Albspirit

Media/News/Publishing

Artan Shkreli: Romani i Hygoit që shpëtoi katedralen e famshme

NOTRE DAME NUK U SHEMB

– romani që shpëtoi katedralen –

Në fillim të viteve 1800, Notre-Dame e Parisit po shkatërrohej. Aso kohe ajo përdorej si depo, e madje gjatë Revolucionit edhe si fabrikë salnitri; statujat e saj ishin thyer, vitrazhet me ngjyra qenë zëvendësuar me panele xhamash të thjeshtë. Në 1830 neglizhenca qe bërë aq e rëndë sa zyrtarët menduan seriozisht për shembjen e saj dhe ripërdorimin e gureve të latuar.
Victor Hugo, atëherë shkrimtar ende i ri, kish kaluar vite në fushatë kundër atyre që ai i quante “shkatërrues”: njerëz qe e zhveshën Francën nga arkitektura e saj mesjetare në emër të progresit.
Në vitin 1831, ai botoi Notre-Dame de Paris, një roman i vendosur në atë katedrale tre shekuj më parë, në vitin 1482. Libri në fakt nuk trajtonte vetëm romancën e Esmeraldes apo Kuazimodos… kapitujt e tij të parë qenë një adhurim i mirfilltë i arkitekturës, duke e përshkruar katedralen si një “simfoni të madhe në gur” dhe duke vajtuar atë që neglizhenca e gjatë i kishte shkaktuar.
Funksionoi!
Romani bëri sensacion dhe opinioni publik ndryshoi ndjeshmëri. Notre-Dame u shndërrua sa hap e mbyll sytë, nga një relike që po shkatërrohej e që askush nuk donte ta shpëtonte, në një simbol të trashëgimisë frënge që ia vlente të mbrohej. Në vitin 1834, shteti francez krijoi Inspektoratin e parë të Monumenteve Historike dhe dhjetë vjet më pas filloi një restaurim i madh nën drejtimin e arkitektit Eugène Viollet-le-Duc.
Rreth dy shekuj më vonë, kur zjarri i vitit 2019 e kërcënoi keq ndërtesën, romani i Hygoit u rikthye në krye të listave të librave më të shitur në Francë, duke bërë të njëjtin sensibilizim që pat bërë edhe herën e parë.