Shqiponja Pazaj Veshaj: Etyd vjeshte!
Oh ç’vjeshtë e artë afrohet lehtë,
Nje kalë i bardhë trokon i qetë,
Ti zbrit i dashur në agim,
Shiko si derdhen përmbi varg,
Copëza hëne që nga larg,
Tek bëjnë hare mbi ballin tim!
A të kujtohet atëherë?!
Në xham trokiste shi dhe erë,
Premtimi digjej si qiri,
Pas reve dielli rrinte zbehtë,
Dhe rruga mbetej krejt e shkretë,
Po sot… u shfaqe përsëri!
Verdhojnë fushat e përbri,
Kalon i etur një djal i ri,
Dhe… kali i bardhë tek hingëllinte
Në heshtje zogjtë e pyllit ngrinë,
Te ky oaz për dashurinë,
Dhe bota anë e mbanë s’pipëtinte!
Po si nuk ndalet kal’ i bardhë
Nga ç’flak pasioni pati ardhë?!
I flasin muzgjet, pyjet, malet,
Në ç”shtigje jete shkrep patkoi
Pas tij dhe vjeshta fluturoi
E prap… ai nuk ndalet!
E gjithë natyra pikon mjaltë,
Nga kup’e qiellit blu kobaltë,
Dhe renda shpejt ti them atij;
Të lutem dil nga strofa vjershe,
Të zgjatim ditët e kësaj vjeshte,
Që dimri të mos vijë!