Jani Malo: VJEHRRA
Shumica e nuseve mezi presin t’u tregoj se si të shpëtojnë nga vjehrrat. Nuk kanë gjetur shkrimin e duhur, sepse ky është nga ato raste kur fituese del vjehrra.
Thjesht po ritregoj, siç e dëgjova, dialogun mes dy shoqeve.
– Hë mi, si t’u bë vjehrra?
– Shpëtoi. Ia hodhi shtriga. Dhe është 99.
– Qenka e të 99-tave. Me orë e presim, më thoshe takoheshim…
– Kështu dukej, mi.
– Paska rënë në doktor të zotë.
– Nuk lë doktor t’i qaset. Tjetër gjë e mban gjallë.
– Nuk po të kuptoj…
– Po ja, në fillim qe Basha. Nuk iki pa parë Republikën e Re të Lulit, thoshte.
– Po kur iku Luli tok me Republikën e tij? si kokrra e mollës.
– I kuquan faqet si kokrra e mollës. E shpëtoi Mona me një llaf goje e shpëtoi.
– Aman, më qafsh, i bëri ndonjë magji?
– Më shumë se magji. Monika në konventën e LSI-së parashikoi të ardhmen e Shqipërisë të ndritur e të begatë pa Edi Ramën…
– Aman, mos më çmend fare, e ftoi në konventë?
– Jo, mi. 24 orë para televizorit. Si kukudhi. Më marrtë të ligat sëmundja, thoshte. Nuk vdes pa parë Shqipërinë pa Edvinin!
– Po kur ikën Mona dhe Lkja tok me LSI-në, ça bëri?
– Hoqi protezën nga goja dhe ia vërviti televizorit.
– Shpëtoi?
– Kush televizori? Më mirë ta kishte thyer. Akoma pa i dalë inati me Monën u shpif Sala nga ballkoni. I qeshi nuri me Foltoren. Tani ma mori të keqen Edi Rama, tha. Me këtë ka Çeçua biçak. Madje, një ditë shkoi e takoi vetë Doktorin. Po nuk e munde dot ti, i tha, më jep leje se e ha unë të gjallë. Nuk më del shpirti pa e parë Shqipërinë tënde Madhështore.
– Po kur Sala la ballkonin dhe foltoren, ajo zuri krevatin?
– Çfarë krevati? Në këmbë, si vajzë e re është.
– Oh, e zeza ti, ç’të paska gjetur. Kushedi edhe sa vjet do e kesh nëpër këmbë.
– Jo! Më në fund shpëtova.
– Domethënë… ia paske gjetur ilaçin dhe e ke përcjellë te të shumtit?
– Jo, moj zemër. Ca kohë qëndronte para pasqyrës dhe fliste me vete: Më marrtë të keqen Bufi, thoshte. Atij i kanë ikur pëllumbat. Unë i kam akoma në kafaz… Tani ka nja një muaj ka ikur nga shtëpia…
– Dhe ti çfarë i the?
– Ku vete? – e pyeta.
– Dhe ajo?
– Nuk ia dua as Edi Ramës pasaportën për Evropë, më tha. Më marrshi të keqen edhe ti edhe ai. Për mua i lëshoi rinia flamengot në bulevard.