Albspirit

Media/News/Publishing

Jani Malo: PERONKA NË BOSHLLËK

*

Popujt me të cilët politika tall bythën, zakonisht janë popuj pa bythë.

*

Një popull quhet optimist kur e vjedhin të gjitha qeveritë dhe prapë beson se ka mbetur ende shumë për t’u vjedhur.

*

Krimi pa politikën është makinë me rrota të shpuara, ndërsa politika pa krimin makinë pa vaj në motor.

*

Mëkatarët duket se kanë korruptuar parajsën, përderisa edhe Shën Pjetri po e bën një sy qorr.

*

Që vendi të ketë histori duhet që hajdutët e sotëm t’i projektojë si heronjtë e nesërm

*

Politikanët dhe të brendshmet bëhen njëlloj pis, prandaj ndërrojini një herë në 40 vjet.

*

Vota shkundet më mirë me mendje të shkundur.

*

Në versionin modern të përrallës janë 40 hajdutët që vjedhin, Aliu është i ndershëm.

*

Politika, shpesh, ndryshe nga shtëpia, e ka halenë në sallonin e pritjes.

*

Udhëheqësi i vërtetë ka nevojë për këshilltarë dhe jo për këshilla.

*

Vetëm hapja e bordellove mund ta fisnikëronte politikën.

*

Çdo udhëheqës e ka kollaj të bëjë klounin, por jo të gjithë klounët kanë shansin të bëhet udhëheqës.

*

Politika është bixhoz, ku nuk humb ai që luan, por ai që bën sehir.

*

Të lumtur janë ata njerëz që zullumin e trashur të udhëheqësit e shohin si tra ekuilibri dhe argëtohet me cirkun e tij.

*

Një shoqëri është për t’i qarë hallin kur individi kënaqet me fatkeqësinë e tjetrit, ndërsa i gjithë populli është i kënaqur me fatkeqësinë e tij.

*

Socializmi i vdes njerëzit duke u caktuar edhe vendin ku do të vdesin, ndërsa kapitalizmi i lë të zgjedhin ata se ku duan të vdesin.

*

Historia është mësuesi i keq i popujve të vegjël: U mëson të nderojnë diktatorët në gjallje dhe heronjtë pas vdekjes.

*

Fatkeqësia e vendit është se të gjithë ata që dinë të qeverisin janë nëpër kafene.

*

Nuk është gabim të mendosh se Don Kishotët krijuan Servantesin, Idiotët lindën Dostojevskin dhe Të mjerët bënë Viktor Hygonë.

*

Duhet të jesh derr që të durosh një politikan të keq, duhet të jesh humorist që të durosh një politikan të mirë.