Kënga e fundit për zjarrin)
Talenti i tij i fuqishëm është jashtë cdo lloj filozofie dhe poze artistike. Është poeti që percepton dhe përjetëson. Si lirik, duke i ikur ekzaltimeve të lehta dhe fluide, ai krijon harmoninë mes sendeve dhe pikon kudo shpresën që ushqen dhimbja. Të gjitha poezitë e tij janë model i ligjërimit meditativ filozofik doktrinar, i cili ka përcaktuar dhe tiparet e heroit lirik.
I humbur në kadencën e përfytyrimit poeti Sadik Bejko na sjell një varg ritmik, duke dehur lexuesin me një entusiazëm emocional poetik të sinqertë. Dashuria e poetit rreh fuqishëm brenda fluiditetit të natyrës që e rrethon dhe hyn në asocacion të plotë me aspekte të jetës, me pohime të fuqishme gjithkohore, me shpërthime spontane dhe të fuqishme ndjanjash në universin që e rrethon.

“Kjo dashuri më dha kaq shumë ajër,
kaq shumë rrugë, qytete e njerëz;
kaq shumë bimë, plepa, vreshta, fusha
m’u bënë të shtrenjta e të dashura,
se i preku lumturia ime, dashuria ime,
dashuri që treti në një
verën dhe vjeshtën, natën dhe ditën,
mërzinë dhe gëzimin, vetminë dhe gjallërinë,
qytetin e bukur dhe kodrën e zhveshur,
…dashuri
që hapi gjerësinë e bardhë e të thellë në zemër.
Jeta ime ka dalë nga toka..”

(Fragment: Dashuri) .

https://gazetadestinacioni.al/me-prof-sadik-bejkon-nga-te-rrallet-lirike-te-ngazellimit-arben-iliazi/?fbclid=IwY2xjawKdcKdleHRuA2FlbQIxMQBicmlkETFqUFRQMFJBbkpWVHhEeVc2AR5d-Y6CXJuTaJ07BlYNmhCpX1Z9ZGTgGKkYxil082MyWeNL1msulBESnal_9g_aem_Fz5pI6ADYu5T57jjtNZmaQ

Please follow and like us: