In memoriam, Dëshmori i Atdheut Sehit Selim Tanushi!
Po kalojnë 81 vjet që Sehit Polisi (Tanushi), i rreshtuar në radhët e ushtrisë nacionalçlirimtare, i rënë në luftën për Çlirimin e Tiranës më 10 nëntor 1944, Dëshmor i Atdheut. Sehit Tanushi lindi më 10 nëntor 1917 në fshatin Polis Vilan. Fëmijërinë e kaloi më fshatin e lindjes dhe në moshën 14-vjeçare fillon punë në sipërmarrjet italiane, punëtor në rrugën e Krrabës dhe rrugën Murrash-Gajor. Nẽ vitin 1939 Sehiti kthehet në vendlindje, i formuar fizikisht dhe i pjekur mendërisht. Ndërkohë tek Sehiti kishte filluar të lindte ndjenja e pakënaqësisë dhe e urrejtjes, pasi kishte provuar mbi shpinë barrën e shfrytëzimit. Në mars të vitit 1940 Sehit Tanushi mobilizohet në shërbimin ushtarak në batalioni “Tomorri” i përqendruar në Labinot, si artilier. Në tetor 1940 Italia Fashiste fillon agresionin ushtarak kundër Greqisë, ku marrin pjesë dhe forca të Batalionit ‘Tomori’. Sehit Tanushi, si shumë shqiptarë të tjerë dezertojnë nga fronti luftarak, por italianët e arrestojnë dhe e dërgojnë në kamp punë në Mal të Zi, Ulqin. Atje, ai ka qëndruar deri në shator 1943 kur Italia Fashiste kapitulloi. Ideja e luftës kundër fashizmit, e organizimit të kryengritjes së armatosur, ishte mbjellë dhe në Polis nga emisarët komunistë si Hasan Bajraktari. Kthimi i Sehit Tanushit në vendlindje, pranë familjes ishte pritur me mall. Sehiti, më shumë se të tjerë ishte i mirëinformuar mbi zhvillimet e ngjarjeve dhe organizimin e popullit në luftë. Në mbështetje të luftës së popullit shqiptar e organizuar nga PKSh dhe fronti antifashist, ishte reshtuar dhe fisi Tanushi. Brigada e IS e formuar në Vithkug të Korçës më 15 Gusht 1943, pas një marshimi të gjatë arrin në fshatin Bërzeshtë, kalojnë fshatin Sopot dhe në të gdhirë të 14 shtatorit 1943 arrijnë në fshatin Polis. Forcat partizanë vendosen mbi shtëpitë e Selim Tanushit dhe togën e mortajave e vendosin në pozicione luftimi. Në mëngjesin e 15 shtatorit Sehit Tanushi çohet herët, del nga shtëpia dhe befasohet kur shikon togën e mortajave në pozicione lufte dhe fillon të kryej veprime luftarake me topin 75mm. Todi Naço, oficer dhe komandant i kompanisë së artilerisë, në gazetën ‘Luftëtari’, në korrik 1946 shkruan se ai djalë e kishte mësuar armën e artilerisë dhe komandanti Mehmet Shehu, pasi bisedon me prindërit, kërkoi ta marrë atë në radhët e Brigadës si artilier. Sehit Tanushi pas datës 14 tetor 1943 bëhet luftëtar i ushtrisë partizane dhe bashkë me 1335 luftëtarët e Brigadës së IS fillon marshimin luftarak për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesi italian dhe gjerman. Në 2425 korrik 1944 Sehit Selim Tanushi, luftëtar i batalionit të tretë, pranohet anëtar i PKSH në kushtet e luftës, krahas 15 luftëtarëve të tjerë. Pranimi në radhët e Partisë Komuniste, për Sehit Tanushin nuk ishte privilegj, por obligim dhe sakrificë. Në prag të fillimit të veprimeve luftarake për çlirimin e Tiranës, Sehit Tanushi dhe komandanti kompanisë rreshtojnë efektivin dhe sqarojnë detyrën luftarake. Lufta për çlirimin e Tiranës ishte luftë frontale, e vështirë ku në çdo çast të kanosej vdekja. Në komunikatë e Shtabit të Brigadës së IS mbi zhvillimin e luftimeve për çlirimin e Tiranën, bëhej bilanci i humbjeve, listoheshin emrat e luftëtarëve të rënë në fushën e nderit. Midis 31 luftëtarëve të rënë ishte dhe nën/komandanti i kompanisë së tretë Sehit Tanushi. Sehit Tanushi ra në fushën e nderit në luftimet e zhvilluara në datës 10 nëntor 1944. Sehit Polisi (Tanushi), luftëtar i Brigadës së IS jetoi dhe luftoi për më shumë se 1 vit e 6 muaj, duke përshkruar në ndjekje të armiqve, mijëra kilometra, mori pjesë në 200 operacione luftarake kundër forcave gjermano- balliste, duke filluar nga luftimet në Derven tetor 1943 deri në 10 nëntor 1944, në luftimet për çlirimin e Tiranës, ku bie në fushën e nderit. Sehiti ra në fushëbetejë në emër të idealeve patriotike antifashiste liridashëse duke mbetur dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Pas çlirimit të vendit Sehit Tanushi nuk u kthye në shtẽpi, por lajmi se ai kishte rënë dëshmor kishte ardhur në Familje. Në vitin 1947 i ati, Selim Tanushi kishte shkuar në Tiranë dhe kishte takuar Mehmet Shehun, i cili i shprehu ngushëllime familjes për humbjen e djalit. Më vitin 1978 në Polis, pranë shkollës 8-vjeçare me emrin Sehit Tanushi ndërtohet një lapidar në kujtim të veprës dhe heroizmit të Sehit Tanushit. Populli i Polisit i këndoi: “Të lindi kjo tokë Sehit/Trim zemër Luan/Me pushkë në dorë Sehit/Dole partizan/Mu në mes të fshatit Sehit/të ngritën lapidar/Sehit o trim, o polisar.
Organizata e dëshmorëve dhe Komiteti i veteranëve, Bashkia Librazhd në ditën e 5 Majit 2025 përgëzon gjithë pjesëtaret e familjes së dëshmorit Sehit Tanushi. Studiuesi Shaban Gjura në bashkëpunim me familjen e Rifat Tanushit, bazuar nẻ dokumente, kanë mundësuar një monografi mbi veprën dhe aktivitetin luftarak të partizanit dëshmor Sehit Tanushi. Ky libër shton më tej inventarin e botimeve mbi luftën dhe heronjtë e saj në trevën e Librazhdit. Sehit Tanushi është dhe do të mbetet për jetë në kujtesën e brezave, si simbol i ndjenjave patriotike dhe liridashëse.