Alket Veliu: Hajredin Isufi nuk rreshti deri në frymën e fundit së punuari për Çamërinë
Alket Veliu, drejtuesi i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini” në një postim kushtuar Hajredin Isufit që ndërroi jetë shkruan se historiani dhe personaliteti i shquar nuk rreshti së punuari për Çamërinë deri në frymën e fundit.
“Nuk do ta harroj kurrë telefonatën 2 vjet më parë, kur e pyeta nëse do të vinte në Itali për një konferencë për Çamërinë dhe ai m’u përgjigj: “Do të vij, sa të kem frymë, do të jem kudo që flitet për Çamërinë”.
Vërtet, ai nuk rreshti së punuari për Çamërinë. Edhe i sëmurë, në takimin e fundit pak ditë më parë, ai fliste për projekte dhe botime. I mbijetuari i gjenocidit, që sfidoi moshën për të dëshmuar Çamërinë.
Një mik i rrallë, bisedat me të cilin do më mungojnë.
Lamtumirë profesor Hajredin Isufi”, shkruan ai. Hajredin Isufi ndërroi jetë në moshën 93-vjeçare.