Julika Prifti: Modigliani në Galerinë Kalo në Tiranë
Në Tiranën e sotme, ku eci mes kujtimeve të mia dhe risive të mëdha që ka sjellë koha, spikat mundësia për të shijuar ngjarje arti dhe kulture, siç është ekspozita Amedeo Modiglianit në Galerinë Kalo. Ekspozita dyjavore u hap në mesin e majit dhe u mbyll këtë fundjavë. E mundësuar nga Fondacioni Kalo i çiftit Përparim dhe Ardjana Shehi Kalo, ekspozita u sjell kënaqësi artdashësve si unë. Për thuajse dy dekada, Galeria Kalo është modeli i vizionit largpamës të krijuesve si dhe promotore e arteve figurative dhe artistëve shqiptare dhe ndërkombëtarë. Për mua, që u largova nga Shqipëria tri dekada më parë, të gjendem para veprave të Modiglianit në Tiranë është si të marr një dhuratë nga fati. Në të njëjtën javë shijova “Fundi i Golemeve”, operë shqiptare kompozuar nga Nikolla Zoraqi përpara më se gjysmë shekulli. Kjo është Shqipëria që ruan kujtesën e vet dhe që nuk pret më të shkojë te kultura evropiane, por që po e sjell atë në shtëpinë e vet.
Pikturat e skulpturat e Modiglianit i kam parë për herë të parë në albumet e revistat e Bibliotekës së Institutit të Kulturës Popullore. Ato ishin vitet kur veprat e tij dhe mjeshtërave të tjerë nuk ekspozoheshin në muzeumet e Shqipërisë.
I vështroja nga afër disa nga portretet dhe punimet e stilit të tij të veçantë të Rilindjes italiane të frymëzuar nga maskat afrikane, dhe nuk mund të mos e doja edhe më shumë Modiglianin.
Ndonëse hapi vetëm një ekspozitë në gjallje dhe u nda nga jeta shumë i ri, ai pati talentin e një pararendësi që me mençurinë e tij shihte vlerë artistike aty ku të tjerët shihnin vetëm “ekzotizëm” apo “paturpësi”.
Edhe pas një shekulli, Modigliani në Galerinë Kalo në Tiranë na kujton se fuqia e artit as nuk është matur dhe as nuk matet me zotësinë për të sunduar të tjerët, por me aftësinë për të mësuar prej tyre.
https://gazetadielli.com/modiglian-i-ne-galerine-kalo-ne-tirane