Albspirit

Media/News/Publishing

Mevlan Shanaj: Ligji i ri për kinematografinë – një turp ku po përpiqen t’iu përlyejnë

Këto ditë po flitet për një festival të deformuar,i cili është krijuar të shërbejë si paradhomë për ndryshimin e ligjit aktual tè kinematografisë nga nje grupim i lidhur ngushtë me këtë festival. Ju drejtohem juve:

Përparim Kabo, Raimonda Bulku, Petrit Beci, Esat Teliti,

si persona të lidhur me filmin: lexojeni çorbën kundër filmit që po përgatitet dhe që rrezikon ta groposë fare prodhimin e filmit shqiptar.

Në projektin e ligjit të ri të kinematografisë, që po përgatisin këta që zhurmojnë me organizimin e këtij palo festivali, me 16 çmime karriere dhe 31 çmime festivali, me një Akademi pa autorësi të qartë, po përgatitet të futet në Parlament një ligj që, në vend që ta mbështesë, rrezikon ta varrosë prodhimin e filmit shqiptar.

Këtej e tutje do të zhduket edhe vetë koncepti “film”, ndërsa struktura do të quhet “Agjenci e Shërbimit Audiovizual”.

Aludimi është i qartë: shqiptarët do të vihen në shërbim të projekteve të huaja.

Kuptoni: punonjës të dorës së fundit, sepse nuk ka grup të huaj që të vijë në Shqipëri dhe të marrë specialistët shqiptarë për nivelet kryesore të krijimit. Përveçse për punët që i duhen një produksioni të huaj në nivelin e fundit të hierarkisë.

A nuk është kjo një çmenduri?

Përvojat kanë treguar se në disa filma të huaj që kanë trajtuar Shqipërinë, shqiptarët janë paraqitur përmes drogës, krimit, prostitucionit dhe figurës së burrneshës.

Pra, pyetja është: çfarë po ndërtojmë? Një kinema shqiptare apo një servis shqiptar për produksionet e huaja?

Unë po ju drejtohem juve, sepse besoj se ju dhimbset filmi shqiptar po kaq sa mua.

Apo jo, Beci?

Ti je ndër themeluesit e ligjit ekzistues. Prandaj pikërisht ty të drejtohem: lexoje mirë këtë projektligj dhe shiko se ku po shkon filmi shqiptar.

Këta autorë anonimë që zhurmojnë nuk dihen kush janë, por kuptohet se kush po udhëheq këtë festival grotesk.

Mos lejojmë që zhurma e festivalit të mbulojë atë që po përgatitet pas tij.

Sepse çështja nuk është më një festival.

Çështja është nëse do të kemi apo jo prodhim shqiptar të filmit.