Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj: Roli i ushtarakëve në Luftën e Vlorës 1920
(Në kuadrin e 105 vjetorit të saj)
Çështja e drejtimit
Ndër detyrat e para strategjike, që zgjidhi Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” ishte çështja e drejtimit të Luftës së Vlorës. Organi më i lartë, politiko-ushtarake, i cili bënte drejtimin strategjik, ishte Komisioni i Mbrojtjes Kombëtare, ose ndryshe Këshilli i Luftës me përbërje prej 12 veta, me në krye intelektualin e njohur atdhetar vlonjat, Osman Haxhiu. Pranë këtij organi u krijua një organizëm tjetër, Komisioni Ushtarak, apo Shtabi Ushtarak,i cili nuk ishte gjë tjetër përveçse një lloj organizmi ushtarak i specializuar, që merrej pikërisht me përgatitjen e planeve të luftës dhe drejtimin e tyre në fushën e luftimeve.
Në përbërje të këtij organizmi special me porosinë e qeverisë së Tiranës ishte futur një grup i vogël oficerë shqiptarë të karrierës që jepte ekpertizë për çështjet ushtarake në hartimin e planit, si dhe gjatë zhvillimit të luftimeve. Ky grup, bashkë me Komandantin e Përgjithshëm, ndikuan në përpilimin e një plani lufte sa më objektiv dhe të bazuar edhe në pikëpamje ushtarake, por edhe në plotësimin dhe realizimi e tij në ecurinë e luftës. Gjithashtu, për mbarëvajtjen e përgatitjeve dhe të veprimeve luftarake, për të ruajtur forcat dhe vendpërqëndrimet e tyre prej zbulimit dhe agjenturave të armikut, u organizua një force policore, që u emërtua Policia e Luftës, e përngjashme me Policinë Ushtarake. Në krye të saj u përzgjodh dhe u caktua një Komisar i Përgjithshëm, i cili ishte gjithashtu një oficer policie i karrierës, me mjaft përvojë shërbimi dhe personalitet i kësaj fushe në Vlorën e atyre viteve. Ky ishte Shero Emini. Zinxhiri i drejtimit dhe komandimit mbyllej me komandantët e çetave. Në mungesë të mjeteve të drejtimit modern, drejtimi u bazua tek ndërlidhja tradicionale, me korrierë dhe me sinjale. Megjithatë, drejtimi bëhej edhe drejtpërdrejt, duke dërguar pranë reparteve kryengritëse përfaqësuesit e Komitetit të Mbrojtjes. Në sistemin e drejtimit doli qartë parimi i centralizmit, sepse ishte përcaktuar që, asnjë komandë çete, madje as vet Komandanti i Përgjithshëm, nuk mund të ndërmerrte vendime luftarake apo të lëshonte urdhëra pa miratimin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare. Përcaktimi i kësaj hierarkie ishte bërë për të shmangur veprimet e nxituara, të pastudiuara ose të pakontrolluara, që mund të sillnin pasoja dhe rreziqe fatale për forcat kryengritëse.
