Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta Ismail Ahmeti, personalitet i shquar i energjetikës dhe ndërtimit

Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare inxhinieri i shquar Ismail Ahmeti.

Akademia e Shkencave e cilësoi si një nga figurat më të rëndësishme të zhvillimit hidroenergjetik në vend.

Ismail Ahmeti lindi në Shkodër në vitin 1942. Ai u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Tiranës në vitin 1966. Që në fillimet e karrierës së tij u dallua për aftësi të jashtëzakonshme në menaxhimin e projekteve të mëdha hidroteknike, duke udhëhequr breza të tërë inxhinierësh.

Ahmeti ishte personalitet dhe drejtues i shquar në historinë e ndërtimit të digave dhe hidrocentraleve më të mëdha në vend, ai veçohet për drejtimin e punimeve në kaskadën e lumit Drin, një vepër unike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Evropë. Ai ka qenë kryeinxhinier i punimeve në hidrocentralin e Fierzës, një nga arritjet më të mëdha të inxhinierisë shqiptare, ku luajti një rol kyç në menaxhimin e punimeve të mëdha të dheut, betonit dhe tuneleve të shkarkimit, duke e kthyer këtë kantier në një shkollë formimi për inxhinierinë shqiptare.

Më pas kontribuoi në ndërtimin e Hidrocentralit të Komanit, ku ka qenë drejtori i përgjithshëm i punimeve për të gjithë kompleksin e veprës. Ai ka drejtuar ndërtimin e digës dhe të të gjitha objekteve të HEC-it, përfshirë tunelet e shkarkimit me kapacitet total 3600 m³/s dhe veprën e marrjes së ujit për prodhimin e energjisë në këtë hidrocentral me kapacitet 600 MW.

Rezervuari i krijuar në Fierzë është ndër 10 rezervuarët më të mëdhenj në Evropë edhe sot. Diga e Fierzës, me lartësi 167 m, mbetet më e larta në Shqipëri, ndërsa diga e Komanit, me lartësi 115 m, është e treta për nga lartësia në vend.

Gjatë një karriere 50-vjeçare, ai ka udhëhequr dhe mbikëqyrur edhe ndërtimin e rrugëve nacionale, akseve strategjike, urave me hapësira të mëdha, tuneleve hekurudhore dhe objekteve industriale që mbështetën zhvillimin ekonomik të vendit.

Për kontributin e tij të gjerë në zhvillimin energjetik dhe infrastrukturor të vendit, ai u vlerësua me titullin “Hero i Punës Socialiste”, ndërsa nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë mori certifikatën e mirënjohjes “Nderi i Akademisë”, duke u renditur mes personaliteteve më të shquara të elitës shkencore të vendit./atsh