Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: IK EDO, IK PLAKO!

Ik Edo, Ik plako!

Askush nuk të kuptoi ty. As vizionin tënd. Këta njerëz ende besojnë se plazhi është rërë, det dhe një çadër e zbërdhulët. Dhe si në kohët kur ende nuk ishin shpikur peshqirët, pëlqejnë të shtrojnë mbi rërë lëkurën e tyre të trashë. Të nxjerrin nga trastat bukën me djathë e shalqi. Ta hanë thelën e shalqirit me gjithë fara e, në fund, të gërryejnë edhe koren me dhëmbë, derisa të bëhet e hollë sa letra e cigares.

Ik Edo, ik plako!

Këta kur shohin një kënetë, duan patjetër edhe flamengo aty. Ti edhe ligatinat i sheh ndryshe. Dhe flamengot i vizaton në zyrën tënde. Je tjetër ti. Je ndryshe. Ndiq rrugën tënde. Kush do të vijë pas teje, le të vijë.

Ik, Edo, ik plako!

Merr me vete edhe dy satelitët e tu. Merr edhe Diellën, krenarinë tënde. Sarajet e Surrelit lëri këtu. Le të mbetet bunkeri yt, si simboli i kohës së artit tënd. Kush të dojë le ta shoh siç shihen sot bunkerët e Enverit.

Ik Edo, ik plako!

Je në kohë. Derisa ikja është ende në dorën tënde. Mund ta hapësh vetë portën.

Sepse historia ka një huq të keq. Hyrjen ta feston me daulle. Daljen jo!