Tipare dhe parime të veçanta që u shfaqën
Në Luftën e Vlorës, shumë prej çështjeve-kyçe u zgjidhën me të veçantat e tyre, duke i dhënë kësaj lufte tipare po aq të veçanta. Këto ishin: organizimi i forcave dhe përhapja e tyre, drejtimi në të gjitha nivelet, përcaktimi i objekteve kryesore të mësymjes, gjetja e formave taktike dhe e mjeteve për shpërthimin dhe kapjen e garnizoneve dhe të qendrave të fortifikuara armike, përballimi dhe zgjidhja e problemit delikat dhe kyç të raporti të forcave, duke shembur e kapërcyer skemat dhe tabutë klasike të artit ushtarak, duke rivërtetuar se ekzistenca e tyre është e pafund dhe e lidhur ngushtë me rrethanat, vendin ashtu si dhe me forcat që i modelojnë dhe i zbatojnë ato në fushën e luftimit. Ky plan dhe efektshmëria është pranuar nga ushtarakë dhe autorët italianë. Ushtaraku Benedetto Kanilia, ka dhënë këtë vlerësim: … se ky plan revolucionar (kryengritës) në pamjen e tij paraqet kriterin më të mirë taktik të momentit…
Operacioni i zhvilluar në Luftën e Vlorës, rikonfirmoi praninë dhe rëndësinë e një parimi të rëndësishëm, me peshë dhe vlera vendimtare, faktorin moralo-psikologjik dhe rolin e tij përcaktues në luftë. Rëndësia dhe roli i këtij parimi themelor shfaqen dhe bëhen përcaktues pikërisht atëherë kur epërsia në forca njerëzore, në armatime, mjete dhe teknikë luftarake, nuk është në anën e atij që lufton për një çështje dhe ideal të drejtë, në mbrojtje apo në kërkim të lirisë, idenditetit dhe integritetit kombëtar. Vërtetësinë e këtij parimi e dëshmoi e shumë qartë Lufta e Vlorës kur, në veprimet luftarake, ndonëse me forca dhe armatime disa herë më të pakta në numër, duke thyer klishetë dhe skemat tabu të artit ushtarak që zbatonte kundërshtari përballë, kryengritësit popullorë arritën tek fitorja. E gjithë kjo ndodhi për arësye të motivimit dhe gjendjes moralo-psikologjike të lartë të tyre, e cila nxitej dhe ushqehej nga qëllimi i luftës, çlirimi i krahinës dhe ribashkimi i saj me pjesën tjetër të atdheut të pavarur e sovran. Ndërkohë, ekzistenca dhe roli i veçantë e me peshë i këtij parimi, që në këtë rast ishte në anën e forcave vendase, megjithëse në dukje teorik, ndikoi ndjeshëm në zbutjen dhe ekuilibrimin e disproporcioneve të theksuara, sidomos në pikëpamje të raportit të forcave dhe mungesave të mëdha në armatimet dhe municionet, si dhe në treguesit e tjerë të natyrës ushtarake në këtë luftë të pabarabartë.
E parë nga numri dhe raporti klasik i forcave, armatimeve dhe i mjeteve të tjera luftarake, si dhe i masave paraprake të shumta të përdorura nga të dy palët në këtë luftë, sidomos nga ana e pushtuesve, arrijmë në përfundim se forcat kryengritëse shqiptare i bënë një qëndresë, në thelb më kryesore, armikut përballë. Duke ju referuar statistikave historiko-ushtarake të kohës, kur po përgatitej Lufta e Vlorës, pushtuesit italianë, edhe pse Lufta e Parë Botërore kishte kohë që ishte përmbyllur, mbanin ende në Vlorë dhe në zonat përreth, forcat e Korpusit të Trupave të Shqipërisë, nën komandën e gjeneralit Settimo Piaçentini, i cili numëronte afro 20.000 ushtarakë. Prej tyre 14.000 ishin përqëndruar në trekëndëshin strategjik Vlorë-Sarandë-Tepelenë, që ishin efektiva të Divizionit të 36-të të Këmbësorisë, si dhe disa reparte speciale të Korpusit. Divizioni tjetër i këtij Korpusi, me 6.000 ushtarakë qe vendosur në Durrës. Për të mbrojtur Vlorën ata kishin në përdorim edhe armë të rënda, si mitralozë, topa të kalibrave të ndryshëm, teknikë dhe mjete të shumta luftarake. Në mbështetje të tyre kishin edhe një skuadër tankiste dhe një tjetër ajrore, si dhe artilerinë e anijeve luftarake. Këto forca ishin shpërndarë në mbrojtje në tri vija dhe në disa garnizone të fortifikuara, të fuqishme.
