Sindikata e Punonjësve të Universiteteve: Mbështesim protestat dhe mobilizimin qytetar
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, në një deklaratë publike ditën e sotme, shprehu mbështetjen për mobilizimin qytetar që po zhvillohet në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit që prej 31 majit 2026.
Në deklaratën e SPUSH, thuhet se protestat vlerësohen si një shprehje të qytetarisë aktive dhe të angazhimit demokratik, duke theksuar se shumë prej anëtarëve të saj kanë marrë pjesë në mënyrë aktive në këto tubime.
Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë përshëndet pjekurinë e admirueshme demokratike të qytetarëve, që dolën në sheshe për të mbrojtur zonat e mbrojtura natyrore, pasuritë publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar para vendimeve, që përcaktojnë të ardhmen e vendit.
“Karakteri jopartiak, paqësor dhe i përmbajtur i protestave përbën një moment të rëndësishëm të qytetarisë aktive shqiptare, duke treguar edhe pjekurinë e arritur e të shumëpritur prej saj”, thuhet në deklaratë.
Në reagim, sindikata vlerëson veçanërisht rolin e të rinjve në organizimin e lëvizjes, duke nënvizuar se një pjesë e madhe e protestuesve janë studentë dhe ish-studentë të universiteteve shqiptare.
“Kërkesat e ngritura nga protestuesit lidhen me parime të rëndësishme të transparencës, përgjegjësisë publike dhe konsultimit me grupet e interesit, të cilat përputhen me standardet e Hapësirës Evropiane të Arsimit të Lartë”, vijon deklarata.
SPUSH cilëson se “universitetet nuk janë ishuj të izoluar nga shoqëria, ato janë institucione të interesit publik dhe stafi i tyre ka detyrimin profesional e qytetar të kontribuojë në debatin publik mbi vendime me ndikim mbi mjedisin, trashëgiminë natyrore dhe zhvillimin e qëndrueshëm, ashtu dhe siç ka ndodhur. Jo rrallë here, anëtarë të stafeve akademike kanë qenë oponenca civile në lidhje me ndërmarrje legjislative dhe projekte në fusha të ndryshme”.
Sindikata argumenton se ekspertiza akademike në fusha si ekologjia, urbanistika, ekonomia dhe e drejta duhet të përfshihet në mënyrë formale në proceset vendimmarrëse për projektet me ndikim të gjerë social dhe mjedisor.
SPUSH thekson se Shqipëria zotëron kapacitete të rëndësishme akademike dhe kërkimore: biologë, ekologë, juristë, arkitektë, ekonomistë, urbanistë, që mund e duhet të konsultohen formalisht para miratimit të projekteve me ndikim mjedisor, social dhe kulturor të një shkalle të tillë. Anashkalimi i kësaj ekspertize, ashtu si edhe anashkalimi i konsultimit me palët e interesit në sektorin e arsimit të lartë është pjesë e një modeli më të gjerë vendimmarrjeje, që dobëson cilësinë e politikave publike dhe legjitimitetin e tyre.
“Kërkesat e protestuesve për transparencë, konsultim real dhe respektim të kornizës ligjore mbi pasuritë publike etj. janë kërkesa që nderojnë çdo qytetar dhe çdo institucion publik. Si pjesë e komunitetit akademik shqiptar, që ka detyrimin t’i shërbejë interesit publik, qëndrojmë krah qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen dhe jemi gati të kontribuojmë me ekspertizën tonë, në fushat ku kërkohet”, thuhet në deklaratë.
SPUSH ripohon të drejtën e çdo anëtari të personelit akademik për të shprehur lirisht mendimin në debatin publik, e garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Ligji 80/2015 për arsimin e lartë.
SPUSH i bën thirrje qeverisë dhe forcave politike që të dëgjojnë kërkesat e protestuesve dhe të angazhohen për gjetjen e zgjidhjeve në interes të qytetarëve dhe të ardhmes evropiane të vendit./atsh