Prof. As. Dr. MSc. Artan Xh. Duka: Me “bukë me vete”!
Turizmi ka vlerat e tij por zhvillimi i tij duhet të mos cënojë natyrën e habitatet e saj, florën, faunën (rasti edhe i Zvërnecit, Sazanit, aeroportit që nuk pyet për gjallesa, ngrohje globale e rritje të nivelit të detit etj) duhet të ketë vëndin e tij në marrëdhënien me sektorë kyç të ekonomisë si industria e bujqësia që garantojnë mirëqënie afatgjatë, të mos trazojë habitatin urban e kohezionin social përballë “lumit” turistik etj.
Maldivet nuk kanë nga ia mbajnë pa ia mëshojnë turizmit ndërkohë që ne kemi plot mundësi të tjera për të siguruar mirëqënie e zhvillim. Për të mos thënë se edhe fitimet nga turizmi nuk dihet se ku shkojnë sikurse edhe vetë transporti turistik, rrugor, ajror etj, mbart faturë në rritje për vetë planetin si “shtëpi” e përbashkët.
Turizmi duhet të jetë një prej sektorëve me interes ekonomik por jo në kurriz të të tjerëve, pale ekskluziv! Aq sa industri paqeje e afrimi mes popujve, turizmi është edhe i brishtë e subjekt i ngërçeve globale ndaj dhe futja e të gjitha “vezëve në një trastë” me të bart rreziqet plot. Një protestë qytetare e paqësore po ndodh tani në bulevard dhe Rama e plot operatorë turistikë po ankohen se u vate biznesi lumë ndonse vetë protesta është shndërruar në objekt turistik e sesa për bregdetin, është me dhjetra e qindra kilometra larg.
E gjeti bosh!
Ivanka, vërtet dhe me të drejtë, u mahnit nga Sazani por kjo ndodhi sepse e pa bosh atë. Pa komplekse, pa vila, pa zhurmë e lukuni njerëzish, disko, gardhe e postblloqe etj. E kjo vlen edhe për Zvërnecin e plot rripa të tjerë bregdetare apo hapësira rurale ende të paprekura nga turizmi.
Nuk kemi pse futemi në garë me botën për të betonizuar natyrën ndërkohë që anatemojmë Enverin për bunkerët, strehimet e tunelet që fundja nuk i bëri për veten. Boll një shteg për këmbësorë, një parking për makina, struktura të lehta për shërbime bazë, linjë transporti për vizitorët etj gjëra që nuk rëndojnë natyrën dhe pse jo, turisti shëtitës apo ai turisti “me bukë” me vete që bën ironi Rama, mbetet në fakt turisti ideal. Natyra ruhet, të ardhurat sërisht grumbullohen dhe nuk përjashtohet kush, vëndas a i huaj, nga “mikpritja” e natyrës. Njëlloj sikurse po ndodh me agroturizmin, atë alpin etj ku turisti nuk pret asfalt por e josh “shtegu i dhisë”, nuk pret 5 yje por bujtinë kahmoti etj.
Turisti do të shohë uniken dhe atë e bën në rradhë të parë natyra dhe jo “lumi” i ndërtimeve atje. Nuk kemi pse kopjojmë Dubain, grekun, kroatin e me rradhë se “origjinali” vlen më shumë se “kopja”. Unike është natyra, habitati urban, historia, zakonet e kultura vëndase etj. Të synosh Dubai në Sazan e Zvërnec pa të konkurrosh me botën, është njëlloj si të kesh anglishten gjuhë zyrtare, veshje perëndimore në kurriz të asaj kombëtare, të zëvëndësosh këngët e popullit me ato perëndimore, të harrosh kuzhinën shqiptare e gatuash gjellë italiane, franceze etj profka që nuk na bëjnë unik, interesant por monoton e shabllon.
Turisti nuk dëshiron të paguajë të shohë e përjetojë atë që e ka dhe e jeton përdita nga vjen. Është njëlloj si të ndërtohen komplekse turistike rrëzë piramidave të Egjiptit, Murit të Madh kinez, Niagara, Kanioni Madh etj të rrethohen me kulla shumëkatëshe etj paradokse që shëmtojnë e interes nuk shtojnë.