Përballë këtyre forcave dhe masave mbrojtëse te armikut, u vendosën për një përballje luftarake për jetë a vdekje forcat kryengritëse vlonjate, me vetëm 3000 luftëtarë. Në pikëpamjen numerike formale, në prag të fillimit të fazës së parë, raporti real i forcave paraqitej me shifrat 14.000:3.000 ose 4.6:1 në dobi të pushtuesit. Përsa i përket raporteve në armatime dhe teknikë luftarake epërsia ishte absolute për ta. Për këto arsye, për shkak të kësaj epërsie të theksuar, reagimi i gjeneral Piaçentinit, pasi mori ultimatumin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, ishte tejet mospërfillës dhe arrogant. Sipas ushtarkut, B. Kanilia, gjenerali i ishte përgjigjur të dërguarit shqiptar se … t‘u thoni brigantëve shqiptarë, se përgjigjen e letrës do ta japin topat e Kotës, Gjormit, Llogarait, Drashovicës, Tepelenës…
Veprimet luftarake, të shpejta dhe të befasishme të luftëtarëve kryengritës, bënë që të heshtnin topat në Vlorë dhe në garnizonet përreth saj. Në rrjedhën e luftës, raporti i forcave, armatimeve dhe municioneve të vullnetarëve shqiptarë erdhi në rritje për shkak të forcave vullnetare që mbërritën nga krahinat e tjera të vendit si dhe armëve e mjeteve luftarake të kapura armikut. Ndërsa në fazën e parë të luftës, KMK-ja kishte në gatishmëri dhe përdori vetëm 3.000 mijë luftëtarë, në fazen e dytë ky numër u rrit në 5000-6000 luftëtarë. Megjithëkëtë raporti i forcave asnjëherë nuk shkoi përtej përpjestimit 2:1 për armikun. Kryengritësit u përpoqën dhe shpesh ja dolën që ta kompensosin këtë diferencë me gjendjen e lartë moralo-psikologjike dhe nivelin e motivimit, me shpirtin sulmues, veprimet e shpejta dhe të fshehta, shfrytëzimin e natës dhe të terrenit të njohur, si dhe manovrës së lartë etj. Kështu, ata ia dolën mbanë të detyronin kundërshtarin të tërhiqej nga Vlora përfundimisht.
Tregues të artit ushtarak të kohës
Duke analizuar tashmë këtë luftë në një vështrim tjetër dhe tej euforisë, frymës së miteve dhe legjendave, kjo luftë na jep disa të veçanta në zbatimin e treguesve të artit ushtarak të kohës. Tërheqin vëmendjen sidomos taktikat e përdorura me sukses prej luftëtarëve vlonjatë për shpërthimin dhe kapjen e garnizoneve të fortifikuara, të ngritura prej armikut në vijat e mbrojtjes, si në Kotë, Gjorm, Drashovicë, Matohasanaj, Llogora, Himarë dhe Tepelenë. Kryengritësit, megjithëse me forca dhe sidomos me armatime dhe mjete luftarake shumë më të pakta dhe të vjetëruara, ia dolën që ti kapnin ato dhe efektivat e tyre, duke e vënë nën kërcënim serioz qëndresën e pushtuesve brenda Vlorës dhe në rrethinat e saja.
Taktika e përdorur kundër këtyre garnizoneve, me afrimin në mënyrë të fshehtë dhe natën, duke i rrethuar ato veç e veç dhe duke krijuar raporte forcash me epërsi minimale për sulmuesit, si 1.7:1 në Kotë, e cila pas një sulmi të fuqishëm ra në duart e sulmuesve shqiptarë, ishte mjaft racionale dhe rezultative. Në këtë situatë u morën shumica e garnizoneve, përveç atij të Tepelenës, i cili u mbajt i bllokuar në një rrethim të plotë dyjavorë, derisa i gjithë efektivi i tij, oficerë dhe ushtarë, u dorëzua pa kushte. Luftimi dhe taktikat e përdorura për kapjen e tyre ishin një përvojë e re, e zbatuar me shumë sukses prej forcave kryengritëse, por dhe zë vend në fondin e artit ushtarak shqiptar, në tërësi.
Ushtarak të njohur në historinë ushtarake
Në ditët e zhvillimit të Luftës së Vlorës, përveç dy drejtuesve kryesorë ushtarakë, tashmë shumë të njohur, si Komandanti i Përgjithshëm i Forcave Luftarake që organizoi Komiteti i Mbrojtja Kombëtare, së pari major Ahmet Lepenica dhe, pas tij, ish-togeri i marinës luftarake, Qazim Koculi, Komisari i Policisë së Luftës, oficeri Shero Emini, qeveria e Tiranës lejoi të merrnin pjesë edhe një grup oficerësh të karrierës. Këta oficerë, një pjesë e të cilëve ishin të njohur, ose më pas u bënë shumë të njohur në historinë ushtarake shqiptare, u përpoqën të ndihmonin me këshillat dhe drejtpërdrejt në veprimet luftarake. Midis tyre ishin major Mustafa Maksuti, kapiten Aziz Çami, kapiten Tosun Selenica, toger Xhevdet Çelo e të tjerë.
