Ismet Hajrullahu: Kosova, një shtet që meriton njohjen nga Selia e Shenjtë
Qendrimi i Selisë së Shenjtë, Vatikanit, deri në ditët e sotme, për të mos e njohur Kosovën si shtet, për mendimin tim, mbetet një paradoks diplomatik dhe një padrejtësi historike për popullin tonë. Në një kohë, kur mbi njëqind shtete e kanë njohur pavarësinë e saj, përfshirë fuqitë e mëdha si Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Izraeli, kjo mosnjohje, ngre pikëpyetje mbi neutralitetin dhe drejtësinë e politikës së Vatikanit.
Kosova, jo vetëm që e ka fituar me sakrifica të mëdha lirinë e saj, por edhe ka dëshmuar se është një shtet funksional, me institucione demokratike dhe angazhohet fuqishëm për paqen dhe stabilitetin rajonal.
Mospërfshirja e saj në listën e vendeve të njohura nga Selia e Shenjtë, duket jo vetëm si një shpërfillje e realitetit te ri politik, por edhe si një mohim i trashëgimisë fetare, dhe kontributit që shqiptarët kanë dhënë ndër shekuj.
Njohja e Kosovës nuk është vetëm një çështje diplomatike, është një njohje e historisë, kulturës dhe trashëgimisë së një populli që ka dhënë nje kontribut të jashtëzakonshëm për krishterimin në përgjithësi, dhe ruajtjen e një Evrope të krishterë…
Ne shqiptarët kemi qenë pjesë aktive e zhvillimit dhe përhapjes së fesë së krishterë, që nga periudha e hershme e saj. Ne kemi dhënë figura të rëndësishme që kanë ndikuar në Kishën Katolike dhe në doktrinën e saj.
Një nga figurat më të njohura është Papa Klementi XI, me origjinë shqiptare nga familja Albani, i cili shërbeu si Papë nga viti 1700 deri në 1721 dhe mbështeti Kuvendin e Arbërit në vitin 1703, e cila ishte një ngjarje historike për organizimin e Kishës Katolike në trojet shqiptare.
Ky akt tregon se Vatikani ka pranuar në të kaluarën rolin e shqiptarëve në krishterimin evropian, por sot, duket se e injoron atë…
Përveç Papa Klementit XI, shqiptarët kanë dhënë edhe figura të tjera të rëndësishme në Kishën Katolike. Shën Eleunteri, Papë në shekullin II, ka pasur origjinë nga rajoni i Epirit, duke dëshmuar praninë e hershme të shqiptarëve në hierarkinë e Vatikanit.
Sot, Kardinali Ernest Simoni, një figurë me origjinë shqiptare, vazhdon të përfaqësojë shqiptarët në Vatikan, duke treguar vazhdimësinë e kontributit në jetën e kishës.
Këto fakte e bëjnë edhe më të pakuptimtë qendrimin e Vatikanit për të njohur Kosovën, një vend që ka dhënë papë, kardinalë dhe shenjtorë, nje vend qe ka mbajtur gjallë vlerat e krishterimit, pavarësisht historisë së vështirë dhe pushtimeve të egra që ka përjetuar.
Një nga dëshmitë më të forta të rrënjëve të krishterimit në Kosovë janë Shën Flori dhe Shën Lauri, martirë të krishterimit nga Ulpiana, një qytet i lashtë në Dardani, afër Lipjanit të sotëm.
Ata u persekutuan për shkak të besimit të tyre në Krishtin. Sipas të dhënave historike, ata u arrestuan, u torturuan dhe më pas u ekzekutuan me urdhër të guvernatorit pagan të krahinës së Dardanisë.
Sot, trashëgimia e tyre vazhdon të nderohet, dhe një rrugë në Lipjan mban emrin e tyre, si simbol i sakrificës dhe rezistencës së shqiptarëve ndaj persekutimit fetar.
Kjo përbën një tjetër dëshmi te rëndësishme, që tregon se Kosova ka qenë pjesë e historisë së krishterimit, që nga periudha te hershme.
Një argument tjetër që sfidon qendrimin e Vatikanit për njohjen e Kosovës ,vjen nga vetë historia biblike.
Shën Pali, një nga figurat më të mëdha të krishterimit, ka deklaruar: “Nga Jeruzalemi e deri në Iliri kam predikuar fenë e Krishtit”!
Kjo dëshmi, tregon se trojet shqiptare kanë qenë pjesë e përhapjes së hershme të besimit të krishterë dhe se shqiptarët kanë qenë ndër të parët, që e pranuan këtë fe.
Në një simpozium të organizuar për nder të Shën Palit, ish-kryetari i kuvendit të Kosovës, z. Jakup Krasniqi, ka mbajtur një fjalim pëmbajtësor dhe domethënës, duke theksuar rolin e shqiptarëve në përhapjen e hershme të krishterimit dhe lidhjen e tyre me historinë e Vatikanit.
Ky fjalim, i vecantë në llojin e vet, ka pasur një rëndësi të madhe për të vënë në pah trashëgiminë fetare të shqiptarëve dhe për të kërkuar njohjen e Kosovës si shtet sovran.
Shën Nënë Tereza është një nga figurat më të mëdha të humanizmit dhe krishterimit! Ajo ka qenë një simbol i dashurisë dhe përkushtimit ndaj të varfërve, duke fituar Çmimin Nobel për Paqe dhe duke u shenjtëruar nga Vatikani. Roli i saj është theksuar veçanërisht nga Don Lush Gjergji, kronisti më i madh i jetës dhe misionit të saj, i cili ka dokumentuar dhe promovuar trashëgiminë e saj në mënyrë të pakrahasueshme.
Ky fakt e bën edhe më të qartë se Kosova është një vend me trashëgimi të pasur fetare dhe se e meriton njohjen nga Selia e Shenjtë!
Njohja e Kosovës nga Vatikani nuk duhet të jetë një çështje politike, por një çështje e drejtësisë historike dhe fetare.
Gjatë periudhave të ndryshme historike, ne si popull kemi dhënë papë, kardinalë, shenjtorë dhe kemi qenë pjesë e rëndësishme e përhapjes së krishterimit, më shumë se cdo popull në Evropë e më gjerë!