Albspirit

Media/News/Publishing

POETJA IRMA KURTI BOTOHET NË ZVICËR. VEPRAT E SAJ JANË PËRKTHYER NË 25 VENDE TË BOTËS

Libri titullohet “Il ritorno”, mban logon “Edizioni Universum Switzerland” dhe poezitë shoqërohen nga imazhet e fotografit Biagio Fortini

Poetja shqiptare Irma Kurti boton librin e saj të ri me poezi, të titulluar “Il ritorno”(Kthimi). Libri mban logon “Edizioni Universum Switzerland” dhe poezitë shoqërohen nga imazhet e fotografit italian Biagio Fortini. Dizajni editorial, grafika dhe produksioni janë kryer nga José Badasci.

Në parathënien e librit lexojmë: “Vargjet e Irma Kurtit janë të thjeshta, por të fuqishme; ritmi i tyre është frymëmarrja e shpirtit, dhe figurat artistike, të përzgjedhura, imazhe dhe portrete që flasin më shumë se çdo fjalë. Poetja Irma Kurti na tregon se edhe në botën e ftohtë dhe të larguar nga emocionet, ekziston një vend ku ndjenja, kujtesa dhe pasioni për artin mund të bashkohen në harmoni.

Poezia e Irma Kurtit është udhëtim i brendshëm dhe dritë në errësirë, një ftesë për të reflektuar mbi vetminë tonë dhe për të kuptuar se vetmia, kur përjetohet me ndjeshmëri, bëhet mjet për të kuptuar dashurinë, natyrën dhe artin”.

Edizioni Universum Switzerland, pjesë e shoqatës kulturore Universum Academy Zvicër, me seli në Lugano, është një organizatë joqeveritare e themeluar në Ticino në vitin 1990, e përkushtuar për të promovuar kulturën e paqes, historinë dhe traditat e popujve. Presidenti Federal dhe përfaqësuesi ligjor i shoqatës kulturore Universum Academy Zvicër është Dr. Valerio Giovanni Ruberto.

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka fituar shumë çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Greqi, Liban, Kinë dhe Kore. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. Ka shkruar rreth 200 tekste këngësh në festivalet e muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër.

Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese e koordinatore pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Në vitin 2026, iu akordua Çmimi ‘Pena e Artë’ nga Shoqata Koreane e Letërsisë Botërore, në bashkëpunim me gazetën koreane ‘Culture & People’.

Irma Kurti ka botuar 124 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Poezitë e saj janë përkthyer në 40 gjuhë. Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 25 vende të botës.

BIAGIO FORTINI është një fotograf, piktor dhe shkrimtar italian. Ai ka lindur në Ripalta Cremasca, në provincën e Cremonës në Itali. Pasioni për fotografinë e ka nxitur të udhëtojë në shumë vende të botës dhe të fiksojë në aparatin e tij bukuritë e natyrës dhe të portreteve njerëzore. Veprat e tij janë bërë pjesë e antologjive si dhe revistave e gazetave në Kanada, SHBA, Spanjë, Itali, Shqipëri, Kosovë, Argjentinë dhe Indi. Ai është akademik nderi i Akademisë Universum të Zvicrës.

Biagio Fortini ka fituar çmimin e parë në Konkursin e 12-të Kombëtar të Poezisë, Prozës dhe Fotografisë të titulluar “Fuori dal cassetto (Jashtë sirtarit) në vitin 2022 organizuar nga Shoqata Kulturore “Testi & testi” në Lecce. Gjithashtu ai është vlerësuar me  çmimin e tretë në Konkursin Letrar “La Couleur d’un Poème” 2023, në Milano me veprën: “Dashuri të mbyllura në heshtje”.

Imazhet e fotografive të tij janë bërë kopertina të mbi 70 veprave letrare me poezi dhe prozë dhe kanë shoqëruar disa herë poezitë e projektit “Poezi pa kufij” të Fondacionit “Itaka” në Spanjë.

Në vitin 2020 u botua nga Shtëpia Botuese Amanda Edit në Rumani libri “Mai multe săruturi decât cuvinte” (Më shumë puthje se fjalë) me fotografitë e tij dhe poezitë e shkruara nga  Irma Kurti. Në 2022, ai botoi librin “Un giorno mi racconterai” (Një ditë do t’më tregosh) me logon e Edicionit Accademia Barbanera, dhe në 2025 botoi librat “L’alba tinge tutto di luce” (Agimi ngjyen gjithçka me dritë) dhe “Cerco di Dirti” (Përpiqem të të them), Ukiyoto Publishing në Indi. Në 2026 boton me Youcanprint në Itali “Sulle strade dell’Australia” (Në rrugët e Australisë), një ditar përshtypjesh udhëtimi të shoqëruara me fotografi.

Libri “Il ritorno” është i disponueshëm në Amazon dhe në shpërndarësit kryesorë online.

VIDEO: