Eurodeputetja e Italisë: Strategjia e Ramës, një “model turizmi dhe zhvillimi zhvatës”
Eurodeputetja nuk është kursyer në terma, duke e cilësuar strategjinë e qeverisë si një “model turizmi dhe zhvillimi zhvatës” që po shkatërron zonat më të ndjeshme të vendit për të privilegjuar interesat ekonomike të një grushti njerëzish.
Eurodeputetja italiane, Cristina Guarda, anëtare e Komisionit PE-Shqipëri ka reaguar prerë në lidhje me intepretimin që i ka bërë kryeministri Rama, moratoriumit të PE.
Në një mesazh në rrjete sociale eurodeputetja nxjerr ‘blof’ Ramën, ndërsa shpjegon se është votuar ndryshe nga çfarë pretendon kryeministri shqiptar.
“Amendamenti ynë është miratuar me shumicë të madhe votash, por Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, nuk i ka pëlqyer aspak.
Kemi zgjedhur të mbajmë një qëndrim të qartë kundër veprimeve që po kryhen në një nga zonat më të ndjeshme të Shqipërisë, si rrjedhojë e një modeli turizmi dhe zhvillimi zhvatës që injoron alarmet e komunitetit shkencor dhe kërkesat e shoqërisë civile, duke privilegjuar interesat ekonomike të pak njerëzve.
Në raportin vjetor për Shqipërinë që votuam dje në Strasburg, ne njohëm hapat përpara dhe një afri gjithnjë e më të ngushtë mes Shqipërisë dhe Europës, por kjo nuk mjafton.
Ka ende shumë aspekte ku duhet punuar në mënyrë të integruar, dhe mbi të cilat protestat paqësore të këtyre ditëve hedhin dritë, sepse na tregojnë një vend ku njerëzit aktivizohen për të mirën e përbashkët, tejkalojnë interesat private dhe bashkohen për demokracinë, për të zgjedhur së bashku fatin e territorit të tyre, gjë që përbën një projekt politik.
Liria e shtypit, korrupsioni, presionet ndaj magjistraturës, të drejtat e minoriteteve dhe sot gjithashtu edhe mbrojtja e mjedisit: sfidat janë ende të shumta.
Ne kërkojmë një moratorium të menjëhershëm mbi autorizimet e reja, kantieret dhe projektet, derisa të ketë një mbrojtje të zonave të mbrojtura. Ta ndalojmë këtë model, të dëgjojmë kërkesat e atyre që dalin në shesh” – thotë eurodeputetja.