Major Mustafa Maksuti, ishte oficer me origjinë nga qyteti i Gjirokastrës, i formuar dhe diplomuar, ashtu si shumica e kolegëve bashkëkohës të tij, në akademinë ushtarake të Stambollit. Ai ishte kthyer në Shqipëri me shpalljen e Pavarësisë dhe bashkuar me qeverisë së Vlorës, duke u vënë në shërbim të saj, së bashku me major Ali Shefqetin dhe oficerë të tjerë shqiptarë. Komandant detashmenti (batalioni) Xhandarmarie në Berat, më pas, gjatë Krizës së Dhjetorit të vitit 1921, për pak ditë u caktua Ministër Lufte. Ai ka qenë zgjedhur deputet në Parlamentin e parë, të Shqipërisë. Kapiten Tosun Selenica, nga Selenica e Kolonjës së Korçës, i përkiste shkollës dhe shërbimit ushtarak francez. Kapiten Azis Çami, nga Çamëria, shkolluar e graduar toger në Shkollën e Trupave të Regjimentit të Parë të Këmbësorisë së Barit në Itali, në specialitetin artileri. Këta oficerë afruan shërbimet e tyre në Luftën e Vlorës, së bashku me nënrepartet apo repartet ushtarake që drejtonin.
Këta ndihmuan drejtpërdrejt në zhvillimin e veprimeve luftarake, por edhe në fitoren e forcave kryengritëse në Luftën e Vlorës. Kështu, Mustafa Maksuti, me disa fshatarë dhe ushtarë të batalionit që ai drejtonte në atë kohë, mbajti të rrethuar garnizonin e fuqishëm të Tepelenës, deri në dorëzimin e efektivit italian të tij.
Kapiten Azis Çami, i lauruar për artileri, në krye të një nënreparti të vogël ushtarësh shqiptarësh, drejtoi goditjet e një baterie topash artilerie të kapura italianëve, kundër armikut që nga Bregu i Sherishtave. Kapiten Tosun Selenica, me një forcë gjindarmërie dhe luftëtarë të tjerë zunë Urën e Drashovicës, kurse toger Xhevdet Çelo, me gjindarmë tjerë, kontrollonin lundrat në lumin Vjosë.
E analizuar me të gjitha përmasat e saj, duke vlerësuar sidomos të dhënat e kohës, Lufta e Vlorës ishte dhe një “shkollë”, e cila në përfundim “diplomoi dhe gradoi” oficerët e parë të saj. Në këtë listë përfshihen emrat e 14 luftëtarëve të shquar në luftimet si: Mehmet Fega nga Dushkaraku; Abdurahman Çiraku nga Vërmiku; Sali Hoxha, Arqile Kolesë nga Vlora; Rrapo Çelo nga Sevasteri; Sali Murat Vranishtit; Nase Beni nga Vunoi; Idriz Sadiri; Murat Elbasani; Shaqo Myslym Derri dhe Demir Mysehak Curraj nga Smokthina; Hamza Nurçe Elezi nga Ramica; Koçi Selfo Ferunaj, si dhe “kualifikoi” major Ahmet Lepenicën.
Lufta e Vlorës si një moment kulmor, është një shembull i qartë i luftës që mund të bëjë dhe të fitojë një populll, sado i vogël, për të rifituar lirinë, idenditetin dhe integritetin e vendit të tij. Lufta e Vlorës i arriti qëllimet e veta dhe krahina historike u bë përsëri pjesë e pandashme e Shqipërisë. Ndërkohë, në aspektin luftarak dhe të artit ushtarak, ishte përvijuar dhe afirmuar një përvojë të re, me të veçantat e veta. Ajo tashmë ka hyrë në fondin e historisë ushtarake shqiptare, dhe për të në moment kyçe dhe jubilarë është mirë të analizohet dhe të nxirren mësime për ushtarakët, por dhe për udhëhqjen e politikanët.