Pasi nëpërkëmbën habitatin urban me qytetet të tjetërsuara e bukosura nga betoni, tani fokusi është tek natyra. Qëlloi Zvërneci por mund të ishte çdo katrahurë tjetër apo projekt që dëshmon zullumin e korrupsionit ndaj fatit të natyrës e atij qytetar, që ka nxjerrë sot qytetarin në shesh. Në lojë nuk është Zvërneci e turizmi por natyra vetë.
Magjia e turizmit pa beton
Turizmi, aq më tepër beton-turizmi, nuk bën vezën e kuqe. Nuk jemi keq për të bërë “hanxhiun” e “kamarierin” sezonal të botës sot e mot – nëse nuk i marrim nga Azia edhe ata, sikurse kemi 40 vjet që bëjmë “tregtarin” pas shkatërrimit të qindra fabrikave e uzinave pas viteve 90. Turizmi le të jetë thjesht një “bonus” ndërkohë që të parat duhet të jenë industria, bujqësia, shërbimet bankare, informatike etj që garantojnë mirëqënie të qëndrueshme, siguri në interesin kombëtar, shans për të qënë unik në tregjet e botës etj.
Kjo kuturisje e pazakontë për të betonizuar sikur nuk ka të nesërme, me komplekse turistike kudo tregon se sesa për turizmin, zullumit të tranzicionit i qan zemra gjetiu. Në emër të konkurrencës me fqinjët, oferta turistike po humbet me shpejtësi unikalen e saj – natyrën, habitatin rural, florën e faunën, kulturën e zakonet lokale etj. Retorika e turizmit tashmë po perceptohet jo vetëm si lojë e sebep për të pasuruar një elitë politike e oborr pas por edhe si nëpërkëmbje e vetë interesit kombëtar për llogari të të tretëve rrotull.
Nuk kemi nevojë për turistë që duan të flenë në dhoma me 5 yje por turistë që marrosen pas natyrës e kulturës që nuk gjejnë gjetiu e gjumin e kanë merakun e fundit. Jemi unik se flasim krye-gjuhën e botës, se kemi qënë protagonistë të dorës së parë në perandoritë e botës, se kemi det e mal përbri njëri-tjetrit, se kemi kulturë nga gjeneza e njerëzimit që suprizon nga fshati në fshat etj pasuri pafund që natyra e historia na i kanë dhënë me aq bollëk.
Turisti që na duhet është ai që Rama sot përgojon, ai shëtitës me “bukë me vete” që vjen, shikon e shkon i kënaqur të ngryset atje ku hoteli nuk është çiban për natyrën dhe të nesërmen viziton një tjetër mrekulli natyre gjetiu.
Vërtet turisti “elitar” paguan shumëfish por ai rri në “oaz” ku fitimet ikin jashtë, nuk ka kontakte që miqësojnë popujt, nuk mësohet nga bota për identitetin shqiptar, historinë, gjuhën etj, ndërkohë që ai me “bukë me vete” mplekset me vëndasit, blen tek ai, shikon plot vënde e takon plot, miqësohet etj.
Protesta në bulevard u nxit nga Zvërneci por tani po denoncon mbarë zullumin në vënd. Kemi nevojë për zhvillim, mirëqënie e dinjitet që nuk arrihet me tregtar, hanxhinj e kamarier por me punëtorë, fermerë, nëpunës administrate e politikanë fisnikë.
Sot protesta është nën presionin e BeRamës dhe e vetmja rrugëdalje është pozicionimi i saj politik, dalja publikisht me një ofertë politike e grup nismëtar me të rinj e të reja por edhe politikanë e intelektualë me integritet. Të bëhen gati që kur të shëmbet e vjetra, oferta e re të jetë aty. Edhe për turizmin, sepse sesa betoni nga dora e njeriut që prish edhe imazh e harmoni natyre, ajo që tundon botën është mrekullia e unikja prej “dorës” së natyrës, historisë e kulturës që nuk haset gjetiu në planet.